Çfarë rezervonte për malësorët më të famshëm shqiptarë shtypi amerikan i kohës dhe çfarë fshihnin nën dhè këto qyteza. Përse vlerësoheshin si dy destinacionet më të paeksploruara të Europës dhe përse veprimet e tyre, arrinin t´u bënin sfidë të hapur vendimeve të Fuqive më të mëdha të botës

“Qytetet e ndaluara të Plavës dhe Gucisë, të cilat nuk mund t´i shkelë dot askush përveç shqiptarëve të klanit të Guciajve (gusinjotët) apo vëllezërve të tyre të gjakut, akoma mund të ndajnë të njëjtin fat thuajse si i Lhasës (kryeqyteti i Tibetit) dhe misteret e tyre përbëjnë material të denjë për t´u përfshirë në guidat turistike si destinacione të paeksploruara. Kjo do të përbënte njëkohësisht edhe përfundimin e zënkave territoriale mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, një çështje e ndjeshme në rajonin e Europës Juglindore, me të cilën diplomatët po merren prej vitesh”. Kështu niste një artikull në një gazetë amerikane në vitin e largët 1907, i cili i kushtohej në mënyrë ekskluzive historisë, zakoneve dhe traditave të njërës prej zonave më të bukura, më atdhetare e më të famshme të Shqipërisë së Veriut, e cila sot, pas më shumë se 100 vjetëve, ndodhet nën autoritetin shtetëror të Malit të Zi, plotësisht e shndërruar, e nëpërkëmbur e thuajse në prag asimilimi, jo thjesht gjuhësor. Për më tepër, e harruar edhe nga vetë shqiptarët. Por dikur ishte ndryshe. 

Në shumë pasazhe nga ky artikull mëson shumëçka mbi Plavën e Gucinë, të cilat, duket se në mediat e huaja asokohe kishin marrë namin e dy qyteteve “të ndaluara” të Europës, apo “njollat e pashkelura” të saj, ku sipas tyre zor se gjeje një njeri të vetëm që të mund të depërtonte atje për të rrëfyer më pas bëmat e tij. Por jo vetëm kaq. Sigurisht se rezistenca e famshme e kësaj popullsie ndaj tentativave të Malit të Zi për ta pushtuar dhe këmbëngulja e tyre për të mos iu bindur madje as autoritetit e vendimeve të gjashtë Fuqive të Mëdha europiane, duket se kishin tërhequr vëmendjen e shtypit edhe përtej detit, duke bërë që t´u kushtonin atyre një vëmendje të veçantë. 

Sjelljet e banorëve të kësaj zone krenare kundrejt të huajve e sidomos kundrejt fqinjëve sllavë, hasen në përshkrimet e tyre me frekuencë të habitshme, madje qysh në fillim të viteve 1900, duke vënë në dukje nga njëra anë brutalitetin e fatin fatal që u rezervohej këtyre të fundit, e nga ana tjetër, arsyet e kësaj sjelljeje e mosbesimi të thellë. Por mësojmë se këto dy qytete, njëkohësisht mbartnin edhe statusin e qyteteve të shenjta për shqiptarët, duke na sjellë fakte interesante e ngritur lart virtytet e atyre banorëve, të cilët për kohën, duket se po shkruanin historinë. Sigurisht, aty gjejnë vend edhe histori që ilustrojnë sjelljen kolektive e individuale ndaj fenomeneve të kohës, si ai i gjakmarrjes, izolimit, mungesës së civilizimit etj. Sidoqoftë, thelbi dhe mesazhi i artikullit mbetet plotësisht i qartë e pozitiv, pasi në fund mbyllet me fjalët: 

“Por megjithatë, çfarëdoqofshin sherret e brendshme që duhet të kalojnë, Guciajt janë të bashkuar në një pikë të vetme: qytetet e tyre të shenjta duhet të mbeten të paprekura dhe banorët e tyre të lirë nga çdo pushtetar i huaj, përveçse fiseve të tyre. Këto të drejta ata thonë se do t´i mbrojnë madje edhe sikur t´u duhet t´i kundërvihen edhe vullnetit të të gjitha fuqive europiane”. 

Për këtë arsye, ia vlen të zhvendosemi larg në kohë e të fokusohemi tek artikulli i marrë nga arkiva e të përditshmes amerikane “The Sun”, i datës 28 korrik 1907, sjellë në mënyrë të përmbledhur për lexuesin në shqip, shoqëruar nga dy pasazhe të tjera të shkëputura po nga mediat amerikane, në vitet 1903-1904, duke lënë jashtë vetëm fragmente e detaje të cilësuara paraprakisht si të parëndësishme. 

