Pas përkthimit gratis me google ky nocion teorik rezulton në: Një lojë apo strategji, e cila është projektuar (llogaritur) për të përfituar të gjithë pjesëmarrësit.

MAXHORANCA

Prej disa muajsh inicioi shkarkimin inatçor të Kreshnik Spahiut dhe sigurisht që duhet të mendonte për zëvendësuesin e tij. Midis emrave të shumtë ajo zgjodhi emrin më pak të lakuar e të përfolur, si për t’ia bërë të vështirë kontestimin opozitës, ashtu edhe për të patur në të ardhmen (në çdo të ardhme politike të saj pas qershorit 2013) një “ushtar” drejtësie të devotshëm e të bindur. Ka zëra që thonë se Cefa është kontingjent nordik i taboreve të Topallit dhe promovimi i tij konsiston gjithashtu edhe në një kërcënim të hapur për mundësinë e kapjes së presidencës nga Jozefina.

Në këto rrethana votimi shndërrohej në një formalitet, siç ka ndodhur rëndom në këto tre vitet e fundit, me rreth 73-74 vota të ngrira në dispozicion.

LSI

Këto 3-4 vota që i japin maxhorancës shumicën në parlament vihen në dyshim së pari nga Meta, i cili pas pafajësisë legale dhe vizitës “ilegale” në SHBA ka ulur tonet dhe rritur aktivitetin underground. Votat e saj po bëhen çdo ditë e më të shtrenjta edhe në perspektivën e zgjedhjes së presidentit. Ky shans nuk duhet humbur  e për këtë duhen edhe nja dy vota të tjera që Mediu mund t’i ofrojë. E ai mund të lëkundet vetëm nëse alternativa e maxhorancës shoqërohet me një emër “gjithpërfshirës”, avokat i Mediut, mik i Metës, socialist me karta më shume se Sollaku. Më mirë se kaq nuk ke ku gjen. I pakundërshtueshëm.

OPOZITA

Mbetet vetëm që Ardian Visha t’i autopropozohet Ramës me shpresë  se ai do ta hajë edhe këtë rradhë sapunin për kaçkavall. Dhe ai e ha. Majko nuk e gëlltit këtë çorbë kollaj, bile as Merua nuk u pyet e reagoi ashpër.  Ata mërziten kot në fakt, sepse Rama nuk ka ndërmend ta fitojë anëtarin e KLD, por vetëm të denigrojë proçesin. Po të donte seriozisht të kishte njeriun e vet atje do kishte organizuar gjithë këto muaj një konkurs pankombëtar si ai i Totozanit.

Ndërkohë situata me partitë e vogla aleate është rënduar tani që Blushi shpall platforma politike në shtyp.  Trapezat nuk thërriten më për të komunikuar aksionet e mbëdha apo për kodin zgjedhor, që siç duket as Metës, si ish-opozitar e ish-grevist nuk i leverdis më ta ndryshojë.  Bile-bile edhe Avokati nuk e ndjen më veten partiçkë, por të madh si Rama e me ëndërr sa Meta. Për momentin te kullat po duket vetëm tymi, gojët e liga thonë që zjarri ka kohë që ka rënë.

RADIKALËT

Reagojnë ashpër me opozitën që u dorëzua para pushtetit të sotëm e atij të nesërm, që nuk ndryshon asfare nga Saliu i tmerrshëm dhe tradhtoi pa pikë turpi e skuqje fytyre kauzën e Gërdecit dhe aspektin moral që mund ta mbante gjallë të paktën deri në 2013.

E nevrikosur nga kapja në flagrancë e Ramës me Vishën, media ultras opozitare arrin deri atje sa të deklarojë:

“Kështu do të rilindë Shqipëria zoti Rama….? Më mirë të mbytet me Saliun sesa të rilindë kështu…”

SHOQERIA CIVILE

Parakalon serbes me të dyja duart prapa duke bërë prova për paradën e radhës. Nga njëri veshi i hyn Saliu, nga tjetri i del Rama. Nuk paguhet për të ndjerë erën e tymit, as e ve ujët në zjarr për të shuar zjarrin.

PARLAMENTI

Në komision Paloka me shokë i kujtojnë Vishës, si damkë, pikërisht Gërdecin e ai me sarkazëm iu kthehet sesi nuk e aprovoni pikërisht ju këtë zgjedhje. NGËRÇ! Si për të vërtetuar tamam arsyen e vërtetë të përzgjedhjes së tij alternative, të destinuar që të humbasë këtë “kamikaz” me grada. Harakiri i tij quhet i kryer kur e fundos opozitën me deklaratën për pafajësinë e Mediut.

Dita e votimit e gjen maxhorancën në gatishmëri Nr. 1 me komandantin në krye të ushtrisë. Bulevardi dukej i qetë, po eksperienca parashikon dallgë të furishme në parlament. Një arrestim për të mekur zërat, diku një promovim për të mos iu dridhur dora.

Opozita mendon se do ta hedhë në erë planin e parashikuar me fletët e firmosura. Harrojnë përsëri, për të disatën herë, që përballë kanë Berishën, i cili ka gati Planin B elektronik pas refuzimit të kutisë së votimit nga opozita.

Kërkohen 71 vota jeshile për kandidatin blu. Wanted! Kush do jetë i shtatëdhjetenjëti? Për ironi të fatit ai që i jep fitoren maxhorancës është pikërisht ai që Edi Rama sapo e përjashtoi me ceremoni, Kaç Islami. Të nxjerrësh sytë, të vrasësh veten me duart e tua. Simbolikisht bëhet ai deputeti plangprishës i krizës parlamentare.

