Intervistë me regjisorin Italian Marco Bellocchio, fitues i Luanit te Artë ne Festivalin e Venecias dhe fitues i Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës me filmin “Vincere”.

Fakti që në filmin “Vincere” ju flisni për gruan e parë të Musolinit, për të kaluarën fashiste,mendoni se ka ndikuar që shqiptarët, të cilët vijnë nga një e kaluar diktatoriale ta pëlqejnë apo të gjejnë një pjesë të kaluarës së tyre në këtë film? 

Nuk e di, pasi Shqipëria ka pasur një fat ndryshe nga Italia. Ajo ka qënë viktimë e vetë diktatorit, Musolinit, pastaj erdhi një tjetër, mbase edhe më i keq, nuk e di. Pra ka kaluar dy diktatura. Por mendoj se filmi të përfshin pikërisht sepse historia përcillet nëpërmjet një gruaje, një personazh i zakonshëm, por që bie verbërisht në dashuri me diktatorin e ardhshëm, dhe në të njëjtën kohë, është e vendosur të refuzojë çdolloj kompromisi, deri në vetëshkatërrim, deri në një çmenduri negative. Në këtë kuptim ka dhe një ekzaltim institucional, pra ajo rebelohet, por për të qenë gruaja e tij. Mendoj se përmes personazhit të saj mund të kuptohet historia e drejtpërdrejtë dhe pastaj ajo e tërthortë e Musolinit. Kjo është ajo që ngjall interes.

A mendoni se italianët kanë reflektuar mbi gabimet e bëra në të shkuarën, lidhur edhe me periudhën e fashizmit, apo nuk e konsiderojnë atë një gabim të së shkuarës?

Mendoj se pjesa më e madhe po. Rënia e fashizmit erdhi nga gabimi i madh i Musolinit që hyri në luftë.Deri në vitet `40 ai kishte mbështetje shumë të madhe. Lufta ishte një katastrofë, e cila e bëri një pjesë të mirë të italianëve, të kuptonin se Musolini dhe fashizmi po i çonin drejt një katastrofe. Sot fashizmi është i ndaluar me ligj, as e djathta ekstremiste, me parime fashiste, thuajse nuk ekziston më. Por në këto kohëra ka lëvizje që risjellin tema mbi intolerancën, mbi mbylljen e kufijve, mbi një farë autokracie, s`do ta quaja as nacionalizëm, pasi, në fund të fundit Lega Nord (Lidhja e Veriut) është një lloj nacionalizmi padan. Ata kërkojnë një atdhe padan, ndërsa gjatë fashizmit kërkohej një atdhe, Italia. 

Mendoni se vendet ku ka pasur diktaturë për një periudhë kohe, janë të mbrojtura pra të imunizuara nga rreziku i rikthimit të diktaturës në një moment të dytë, nëse populli e lejon? 

Këtë nuk e di. Zakonisht diktaturat vendosen kur ka vërtetë situata të një shpërbërjeje ekstreme të shtetit, krizë ekonomike, pra situata ekstreme për shtresat e gjera të popullsisë. Atëherë mund të vendosen fillesat e një revolte që mund të kthehet në diktaturën e dikujt. Meqënëse gjithçka po globalizohet, edhe pse s`i dihet si do shkojë me zgjedhjet në Greqi, në Francë etj, Evropa, në një farë mënyre, mund të shmangë puçet ushtarake apo diktaturën në një vend evropian, pastaj nëpër botë s`di ç`të them.

Pra ju mendoni se nuk ekziston një “vaksinë” kundër diktaturës?

Vaksina mund të jetë një lloj tolerance, apo pjekurie. Unë shkëmbeva dy fjalë me Ministrin tuaj të Kulturës. E pyeta në mënyrë pak naive - Shoh se këtu ka një tolerancë absolute. Dhe ai më tha: - Jo, ka harmoni. Faktikisht, është një koncept i ndryshëm. Njerëzit nuk janë tolerantë ndaj njëri-tjetrit, pasi vetë toleranca përmban një sjellje të sforcuar për të mos thënë “jo”. Janë mendjet ato që duhet të ndryshojnë, të kenë liri, gatishmëri, një marrëdhënie me qëniet e tjera njerëzore, do të thoja një shëndet mendore, që do ta shmangte pa dyshim vendosjen e çdo lloj diktature. 