Thyerja e malazezëve dhe çështja e kufinjve 

Përfaqësuesit e Ballkanit në Konferencën e Paqes në Hagë, deklaruan se kjo është kërkuar në interes të paqes së rajonit, ndërsa ministrat e jashtëm të Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilët sapo mbajtën së fundmi një takim në Desio, Itali, e kërkuan zgjidhjen e saj në interes të tregtisë, të cilën bota e civilizuar po përpiqet t´a zhvillojë edhe me Shqipërinë. Kur u nënshkrua Marrëveshja e Berlinit, e cila i dha Bosje-Hercegovinën Austrisë, duke rudhur kësisoj Perandorinë Turke, u ra dakord që të shpërblehej Mali i Zi, duke i dhuruar dy qytetet: Plavën dhe Gucinë. Malazezët, me një forcë prej 10.000 vetësh nën udhëheqjen e Marko Drekaloviçit, të flakëruar pas fitoreve me turqit e fuqishëm, marshuan drejt Gucisë për të marrë frutat e para të suksesit të tyre. Ata po i hidhnin një sy qytetit, kur ia mbërritën aty shqiptarët që zbritën nga majat e maleve me trupat e tyre, më të vogla në numër, duke i mundur e detyruar të merrnin rrugën mbrapsht për në shtëpi. Qysh prej asaj kohe, përpjekje të shumta janë bërë për të mbikqyrur territorin, por kur Guciajt nisën të lëviznin rreth maleve e shkëmbinjve, duke qëlluar mbi gjeometra e të dërguar të qeverisë, askujt nuk ia mbajti të vazhdonte më punën. Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, më në fund ia dolën të siguronin një takim me krerët e fiseve luftuese. I pari nuk shkoi më larg se portat e qytetit të Gucisë, ku u pritën nga një delegacion shqiptarësh, të cilët u thanë që të vraponin sa më parë për të shpëtuar kokat dhe se nëse ndonjëri prej tyre do të shihej në atë zonë brenda 24 orëve në vazhdim, kokat e tyre do të zbukuronin majat e kangjellave të mureve të qytetit. Fuqitë pastaj u detyruan t´u japin malazezëve qytetin port të Ulqinit. Linja e kufirit mbeti kësisoj akoma e papërcaktuar dhe luftëtarët e këtyre dy qyteteve malore, duke shpërfillur fuqitë më të mëdha europiane, mbajtën pozicionin që kishin zgjedhur vetë. 

Kalorës fisnikë që dinë ta duan vendin e vet 

Njerëzit janë të njohur për besnikërinë dhe virtytet e tyre, e madje edhe në momentet më të ethshme të urrejtjes, u përmbahen veprimeve e mjeteve më kalorsiake për të kryer vdekjen e një armiku me të cilin janë në gjak... Ata janë vazhdimisht vigjilentë dhe dyshues për të huajt. E dinë vlerën që ka vendi i tyre për Fuqitë e Mëdha dhe përpiqen vazhdimisht ta mbrojnë atë nga të huajt. Kjo është edhe arsyeja se pse të huajt shihen si armiq potencialë. Të mbash një aparat fotografik me vete, apo të përpiqesh të shkruash ose të bësh ndonjë skenë në brendësi të vendit, do të thoshte dënim me vdekje për të huajt. Disa nga zakonet janë vërtet interesante dhe janë përcjellë brez pas brezi si ligje të shenjta, të pashkruara. Nëse ndonjë burrë kryen një vrasje dhe vrapon për të shpëtuar kokën e në këtë moment shkel në shtëpinë e një tjetri, mik apo armik qoftë, madje edhe në atë të vëllait të viktimës që sapo ka vrarë, ai është i sigurtë të paktën për tri ditë. Një armik gëzon amnisti (ruajtje) kur është nën shoqërinë e një gruaje, ndërsa një kompliment për këtë të fundit, nëse ajo është vajzë e pamartuar, mjafton për t´u trajtuar si një provokim që lahet vetëm me vdekje. 

Guciajt, më krenarët ndër shqiptarë 

Nga të gjithë fiset shqiptare, Guciajt konsiderohen se janë më krenarët dhe më luftarakët. Malësorët e Plavës e Gucisë, mbahen si më të pashmit e më besnikët mes tyre për çdo premtim që bëjnë. Shtëpia e tyre është rrafshi i madh në qoshen lindore të Malit të Zi, e rrethuar nga të gjitha anët nga male krenarë. Praktikisht i vetmi akses arrihet përmes një lugine të ngushtë, e cila përcjell ujët që buron nga liqenet e përrenjtë malorë. 

Nuk e durojnë dot zgjedhën e huaj 

Megjithëse Shqipëria nominalisht është pjesë e Perandorisë Turke, Guciajt nuk e njohin bindjen ndaj Sulltanit, apo ndaj ndonjë fuqie tjetër. “Guciajt nuk pranojnë zgjedhë të huaj dhe asnjë pushtetar s´mund të dërgojë atje njerëzit e vet”, thuhet se është mënyra se si kreu i Guciajve e shpreh atë. Përsa i përket religjionit, ata kryesisht janë muhamedanë, megjithëse shumë prej tyre janë anëtarë shumë të devotshëm të Kishës Katolike romake e pak syresh edhe anëtarë të ritit bizantin. Arsyeja se pse shumica e tyre janë muhamedanë është fakti se anëtarët e këtij grupimi religjioz, kanë më shumë privilegje në mbajtjen e armëve, apo kur shërbejnë si ushtarë. Rangu dhe ofiqi ushtarak vlejnë më shumë se sa feja në zemrat e shqiptarëve. Anëtarë të gardës personale të Sulltanit janë zgjedhur nga kjo racë për shkak të vlerave të tyre të pakundërshtueshme dhe besnikërisë së plotë që ofrojnë… Por ata kanë shkaktuar ndërkohë shumë dhimbje koke për vetë turqit, duke i paralajmëruar se autoriteti i tyre po merr fund. Ata kanë vrarë kajmekamë apo guvernatorë, të cilët janë përpjekur t´i nënshtrojnë. Në vitet e fundit, Porta e Lartë s´ka guxuar të dërgojë asnjë përfaqësues të vetin, as sa për formë mes tyre. I fundit që u dërgua nga Porta për t´i bindur ata t‘ua dorëzonin qytetet e tyre të shenjta malazezëve, u vra dhe koka e tij iu dërgua guvernatorit më të afërt turk, si shenjë paralajmërimi se njeriu tjetër që do të vinte pas tij me të njëjtin mision, do të gjente të njëjtin fat. 

