Një ngjarje më vete ishte ajo procedurë hetimi, përballë së cilës do ishin skandalizuar të gjithë në një vend normal e të normalizuar dhe është për të ardhur keq që këtu nuk mori as minimumin e vëmendjes.

Pas ngjarjes së fundit te Xhamlliku, ne gazetarët u fokusuam më së shumti e jo pa të drejtë te Viktor Gushi, e te bëmat e tij, mirëpo në gjithë këtë histori ish dhe diçka tjetër që të tërhiqte vëmendjen. Ish ai dhjetëminutësh i hetimit paraprak (në fakt, i hetimit në të nxehtë; shumë në të nxehtë), që nga policia përfundoi fillimisht në duart e gazetarëve të televizionit “ABC News”, e më pas në duart e gazetarëve të të gjithë televizioneve. Ish një ngjarje më vete ajo procedurë hetimi, përballë së cilës do ishin skandalizuar të gjithë në një vend normal e të normalizuar dhe është për të ardhur keq që këtu nuk mori as minimumin e vëmendjes. U bënë katër-pesë ditë që gazetat e televizionet zhbirilojnë plot pasion në jetën private të këtij delinkuenti me pamjen e një të trallisuri dhe nuk kanë gjetur kohë e nge të merren pak me atë që s’do ish e tepërt të quhet një devijim skandaloz prej praktikave të sistemit “rule of law”.

Po mbetem te reagimi i policisë përballë kësaj ngjarjeje dhe po i marr me radhë gjërat. Me t’u arrestuar Viktor Gushi, me një fizionomi prej qyqari e me një jetë prej përbindëshi, doli kryeministri ynë dhe i vari një dekoratë në qafë policisë për punën e shkëlqyer që bëri. E shkëlqyer për çfarë? E shkëlqyer që e gjeti atë që kish vrarë në mes të ditës, në mes të qytetit, në prani të dhjetëra dëshmitarëve dhe i filmuar prej kamerave. Pas tij doli ministri që tha me këtë rast se “krimi po bëhet i sofistikuar dhe ne po e luftojmë në mënyrë të sofistikuar”. Krimi i kryer prej Gushit është i sofistikuar? Kështu e ka parë ministri me syzet e veta, por në të vërtetë si zor të gjendet në këtë botë një krim më i vrazhdë, më brutal, e më i pasofistikuar, se sa ky i Gushit. Madje, ky krim është edhe më i pasofistikuar se sa vetë ministri.

Deri këtu jemi në planin e gjepurave të natyrës politike të thëna për të promovuar “punën e mirë të policisë”. Pas ministrit ishte radha e një prej drejtorëve të Policisë së Tiranës, me emrin Bernard Çaushaj, që e fut diskutimin në një plan medemek teknik e profesional. “Vrasësi është Viktor Gushi; madje, ky ka bërë dhe dhjetëra krime të tjera; e pohoi vetë që i ka bërë këto krime”, tha në thelb Çaushaj. Me këtë logjikë i bie që, nëse unë shkoj nesër në polici, kërkoj takim me Bernardin, dhe i them i shtyrë nga ndonjë damar qyfyrexhiu apo paranojaku që mund të më kapë, se jam autori i ca krimeve që s’janë zbuluar ende, Bernardi nuk bën gjë tjetër veçse del me vrap në konferencë për shtypin dhe jep lajmin: “Kemi gjetur autorin e krimeve x, y, z etj., dhe ky e ka emrin Mustafa Nano”. Sa të sofistikuar që janë këta policët tanë!

Por kulmi i sofistikimit është hetimi dhjetëminutësh, që iu bë Viktor Gushit nga ana e policisë. Po them ‘nga ana e policisë’, por nuk duhet vënë dora në zjarr që kanë qenë policë dhe ky dyshim të lind me të parë pamjet e filmit që iu dërguan televizioneve si provë e zotësisë dhe e zhdërvjelltësisë profesionale të policisë. Skenat që u zbuluan nga ajo video janë një gjë që komprometon çdo pretendim për shtet ligjor në Shqipëri. Janë skena që e turpërojnë policinë shqiptare në “këtë vit të madh jubilar, kur po festojnë me pompë të madhe 100- vjetorin e shtetit shqiptar”.

