Në Japoni, njëri nga vendet më të industrializuara të botës, njerëzit këto ditë i falen një luleje të vogël ngjyrë rozë: qershisë së lulëzuar. Vende të tjera kanë lule të tjera, zambakun e ujit, trëndafilin e të tjera me radhë. Po ne?

A kemi ne një lule kombëtare? “Qeset plastike janë shndërruar në lulen tuaj kombëtare”, i ka thënë një i huaj deputetit Besnik Bare. “Kjo është e turpshme”, tha në një transmetim televiziv deputeti kimist. Kishte të drejtë. Kjo duhet të na bëjë të gjithëve të skuqemi deri në majë të flokëve. Për dekada e dekada me radhë, shumica dërrmuese e jona nëse nuk jemi pjesëmarrës direkt, kalojmë të heshtur, me kokën mënjanë, përballë masakrës më të madhe që kanë parë këto anë, shkatërrimit katastrofik të natyrës.

Kodrat e shpatet gërryhen përditë nga erozioni, lumenjtë po e humbasin natyrën e tyre të gërmuar deri në zemër nga ekskavatorët e rëndë, pyjet po shndërrohen në grumbuj të brishtë e pa kuptim pemësh të lodhura, shumë specie të florës e faunës tash janë shndërruar thjesht në personazhe përrallash të kohës së fëmijërisë, qytete e fshatra të tërë derdhin pa pushim male të tërë plastikë, që përfundojnë më pas ndër gëmusha si flamuj shumëngjyrësh, por të trishtë të fitores së maskarallëkut, makutërisë dhe indiferencës përmbi natyrën. Çfarë po ndodh? Çfarë Shqipërie do t’u lëmë trashëgim fëmijëve tanë? Një demokraci të mbyllur në një flluskë prej xhami? Vërtet të jemi katandisur në një popull kaq të papërgjegjshëm? Ne nuk dimë, apo nuk duam?

Të parët tanë këto punë i kishin zgjidhur më së miri. Ata dinin dhe prandaj edhe donin. Ata e dinin fort mirë se kishte një pronë personale, porse ishte edhe një tjetër po aq e rëndësishme: ajo kolektive, ajo e kishës, xhamisë, teqesë, lagjes, fshatit, qytetit. Në Kanunin e Lekë Dukagjinit fiksoheshin me nene të veçanta, të drejtat dhe detyrimet e banorëve për ujin, pyllin, kullotën, gjahun dhe peshkimin, për gjithçka që ishte e përbashkët. “Kujria (kullota), mali e bjeshka janë të përbashkëta si për të ngulun të thanave, si për landë të almisë, si edhe për dru”, thuhej në Kanun. “Ariu është kafshë që nuk vritet – thuhet në Kanunin e Dibrës - ai asht bukuria e shenjtina e pyllit. Ariu vritet vetëm po qe se shitohet (plagoset). Mbasi bahet i rrezikshëm për njerzit. Ariu vritet ene kur ban dam në të mbjella. Gjuetia nuk lejohet në çdo stinë. Gjatë kohës së shumimit s’ka kush të drejtë me hy në korije e me u ngjit në mal me gjuejtë ja kafshë, ja shpendë…”. Në Shkodër që në fillim të shekullit XIV në një nen të posaçëm të Statutit, që rregullonte jetën e qytetit shkruhej: “Urdhërojmë që askush të mos hedhë plehra nga dritarja, nga ballkoni apo nga qilari, në rrugën publike apo në çdo rrrugëkalim tjetër të qytetit tonë. Kundërvajtësit do të ndëshkohen me 12 groshë gjobë, që do të ndahen përgjysmë mes Kontit dhe Komunës”. Ose më tej akoma: “Urdhërojmë që askush nga ata që ndërtojnë shtëpi të re, ose që meremetojnë të vjetrën, të mos hedhë në rrugë dherat e nxjerra për hapjen e themeleve apo të qilarit. Kush vepron kundër të paguajë një gjobë prej 4 hyperperësh të Sklavonisë, prej së cilës gjysma i jepet Kontit dhe gjysma tjetër atij që denoncon faktin. Veç kësaj, kundërvajtësi duhet t’i zhvendosë dherat jashtë rrugës së qytetit”. Ja pra se disa gjëra të parët tanë i paskan ditur, madje edhe fort mirë. Çfarë ndodhi më pas me ne?

