Laureati i çmimit “Nobel”, Hermann Hesse vdiq para 50 vjetësh. Por vepra e tij jeton. Ai është një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë në botë. Edhe pse e kishin harruar për një kohë të gjatë. Kur duan të tregojnë sa pa vlerë është bërë diçka, atëherë gjermanët përdorin shprehjen popullore për saksitë e luleve. Kështu, gazeta e respektuar gjermane, e përjavshmja “Die Zeit” shkruante në vitin 1962: “Me Hermann Hesse -n nuk mund të fitosh më asnjë saksi lulesh”. Hesse kishte vdekur në atë kohë në moshën 85-vjeçare nga një hemorragji cerebrale. Por koha vetë do t’i ndëshkonte si gënjeshtra fjalët e gazetës “Koha”, “Die Zeit”. Hesse zë ndërkohë vend në shumë biblioteka personale. Tirazhi i veprave të tij në botë arrin të paktën 125 milionë ekzemplarë. Librat e Hesse-s janë përkthyer në gati 60 gjuhë.

Se ai do të bëhej shkrimtar një ditë, e kishte të qartë, por prindërit e tij i shihnin gjërat ndryshe. Hermann duhej të bëhej klerik, si ata vetë: Babai i tij punonte që para se të lindte ai, si misionar në Indi, nëna e tij ishte e bija e një misionari. Më 2 korrik 1877 ajo lindi Hermann-in. Hermann u lind në Calw, pranë Shtutgartit dhe u rrit në një shtëpi shumë fetare. Prindërit e tij e dërguan në vitin 1891 në seminarin protestant Maulbronn. Pas disa muajsh ai u arratis që andej, sepse nuk mundi ta duronte edukimin kristian.

Ai e kishte marrë vendimin: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë”. Rruga drejt të shkruarit qe një odise e vërtetë. Hesse shkoi në shkolla të ndryshme, nuk mundi të përshtatej, në një fazë depresive u përpoq të vriste veten në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Më vonë punoi në një punishte ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë që prodhonte sahate kullash dhe në librari.

Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker e shpjegon kështu interesin mbarëbotëror për këtë letërsi: “Çështja e autonomisë dhe e religjiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i hapur për koncepte të tjera të jetës. Kjo është një çështje shumë akute në botën arabe”.

Në vitin 1904, me romanin “Peter Camenzind” Hesse pati sukses, papritmas ai mund të jetonte nga të shkruarit. Ai u martua me fotografen Maria Bernoulli, u vendos me të në Bodensee, lindi fëmijë. Por për gjithmonë kjo nuk mund të ishte për Hesse-n. Qëndrimi në një vend, rehatia dhe siguria e lidhur me to, ishin për të shumë monotone. Ato u kthyen në torturë. Martesa e tij ishte me probleme dhe nuk do të mbetej e fundit për të.

Nga ferma në Bodensee Hesse mori arratinë në botë, shkoi në Sri Lanka dhe Indonezi. Këto udhëtime në Azi influencuan shumë veprat e tij të mëvonshme, për shembull tregimin e tij “Siddhartha”. Pas kthimit të tij, Hesse u vendos në Zvicër dhe në vitin 1914, në fillim të Luftës së Parë Botërore, u regjistrua vullnetarisht në shërbimin ushtarak. Për shkak të shikimit të dobët, nga i cili vuajti gjithë jetën, ai u shpall i paaftë për ushtri. Në vend që të shkonte në front, punoi pastaj në përkujdesjen për robërit gjermanë të luftës, në Berlin.

Por lufta dhe propaganda e saj iu neveritën. “O miq, jo këto tone!” e titulloi ai një artikull në “Neue Zürcher Zeitung” në fillimin e luftës, me anë të të cilit donte të porosiste intelektualët gjermanë për më pak polemikë nacionaliste dhe më shumë humanizëm. Rezultati: armiqësi, urrejtje dhe tallje. Kritika dhe ngjarjet e luftës e tronditën Hesse-n. Këtyre iu shtuan problemet personale. Babai i tij vdes, djali i tij më i vogël sëmuret rëndë. Hesse bie në krizë dhe në vitin 1917 kërkon ndihmë profesionale. Përvojën me psikoanalizën Hesse e përshkruan nën pseudonimin Emil Sinclair, në romanin “Demian”.