Në një nga intervistat tuaja, kur flisni për filmin “Vincere”, thoni që Duçe bënte politikë përmes radios dhe kinemasë, ndërsa sot, politika bashkëkohore bëhet përmes televizionit. Siç ishte edhe rasti i Berluskonit në Itali. Ishte një sulm ndaj tij?

Jo, ishte thjesht një e vërtetë historike. Musolini kishte disa aftësi, përndryshe s`mund të shpjegohet si arriti kaq lart. Kishte aftësinë të kuptonte turmën, njerëzit, popullin. Në atë moment ai kuptoi fuqinë e madhe të imazhit. Deri atëherë, politikanët italianë punonin në parlament, në ministri, por ishin si fytyra të padukshme. Para Musolinit, askush s`i mban mend fytyrat e ministrave të parë të shtetit Italian. Ndërsa ai e imponoi fytyrën e vet, prej luftëtari, udhëheqësi dhe meqë ia lejoi edhe koha, përdori propagandën përmes radios dhe kinemasë, të cilat s`ishin përdorur kurrë më parë. 

Pra sipas jush televizioni bën vetëm propagandë?

Televizioni shtiret dhe bën një shpërndarje të hapësirave, në të cilat ftohen parlamentarë apo politikanë të ideve apo partive të kundërta, ku njëri thotë diçka dhe tjetri diçka tjetër. Në fund, këto dy të vërteta të ngjashme por edhe të kundërta, priren të njësohen. Ndaj unë nuk e shoh më politikën, pasi nuk gjej asnjë dobi, por kush e sheh ose heq dorë nga vota ose nuk merr asnjë kënaqësi nga debatet televizive, edhe pse këto debate, të paktën në Itali, kanë gjithmonë të njëjtët aktorë. S`e di nëse ndodh e njëjta gjë edhe në Shqipëri. Ata rikthehen gjithmonë nëpër televizione, sikur të ishte një kompani aktorësh. Drejtuesit e shfaqjeve televizive i thërresin vazhdimisht. Janë gjithmonë të njëjtët dhe thonë të njëjtat gjëra.

Cfare gjykimi keni për politikën në Itali?

Nuk e konsideroj veten aspak si një person që s`ka interes për politikën. Por po të flasim për partitë e mëdha, nuk më duket se janë në gjendje ta përballojnë situatën. Ata diskutojnë ende probleme që lidhen me mbijetesën e tyre, të partisë, zgjedhjeve, ndërkohë që mendoj se ekzistojnë probleme më të mëdha, më të përgjithshme, më kolektive. Kur flasin për uljen e pagave në parti, kjo është diçka e vogël,që nuk ndryshon apo modifikon krizën e Italisë.

Ju mendoni se ndershmëria është shumë e rëndësishme në politikën e këtyre kohërave?

Para së gjithash ndershmëria, por edhe programet. Unë pajtohem me një sërë parimesh të Partisë Radikale; për ligjin mbi jetën, mbi embrionet. Politika italiane është shumë e kushtëzuar nga kisha, nga hierarkitë vatikanase, nga parimet e kishës, dhe kjo s`është gjë e mirë.

Në Itali ekziston ideja se për të qënë një intelektual apo për t`u konsideruar si i tillë, duhet t`i përkasësh të majtës. Pajtoheni me këtë mendim? Është i drejtë sipas jush? Dhe nëse është kështu,pse?

Jo, mendoj se kjo ka ekzistuar deri para pak vitesh. Tani, meqënëse edhe vetë të majtët thonë se janë të majtë por, gjithmonë e më tepër njerëz pohojnë se e majta dhe e djathta tashmë janë njëlloj, nuk ndryshojnë mes tyre. Të gjithë janë të etur për pushtet, tek të gjithë janë parimet e korrupsionit, ndaj dhe të bërit karrierë, p.sh. në universitet,apo në fushat e kulturës, kinemasë, gjithmonë e më pak po lidhet me të qënit i majtë. Por, mendoj se në të kaluarën, të qënit i majtë, apo në partinë komuniste, të hapte dyert e kulturës, flas për kulturën universitare etj.

Edhe në kinematografi ishte më e lehtë të bëje karrierë nëse i përkisje të majtës?