Duhet thënë se gjithçka nisi me “pronën e përbashkët” të kohës së komunizmit. Prona publike ishte e të gjithëve dhe e askujt, njësoj si një grua publike. E aplikuar me dhunë, sikurse ndodhi në anët tona, ajo u shndërrua nga një mjet me të cilën duhej të mbaheshin të gjithë, në një send që duhej zhvatur sa më shumë, duhej dëmtuar, me një fjalë në një gjë që nuk i dhembte askujt. Thika e parë ishte prerja e pyjeve për binarë hekurudhash dhe minierash. Kështu u zhduk brenda pak vitesh pylli shumëshekullor i dushkut në Dumre, por edhe plot të tjerë. Pastaj erdhi i famshmi aksion “t’u qepemi maleve dhe kodrave dhe t’i bëjmë edhe ato pjellore si dhe fushat”. Kjo ishte thika e dytë drejt e në zemër të natyrës. Industrializimi i sforcuar, tarracimet si garë emulacioni dhe jo si ekuilibër mes njeriut dhe natyrës, tharja e shpejtë e kënetave çuan në plagë të rënda shumë herë krejt të pashërueshme. Megjithatë, si të gjitha diktaturat që kanë qejf të tregojnë dhëmbët, edhe ajo e jona disa gjëra i ruajti. Gjuetia ishte e kontrolluar nga shteti dhe askujt nuk i shkonte mendja të priste dru në mënyrë abuzive. Shumë specie të florës e faunës u vunë nën mbrojtje. Por dëmi tashmë ishte bërë.

Pas ’90-s, të dalë nga një natë e gjatë dhe të etur për mirëqenie sa më të shpejtë, ne sërish vazhduam ta kishim atë konceptin e vjetër të gjësë kolektive, njësoj sikur ajo të mos ishte e jona, por e sistemit të vjetër, që tashmë nuk kishte ndonjë shenjë jete, përveçse në ndonjë tru të mykur. Kishte nisur hataja, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Problemin e ka në dorë, për fatin tonë të keq, edhe një herë politika. Është ajo që duhet të forcojë ligjet, është ajo që duhet të kërkojë zbatimin e tyre, është ajo që duhet të bëjë sensibilizimin e shoqërisë. Për fat të keq tashmë gjërat dihen. Partitë e mëdha kanë të tjera gjëra më të rëndësishme, sipas tyre, për të zgjidhur. Ajo që mund ta zgjidhë problemin e rëndë dhe të mundohet të shërojmë disi plagët tona të vjetra mund të ishte vetëm një parti militante ekologjiste, një parti që ambientit duhej t’i kushtonte vetë jetën e saj. Një gjoja të tillë që patëm, nuk e dimë ku e kemi. Kjo në fakt ishte parti-njeri, e cila u shua shpejt. Tani ne shkojmë e bëjmë parti të reja që na kujtojnë idealin e pashuar shqiptar, Shqipërinë e madhe e të tjera gjëra, mbase me të drejtën e Zotit, por nuk kemi një parti të natyrës, që të na mbrojë jetën, të sotmen, të ardhmen. Nëse vazhdon të jetë kështu, çfarë kuptimi do të ketë çështja jonë kombëtare në një atdhe të shkretuar të tipit të Saharasë? Mos vallë vetë shpëtimi i natyrës sonë është një nga pjesët më të rëndësishme, në mos qoftë ajo vetë, e çështjes kombëtare. Le të ëndërrojmë sikur aktivistët e paktë ekologjistë që kemi të vendosin të marrin pjesë në jetën parlamentare. Atëherë ata me siguri do të kërkojnë ndryshime në ligje, forcimin e atyre që lidhen me ambientin. Atëherë me siguri do të kërkojnë që në Kushtetutë, në nenet e fillimit të shtohet edhe: “Shqipëria është Republikë Ekologjiste” dhe të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore do të vareshin prej këtij neni. Pastaj ekologjistët do të kërkonin që Policia Pyjore, të ishte njësoj me të tjerat, një forcë e armatosur me të gjitha kompetencat, pastaj ata do të kërkonin që në Kodin Penal të forcoheshin dënimet për dhunuesit e natyrës, pastaj ata… Por ëndrrat shuhen shpejt përballë pirgut të plehrave që ke përballë.