Plava dhe Gucia: Qytete të shenjta 

Nga të dy qytetet në fjalë, Gucia është më e populluara dhe ushtron një lloj ndikimi mbi Plavën. Kjo e fundit, megjithatë thuhet se është më e bukur për shkak të pozicionit gjeografik që ka në brigjet e një liqeni me të njëjtin emër, nën këmbët e një mali veshur me pisha e bredha. Gucia ka një xhami që është ndër më të bukurat e Shqipërisë, dhe kjo e fundit, ashtu sikurse edhe kulla e kreut të fisit, është një mrekulli e përcjellë nga epoka e ornamenteve antike bizantine. Në Plavë janë varret e burrave të shenjtë që mirëmbahen me përkushtim nga Guciajt. Një kutizë që përmban mbetjet e një shenjtori dhe njëra me krahun e djathtë të Skënderbeut, heroit shqiptar, thuhet se ruhen në një dhomë të nëndheshme në Guci. Janë këto relike që i kanë bërë këto dy qytete të cilësohen si “qytete të shenjta”. 

Prijës i fisit, lideri më i suksesshëm 

Ai që drejton Guciajt ndryshon në varësi të suksesit apo dështimit që korr në drejtimin e familjeve. Kryetari i fisit më gjakësor mbahet se ka qenë Vlok Vath Varushi, i cili thuhet se e arriti objektivin e tij si prijës fisi, duke vrarë 100 burra dhe shmangur nga rruga për pushtet të gjithë anëtarët meshkuj të familjes apo fisit të tij, të cilët mund ta kundërshtonin atë në këtë “të drejtë”. Gjithsesi, ai në mënyrë bujare kujdesej për të gjitha familjet e fisit dhe duke bërë këtë, thuhet se përfitoi edhe 10 hareme. Por megjithatë, çfarëdoqofshin sherret e brendshme, Guciajt janë të bashkuar në një pikë të vetme: qytetet e tyre të shenjta duhet të mbeten të paprekura dhe banorët e tyre të lirë nga çdo pushtetar i huaj, përveçse i fiseve të tyre. Këto të drejta, ata thonë se do t´i mbrojnë edhe sikur t’u duhet të kundërshtojnë vullnetin e të gjitha fuqive europiane. 

Plava dhe Gucia: Nga Dedë Shala tek Mali i Zi 

Gucia sot s´është veçse një qytezë e vogël në Juglindje të Malit të Zi. Para se osmanët të merrnin kontrollin e rajonit të njohur si Plava dhe Gucia nga fundi i shekullit 14-të, ai kontrollohej nga fise të ndryshme katolike shqiptare. Themeluesi në terma modernë i saj ishte Dedë Shala, një lider katolik shqiptar. Në vitin 1455, Shala u konvertua në Islam dhe u bë i njohur si Omer Aga Shala. Shala, i shpërblyer me toka u trashëgua nga i biri Hasan Aga Omeragaj, i cili ndërtoi shtëpinë e parë në Guci mbi lumin Lim, duke themeluar edhe degëzimin e fisit të Omeragajve në Guci. Djali tjetër i tij, Tahir Aga, hodhi rrënjët e të njëjtit fis në Plavë. Omeragajt (të sllavizuar më vonë nën emrin Omeragiç) udhëhoqën Gucinë nga 1461-1590, duke u pasuar më vonë nga liderë të tjerë vendas ose kajmekamë osmanë. Gjatë gjithë kohës së administrimit osman, turqit ia dolën të konvertonin – ashtu si dhe në rajone të tjera shqiptare – shumicën e popullsisë shqiptare atje nga katolikë (megjithëse një pjesë e vogël, vijoi të ndiqte madje edhe ritet e Kishës Orthodokse të Lindjes) në muhamedanë. Kështu, sipas regjistrave osmanë, qysh në vitet 1700, rreth 75% e tyre ishin islamizuar. Por momenti kur banorët e Plavës dhe Gucisë do të shkruanin historinë, ishte periudha pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, në 1878. Vendimet e tij u pritën me indinjatë nga popullsia dhe liderët shqiptarë, të cilët të organizuar në Lidhjen e Prizrenit, arritën t´u bënin ballë me sukses përplasjeve të shpeshta e të pabarabarta me ushtrinë malazeze, duke bërë që praktikisht në vitet 1878-1912, të gëzonin de facto statusin e një republike të pavarur vetëqeverisëse, duke mos lejuar madje as guvernatorët osmanë të ushtronin funksionet e tyre administrative e duke sfiduar nga ana tjetër hapur edhe vendimet e Fuqive të Mëdha. Pas Konferencës së Londrës më 1913, këto rajone përfundimisht shkuan në favor të Principatës së Malit të Zi. 