Martesa e parë e Hesse-s mori fund përfundimisht, ai u largua nga familja dhe guxoi të fillonte nga e para. Në shtëpinë e tij të re në Tessin të Zvicrës lindën disa nga veprat e tij më të rëndësishme, si “Ujku i stepës” dhe “Narcisi dhe Goldmundi”. Në vitin 1924 ai mori shtetësinë zvicerane dhe u martua me Ruth Wenger, prej së cilës u nda sërish pas tre vjetësh. Gruaja e tij e tretë, historiania e artit Ninon Dolbin, u martua me Hesse-n në vitin 1931 dhe qëndroi me të deri në fund.

Marrjen e pushtetit nga nazistët në Gjermani, Hermann Hesse e shikonte me shqetësim dhe refuzim. Gjatë luftës ai përkrahu refugjatët gjermanë të regjimit nazist, si Thomas Mann dhe Bertolt Brecht, i strehoi ata. Gjatë luftës ai shkroi veprën e tij të fundit, “Loja e perlave prej qelqi”. Në vitin 1946 mori çmimin “Nobel për Letërsinë” me arsyetimin: “Për krijimtarinë e tij frymëzuese poetike, që përfaqëson në zhvillimin e saj të guximshëm dhe të thellë idealet e humanizmit klasik, si dhe artin e lartë të stilit.” Librat e Hesse-s ishin literaturë e kërkuar pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermaninë që kërkonte orientim dhe vetëreflektim.

Kur Hermann Hesse vdiq në vitin 1962 në shtëpinë e tij në Montagnola të Zvicrës, duket se popullariteti i letërsisë së tij të nderuar me çmim ishte zhdukur. Kritikët e përshkruan punën e tij si një mbledhje imitimesh pa nivel. Ishte lëvizja e hipive në SHBA që i risolli popullaritetin letërsisë së tij. Fëmijët e luleve rizbuluan veten në personazhet e tij, që luhateshin në mes të ekzistencës si individ artistik dhe anëtar i një shoqërie qytetare, solide. Ashtu si Harry Haller, protagonisti i “Ujkut të stepës”. Libri shitet pafund. Popullariteti i Hesse-s kalon më në fund nga SHBA në botë dhe nuk ka të sosur as sot.

Shtëpia botuese “Suhrkamp”, e cila boton një pjesë të madhe të veprave të Hesse-s, shkruante në vitin 2005, duke iu referuar nekrologjisë së atëhershme për Hermann Hesse-n në gazetën “Die Zeit”: ‘Me asnjë autor tjetër shtëpia botuese ‘Suhrkamp’ nuk ka fituar aq saksi lulesh sa me Hermann Hesse-n’. (DW)

7 Komente

I preferuari im! Mendje e lire  dhe frymezuese!

Hesse eshte nje shkrimtar qe le mbresa, dhe mjaft interesant ne stilin e te shkruarit. Vlen per tu lexuar!

Hesse eshte i madh...ka lene shume mbresa tek une.

3 librat me te mire te Hesse-s? Mundesisht me titullin anglisht ose shqip ne eshte perkthyer.

1. Steppenwolf, 2. Narciss and Goldmund, 3. Demian. 

Eshte nje skene vrasjeje tek Narciss and Goldmund. Nuk mbaj men te jem tronditur as tek Krim e Ndeshkim madje as tek I Huaji nga reflektimi i vrasesit sa aty. Dhe ne menyre kaq lakonike... gati, gati si thene si "side story."

Edhe 'Siddhartha"  e kam lexuar dhe ne Shqip dhe ne Anglisht (Gjermanisht origjinali).  Ky autor me ka lene shume mbresa. 

Dmth ja vlen Narcisi? Ok do ta ndjek keshillen tende. Une vetem Sidharta kam lexuar. Shume delikat dhe nje gjuhe e zgjedhur. Poetike taman.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).