Thamë se politika luan rolin kryesor, por është rasti për të kujtuar një term të vjetër, të cilin ne nuk kemi sot shumë dëshirë që ta përmendim: indiferencën. Shkruante këtu e 80 e ca vjet më parë një antifashist italian: “…Nuk mund të ekzistojnë njerëzit vetëm, sikur të jetojnë jashtë qytetit. Kush jeton me të vërtetë nuk mund të mos jetë qytetar dhe të mbajë anë. Indiferenca është makutëri, parazitizëm, poshtërsi. Ajo nuk është jetë. Pikërisht prandaj unë i urrej indiferentët. Indiferenca është pjesa e vdekur e shoqërisë. Është një plumb për shpikësin, është ajo lëndë e qullët ku shpesh mbyten edhe haretë më të shkëlqyera. Ajo është si një kënetë që rrethon qytetin e vjetër dhe e mbron atë më mirë se sa muret më të ngjeshura, më mirë se sa gjokset e luftëtarëve të tij, sepse gëlltit dhe shfaros në gropat e saj thithëse sulmuesit dhe pastaj i dekurajon dhe nganjëherë i largon nga veprat e tyre heroike…”. Ky njeri ishte një filozof. Ai quhej Antonio Gramshi (1891-1937). Shumë vetë këndej nga ne, sikurse e kemi rëndom zakon, mendojnë se kishte origjinë shqiptare. Gjithsesi, sido që të jetë puna, ai pati fatin e mirë apo të keq që të vdiste në burgun fashist. Nuk e pa idealin e tij të shndërruar në diktaturë. Mbase ka ardhur koha që të fiksojmë edhe ne anën tonë. Le të mos jemi militantë vetëm për bindjet a interesat tona politike, por të jemi në radhë të parë militantë të së ardhmes, të natyrës, kundërshtarë të vendosur të të gjithë horrave, të mëdhenj a të vegjël qofshin ata, që po e saharizojnë Shqipërinë.

15 Komente

Brenda e jashte temes:

Landfildi i Bushatit, gjermanët paralajmërojnë mbylljen

Mosrespektimi i kontratës nga Bashkia e Shkodrës rrezikon nderprerjen e procesit te perpunimit dhe riciklimit te mbetjeve urbane nga kompania gjermane. Bashkia e Shkodrës pavaresisht se ka rritur taksën vendore te pastrimit per vitin 2012, vazhdon te mos depozitoje mbetjet urbane ne landfieldin e Bushatit, por t'i dergoje ato prane Varrezave te Deshmoreve ku edhe digjen në ambjent të hapur. (Albaniana Screen)

___

Lumi Vjosë, 80 për qind e rrjedhës së tij, e ndotur

Vjosa lumi më i rëndësishëm për nga gjatësia dhe prurja e ujërave në rajonin jugor rezulton sot në 80 për qind  të rrjedhës së tij i ndotur. Sipas ekspertëve rajonalë të mjedisit, lumi i cili përshkon me 192 kilometra territorin shqiptar rrit parametrat e ndotjes sapo hyn në Shqipëri. (Top Channel)

Kjo e Vjoses te ben te mendosh se pozita jone e pershtatshme gjeografike eshte fatkeqesi per lumenjte. Te buronte Vjosa nga ne e te derdhej ne nje shtet tjeter, rrezik do te na e kishin bere rrup-sup keta te BEut.