Guciajt, trima e të pathyeshëm: Nëse s´i përmend ata, s´ke thënë asgjë për Shqipërinë 

Gjithsesi, është akoma një fis tjetër pa emrin e të cilit asnjë gazetë apo material që flet për Shqipërinë Veriore, nuk do të ishte i plotë. Është fisi i Guciajve, më i frikshmi e më trimi i të gjithë malësorëve. Ata popullojnë një luginë të rrethuar nga male krenare në qoshen lindore të Malit të Zi. Kongresi i Berlinit ia dha këtë rajon Malit të Zi, në vend të qytetit port të banuar po me shqiptarë, Ulqinit. Disa dhjetra-mijëra malazezë, nën udhëheqjen e Vojvodës Marko Drekaloviç, të mbarsur me shpirtin e triumfit që ia kishin dhënë fitoret me turqit e fuqishëm, të cilëve u kishin rimarrë sërish territoret që më parë i kishin pasur nën zotërim, marshuan drejt Plavës e Gucisë për ta marrë nën kontroll këtë “frut të fundit të suksesit të tyre”. Pak orë më vonë, malazezët e hutuar e gjetën fatin e tyre e shkuan përtej tij në një mënyrë që s´e kishin parashikuar. Dhëmbët e tyre u thyen ndërsa përpiqeshin të përtypnin këtë kafshatë të fundmit nga arra që u kishte mbetur për të ngrënë dhe ushtria e tyre u shkërmoq. Pavarësia e Plavës e Gucisë ndërkohë shkon aq larg, saqë nuk pranojnë madje të quhen as thjesht “shqiptarë”. Ata janë burrat e Gucisë dhe nuk njohin asnjë autoritet tjetër, veç fisit të tyre. 

Shkëputur nga New York Daily Tribune 20 prill 1903 

Rajon i egër, por me bukuri magjepsëse 

Malazezët: Plava dhe Gucia, kafshatë që s´kapërdihet 

Sipas termave të përcaktuara në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, Gucia dhe rajoni që e rrethon, iu dha Malit të Zi, por kur malësorët trupgjatë të Principatës së vogël, të cilët në shumë raste kishin mundur turqit me ushtri superiore mbi ta, pritej të merrnin kontrollin e saj, ata ndeshën një rezistencë aq krenare nga banorët e saj, saqë shumë shpejt u detyruan ta braktisnin tërësisht idenë e tyre për pushtimin e atij territori. Atyre iu dha më pas qyteti-port i Ulqinit si kompensim dhe Gucia mbeti edhe sot e kësaj dite, le të themi “de jure” nën autoritetin e Portës së Lartë. Guciajt janë jashtëzakonisht krenarë dhe një fis muhamedan shqiptarësh që i përket degëzimit të gegëve. Muhamedanizmi i tyre nuk është i një karakteri shumë religjioz dhe ashtu sikurse të gjithë shqiptarët, ata nuk janë fanatikë në fakt. Porse urrejnë të gjithë të huajt, e sidomos ata të prerjes sllave. Ndërkohë, ata nuk janë aspak të njëanshëm në këtë drejtim, duke përfshirë këtu edhe vetë turqit. Në më shumë se një rast, ata kanë vrarë apo kanë përzënë me forcë kajmekamët, të cilët përfaqësojnë autoritetin perandorak turk në krahinë. I gjithë distrikti në fjalë është jashtëzakonisht i egër e i rrezikshëm e megjithëse thuhet se ka një bukuri të papërshkrueshme, sidomos në pjesën rreth liqenit të Plavës, rrallë gjen një të huaj që ta ketë vizituar atë e të ketë jetuar atje, për të treguar më pas atë çka ka parë. 

14 Komente

Shkrim i shkruajtur me shume dashuri.Une do isha kurioze te dija cila esht gjendja aktuale e ketyre krahinave,dhe a ruhet ende identiteti shqiptar? Faleminderit Monda.

Kam qene ne Tuz dhe Podgorice para nja 20 vjetesh, dhe ne Tuz qe eshte shume afer Shqiperise nuk te fliste kush Shqip edhe pse e dinin Shqipen!
E kam para para nja viti djalin e djalit te Jakup Ferrit, te tregu historine e Jakup Ferrit dhe fliste serbisht jo shqip!
Ne Ulqin rralle te flet kush shqip, sipas disa shokeve qe kane shku atje per pushime.
Nqs ka Shqiptare te Malit te Zi ketu duhet te na e shpjegojne situaten tani.

