Moti deri në fund të vjeshtës ishte i mirë,i thatë,por i ftohtë.Më i ftohtë se vitet e tjerë.Ndaj gjarpërinjtë ranë në gjumë  më herët.Gjatë hapjes së një are të re sipër shtëpisë u gjetën nëntokë me dhjetra.Ishin gjysëm të ngrirë,të mbledhur kutullaç dhe të pafuqishëm.I jati i mblodhi në një cep të arës së re dhe u vuri flakën.Shumica e tyre u dogjën në heshtje,ca arritën të lëshonin dy tre këlthitje të mekura si zëthi që  del në ëndërr,kur kërkojmë ndihmë por ca u zgjuan nga ngrohtësia e zjarrit dhe u përpoqën të iknin.Por i jati i Evës i shënonte në kokë me sëpatën me bisht të gjatë.Njëri shkoi më larg se të tjerët dhe përpak u vuri flakën mullarëve,por e shqyen macet.Eva ndjeu që atëherë një armiqësi të tërbuar për macet që i kish tërhequr era e mishit të djegur.Ato ishin macet e fqinjve sepse ata nuk kishin pasur kurrë mace të tyren,as qen për arsye të   alergjisë  që kishte e ëma.

Kur  Eva e pa të ëmën  duke fërkuar kurrizin larush të gjarpërit nuk foli  për një javë.Kishte frikë se po hapte gojën do të thoshte:”Nëna ka një gjarpër dhe i fërkon kurrizin”.Havaja u habit me heshtjen e saj,por  e mori më shumë si trishtimin e natyrshëm të vajzës që po i afrohej dita e dasmës.Eva në fund  të vjeshtës do të martohej.

Havaja mbante mënd qysh nga koha kur ish martuar vetë se kishte pësuar pak a shumë të njëjtën gjë.Muajin e fundit para se të ikte nga shtëpia e saj,i mbante mëri të ëmës.Tre ditët e fundit para dasmës refuzoi të hante.Kishte ngrënë vetëm një lugë mjaltë, që ia kish kuar e vjehërra sipas zakonit të dielën paradite,me të  shkelur pragun e derës ku do të plakej.Drekën e dasmës nuk futi asgjë në gojë,ca nga që e shihnin të gjithë dhe ca nga dëshpërimi.Me të mbaruar dreka,kish shtruar gjithë  pasditen dhomën e të shoqit me pajën e sjellë mbi mushkat qimekuqe. Me shijen e mjaltit në gojë.I shoqi kish shkuar me njerëzit e tij të përcillnin krushqit deri tek lundra.Ca nga pija  dhe ca ngaqë filloi një shi i shtruar vjeshte,por me pika të rënda ,ajo e dinte që i ai nuk do kthehej pa rënë nata.Ndaj me të mbaruar u ul pranë dritares ,mori  një mollë të madhe dhe po hante.Era e mollës i kujtoi të ëmën,Evën e bukur,kur e kish parë dikur,në  muzg  tek e ulur tek sofaja këndonte me zërin e saj të drithshëm:

O astrit,gjarpër me çika

më kafshove, të rëntë pika.

Atëherë Havaja ishte afruar për të përqafuar të ëmën që dukej kaq e trishtuar,por kishte ngrirë nga frika.Në prehërin e saj kishte parë një gjarpër të madh me kurriz larush,me sy  të gjelbër.Gjarpëri  ish kutullaç dhe dukej sikur flinte.Por  e ndjeu i pari praninë e  Havasë sepse ngriti kokën dhe e pa me ato sytë e tij të gjelbër me të çarën gri vertikalisht.Havasë iu rrënqeth lëkura e qafës.Por nuk kishte pasur frikë,bile ju duk se i pëlqeu ai shkëlqimi i çuditshëm që kishin sytë e tjetrit.Pastaj gjarpëri zbriti nga prehëri i të ëmës dhe ngadalë,pa zhurmë  rrëshkiti  në dheun e ngrohtë dhe të lagësht.Ndaloi pak më poshtë dhe kthehu kokën e tij të bukur.Havaja kishte qënë  e sigurt që ai do t’a kthente kokën.Asaj iu duk sikur gjarpëri po shihte atë dhe u skuq.Gjëja e fundit që i mbeti ndër mënd ishte shkëlqimi i barkut të tij të  florinjtë teksa  ai u lëshua përposhtë,drejt kopështit të mollëve,në breg të lumit.Havaja kish ndjerë dorën e  butë të të ëmës mbi kokë dhe pastaj e dëgjoi të thoshte:

-Nuk dua t’ja thuash askujt këtë.Në rast se  e thua,unë do të vdes.Si magjistare apo si e përdalë.Do na djegin në gjumë.Askush nuk mund t’a kuptojë atë që pe.