Sigurisht, kinemaja ishte e gjitha e së majtës. Bënte përjashtim, ndonjë kineast katolik, i Demokracisë Kristiane, por në masën 99%, ishte gjithçka e majtë - socialist, jo komunist.Por tani kjo përkatësi 
nuk ka më rëndësi. Sot përgjithësisht ka shumë të majtë, por s`mjafton për të bërë karrierë.

Po sot çfarë duhet për të bërë karrierë në kinematografi?

Ajo që thamë për pushtetin qëndron gjithmonë . Mbështetja nga pushteti, i atij që është në pushtet, ka një vlerë të madhe.Përtej skandaleve të vogla të Berluskoni që s`janë me rëndësi, të jesh me atë që është në pushtet shërben për të bërë karrierë. Qoftë kur pushtetin e kanë të djathtët, qoftë kur atë e kanë të majtët. 

Cfarë cmimi ka liria artistike? Ndonjëherë, është më e lehtë të bëjmë kompromise, apo jo?

Ka disa lloje kompromisesh. Mund të bësh kompromise, por duke e ditur që mund të mbrosh pjesën më të rëndësishme të projektit tënd. Pastaj, ka edhe kompromise të cilat s`mund t`i dënoj. Nëse dikush duhet të mbajë familjen, nëse ka fëmijë, nuk mund ta dënoj pse përpiqet të krijojë gjëra pa cilësi. Por, ka një lloj tjetër kompromisi i cili s`më pëlqen. Gjithkush që për të pasur sukses dhe para, deformon fantazinë e vet dhe e ka mendjen tek ajo që mund të mendojnë të tjerët, duke i bërë gjërat për të kënaqur publikun. Pra kthehet gjithçka në një lëvizje të përllogaritur. Ky është kompromisi më i keq.

Nëse do të bënit një fil për Italinë e sotme, si do të ishte? 

Duhet treguar kujdes, pasi më parë kisha përgatitur një film që në një farë mënyre fliste për Berluskonin. Nuk më lejuan ta bëj. Duhet të jemi të kujdesshëm kur duam të bëjmë filma tepër aktualë, pasi rrezikon që kur ta kesh mbaruar, të ketë kaluar edhe aktualiteti i subjektit.

Jeni shprehur se Shqipëria ishte një mister për ju. A e zbuluat ndopak misterin? 

Zakonisht kur shkon jashtë shtetit shkon edhe për të parë bukuritë, bukuritë e së shkuarës, ato arkitektonike, për të parë detin. Këtu, duhet të themi të vërtetën; Tirana nuk është një qytet i bukur, kështu mendoj unë. 

Pak orë qëndrim në Tiranë. Cfarë ju bëri më shumë përshtypje?

Fakti që kam parë vetëm një monument antik: xhaminë e vogël. Thuajse në të gjithë kryeqytetet ka lagje të vogla antike, me një traditë të madhe, por duket se këtu s`ka. Unë bëra një vizitë të shkurtër në Muzeun Kombëtar, dhe do t`u sugjeroja shqiptarëve diçka. Mua do të më pëlqente të kuptoja diçka më shumë, por gjithçka ishte e shkruar në shqip. Vizitori i huaj, mbase s`e ka ende ndjeshmërinë ndaj kësaj, por nëse do të kisha mundur të lexoja në frëngjisht, anglisht, edhe pse jo italisht,për të kuptuar më tepër, shumë gjëra të cilat i shihja, por do të kisha dashur t`i kuptoja. Prandaj, do të ishte mirë të vendosnin sqarime pak më të pasura në anglisht apo frëngjisht.

15 Komente

click :

 

Mire, mire, pak fodull, por i shullehur mire ne analizat e veta, prej fotos perforcohet ideja e nje shoku Lame all'italiana. Rrofte Festivali i Venecias (dhe Stalkeri smiley).

jeni ju pa jemi ne smiley

smiley

ps: gërmo se mos gjen filmin e pare fare fare te Bellocchios : "I pugni in tasca". Do te te pelqeje shume SHUME ! Bellocchio ka qene nga ata qe i ka thene pothuaj gjithe "ç'ka patur me thene" me te parën 

I kam pare vetem "Buon Giorno, Notte", film shume shume i mire

 

Gjithkush që për të pasur sukses dhe para, deformon fantazinë e vet dhe e ka mendjen tek ajo që mund të mendojnë të tjerët, duke i bërë gjërat për të kënaqur publikun. Pra kthehet gjithçka në një lëvizje të përllogaritur. Ky është kompromisi më i keq.

ketu ka fol si rregjizor autor. Me kujtohet nje deklarate e Antonionit ku thosh se asnjehere nuk ka bere filma per publikun, dhe jo se nuk e respekton ate, por thjesht ka dashur te beje filma te bukur.