Sa per shkrimin, shpresoj te mos na kape fatalizmi i qeseve dhe kanoceve, keto jane probleme te stadit te zhvillimit ku jemi, edhe si shoqeri e shkartisur, edhe si shtet i shperbere - keto probleme i kane pasur edhe te superqyteteruarit e botes pak dekada me pare, perpara se te fuqizonin ligjet dhe agjensite perkatese. Ndersa problemet e pyjeve i ka marre ne patronazh kryeministri smiley. Dmth, jam dakort me Baxhakun, por jo aq e traumatizuar. Plus, ndotje te tjera, te permasave me te padukshme e me boterore na presin.

- keto probleme i kane pasur edhe te superqyteteruarit e botes pak dekada me pare, perpara se te fuqizonin ligjet dhe agjensite perkatese. 

Trope, pikerisht per ket fakt duhet qe gjithkush te shqetesohet, fort bile. Bota i ka kaluar keto etapa dhe i ka dhene zgjidhje. Te ne fillon e rishpiket rrota sa here qe ndron qeveria. Dhe nuk eshte vetem per ambientin kjo pune, eshte per administraten, pronat, politikat sociale, ato te punes etj etj etj. Rezultati.... ka nja 20vjet qe rotullohemi e rrime ne vend.

E shqetesuar jam une, por nuk ia shoh bishtin krijeses shqiptare, ne sensin e deklarates shokperendimorse 'lulja e Shqiperise eshte qesja plastike'.

Dje s'na vrisnin syrin vrasjet, burgosjet, internimet. Sot s'na vrasin syrin vrasjet, shkeljet e renda te kushteve te punes (me rezultat vdekjet ne Gerdec, miniera e te tjera qe s'dihen), vjedhjet, korrupsioni, plehrat. Neser s'do te na vrasin syrin pergjimet elektronike, cmimi i larte i sigurimeve shendetesore private, varferia kronike. Ndodh nje akomodim i syrit sipas kushteve ekonomike dhe politike; tak hapim nje sy, tak mbyllim nje sy, keshtu ecim dhe i prijme evolucionit te species dhe leme mbrapa lloj lloj viktimash.

Faleminderit per kete shkrim Z. Baxhaku. Vetem se  keto  Çështje mbeten akoma jetime..ketu ne vendin tone duhen tema individualiste qe te kete vemendje. Cdo teme e interesit te perbashket  eshte ashtu .. 'snobe'

Ne shqiptaret kemi nje lule te bukur simbol dashurie:trendafilin e kuq!Ate ngjyre e kemi edhe ne flamur ,simbol dashurie ndaj atdheut!Kur quhen "horra" politikanet shqiptare per hir te mungeses se frymes ekologjike...,c'epitet do tu mbetej shtetasve te vecante per ndertime pa leje,shnderrim te tokes bujqesore ne truall ndertimi,vjedhja e falsifikimet ne kadastrat e thuajse te gjitha qyteteve te vendit....aty edhe kur ka ligje nuk zbatohen: prona i takon pronarit...A jane te gjithe pronaret shqiptare te pronesuar?Pse ?Thjesht fare se gjithkush ne Shqiperi ben e zbaton vetem ligjet qe i interesojne,qofte force politike,qofte shtetas i thjeshte!Indiferenca ka menyra te ndryshme interpretimi psh: indiferenca eshte mungese(edhe pse shpesh dhembja na ben ta quajme mungesen te poshter,apo parazite).Te zgjedhesh per simbol te vendit tend nje qese plerash plastike,te jesh politikan "horr",te kerkosh te zbatohet ligji ekzistues apo te kerkosh ligje te reja me te mira...etj etj..Ne keto kushte indiferenca e gruas ne demokracine Shqiptare e shnderon ate nga "grua publike"ne force ligjvenese,ndergjegjja personale brenda asaj kolektive.Po, indiferenca eshte vota ndaj nje realiteti qe nuk te nderon me perkatesine e tij.

Zambaket ,si ata te liqenit te Lures,me bardhesine e tyre shprehin deshiren per paqe shpirterore,'maskaralleku ekologjik'ka nevoje per edukate qytetare ndaj mjedisit.....,le te mesojme me pare te duam e te respektojme njeri-tjetrin e ato ligje qe kemi e me pas le ti bejme me te mira e me bashkekohore.E kuqja eshte ngjyra jone kombetare:ne flamur e ne zemrat e atyre qe ndjehen shqiptare e s'kane frike e turp ta pranojne qe i perkasin nje vendi plerash qe mbulojne natyren, e horrash qe s'dine te qeverisin.