Me beri pershtypje se sa te keqij kishin qene me njeri tjetrin, dhe pse kishin qejf te identifikoheshin si te Plaves ose Gucise, dhe jo si Shqiptare! Ndoshta kjo duhet te kete ndikuar qe te mos tu shkoje ne ndihme Shkodra, Lezha, Hasi, Kusksi etj etj. Btw ne kengen e tij nipi i J Ferrit kendonte 'Jena plava e gucia jo shkodra e malsia'

Filan,kur i paska marr era 20 vjet me pare shqiptaret aty,lere me tani.Faleminderit per kete historin me sternipin e Ferrit.Gjynah c'eshte e verteta.Po fundja c'presim.Deri ne momentin qe shteti shqiptar s'bene asnje perpjekje ti mbaj gjalle keta shqiptar,normalisht do asimilohen.Shyqyr qe fqinjet i kemi me deficent se veten e s'dine te merren me shqiptaret qe i kane ra per hise,se ndryshe Shqiperia s'do rrethohej me shqiptar(pervec greqerve e malazezve qe ja kane arrit qellimit me "dashni")Po nejse nejse..Faleminderit dhe njehere.

smiley 'filan' e kam vu per gallate ...nuk eshte emer smiley
Ke te drejte se Shqiperia nuk ben perpjekje per te ruajtur gjuhen, kulturen dhe traditat e Shqiptareve jashte kufijve te Shqiperise, especially te atyre qe jane asimiluar ose gati te asimiluar nga sllavet apo grekt. Por jo se bejne gje edhe per brenda kufirit.
Por nje gje me ben pershtypje - se si gabelt e ruajne gjuhen e tyre kudo ne ballkan, turqit ne kosove, gorant ne kosove dhe ne Shqiperi, etj etj.

Keto dy vendbanime nuk jane as qytete, as te shenjta dhe as shqiptare!

 

 Autori, duke mos qenë lëvrues i shqipes, por thjesht përkthyes, kryesisht nga gjermanishtja, në shumicë ka sjellë përkthime të shtypit të amerikan të fillim shekullit XX. Nëse ka gjë të shkruar me dashuri, e kemi nga kronistët amerikanë të shtypit.

 Në qytezat Plavë e Guci, me sa di unë, nuk flitet më shqip. Banorët e saj në shumicë, kanë emigruar e ngritur qyteza të tjera në SHBA. Banorët që kanë ngelur dhe fshatrat e mëdha të rrethinave të këtyre qyteteve, si Vuthaj, Martinaj, Kukaj, banohen nga shqiptarë që i thonë vetes se janë boshnjakë dhe flasin variantin malazez të serbishtes. Fjalë shqip në leksikun e tyre, copë zero. Shqip kanë vetëm mbiemrat, por me viç nga mbrapa, si Dedoviç, Vuthoviç, etj. Pra tërsisht të asimiluar, madje dhe me trurin të shpëlarë. Prej tyre kanë ngelur të "gjalla" vetëm fotot e Marubit, me qeleshet (plisat) e veshjet kombëtare shqiptare, që na sjellin ndermend Ded gjo Lulin dhe copëza në librat e historisë, që kujtojnë kryengritjen e tyre të madhe për pavarsi, të vitit 1911.

 U prehshin në paqe shpirtrat e tyre.

Ne Vlore ka pasur Vuthaj.Te gjate,bukuroshe dhe qytetare, me prejardhje andej.

 

TË JETOSH BUZË KUFIRIT

 

(Plava e Gucia)

 

1.

Historia

 

Kohë më parë, një botues enciklopedist, më dha, për nevojat e punës së tij, një material me zërat Plavë e Guci, marrë nga enciklopedia elektronike Wikipedia. Ajo që shkruhej aty, nuk kishte asnjë lidhje me një imazh të fjetur në kujtesë për këto vende, prandaj nuk e mora përsipër përkthimin e atij materiali, duke pasur parasysh se ai do të servirej për publikun shqiptar. Duhej të kërkonim ndonjë burim tjetër informacioni, pasi ato vende lidheshin me një moment të njohur të historisë sonë: këtë e kishim të qartë të dy, prandaj nuk pat ndonjë kundërshtim. Konkretisht, për mua qe i pakuptueshëm fakti se këto dy vende mbizotëroheshin (me një përqindje të lartë mbi të tjerët) nga popullsia boshnjake, kur e dija fare mirë se Bosnja qe mjaft larg prej aty, kurse historia fliste vetëm për problemet me një vend që hapej aty gjeografikisht, Malin e Zi. Informacioni se dikur në Jugosllavi rëndom përdorej termi “kombësi myslimane”, nuk i sqaronte paqartësitë.

Historia thotë se Kongresi i Berlinit (1878) ia dha Plavën e Gucinë Malit të Zi.

Historia thotë, gjithashtu, se shqiptarët e udhëhequr nga Ali Pashë Gucia (ai u bë pashë pas kësaj beteje) dhe Jakup Ferri (ra dëshmor në këtë betejë) i vunë pritë ushtrisë malazeze pranë vendit të quajtur Nokshiq dhe e hodhën në lumin Lim, duke i detyruar Fuqitë e Mëdha që, me Traktatin e Shën Stefanit, t’i jepnin Malit të Zi Ulqinin.

Ndërkohë, te “Kamus-ul alam” (1889-1898), enciklopedia e parë në Turqi, në zërin Pejë Sami Frashëri shkruan se në këtë sanxhak “në përgjithësi popullsia është shqiptare. Vetëm një pjesë e popullsisë së kazave të Gucisë e Beranës flasin sllavisht, por dinë edhe shqip dhe nuk dallohen nga shqiptarët për nga doket e zakonet”.

Sot, sigurisht, fytyra e këtyre vendeve nuk është më e njëjta, sepse vendet buzë kufijve e kanë të vështirë të mbeten të njëjtët..

 

2.

