Lufta e vendeve të Europës ndaj trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me të cilat ka bashkëpunuar edhe drejtësia e vendit tonë, duket se ka detyruar rrjetet mafioze të kërkojnë burime të tjera të paligjshme fitimprurëse.

Një nga këto burime të paligjshme në Shqipëri, mësohet të jetë pikërisht vjedhja masive që po u bëhet ish-uzinave e fabrikave ku më parë kanë qenë të punësuar me dhjetëra mijëra persona dhe vazhdojnë të punojnë mjaft të tjerë. Këtyre objekteve që tashmë janë kthyer në varreza ekologjike u është zhvatur dhe vazhdon t’u grabitet skeleti i metaltë. Vjedhësit e metaleve nuk po kursejnë më as tubacionet e përcjelljes së naftës e gazit, telat e energjisë elektrike dhe shinat e trenit, që veç dëmeve të tjera ekonomike shkaktuar shtetit, rrezikojnë edhe të marrin jetë njerëzish.

Ndërkaq, edhe pse policia ka nisur hetime të njëpasnjëshme dhe ka kryer arrestime të shumta të hajdutëve të skrapit, fenomeni sa vjen dhe rritet. Burime konfidenciale pranë bluve të Fierit kanë bërë me dije për gazetën, se tashmë vjedhja e skrapit është kthyer në një nga “bizneset” e paligjshme më fitimprurëse, duke lënë pas edhe trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike apo të armëve.

“Droga tani është zëvendësuar nga skrapi”. Kështu është shprehur për gazetën “Shqip” një hetues, i cili ka ndjekur me dhjetëra çështje të vjedhjes së metaleve për skrap. Por edhe pse policia është në gatishmëri edhe gjatë orëve të natës për t’u përballur me këtë lloj të ri kriminaliteti, nuk ka arritur ta ndalojë mekanizmin që tashmë është formësuar, duke mos kursyer asgjë të metaltë dhe me çfarëdo kostoje. Ndërkaq, burimet e policisë pohojnë se nga hetimet e kryera rezulton se nga skrapi i vjedhur përfitohen qindra miliona lekë të reja, kur këto arrijnë në destinacionet përfundimtare.

Sipas të njëjtave burime, shpërndarësit e drogës tashmë janë zëvendësuar nga hajdutët individualë të skrapit. Nga hetimet e dhjetëra çështjeve janë ngritur dyshimet se gjithë kjo vjedhje masive mund të jetë e organizuar. Kjo, pasi gjithmonë hajdutët individualë arrijnë të gjejnë tregun për shitjen e metalit për skrap. Ndërsa nga verifikimet e shumta të bluve në pikat e grumbullimit të skrapit, nuk janë konstatuar sasi skrapi të cilave nuk u dihet prejardhja.

Një rast të pak ditëve më parë, kur në Lushnjë u bllokuan nga policia katër kamionë me skrap, prejardhja e të cilit nuk ishte e dokumentuar, drejtuesit e mjeteve u proceduan në gjendje të lirë. Ndërsa nuk u mësua dot destinacioni përfundimtar i kësaj sasie skrapi të vjedhur, që sipas hetuesve vlente dhjetëra milionë lekë. Sipas burimeve të sipërcituara, në disa raste është konstatuar vjedhje e organizuar e metaleve për skrap, ashtu siç ishte edhe rasti i grabitjes së telave të nënstacionit të pompave të ujit të Ujësjellësit të Patosit.

Policia atëherë prangosi tre punonjës të ujësjellësit dhe shpalli në kërkim drejtuesin e këtij institucioni, të cilët akuzohen nga prokuroria për vjedhje, duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim. Një tjetër rast kur vjedhja e skrapit të ndërmarrjeve shtetërore në Qarkun e Fierit kryhej prej vetë punonjësve të administratës shtetërore ishte ai i denoncuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, në Termocentralin e Fierit. TEC-i, edhe pse i dalë jashtë funksionit, nuk ka dalë ende në ankand për t’u shitur për skrap. Gjithsesi nga kamerat e operatorëve të “Fiks Fare” u fiksuan pamje në të cilat dukej qartë vjedhja e organizuar e sasive të mëdha të skrapit. Policia dhe prokuroria nisën procedim penal për këtë vjedhje, por ende nuk ka asnjë person nën hetim, apo të prangosur.

Sipas hetuesve, vjedhja e skrapit, ndryshe nga trafiku i drogës, nuk ka rrezikshmëri të lartë për organizatat kriminale, pasi nuk është i domosdoshëm kalimi jashtë shtetit i këtyre metaleve. Burimet pohojnë se edhe për t’u eksportuar jashtë shtetit është e lehtë që të sigurohen fatura të falsifikuara të blerjes së skrapit dhe se drejtësia e këtyre vendeve nuk është e interesuar për prejardhjen, pasi ky mall nuk sjell asnjë dëm. Por, veç dëmeve ekonomike, ashtu siç ka viktima në trafikun e drogës, ka të tilla edhe në vjedhjen e skrapit. Kështu, rreth një muaj më parë, një i ri, banor i lagjes “Sheq” të Fierit humbi jetën teksa po priste tubacionin kryesor Fier-Divjakë të përcjelljes së gazit. Ndërsa nuk kanë munguar rastet kur hajdutët të armatosur kanë sulmuar punonjësit e “Albpetrol”-it për të vjedhur puset e naftës ku ata kanë qenë duke punuar.

Dy prej këtyre punonjësve kanë mbetur të plagosur nga sulmet e hajdutëve.