Plehrimi nuk eshte saharizim: 

Te gjitha fajet i ka komunizmi..., edhe per mejdisin?  Tani qe sistemi, ka ndryshuar, prona eshte private, toka eshte e privatit, ose e shtetit, cer moot shteti eshte ai qe nuk ka krijuar akoma ate hije, qe kishte me pare shteti (komunist) ne drejtim te prones?!!

Eshte shume e lehet qe te gjitha fajet ti hidhen sistemit te kaluar. Sa ishte ai sitem mejdisi natyra shqiptare ishte e verirgjer, e paster, shteti kishte hije te rende, po ky shtet pse se ka krijuar kete hije? Pse nuk eshte ne gjendje te mbroje pronen e vet ( te pakten ate qe i ka ngelur smiley)? Pse mejdisi natyra e dikurshme shqiptare nuk eshte me e virgjer por e piste? Problemi kryesor nuk eshte ish sistemi por mungesa e organizmit mungesa e deshires per te punuar dhe zgjidhur problemet e shumta, deshira per pushtet personal per interesa personale, dhe llafollogjira pa vendosur gjera konkrete.Flitet shume per mejdisin por asgje nuk ndryshon, flitet shume per pyllin por  pylli pritet, flitet shume per lumin por  lumi prishet, shfrytzohet pa kriter,  flitet shume per ambientin por ambjenti ndotet edhe me shume. Pse duhet ti hidhet faji per kete sitemit te kaluar? Po ky njeri (shqiptari) dikur kishte frike nga ligji, pse sot nuk ka frike  ligjin, shtetin? Cpo ndodh me shtetin ?

"Volere la botte piena e la moglie ubriaca"- thonè italianèt!!...edhe ky muhabeti i plehrave nè shqipèri kèshtu bèhet..vetè deshèn shqiptarèt tè hanin e pinin si evropianèt kapitalista,tè ecnin nè rrugè si tè tyret apo tè kishin edhe makina,tè bènin xhiro nèpèr supermarket me qese nè duar si nè reklama e tè sodisin pallatet shumèkatèshe.. kur rèzuan atè merhumin komunist qè as plehra nuk ishte i zoti tè krijonte(me çfarè ti krijonte?)..tani ti mbajnè e tè rrojnè mes plehrave qè vetè krijojnè..çdo ndryshim e ka njè çmim!

PO. Ne kemi lule kombetare: LULEKUQE e para (te kuqe dhe te zeze se bashku si flamuri), dhe luledele (margarita) e dyta. Lulekuqe ne fushe me grure si ne Shqiperi, nuk e gjen ne asnje vend tjeter te botes. Lule dele ne mal gjithashtu. Ne vend te trete do vej terfil me kater flete.

Teorite e tjera me plehra qe i bie aq gjate ky shkrim: Zgjidhni ne pushtet dike qe do t'jua zgjdhe kete problem.

Per lulekuqet neper fushat me grure qe nuk i gjekerke ne asnje vend te botes....1 km nga dera e shtepise  smiley

 

Art, ç'a jane ato mo smiley mos jane nga ato qe perdorin afganet mo smiley per eksoprt dhe per perdorim te brendeshem. 

Ore ky Fatos Baxhaku pse përhap panik ky? Jo, se unë u traumatizova se thashë "Ne nuk kemi lule kombëtare??? Po prandaj venë punët çorap këtu!". Po thuajini që të flerë i qetë se lulen kombëtare e gjetëm. Nuk kemi rënë akoma dakort se cila është, por ama i kemi pesë makete finaliste, (që nga qesja plasitike e deri tek lulëkuqja plastike, se natyralen e kanë shfarosur plehrat) kështuqë në mos njëra, tjetra do na mbarojë punë me rastin e 100 vjetorit. 

