Pyetja e duhur për të gjithë ballkanasit sot është: pse liderët tanë të papërgjegjshëm, të kriminalizuar, populistë dhe ekonomikisht të paaftë tolerohen, e në disa raste edhe promovohen, nga Evropa e Amerika?

Rajoni assesi të qetësohet dhe të ecë përpara.

Në Maqedoni janë ngritur lart tensionet ndëretnike. Në Serbi zgjedhjet e afruara tashmë e kanë kthyer sërish nacionalizmin radikal në qendrën e politikës. Bosnjë-Hercegovina vazhdon të vegjetojë mes ndarjes etnike dhe jofunksionalitetit politik. Kosova vështirë po përshtatet me faktin se veriu i shtetit është bërë një kancer, të cilin zor se mund ta shërojë.

Dhe të gjithë, bashkë me Malin e Zi dhe Shqipërinë, vuajnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, që tashmë disa dekada po e mbajnë tërë rajonin dhe ende sundojnë me pjesën më të madhe të elitave dhe institucioneve politike në të gjitha këto shtete.

Pamja është e shëmtuar, ndërsa mënyra autiste me të cilën Bashkimi Evropian rregullisht në mënyrë pozitive i sheh rajonin dhe gjithë këto zhvillime, vetëm se u japin edhe më tepër forcë atyre që këtë pamje e krijojnë dhe e mirëmbajnë.

Niveli i tolerancës së Brukselit për politikanët si, për shembull, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski apo kryetari i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, është, thënë më së buti, brengosëse për shumicën e qytetarëve të të gjitha shteteve ballkanike.

Sepse, këta janë njerëz që nuk hezitojnë të luajnë me zjarrin e tensioneve nacionaliste, derisa pushtetet e veta i ruajnë përmes balancës së korrupsionit, klientelizmit dhe populizmit. Gruevski dhe Dodik nuk janë të vetmit, pra. Liderë të tillë vendosin sot edhe në Beograd, Prishtinë, Sarajevë, Tiranë, Podgoricë…

Që puna të jetë edhe më keq, alternativat politike në këto vendet tona nuk janë edhe aq më të mira, ndërsa në disa raste janë dukshëm më të këqija! Pak ka opsione politike vërtet proevropiane, dhe ato që ekzistojnë apo kanë ekzistuar janë politikisht shumë të dobëta, vazhdimisht janë cak i sulmeve si tradhtare, apo janë të margjinalizuara, madje edhe prej vetë Bashkimit Evropian dhe qendrave perëndimore të vendosjes.

Çedomir Jovanoviqi dhe liberalët e tij në Serbi janë vetëm një prej shembujve të tillë!

* * *

Kështu, del se Brukselit dhe vendeve perëndimore më shumë u konvenon që Ballkani të udhëhiqet nga nacionalistët e korruptuar, të cilët këto shtete të vogla dhe të dobëta bashkë me qytetarët e tyre naivë dhe të përvuajtur do të donin t’i mbanin përgjithmonë në prag të Bashkimit Evropian, por jo edhe brenda BE-së. Sepse, liderëve tanë nuk u përgjigjet që të jemi të barabartë me evropianët e tjerë, meqë ashtu do të duhej vërtet të jepnin llogari për vjedhjet zgjedhore, plaçkitjet ekonomike dhe lojërat nacionaliste me jetët.

Por, ka kohë që njerëzit përgjithësisht janë të vetëdijshëm se elitat politike i kanë kështu si janë: të papërgjegjshëm, të kriminalizuar, nacionalistë përjashtues, populistë dhe të paaftë që qytetarëve t’u krijojnë kushte më të favorshme ekonomike.

Kjo do të thotë se, në fakt, pyetja e duhur sot është pse liderët e tillë tolerohen, ndërsa në disa raste edhe promovohen nga Evropa dhe Amerika?