-Sa i bukur ishte.

-Ti tani je grua. Për një muaj do të shkosh në shtëpinë tënde,pranë burrit tënd.Je me fat sepse edhe ai është i bukur-tha Eva e bukur.

-Pse kush tjetër është i bukur?-tha Havaja,por e dinte përgjigjen.

-Gjarpëri-i tha Eva- kaq i bukur sa  të tremb.Shumë herë bukuria,kur është kaq e madhe na tremb,na ngurtëson,na lidh gjuhën dhe këmbët.Na bën magji.Na frikëson pushteti që ka mbi ne.Por t’i do të bësh një vajzë  të bukur dhe do t’i vësh emrin tim.Do ta quash Evë,dhe Eva nuk do ketë frikë nga bukuria,sado e frikshme të jetë kjo.Të tjerët do të kenë frikë nga Eva dhe kjo  mund t’i hajë kokën,po të mos jetë e kujdesshme.

-Po - tha Havaja - do ta mësoj të jetë e kujdesshme.

- Njerëzit zakonisht i vrasin gjërat që nuk i kuptojnë,por nganjëherë edhe gjërat e bukura nga urrejtja ose nga frika.Ti je grua e bukur,shumë e bukur. Kështu që je të gjitha këto,je gjithçka.Je gjithnjë në rrezik.

-E di-tha Havaja-nuk do t’i them askujt.

Dhe ashtu kish bërë.

Nuk i tha askujt që e jëma kish një gjarpër larush që i fërkonte kurrizin dhe kur lindi e bija,ju lut të shoqit që t’a pagëzonin Evë,sipas të jëmës.I shoqi ,që kish dëgjuar shumë për Evën e parë që kish vdekur e re nga zjarri që kish rënë në shtëpi gjatë kohës që flinte,në fillim nuk donte,por në krye të dyzet ditëve kur sytë e të bijës filluan të bëheshin gjithnjë e më të gjelbër,nuk i hiqej nga mendja e vjehërra  dhe pranoi.Dhe pas  dyzet ditëve nuk iu shfaq për herë të parë në ëndërr.Në krye të vitit,sytë e Evës ishin të gjelbër,me bebëza gri.Kurse mbas  tre vjetëve  bebëzat ndërruan formë dhe u bënë më në fund  larushe,me njolla blu e gri, ashtu siç ishin sot.Në diell njollat e bebëzave të Evës bëheshin më të errëta,kurse nata i zhdukte ato,ashtu si  retë gri mbulojnë njollat e hënës.Kjo i bënte ato të dukeshin më të holla në anët,aty ku ishin njollat gri dhe nganjëherë akoma edhe në muzgjet me ndriçim të pakët,bebëzat e saj dukeshin si dy të çara vertikale.   

Ndaj  atë pasdite kur Eva erdhi dhe u ul pranë Havasë pa folur ajo ishte e sigurt që e bija e kish parë duke përkëdhelur gjarpërin.Mbase e kuptoi nga  mënyra e heshtur se si erdhi,pa u ndjerë,sikur po rrëshkiste mbi tokë,pa e prekur.

-Evë,ky është sekreti ynë.Nuk dua t’ja thuash askujt-tha Havaja.

Donte te fliste prapë,por kishte përshtypjen se tjetra e dinte vazhdimin ndaj heshti.Iu duk kotë të vazhdonte,sepse Eva e mbështeti kokën në prehërin e saj,aty ku pak më parë kishte qene gjarpëri larush dhe i bukur.

-Vajza ime e parë do marrë emrin tënd-tha Eva ,por heshti  sepse e ndjeu sa e kotë ishte të bënin përsëri,një muaj para martesës së saj ,një bisedë që e kishin bërë me dhjetra herë,qysh nga fillimi i kohës.Para mijra vjetëve.

