Burrëria e modelit borgjez ndërthuret me trashëgiminë kalorësiake mesjetare dhe aristokratike: ideja e dominimit, ekzaltimi i forcës, i egërsisë, i nënshtrimit, i besnikërisë, [...] disa nga shfaqjet konkrete ku është e qartë vijimësia me falikracinë

Të nisur nga teoria e konsoliduar që ideja e kombit dhe karakteristikat e tij themelore ngurrtësohen në sferat elitare nga gjysma e dytë e shek. XVIII e në vijim është i realizueshëm një lloj paralelizmi mes këtyre vlerave embrionale dhe etikës së borgjezisë, e cila tashmë përjetonte rrugën e imponimit politik përveç suksesit ekonomik, që, natyrisht, shoqërohet edhe me piedestalizimin e normave sociale ashtu siç i konceptonte kjo shtresë. Pikërisht në këtë periudhë, në Angli, në Francë, në territoret gjermane, etj, ndërsa stafeta kulturore kalonte nga Iluminizmi tek Romanticizmi, përpunohen idetë rreth perfeksionizmit fiziko-moral të individit, që me vonë do të jetë shtetasi-qytetar dhe bashkëkombasi, ku mund të rendisim, krahas hijeshisë fizike, edhe besnikërinë, respektin, vetëkontrollin, e një sërë virtytesh me objektiv rendin shoqëror.

I palodhuri Johann Winckelmann këmbëngul vazhdimisht tek modeli klasik i bukurisë trupore dhe ky vizion do të jetë frymëzues i arkitekturës dhe skulpturës së mëpasme kombëtare gjermane të realizuar nga Schinkel, Gilly, Klenze, Semper, Schilling, etj. Në Francë Voltaire e Jean-Jacques Rousseau mbështesin tezat e doktorit Tissot të shprehur në L’onanisme – të përqendruara rreth imoralitetit të masturbimit – ndërsa në Angli, më vonë, Walter Scott madhëronte disa virtyte mesjetare. Me pak fjalë, prodhimtaria intelektuale krijon linjat etiko-fizike të një klase shoqerore specifike, që – siç u tha – gradualisht do të spostohen tek masa pas lindjes së shtetit-komb, nëpërmjet institucioneve të komunikimit, ku, si shembull mjaft domethënës për thellësinë e detajeve, kujtojmë (deri) zhvillimin e bibliotekave sipas modelit public library, me qëllim pilotimin e shoqërisë.

Heronj  të hijshëm, por jo heroina

Burrëria e modelit borgjez ndërthuret me trashëgiminë kalorësiake mesjetare dhe aristokratike: ideja e dominimit, angazhimi i popullit vullnetarisht në valën revolucionare, ekzaltimi i forcës, i egërsisë, i nënshtrimit, i besnikërisë, i disiplinës, i këmbënguljes, i fjalës, janë disa nga shfaqjet konkrete ku është e qartë vijimësia me falikracinë – dominimin e mashkullit në shoqëri –, thuajse universale në kohë dhe hapësirë, aq më tepër në momente konfliktualiteti, siç ishin revolucioni dhe çlirimi i territoreve të pushtuara, ose thjesht kornizat sociale. Në domosdoshmërinë e dallimit mes dy gjinive, si parandalim i degjenerimit kolektiv – gangrena e “virtyteve republikane” –, Rousseau duket i shqetësuar nga «shburrërimi mashkullor» si rezultat i promiskuitetit social që autori vëren, për shembull, në ato gra të cilat mësojnë të veprojnë, flasin dhe mendojnë si burrat dhe anasjelltas (Rousseau, 1762).