Gjithçka zhvillohej në një lokal me sipërfaqe të vogël, me mure të zhveshura, me një krevat me dyshek të përmbysur e jorgan të hedhur dosido mbi dyshek, e me një perde që të çonte në një si aneks. Folësit e televizioneve thanë se kjo është shtëpia e Viktor Gushit, i cili, i vënë me shpinë për muri, shfaqet fillimisht me një çorape që ia kishin rrasur në kokë. Dikush ndërhyn, dhe thotë t’ia heqin atë çorape, dhe këtu zë fill intervista, apo hetimi, në shtëpinë e tij!!!

Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, një i arrestuar që akuzohet për një vepër penale, merret në pyetje nga një oficer i policisë gjyqësore. Tok me të, duhet të jetë dhe avokati i të pandehurit. Bën vaki që ky i fundit nuk njeh asnjë avokat, e nuk ka fuqi financiare të paguajë një avokat, por kjo merret vesh vetëm pasi ai njihet me të drejtën e tij për të pasur një avokat. Në rrethanat në fjalë, i caktohet një avokat nga ata që janë pranë policisë a prokurorisë, e që quhen “avokatë kryesisht”. Në atë shtëpi nuk u pa asnjë avokat (nuk kish se si e se pse të shkonte avokati të asistonte këtë hetim shtëpiak; as në Shqipërinë surreale pa avokatë të Enver Hoxhës nuk janë bërë hetime në shtëpinë e të pandehurit) e nuk u pa asnjë oficer i policisë gjyqësore. Në ndonjë televizion u tha se Gushi u mor në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, por kjo është e pamundur të ketë ndodhur. Atje kish një duzinë me policë, me uniformë e pa uniformë, që flisnin si t’u tekej e kur t’u tekej. Ishin krejt të shkujdesur, ndërprisnin njëri-tjetrin, flisnin me një gjuhë rrugësh e mejhanesh, ndërprisnin autorin e krimeve, për të cilin dukej që kishin merak ta sajdisnin ca si shumë, gjë që nuk është në praktikën e policisë sonë as në rrethanat e krimeve banale (fjala vjen, viheshin në garë kush e kush t’i jepte cigare), etj. Asnjë oficer i policisë gjyqësore nuk pranon të hetojë në rrethana të tilla.

Pikërisht këto skena të filmuara i dërguan turravrapthi nëpër studio televizive (pse vallë? Pse këtë herë iu desh të kuturisnin në mënyrë televizive, dhe herë të tjera jo?), e ndoshta mbi bazën e këtyre pamjeve gjykata ka vendosur mbajtjen në burg pa afat të të akuzuarit. Ka shumë gjasa që Viktor Gushi të jetë autor i krimeve, të cilat ai po i rrëfen, por lidhur me krimin e fundit të tij (atë të kryer tek Xhamlliku, ku gjeti vdekjen arkëtarja dhe u plagos roja i sigurisë), një pyetje mund të bëhet: Ka ndonjë gjyqtar që mund të thotë se ajo video dhe ai hetim, kanë një vlerë procedurale e ligjore? Mund të mbahet njeri në burg mbi bazën e atyre pamjeve, që më shumë të jepnin idenë e pazarit të Roskovecit (Gushi e di se ç’është pazari i Roskovecit, se e ka afër Patosit), se sa të një hetimi? Duhet të jetë hall i madh të kesh të bësh me policë të tillë. Duhet të jetë më i madh se sa halli që të çon tek ata.