Rruga për në Plavë e Guci

 

Rruga për në Plavë kthen diku në rrugën kombëtare që të çon në Beograd ose në Prishtinë, rrugë malore, pasi vetë Plava është mbi 900 m mbi nivelin e detit. Por para se të hysh në Plavë mund të shikosh Nokshiqin, vendin ku u zhvillua beteja e famshme midis ushtrisë shqiptare dhe asaj malazeze. Është vendi i poetit Esat Mekuli, i cili ka përdorur edhe pseudonimin Sat Nokshiqi. Po të kesh shoqërues një shkrimtar, do të mësosh plot gjëra për letërsinë, kështu që bëhet me dije se brigjet e lumit Lim kanë nxjerrë disa nga poetët më të mirë të Malit të Zi, por, për fat të keq, jemi kaq afër dhe nuk e njohim letërsinë e njëri-tjetrit. Se çfarë poezie është shkruar në këto brigje, ndoshta mund të na e japë një ide poezia Mbramja e Esat Mekulit.

 

 

Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërtën shami,

n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra nën borë -

flakron perëndimi... Retë mbi krye prorë

ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi.

 

... Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:

cipa e natës shtrihet mbi fushat e përhime,

malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,

si të humbte jeta - çdo gja u nxi, u zhduk.

 

N’ajri ndihen klithmat e natës që ra -

drujt pranë rrugës era i përkund...

Ndërsa dita e bardhë, e tretun dikund,

 

shigjeta të flakta mprehë errësirës me i ra.

Terri sundon botën. Katundet e shtrime

në mes të natës prehen n’luginë me andrrime.

 

Lumi Lim të çon deri në liqenin e Plavës, një liqen i mrekullueshëm alpin. Boshnjakët kanë blerë shtëpi në këtë vend, prandaj thuhet se përqindja më e lartë e popullsisë u përket atyre, mirëpo shumë mbiemra janë shqiptarë, që do të thotë se pavarësisht nga gjuha që flitet, këtu ka shumë gjak shqiptar. Kjo bashkëjetesë, sigurisht, ka bërë që edhe të tjerët të kuptojnë shqip nga pak. Tri lagje që mbahen pastërtish shqiptare, i përkasin Gucisë, që ndodhet aty afër, por më pranë kufirit me Shqipërinë. Njëra nga këto lagje është Vuthaj, vendlindja e Rexhep Qosjes, i cili ka një shtëpi të re, sepse me sa duket e shfrytëzon vazhdimisht këtë bukuri alpine, qoftë edhe për të bërë polemikat e ashpra me Ismail Kadarenë. Shumë afër prej këtu janë Bjeshkët e Nemuna, por ata janë brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Vitet e fundit është hapur pika kufitare e Vermoshit, e cila u jep mundësi popullsive anës kufirit që të komunikojnë lirshëm me njëra-tjetrën.

Hapja e kësaj pike kufitare ka zgjuar ambicien e Komunës së Plavës për ta shfrytëzuar më tepër atë, sepse do të shkurtonte disa orë të mira rrugë për të dalë në Podgoricë, nëse do të rregullohej rruga që gjarpëron përgjatë lumit Cem, brenda kufijve të Shqipërisë. Ata ia kanë kërkuar këtë kryeministrit shqiptar që inauguroi hapjen e pikës kufitare, por ky kryeministër lëvizi nga detyra brenda asaj jave, prandaj mezi ç’presin të hapet edhe një herë kjo temë. 

 

 

3.

Të jetosh buzë kufirit

 

Mali i Zi i pushtoi Plavën e Gucinë vetëm pak para Luftës I Botërore, por gjatë kësaj të fundit, ia lëshoi ato Austrisë. Austriakët hapën shkollë shqipe në këto anë, ku dha mësim arbëreshi i Zarës, shkrimtari Josip Rela, të cilit iu tha ose të mobilizohej, ose të jepte mësim kaq larg vendit të tij. Me ndihmën e Serbisë, Mali i Zi i mori Plavën e Gucinë vetëm pas kësaj lufte.

Ndërsa menjëherë pas Luftës II Botërore, qeverisja lokale e Plavës nuk kishte më fytyrë shqiptare.

Sidoqoftë, nga këto anë kanë dalë shumë shkrimtarë e artistë, studiues e akademikë, të cilët kanë bërë emër në kulturën shqiptare, kur u vendosën në një kryeqendër kulturore si Prishtina.

Mirëpo shpërngulja drejt kryeqendrës tjetër kulturore, asaj të Podgoricës, ka sjellë një problem tjetër, atë të humbjes së gjuhës. Shkrimtari Zuvdi Hoxhiqi - Berisha është njeriu që e ilustron më së miri këtë shembull. Ai është autor librash me poezi, tregime, por në mënyrë të veçantë, i dy romaneve “Viti i Gucisë” dhe “Ylli i Davidit”, që megjithëse i përkasin traditës shpirtërore shqiptare, të gjitha janë të shkruara në gjuhën serbo-kroate.

Suksesi i tij si shkrimtar i ka kapërcyer kufijtë e ish-Jugosllavisë, kur në një gazetë hungareze është shkruar se “e shquajnë fuqia e madhe epike, gjuha e pasur dhe e madhërishme, frymëzimi i veçantë prej liriku... një zbulim i vërtetë letrar dhe vepra e tij meriton t’i prezantohet Evropës”.