Edhe opozita kalon në planin B të saj, e indinjuar shpallet mbledhje urgjente nga rrjetet sociale me termat e lënë mënjanë për ca kohë si puç parlamentar, krizë, diktature. Koha thërret në skene Libinë. Ta shohi Arvizu edhe këtë radhë se ç’heqim jashtë e brenda parlamentit.

LSI nuk shfaqet për momentin në media. Meta i ka rezervuar Kol Ballës ekskluzive me garancinë e reklamës 1 javë përpara në Top Story, si skenarist i filmit të pashfaqur, me një happy end të inskenuar më parë nga ai vetë.

Mund të  shkruaja sot për filmin Win-Win të Thomas McCarthy me aktorin simpatik Paul Giamatti, por më ngacmoi situata politike win-win.

E tillë më shfaqet situata pas “zhurmës” që mbërtheu median javën e fundit dhe arriti kulmin me “ngjarjen në parlament”. Le t’i marrim me rradhë:

BERISHA

Arriti me kosto jo të lartë të nxirrte fitues kandidatin e vet. Krijoi përshtypjen mediatike që nuk i ka numrat, që opozita të pranonte e të merrte pjesë në proçes të rregullt. Ministrat aleatë votuan në mënyrë të “pavarur”, me kokën e tyre jo të partive të tyre. Kaçi desh vetë me votën e tij prej ari. E ç’mund të kërkosh më shumë në vitin e shtatë të qeverisjes së lodhur?! Kur kujton vitet e fundit të Nanos, për besë jemi yll, thonë.

Perceptimi popullor që Rama është njësoj si ai e mbush me shpresë vanitoze për pushtet të pakufizuar.

META

I kuotoi edhe një herë aksionet e veta në bursë me djallëzinë e vet politike duke dalë nga kjo lojë ndofta i fituari më i madh. Forcoi personalitetin e vet në raport me Berishën dhe të vetët duke e sinjalizuar që presidenti do të kalojë nga ai i pari.

Zërat që po cicëron me Ramën në largësi, në mos i prodhon vetë për të shkaktuar pështjellim në kampin e majtë, që edhe kështu siç është mezi mbahet në këmbë, i shkojnë për shtat se ia rrisin vlerën në kampin e djathtë.

Realisht ka në dorë qeverisjen dhe mund t’ia bëjë realitet ëndrrën Ramës për të parë Saliun me kalë drejt Vlorës në nëntor. Born to be kingmaker.

RAMA

Nga tymi që po i nxjerr koka prej pazareve me partitë e vogla si dhe autogoli me fantin spathi Visha mund të themi që e kaloi lumin paq me votimin, bile i shtrëngoi paksa rradhët me ndonjë Petro më shumë. Gatishmëria për të pranuar real politikën e Muç Nanos përpara sfidës 5 vjeçare edhe i vetëm trim në lufte e ul me këmbë në tokë dhe ia bën më matematike rilindjen idealiste të kohëve të fundit.

Viktimizimi e justifikon para të tijve dhe i krijon alibi të besueshme para popullit opozitar për humbjen e radhës. Do vijë dhe dita ime, dëgjohet shpesh të ulërasë korridoreve të ish-Komitetit të Partisë.

NANO

I propozuar në këtë moment nga Meta si president mbi palët i fashit menjëherë kundërshtimet e mundshme si nga e djathta ashtu edhe nga e majta. Në këtë derexhe që është, shumica e kondicionuar nuk do të donte prova zjarri të mëtejshme të ekzistencës së tyre. Berisha do ngrinte duart përpjetë ashtu si bëri 5 vjet më parë me Bamirin.

Edhe Rama do bënte me pahir një sy qorr e një vesh shurdh dhe një President i Republikës me rreth 115 vota do ishte bajagi konsensual në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe në ngjarjet e pritshme e të nxehta në rajon.

Emërimi i Ardian Vishës si prokuror i përgjithshëm në mandatin tjetër do të ishte qershia mbi tortën e quajtur WIN-WIN.

BIZNESI MEDIATIK

Është po kaq i fituar edhe ai në këtë lojë, siç e ndjejnë ne fakt gjithmonë bashkautorët. Audicioni është rritur dhe pritet një stinë e nxehtë me pushime të spostuara në vjeshtë. Suspansa po shkakton aritmi dhe “X” kuotohet shumë pak. Fallxhorët politikë po bëjnë gati filxhanët e reja të kafesë dhe po shkëlqejnë me spray sferat HD dhe 3D.

KASTRIOT ISLAMI

Dhe në fund dy rreshta mirënjohjeje për atë që e solli i pari në strategjinë elektorale teorinë win-win. Edhe Kaçi fitoi këtë radhë, megjithëse u bashkua me armikun e vjetër, por nga halli ama. Vetëm e vetëm që avokati i Gërdecit të mos zgjidhej në KLD.

Moralisht korrekt, politikisht okej!

6 Komente

Oh, nje stilist ne median shqiptare, cfare ajri i fresket!

Ne kete loje vecse populli eshte humbes.

Duam te tjera (ndoshta pak me te shkurtra).

Kjo lexohej rrjedhshem dhe ish fort okej. Rrofshi per prurjen.

Me vjen mire qe e mirepritet, edhe tropizma edhe Ajku. smiley
Edhe une mendoj si ju per stilin...dhe jo vetem

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).