Meqe jemi ke rregjizoret italiane, Nani Moretti, ja hedh paq nje aksidenti qe ka bere me papaqin e famshem vespa te "caro diario"

Para ca kohësh pashë "Miërmëngjes natë". Tani e mora vesh që qenka film i 2003, e mendova të viteve '80. Pak i zhgënjyer. Ndoshta edhe unë e pashë jo shumë i përqëndruar, por prisja më shumë.

"Me duar në xhepa" është film i paparë. I rëndë, shumë i rëndë, por ia vlen.

Por më pëlqen sinqeriteti i tij. Tirana vetëm e bukur që nuk është.

E mbaj mend teatër këtë. Kuptohet edhe si libër (Ëndërr Mashtruese). 

nje fill jo dhe aq i holle kusturice neper te. per mu qe befasimi i se shtunes. nuk e kisha pa. i kam dhe nja 10 minuta.

Kur ta maroj, të them konkluzionet smiley

me thuj po munde naj film shqiptar post 90 qe ia vlen.

tek ai linku jep psh nje titull "Pengu", por e sqaron pastaj, "filëm" thot. Kupton, me "ë" dhe me shigjet: ky esht filëm. Qy aty ngrehen ca dyshime t'mdhoja mbi "parjen"*.

*e ke parasysh ate: e keni bere "parjen"? para naj fejese t'mundshme kjo. Ne paralel me filmat, ksaj i bi te ishte traileri smiley

 

emo, film shqiptar post 90 deri diku te mire ke vetem nje : "tirana viti zero". Deri diku ama. Ose ndofta edhe me shqeto : per lojen pasoliniane te heroit kryesor.

vetem nje pytje: mos eshte nje film qe luan edhe nje behar mera a si e ka?

do e check, pa diskutim, meqe e thu ti. ty te besoj me shume se squarepusherit per muziken smiley

ai duhet te jete, sepse kontrollova skeden e filmit dhe rezulton se luan aktori me emrin qe permend ti (une nuk e njihja; tani e kam parasysh kush eshte).

Une e kisha me se shumti per personazhin kryesor, rolin e te cilit e luan nje amator, prej nga dhe ideja ime e pasolinizmit te lojes se tij : jo se filmat e Pasolinit ishin te paret ku luajten aktore amatore, por ajo ç'ka qene tipike ne to ka qene fakti qe ata, pra aktoret amatore ne fjale, nuk kane bere më karriere ne filma regjizoresh te tjere; kane qene pasolinane dhe kaq. Nga ç'kam konstatuar, ky djali ne fjale i "tiranes viti zero" po ashtu e ka mbyllur me aq aktrimin e tij. Pra ka mbetur "zeroist" (nderkohe qe loja e tij meriton 10 !). Dhe kjo, mua me duket vertet merite e regjizorit (ose eshte nje mrekulli padashje ! smiley) qe ne ate lukuni aktoresh profesioniste (Monda Bulku, Robert Ndrenika...), per rolin kryesor, jo vetem qe ka zgjedh nje aktor amator, por çuditerisht, ka godit ne shenje !! 

" .... Unë bëra një vizitë të shkurtër në Muzeun Kombëtar, dhe do t`u sugjeroja shqiptarëve diçka. Mua do të më pëlqente të kuptoja diçka më shumë, por gjithçka ishte e shkruar në shqip. Vizitori i huaj, mbase s`e ka ende ndjeshmërinë ndaj kësaj, por nëse do të kisha mundur të lexoja në frëngjisht, anglisht, edhe pse jo italisht,për të kuptuar më tepër, shumë gjëra të cilat i shihja, por do të kisha dashur t`i kuptoja. Prandaj, do të ishte mirë të vendosnin sqarime pak më të pasura në anglisht apo frëngjisht..." 

Kritike, sugjerim me vend. 

sot olen cesari dhe orkestra klandestine japin koncert ne tirane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).