 Disa postulate që ai përdor në këto libra, janë: Lum vendi në kufi në kohë paqe, vaj halli për të, në luftë! Ose: Kush lind në kufi – ose trandet nga gjithçka, ose bëhet aq i shurdhër sa nuk mund ta frikësojë më as dreqi i zi! Kjo është Gucia, vendi që ai i ka ngritur përmendore të mrekullueshme letrare. Të dy këto romane janë përkthyer e botuar në Prishtinë, por megjithëse janë përfolur nuk e kanë parë dritën e botimit në Tiranë.

Është fat i rrallë që ta kesh mikpritës dhe shoqërues në këto vende këtë shkrimtar, i cili nuk është vetëm njohës i jetës shpirtërore por edhe i natyrës, pasi është edhe një alpinist dhe botanist i pasionuar dhe i ka prekur me këmbë edhe majat më të larta të maleve. Kur ai thotë se cila është maja e Durmitorit apo e Vizitorit, kujtesa ime rrudhet dhe e kupton se janë toponime të lexuara te poema “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës: ndër ato maja rrinë zanat e “shkijeve” (sllave). Pra, këtu është teatri antik, ku luhet ajo epika që këndon Fishta në atë poemë, sidomos kënga “Ali Pashë Gucia”!

Asgjë tjetër nuk ka vepruar më shumë tek unë, sesa ky vend, për të rilexuar dhe rishijuar poemën “Lahuta e Malcis”.

Natyrisht, Fishta ka ardhur deri këtu për të njohur mirë vendin ku do t’i vendoste ngjarjet e poemës së tij, çka e rrit seriozitetin e veprës së tij, por edhe që receptimi i saj lidhet me njohjen e historisë e gjeografisë, mbi të cilat është ngritur.

 

 

4.

Nevoja e njohjes

 

Në gusht të çdo viti, në Plavë organizohet veprimtaria letrare “Ditët plaviane”. Në këtë aktivitet thirren të gjithë krijuesit e trevës, të cilët mund të jetojnë në çdo cep të ish-Jugosllavisë, deri në Kosovë. Të gjithë ata i lexojnë krijimet e tyre në gjuhën që shkruajnë serbo-kroatisht, shqip, malazisht, boshnjakisht (është e ditës prirja për t’i quajtur gjuhët sipas popujve, pasi bëhen përpjekje edhe për të prekur koinenë e dikurshme serbo-kroate). Pikë e fortë e aktivitetit është se shumë kritikë e studiues përkujtojnë autorë të ndryshëm, ose flasin për probleme të ndryshme të letërsisë së kohës.

Duhet theksuar se jo vetëm letërsia, por edhe kultura shpirtërore njihet pak. Poeti boshnjak dhe përkthyesi i poezisë shqipe, Ismet Markoviç, befasohet kur mëson për versionin tonë të legjendës së murimit në kalanë e Shkodrës, pasi njihte vetëm versionin serb nga përmbledhja e folkloristit Vuk Karaxhiq, dhe ishte i interesuar ta bënte menjëherë krahasimin. 

 

 

 

5.

Bjeshkët e Nemuna

 

            Gucia ndodhet pranë Bjeshkëve të Nemuna dhe Zuvdi Hoxhiqi, i rritur nën hijen e tyre, u ka kënduar me shumë pasion. Te romani “Ylli i Davidit”, një personazhi të ardhur nga ato anë i ka ngritur lapidar, gati duke e parë si njeri legjendash.

Por Bjeshkët e Nemuna,siç thamë më lart, janë brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë.

            Kur hyn në Shqipëri nga pika kufitare e Vermoshit, shikon problemin e madh të shqiptarëve: infrastrukturën. Të huajt që mund të të zërë syri këtu janë vetëm alpinistët e  rrallë (çekë apo polakë), që e bëjnë rrugën në këmbë, vetëm me shkopin e tyre të zakonshëm. Padyshim, një infrastrukturë e zhvilluar do t’i jepte një pamje tjetër këtij vendi me bukuri të rralla natyrore, por që po boshatiset gjithnjë e më shumë nga vetë popullsia, e cila emigron në Amerikë: në këtë zonë të izoluar nga bota, jeta nuk është edhe aq e lehtë, pasi mungesa e rrugëve i privon nga shumë mundësi jetike, megjithëse, për ironi të fatit, është kohë paqeje.

            Për fat të keq, kjo perlë alpine nuk shikon ndonjë dritë shprese në këtë drejtim: ka vetëm ndonjë iniciativë të brishtë private për të tërhequr vizitorët në këto vende.

            Kjo do të thotë se ajo do t’u mungojë edhe shumë njerëzve që adhurojnë natyrën.

            Bjeshkët e Nemuna janë gati një personazh që duhet ta sodisësh në çdo orë të ditës, sepse nuk të ofrojnë kurrë të njëjtën pamje: lëvizin pareshtur fenomenet e natyrës dhe asociacionet e mendjes njerëzore.

Bjeshkët e Nemuna janë si një fytyrë njerëzore, të cilën nuk e largon lehtë nga mendja.

Për shumëkënd ajo mund të jetë një fytyrë që duhet ta shohësh përsëri.        

Ka autoresi ,apo ndonje burim ky shkrimi?