Së bashku me sjelljen dinamike rrugëton ideja e bukurisë fizike që përfshin të gjithë kombin, siç na përcjell ëmbëlsisht edhe Vaso Pasha në himnin e tij me «vajza t’bukra, me djem t’ri [...] me burra trima, me gra të dlira», por sigurisht ky përshkrim shkëputet plotësisht nga kulti – veçanërisht i spikatur në Angli dhe territoret gjermane – i hijeshisë trupore, paralelisht me heroizmin dhe traditën, i cili tejkalon edhe në situata homoerotizmi. Rreth dyvlershmërisë së kultit në fjalë mund të sjellim një shembull nga ekspeditat epike të Giuseppe Garibaldit, në rrëfimet e Nino Costas gjatë themelimit të Republikës së Romës (1849): «ju romanë mund të krenoheni që keni tek Galetti një hero të bukur porsi heronjtë e Greqisë antike, trim, inteligjent dhe i devotshëm ndaj Atdheut», pohon Garibaldi sipas Costas, ndërsa tek ky i fundit nuk mungojnë epitetet dhe krahasimet në përshkrimet e ushtarëve garibaldian, ashtu si edhe ëndrra e kalërimit së bashku nëpër beteja (Banti, 2000).

Ky lloj simbolizmi kombëtar do të reflektohet deri në detajet e përditshme të modelimit të kostumeve të lëvizjes së themeluar nga Friedrich Jahn (1811), ku veshja lejon “transparencën” e bukurisë trupore, një karakteristikë, sipas Jahn, tipike e mashkullit gjermanik, apo edhe tek përputhja me nudizmin e ideuar nga forcat e djathta. Estetizimi i heroizmit burrëror vërehet në shkollat prusiane, në ambientet angleze të shek. XIX, në reflektimet e iluministëve të shek. XVIII, në prodhimtarinë patriotike italiane të Rilindjes, përgjithësisht tek artet figurative, etj. Në Shqipëri – gjithmonë brenda kornizave tradicionale të sensualitetit – ky model është relativisht i ri për artet figurative, pasi përkon me stabilizimin e shtetit shqiptar pas Luftës së dytë botërore: mund të krijohet një ide duke vëzhguar krijimtarinë e Odhise Paskalit, Andrea Manos, Janaq Paços, Genc Hajdarit, Shaban Hadërit, etj, në veçanti skulptura Skënderbeu me popullin, e vendosur në Muzeut Kombëtar të Krujës, ku përceptohen disa simbole tipike mashkullore të modeluara në shek. XIX, si në aspektin fizik – trupi, i dukshëm përtej veshjes, përmasat fizike, armatimi – ashtu edhe në atë karakterial – trimëria, dominimi, krenaria.

Raportet brenda gjinisë

«Dinamika e nacionalizmit modern u ndërtua mbi idealin burrëror. Në të vërtetë, nacionalizmi i dha shtysë edhe një ideali femëror, por ai ishte mbi të gjitha ideal pasiv, simbol i forcave të palëvizshme që reflektonte kombi» (Mosse, 1985). E një shoqëri e polarizuar në këtë mënyrë, me kufij të qartë dhe falikratike, sigurisht që krijon premisat e forcimit të lidhjeve miqësore brenda gjinisë, siç mund të kuptohet edhe nga qëndrimi i mësipërm i Rousseau, sepse nevojiten hapësira të ndara socializimi. Në varësi të virtyteve dhe rolit shoqëror, mashkulli vepron në sfera të caktuara publike – mbijetesa ekonomike, agregacioni me homologët e gjinisë, veçanërisht në rastet e vendimarrjeve dhe mbrojtjes kolektive, etj – ndërsa femra tkurret tek roli shërbyes. Në mënyrë të tërthortë kjo nënvizohet edhe nga Sami Frashëri – si ideolog i shqiptarizmit – në veprën e tij Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhetë: «Shqipëtarkat, aqë të hijshme sa edhe të nderçime, më teprë se burrat’ e tyre edhe pothua, aqë trime sa edhe ata, vështojnë vetëm për vetëm punët’ e shtëpisë, pa pëzjerë burratë. Me gjitë këtë edhe avlëmëndin e gjergjefnë s’çkrehinë [...]. Përveç të prerët’ e të qepurit e rrobavet, të pleksurit’ e çorapevet e të-tjera punëra të-përdorme të shtëpisë».