Ndenjtën kështu të dyja pa folur për gati një muaj,por e dinin se nuk ishte ai trishtimi i nënës dhe i bijës që së shpejti do të ndahen.

Në fillim të nëntorit  Eva u martua.

Ditët e fundit nuk futi asgjë në gojë nga mërzia që po linte shtëpinë.Të dielën ,kur hyri në shtëpinë e saj të re e kuan një lugë mjaltë sipas zakonit.Mbas drekës së dasmës me gojë të ëmbël nga mjalti me  të hyrë bashkë në dhomën që kish ngritur i shoqi kasten për ta Eva i kërkoi të largonte macen dhe dy qentë e mëdhenj.Ndryshe,siç u betua nuk do ta shihte kurrë të zhveshur.Ai në fillim kundërshtoi,sidomos për langonjtë e gjahut,por me të parë njollat e hirta,të arta dhe të gjelbra që dolën në lëkurën e të shoqes,u bind që ajo vërtet kishte alergji  nga gëzofi i kafshëve dhe i  fali tek të tjerët.Me të ikur qentë dhe macet nga shtëpia ,të hënën në darkë ajo u shtri në shtrat me të shoqin dhe e vuri të betohej se po të ishte fëmija i parë vajzë do t’a quanin Hava.Ai pranoi menjëherë dhe ajo i fali një natë të paharrueshme.

Gjatë gjithë dimrit  ata  ktheheshin shpejt nga arat dhe me të ngrënë,mbylleshin në dhomën e tyre me dritare nga lumi.Ai tërhiqte perdet e rënda dhe habitej me atë dritën e çuditshme që kishin sytë e saj në errësirë.Qeshte duke i thënë se ata nuk kishin nevojë për llampadarë.Por barku i Evës nuk rritej.

Më në fund dimri doli.Nuk bënte më aq ftohtë dhe ishte nata e parë që kishin fjetur të zhveshur.Ajo u ngrit nga rrobat e ngrohta,hodhi një  shall të madh krahëve ndërsa i shoqi  flinte akoma .Ashtu  gjysëm lakuriq piu me gllënjka të vogla kafenë e zezë dhe pastaj doli në oborr për t’i hedhur qumësht  gjarpërit.Ndaloi para enës së sheshtë prej guri.Gjatë kohës që po hidhte qumështin,ndjeu se si nga sipër qemerit të portës së madhe,po vinte si çdo mëngjes ai.Lëkura e qafës iu elektrizua si dikur.

Priti  duke i fërkuar kurrizin larush sa të mbaronte të gjithë qumështin dhe pastaj u nisën të dy drejt kopështit me mollë afër lumit

6 Komente

nje grusht yje... i mrekullueshem.

Shume i lezecem tregimi, te mban lidhur me stilin si perallat e mocme smiley

Me ngjaka me ate perrallen e dhendrrit gjarper.
Ketu gjarpri qenka tashnueri.

Shume ,shume i bukur.Me pelqeu shume....kA shume talent autori

Nje stil qe rrjedh dhe i kthjellet, nje histori shume shume e bukur. Kisha kohe pa lexuar tregim qe te me mbante gozhde pas cdo fjalie. Te lumte per mendjen e ndritur qe me ke. Te duartrokas per cka na ofrove.

Lulet e ftohta te marsit -gjarperi dhender , motiv i marre nga perrallat.Por ketu femra e bukur, e krahasuar  me gjarperin, me duket nje gjetje e bukur.Gjaraperi eshte i bukur dhe i rrezikshem.Po keshtu dhe femrat e bukura. Prandaj i kam frike femrat e bukura me sy farfurites smiley 

 Njerëzit zakonisht i vrasin gjërat që nuk i kuptojnë,por nganjëherë edhe gjërat e bukura nga urrejtja ose nga frika.Ti je grua e bukur,shumë e bukur. Kështu që je të gjitha këto,je gjithçka.Je gjithnjë në rrezik.

Prisja nje fund tjeter si konkretizim te kesaj profecie te thene ne paragrafin e cituar.Me qe luhet edhe me simboliken e emrit-Eva tunduese dhe mekatare qe nuk mban parasysh keshillen -prisja nje fund ku gjysma e qanin e gjysma e mallkonin bukurine e saj. Por dhe keshtu qendron.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).