" .... Ai që drejton Guciajt ndryshon në varësi të suksesit apo dështimit që korr në drejtimin e familjeve. Kryetari i fisit më gjakësor mbahet se ka qenë Vlok Vath Varushi, i cili thuhet se e arriti objektivin e tij si prijës fisi, duke vrarë 100 burra dhe shmangur nga rruga për pushtet të gjithë anëtarët meshkuj të familjes apo fisit të tij, të cilët mund ta kundërshtonin atë në këtë “të drejtë”. Gjithsesi, ai në mënyrë bujare kujdesej për të gjitha familjet e fisit dhe duke bërë këtë, thuhet se përfitoi edhe 10 hareme. Por megjithatë, çfarëdoqofshin sherret e brendshme, Guciajt janë të bashkuar në një pikë të vetme: qytetet e tyre të shenjta duhet të mbeten të paprekura dhe banorët e tyre të lirë nga çdo pushtetar i huaj, përveçse i fiseve të tyre. Këto të drejta, ata thonë se do t´i mbrojnë edhe sikur t’u duhet të kundërshtojnë vullnetin e të gjitha fuqive europiane..."

 

Tani e kuptoj une pse ata jane shfarosur dhe pse tani aty flitet sllavisht, nderkoh qe para shum viteve flitej vetem shqip.  ç'gomere mban kjo toke.  

hahahahaha!!!! 

Vetëm tani e lexova këtë të Pjerit dhe s'po mbaj dot të qeshurën. ahahahhaha

 

O Petro, si s´qenka levrues i shqipes autori kur ka shkruar me qindra shkrime neper gazeta me tematika te ndryshme, duke levruar qe nga komenti e opinioni, deri tek dossieret e ndryshem. Eshte e vertete qe ai perkthen - dhe kete e ben me shume ndjenje madje - nga disa gjuhe dhe jo vetem nga gjermanishtja, cka eshte sigurisht nje vlere e shtuar, duke perdorur jo thjesht nje material ne vije te drejte e duke e perkthyer, por duke rremuar, gjetur, nderlidhur, perkthyer, konsultuar e komentuar me qindra materiale. Kjo e ben ate te jete nje studiues shume i apasionuar e njohes i shume periudhave historike e realiteteve politike, duke sjelle kontribute qe s´po i sjellin ata qe paguhen per kete pune. Ai ka ditur t´u jape ze ne shqip edhe plot studimeve te te huajve per Shqiperine e shqiptaret e nuk e kuptoj dot se si nuk qenka levrues i shqipes...nese ke ndonje indeks per kete pretendim na e thuaj, ku dhe kur?  Autori ne fjale shpesh ne menyre shume te balancuar e te thelluar, ka ditur te percjelle mesazhe ( shiko ate shkrimin e meparshem te tij per analizat e Prof. Bushnell ) qe prekin direkt aktualitetin e sotem dhe na bejne te reflektojme mire se cfare ka ndodhur me Shqiperine keta 100 vjet, por edhe para e pas kesaj periudhe.      

  

Sot po investohet ne rrugen han i Hotit-Tamare-Vermosh, eshte ndertuar rrgua nga Vermoshi deri ne kufi. guciae eshte reth 7 km nga kufiri e Plava rreth 17 , pra repsektivisht 20 min.-30 min,. nga Vermoshi.

Rruga e ketyre zonave nga Mali i ZI eshe shume larg rrotull e rrotull dhe me rrugen e re qe po ndertohet gna Shqiperia ata vine shume me shkrut per ne Podgorice e SHkoder.

Kam qene dy here vitet e fudnit, po ne plave thuasje nuk flitet shqip, ne Guci me teper, fshatrat jane me shqitpare, permendur ketu Martinaj, Vuthaj etj. por kane emigrm masiv vecaneristh ne USA ; shtepiat nuk i kane shitur, vine shpesh per verim.

Vende shume te bukura , Kelmendi eshte speaktakolar per mua ndoshta natyra me e bukur e Shqiperise; per tu pare ne Guci, krojet e LAi pAhse Gucise liqeni ne Plave eshte shume i bukur.

Kurse ne Tuz e ne Ulqin  te gjithe flasin shqip, d.m.th eshte e e cuditshme te hasesh dike qe nuk flet pasi edhe malazezet aty dine te merrne vesh ne shqip. Ulqinaket jane qytetare te vjeter dhe shume zoterinj, kane njetradite te gjate turizmi gjate Jugsoallvaise me turiste te huaj. Qyiteti sot eshte plot me turista kryesisht hqiptatre te kosoves.

Ndersa Tuzi i ka intensifikuar marredhenit pas 90-s me rajonin e vet natyral Malesine e Madhe dhe mendoj se jane shume atdhetare e kreanare.

Se fundmi, duhen analizuar pak me teper shkaqet e jetes reale ekonomike e sociale para se te dalim ne konkluzione te paqena. Pikenisja nga baladat e hsitoria eshte gje e buur per muhabete, por nuk thote shuem 100 vite prapa.

Se fundmi ndoshta nuk eshte mire te dalesh ne konkluzione pa qene vete diku, me muhabete me tha nje shok qe kishte pasur nje shok diku...

Hipni makines shkoni ne vermsoh, Plave e Guci e keaquni me natyren e njerezit, boll pas kompjuterit me hamendje.

 

www.kelmend.info  eveything u need to know.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).