Megjithëse femra ka rolin e saj, ndryshe nga gjinia tjetër, hapësira është tërësisht e sferës private-familjare, me përjashtim të grupeve elitare, edhe pse nuk mohohen rastet e angazhimit gjatë revolucioneve të përuruara në 1789. Një rast emblematik është ai i Olympe de Gouge, hartuesja e Deklaratës së të drejtave të femrës dhe qytetares, që përfundon në gijotinë (1793), ndër të tjera sepse kishte «dëshiruar të shndërrohej në burrë shteti [...] duke harruar virtytet e përshtatshme» të femrës (Landes, 1988; Bock, 2002). Nëse përjashtojmë rastin endemik të Sevasti Qiriazit – që i përket elitës kulturore – dhe ndonjë “anomalie” tjetër në vitet e përhapjes së shqiptarizmit, në mungesë të shtetit kombëtar, femra shqiptare respekton plotësisht kornizat falikratike, duke u reduktuar tek qëndisja e flamurit kombëtar – kështu edukon edhe filmi Nëntori i dytë – apo, në rastet e simbologjisë etno-kulturore – dhe kam ndër mend këtu modelin Rozafa-Doruntina –, tek nënshtrimi, bindja, riprodhimi (Rozafa), pritja, iniciativa mashkullore dhe nderi (Doruntina). E duke e paralelizuar me fazat embrionale dhe pasionale të nacionalizmave të tjerë, femra shqiptare nuk prezantohet me ndryshime thelbësore në role, pasi dinamizmi i saj konsumohet brenda shtëpisë, nën hijen mashkullore.

Në terrioret e pabashkuara në një shtet kombëtar dhe të atomizuara – rasti i Gjermanisë dhe Italisë – miqësia mes meshkujve përbën një metodë realizimi të unitetit territorial-kombëtar dhe nuk është rastësi që gjermanët eksperimentojnë “klanet” romantiko-pariotike të Freundschaftsbünde, të cilat brumosin solidaritetin, vetëdijen kombëtare dhe virtytet virile. Jo vetëm që këto grupe farkëtojnë elitën, por përgatisin edhe masën drejt hapit të madh patriotik: ambiente të tilla normëzojnë moralin kolektiv të kombit duke e shkëputur nga veset, tek të cilat renditen me doemos impulset seksuale, e nga ky këndvështrim gjermanët sublimizojnë raportin miqësor brenda gjinisë duke e shkëputur nga homoerotizmi, përkundër një pjese të konsiderueshme të elitës britanike që duket sikur nuk shqetësohet rreth nevojës së qartësimit të kufijve sentimental ndërpersonal. Megjithatë, homoseksualizmi mbetet një fenomen i kategorizuar si ves dhe gangrenë kombëtare.

Devijimet nga morali kombëtar

Stereotipi gjinor dominues, në fazën e lindjes së idesë kombëtare dhe nacionalizmit, përjeton tensionin e përhershëm të shkaktuar nga frika e erozionit të specifikave burrërore, nga promiskuiteti dhe nga një homoerotizëm i avancuar që mund të devijojë në homoseksualizëm. Promiskuiteti duhet lexuar edhe si nevojë e shtresave të mesme për diferencim në një shoqëri klasiste, e jo vetëm si konstruksion kufitar me sfond seksual, ndërsa homoseksualizmi, përveç anomalisë “autoktone”, jo rrallëherë stigmatizon të ndryshmen, duke u kombinuar kështu me racizmin: dallimet kulturore, fetare, territoriale dhe kromatike shpesh janë magneti i etiketave perverse. Sidoqoftë, është devijimi “autokton” ai që minos rrethin social dominues e rrjedhimisht edhe kombin.

Nga ana tjetër, stereotipi gjinor i dominuar, ose pasiv, ka detyrën e vazhdimësisë riprodhuese, e ndjekur nga roli i bashkëshortes dhe shtëpiakes së denjë – sipas linjave të përcaktuara më sipër nga Sami Frashëri – ose, në simbologjinë e ‘femrës sinonim i kombit’, nga roli i nënës mbrojtëse të familjes kombëtare. Këtu renditen të gjitha riprodhimet artistike figurative të Femrës së njësuar me Kombin dhe Atdheun, të cilat do të trajtohen në një hapësirë të posaçme.