Përgjigjja zyrtare prej cilit do diplomat perëndimor është se këta njerëz janë të zgjedhur në zgjedhje demokratike, dhe se e kanë atë mandat demokratik që t’u shërbejnë qytetarëve duke sunduar, ndërsa jozyrtarisht do të pranojnë se janë të vetëdijshëm që zgjedhjet janë manipuluar dhe se demokracia nuk funksionon si duhet, por me shpejtësi do të shtojnë se situata është e tillë që këta në pushtet janë partnerë të mirë në ruajtjen e stabilitetit rajonal shumë të rëndësishëm, dhe se në të vërtetë nuk ekziston ndonjë alternativë më e mirë, se pse “të gjithë janë të njëjtë”.

Apo, siç e tha para pak kohësh ambasadori amerikan në Prishtinë, duke folur për korrupsionin e përhapur në radhët e pushtetit: të gjithë janë të njëjtë, sepse të gjitha partitë politike janë të përfshira në korrupsion. I njëjti ambasador që vazhdimisht i lavdëron Qeverinë dhe kryeministrin Thaçi, për të cilin thotë se e udhëheq vendin në drejtim të duhur dhe se ka vizion të mirë!

Do të thotë: harrojeni korrupsionin! Harrojeni shtetin e së drejtës! Harrojini standardet dhe vlerat perëndimore!

* * *

Një përgjigje që shfaqet vazhdimisht prej gjithë kësaj, por të cilën nuk do ta dëgjojmë as zyrtarisht e as jozyrtarisht, është se Perëndimi, në fakt, ka hequr dorë nga përfshirja e Ballkanit në Bashkimin Evropian, dhe se ky rajon sot është i rëndësishëm vetëm për shkak se shërben si një lloj tampon zone mes Evropës dhe Lindjes.

E vërteta e hidhur që dëgjohet si pëshpërimë prej kësaj është se shumica prej nesh nuk do të jemi një ditë pjesë e Bashkimit Evropian, ose së paku jo në një kohë të parashikueshme dhe jo derisa të dominojë një qëndrim i tillë i Perëndimit ndaj nesh, që thotë se nuk është me rëndësi se çfarë janë këta që na udhëheqin, por me rëndësi është që ata bëjnë atë që kërkohet prej tyre dhe që të ruhet ai stabilitet i brishtë rajonal!

Për këtë arsye po bëhet çdo herë e më e qartë se ne, qytetarët e Ballkanit, shumëkush në Bruksel dhe në qendrat e tjera të Evropës dhe Perëndimit, na trajtojnë si evropianë me vlerë më të ulët dhe të rendit të dytë, prej të cilëve pritet që të jenë të lumtur duke jetuar nën regjime çfarë askush në atë Evropën “normale” nuk do të duronte as 24 orë.

E kam të qartë: kanë hequr dorë prej nesh, por nuk do të na e thonë, sepse ende kanë nevojë për ne, madje edhe kur vritemi, vjedhim dhe gënjejmë.

E që shumica prej nesh, që nuk jemi në pushtet, as në politikë, në ndonjërin prej sanxhaqeve moderne ballkanike, jemi ngopur me këso jetese, dhe se shumë më shumë do të donim të jetonim qetë dhe dinjitetshëm, në paqe dhe nën mbrojtjen e ligjit – kjo për ta nuk është me rëndësi!

Si tutje?

Për mua është e qartë se nuk ka zgjidhje: duhet të luftojmë për vlerat evropiane. Madje edhe kundër Evropës!

6 Komente

po ne tirane  kush eshte radikal nacionalist?

se me evropen ne goje zgjohen e me evropen flene.tek ne me ekstemistet jane si liberali javan-ovicsmiley.

Interesante  kendveshtrimi smiley

I zoti e nxjerr gomarin nga balta. Babagjyshi i vitit te ri nuk egziston.

dy fjale gjithsej! duhet te hapet platforma shqiptare 'ciu' per burra kaq fjalepake.

euroazi.

Bravo Agron.Eshte nje e vertete qe duhet te perseritet disa here.Te mos ti terheqesh vemendjen liderave te tille dhe te kerkosh pastaj permbushje standartesh eshte vetem nje nder kontradiktat europiane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).