12 Komente

Bravo qeveria, e kapi leprin jo me qere po me fuoristrade.....

e thashe kete gje sapo pashe videon. pisllik hetim

teorikisht kjo video ka vlere te njejte me videot e shumperfolura meta-prifti., asnje gjykate nuk mund ti perdore si prova te vetme.   mund te kene njefare  vlere nese perdoren si garniture ne nje pjate me elemente te tjere juridike , po vech e vech nuk kane vleren e nje prove te mirfillte.

se di ku lexova diku qe prokuroria nuk e merr per baze ato qe ka pohu.do ta rimarrin prape ne pyetje nga e para.

ja dhe pasojat e krimit shhteteror..... dhe shteti merret dhe ben show me keto plehra....

LULEZIM BASHA SAPO I KA DHENE AUTORIZIM PER "BANESE ME TE LIRE" FAMILJES SE VRASESIT TE 21 JANARIT, AGIM LLUPO!

Ajo qe flitej prej muajsh, mbeshtetur dhe ne deklarata te filtruara nga procesi hetimor se Agim Llupo do marre persiper vrasjet, madje dhe ato qe si ka kryer, mund te jete fare fare e vertete!

Eshte nje skeme e njohur e krimit qe tani e ka adaptuar dhe pushteti:

PER TE SHPETUAR VRASESIN E MADH, VRASJEN/ET I MERR PERSIPER USHTARI!

USHTARIT I ZGJIDHET CDO HALL PER FAMILJEN DHE AI ZGJEDH TE BEJ BURGUN!

SKEMA NISI TE FUNKSIONOJE:

LULEZIM BASHA I DHA SHTEPINE! ME TEJ, DUHEN VERIFIKUAR SHPENZIMET E FAMILJES LLUPO PER TE KUPTUAR SE NGA VIJNE PARATE!

KJO DUHET TE JETE PUNE E PROKURORISE DHE TE PERFSHIJE NE VERIFIKIM DHE LULEZIM BASHEN!

Familjen e Agim Llupos duhet ta interrnonin ne fshatrat e lushnjes.

bo..bo... akoma me mentalitetin e PPSH.

ndermjet internimit dhe dhenies shtepi me cmim preferencial ka dy milion opsione brado. si thua sikur ti linin ne pune te vet sic jane qindra mijera shqiptare, as mos ti favorizonin e as mos ti persekutonin?

pavaresisht se nuk i takonte m.nanos te shkruante per kete problem (a thua nuk ka eksperte te fushes qe mund t'i kishin thene 2 llafe ne vend te tij?), meriton respekt per konstatimin dhe vetepermbajtjen me te cilen i eshte perqasur.

 

bravo qe i vure theksin nje ngjarje qe as ne boten e trete nuk do te ndodhte...

Shqetesimi i M. Nanos qendron. Shkrim i mire qe prek nje problematike shume serioze. Nuk eshte rast i paprecedent por eshte shume e rende cka ndodhi ne ate video dhe me e rende eshte vete publikimi ne media e videos se tij. Dy gabime te Policise se Shtetit qe per mendimin tim pertej eficiences nxori ne pah dhe mungesen e profesionalizmit.

Policia shqiptare mirè apo keq...èshtè akoma nè nivelin e asaj barcoletès sè vjetèr:Me shkop nè dorè-Trego ku èshtè lepuri?...shembull...di gjè...çfarè u bè me atè kosovarin e arestuar pèr vrasjen e atij argjendarit muaj mè parè?vrasje qè ky tipi thotè qè e ka kryer vetè..çudi qè se pèrmend askush !

Nejse se ky muhabeti i ketij vrasesit u be terkuze.Une them ti njihen meritat policise qe kapi vrasesin(me kamera te botes,me teknik televizive me taktika groteske por e kapi).Nderkohet duhet ti kerkojne falje atij shqiptarit nga Kosova qe e kapen gjasme per vrasjen e argjendarit,dhe ja bene jeten malore.Dhe mundesisht mediat te mos rrijne ta japin regjistrimin e bere nga policet over and over again,qe te mos frymezojne dhe njerez te tjere te cilet dua thjeshte spunto per akte kriminale.Keshtu qe ta mbyllim kete muhabet mire e bukur e qete.

p.s.nderkohe po mendoja qe sofistikimi s'qendron tek ana opericionale ne horizontal te krimit,por kur eshte ne vertikal.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).