Tek elita shqiptare ky reflektim është relativisht i ri dhe i motivuar thuajse tërësisht nga përputhja e tjetrit me të huajin, pra nga armiku, ku rol (pa)nderi zënë osmanët, e këtu, të kuptohemi, nuk e kam fjalën thjesht për vazhdimin banal që rimon me «i ka hyrë punës». Fillimisht nevojiten dy dallime kryesore: së pari, subjekti i stigmatizuar, pra i huaj me vese ose i huaj me “etni”; së dyti, metoda e qasjes, studimore ose artistike.

Homoseksualizimi i “Tjetrit”

Mund të jetë shqiptar etnikisht, por me sjelljen e tij ai, Tjetri, mishëron degjenerimin e huaj, sikur kjo sjelle nuk ekziston tek bashkëkombasit: në fakt, akoma sot në Shqipëri, edhe kur diskutohet për ligjin kundër diskriminimit apo për fenomenin e prostitucionit, vetë hilariteti i sallave dhe krahasimet botanike, që i shndërrojnë këto hapësira shtetërore në tregje fruta-perimesh, trashëgojnë forcën e tabusë dhe natyrisht mendjemadhësinë e natyrës tonë të kulluar etno-kulturore.

Shqiptari me vese të huaja, i përshkruar nga qasja artistike, përfaqësohet mirë nga personazhi kryesor i Mitrush Kutelit në Vjeshta e Xheladin Beut. Lidhur me temën tonë fillimisht Kuteli shkruan se beu «e përndau frëngjyzën anembanë, në gra e në dylberë, dhe u shërua fare», pastaj e përforcon me «çupa miturake e [...] dylberë bardhoshë», për ta mbyllur me Rizain që e «mori në konak» sepse «dylber-hesapi». Natyrisht, ky autor nuk është i vetmi.

Për të huajin etnikisht mendoj se qasja studimore është më domethënëse se ajo artistike. Vlen të citohen dy autorë të cilët – për më tepër – duke qenë të viteve të fundit, si pjesë (e pretenduar) e një konteksti evropian perëndimor, karakterizojnë modën aktuale, tërësisht në mospërputhje me diferencimin pa nuanca seksuale e të huajit të Sami Frashërit – kapitulli «Reziket’ e Shqipërisë»: në Kronikat e Tursun Beut Piro Misha këmbëngul qartazi tek homoseksualizimi i armikut oriental dhe kritikon historiografinë shqiptare për verbëri në këtë drejtim, ndërsa tek Skënderbeu: një histori politike i Aurel Plasarit nënvizohet «hareja e kronikanëve qejflinj osmanë për ‘çunat’». Nuk mund të mos propozoj një kalim nga Pierre Bourdieu në La domination masculine: «nëse raporti seksual duket si raport shoqëror dominimi, kjo varet nga fakti se është ndërtuar përmes parimit të ndarjes themelore ndërmejt mashkullores aktive dhe femërores pasive», prandaj, jo më kot, vazhdon autori duke cituar historianin John Boswell, në Evropën paramoderne «penetrimi dhe pushteti ishin ndër privilegjet e elitës drejtuese», pikërisht sepse «nënshtrimi më i madh për një mashkull qëndron tek» femërizimi i tij. Ky botëkuptim i asaj periudhe rreth nënshtrimit, që nuk duhet konsideruar si degjenerim përgjithësues elitar evropian, në ambientet tona studimore të shek. XXI, ndryshe nga letërsia ku tolerohet si fantazi, interpretohet me vizionin racist të shek. XIX dhe, akoma më e rëndësishme, kur kjo sjellje i vishet Tjetrit – siç shpjegon Boswell – projekton mekanizmin mesjetar të armikbërjes nëpërmjet sfondit seksual.

 

Peizazhe të Fjalës

1 Komente

E ja, e nxorrem edhe efektin dhe prejardhjen kryesore te homoseksualitetit e ç'e pastaj? A e zgjidh kjo problemin ?

Pastaj perse duhet tere ky diskkurs per historikun apo kushtet per dhe ne te cilat lindi ky fenomen? Per ta justifikuar apo per ta denoncuar, se nuk po e kuptoj....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).