Keto jan vetem maja e ajsbergut o njerez. Shikoni dhe kerkojini llogari kesaj qeverie, por edhe te meparshmet ku i kan hedhur mbetjete toksike te ardhura ilegalisht ne Shqiperi nga vendet tona 'mike', dhe kush ka perfituar prej tyre?  Nderkohe kanceri vuu andej, dale dale, se bomba kancerogjene akoma nuk ka plasur, ky eshte vetem fillimi, dhe ceshtja e plehrave do e kuptojne te gjithe nje dite ne Shqiperi qe nuk eshte ceshtje estetetike por ceshtje e shendetit kombetar. Gazrat, plehrat, industria e pakontrolluar (imagjinoni vetem nje fabrike prodhuese ka ne Shqiperi dhe ajo eshte PLASTMASI, te gjitha investimet ne industri jan ne industrine e ndotjes) ushqimet e nje kualiteti skandaloz po pergatisin nje bombe kancerogjene te permasave te medha mu ne zemer te vendit, dhe pushtetaret vetem mbushin xhepat, opozitaret qurraviten, populli rri e ben sehir, disa duke kerkuar lemoshe e mbledh kanoce rrugeve, disa duke ngrene buke me liste, disa duke pire kafe e marre me llogje, disa duke ferkuar barkun tere diten, te tjere duke vjedh e duke mashtruar, politikanet duke bere milionat. Sodoma dhe Gomorrah. Do Zoti na jep mend e te bejme kthese....

1- sa jan vdekjet lehtesisht te evitueshme ne sherbimin tone shendetesor keto 20 vjet? a ka statistika? Te vdekjes te nenave gjat lindjes? te vdekjeve te shkaktuara si pasoje e mospasjes para per te ngopur korupsionin edhe per operacione qe kerkojne lehtesi minimale, etj etj si pasoje e nje strukture koruptive qe nuk denon neglizhencen dhe inkurajon joprofesionalizmin ne detyre keto 20 vitet e fundit? I ka mbajt kush keto te dhena?

2- sa jane vrasjet si pasoje e gjakmarrjes keto 20 vjet per shkak te mos  realizimit te detyres nga ana e policise te shtetit, e drejtesise dhe e politikes? Po e vrasjeve te lidhura me krimin dhe bandat e organizuara si pasoje e joprofesionalizmit te policise dhe struktuarve antikrim qe kan ne thelb emerimet politike nga drejtuesit e larte deri tek pastruesit e shkalleve keto 20 vietet e fundit? I ka mbajt kush keto te dhena?

3- sa jane vrasjet nga aksidentet lehtesisht te evitueshme rrugore qe vijn direkt nga jorealizimi i detyres te policise rrugore dhe strukturave te tjera qe merren me parandalimine  aksidenteve rrugore keto 20 vitet e fundit? i ka kush keto te dhena?

4- sa jane vrasje dhe vetevrasje qe kan si shkakun kryesor varferine ekstreme, pamundesine reale per te blere kafshaten e gojes ne nje shtet ku ne 20 vitet e fundit shqiptarit nuk i sigurohet as kafshata per te mbajt frymen gjall?

5- sa eshte rritur semundja kancerogjene ne Shqiperi keto 20 vitet e fundit, dhe sa jete ka kushtuar kjo rritje si pasoje i ka kush keto te dhena?

Le te mblidhen keto te dhena dhe do na dale qe ky shtet i plehrave te plehrokracise eshte nje shtet me te vertete kryekeput antishqiptar dhe gjenocidial. Nje shtet qe cdo qytetar shqiptar e ka nje armik per jete, qe cdo qytetar shqiptar ka te drejten ta hedh ne gjyq dhe denoje. Nje shtet qe legjitimitetin e ka vetem si pasoje e mbeshtetjes nga jashte dhe manipulimit psiqik te popullates brenda, reduktimit te zgjedhjes midis te keqes me te madhe dhe me te vogel midis dy partive simotra qe jane njesoj te perkushtuara per shkaterrimine ketij vendi. Nje shtet qe nuk e ka njohur historia me pare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).