Vjedhja e skrapit është një fenomen që gjatë muajve të fundit po merr përmasa alarmante. Tashmë hajdutët e skrapit kanë nisur të përdorin edhe mjete të rënda për të kryer grabitjet e tyre. Pak ditë më parë, në mes të ditës, Policia e Fierit kapi një person dhe shpalli në kërkim një tjetër teksa po transportonin me fadromë tubacione të vjedhura të linjës përcjellëse të gazit Divjakë-Fier. Po ashtu, tri ditë më parë, në Kuçovë u prangosën dy persona që kishin prerë 12 tubo çeliku nga puset e naftës, që kapnin vlerën e 300 mijë lekëve të reja.

Në Qarkun e Fierit, që ka qenë një zonë industriale, tashmë është grabitur gjithë skrapi i ish-Uzinës së Azotikut, po vidhet ai i TEC-it dhe hajdutët u kanë mësyrë puseve të naftës dhe tubacioneve të gazit.

Edhe shinat e trenit janë një prej objektivave kryesore të këtyre hajdutëve. Dhe për koincidencë, disa muaj më parë, në “lulëzimin” e këtij fenomeni në rritje, me nismë të qeverisë u miratua një ligj, që urdhëronte zhvendosjen e gjithë varrezave të makinave nga anët e rrugëve nacionale. Si pasojë gjithë pronarët e këtyre varrezave u detyruan t’i shesin gjithë mbetjet metalike të makinave për skrap. Nga burimet e bluve mësohet se vlera monetare që përfitohet nga vjedhja e organizuar e skrapit arrin shifra që edhe trafikantët e drogës do t’i kishin zili, duke përfshirë këtu edhe lehtësinë që duhet për ta kryer atë. Mësohet se në destinacionet përfundimtare të përfitimeve të siguruara prej vjedhjeve të skrapit, arrijnë deri në qindra miliona lekë të reja.

_______

Shqip: Korçë, hajdutët e hekurishteve lënë pa tela kitarën monument

Vepra e një skulptori japonez e vendosur në qendër të qytetit u përçudnua

Vjedhësit e skrapit vazhdojnë të mos kursejnë edhe objekte të artit e kulturës, si dhe institucione shtetërore. Një skulpturë në formë kitare që simbolizon Korçën si qytetin e serenatave është dëmtuar nga hajdutët e skrapit. Skulptura, e cila është punim dhe dhuratë për qytetin e një artisti japonez dhe është vendosur para Pallatit të Kulturës, tashmë nuk është e plotë. Persona ende të panjohur i kanë vjedhur pjesës së sipërme të skulpturës disa shufra metalike në formën e telave, që krijonin edhe pamjen e një kitare në gur. Ngjarja ka ndodhur javën që shkoi dhe nga njoftimi që kanë kryer në polici punonjës të pallatit të kulturës "Vangjush Mio" në Korçë, edhe policia është vënë në lëvizje. Punonjës të policisë që mbulojnë zonën e qendrës në qytetin e Korçës, ku përfshihet edhe godina e Pallatit të Kulturës, mësohet se kanë kryer hetime për këtë rast vjedhjeje, por ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorët. Në fakt, në pjesën e sipërme të skulpturës nuk ka pasur ndonjë sasi të madhe metali, megjithatë keqbërësit, duke hipur mbi pjesën e sipërme të kësaj vepre arti kanë arritur të presin apo të shkulin shufrat metalike. Kjo skulpturë është vendosur në oborrin para Pallatit të Kulturës në Korçës dy vite më parë, kur u punua nga një skulptor japonez, pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturës që organizohet prej disa vitesh nga Bashkia e Korçës. Kjo nuk është hera e parë kur hajdutët e hekurishteve cenojnë edhe monumentet në Korçë. Fatin e keq për të rënë pre e hajdutëve e ka pasur edhe busti prej bronzi i patriotit Naum Veqilharxhi. Busti i tij u pre me sharrë dhe u gjend në një fshat gati për t’u dërguar në furrat e shkrirjes. Më pas, të njëjtit monument iu vodhën germat e bronzta të emrit, siç ndodhi me pothuajse të gjithë monumentet që kishin germa prej bronzi në Korçë.

7 Komente

Prit se do te keq edhe me keq. Mafja qe ka kapur shtetin, nuk do te kurseje as edhe varet, ja sa ti vije radha.

Kur them une se ne Shqiperi, duhen ngritur urgjentisht burgje me qeli 1 me 1 m2, nuk m'beso njeri. 

Ku erdhi dhe Japonezi tju dhuronte Talebaneve veper arti.... smiley

Si eshte e mundur te ndodhe kjo ne Korce ?? Atje para do koheve kishte vajtur edhe vete HURI i Kultures dhe ishte mahnitur se sa me kulture jane Korcaret . Po ce pyet Zalua O ? smiley Mbledh pe atyre te teltave , i shet e mos i q..p..semes jetes ! Ajdo - ajde para qe ben !

Po OJu Q nenat ai i ZMQ cfare bejne ? Si kane reaguar nga Bashkia deri ne Qeveri ?

Po c'bashki e Prefkture mo ditzi . Ce O , vetem ato te pasurohen me shitje Skrapi ? Po ce o ? Se mos jane  dhe ato   pe teli e si shitem smiley .Po Hekurani me Taqken desh vodhe  Saline O , ce u thane rri me hekura i veshur !!!!!!!

s'ma ha mendja  se ja ven me njeri emrin hekuran femise se i vjedhin kalamonin smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).