Visar Zhiti, i njohur për vargun e tij “Malli më ka marrë pa qenë kurrë”, që ia ka dedikuar Kosovës rrëfen për të arriturat në fushën e letërsisë si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri, deri te meditimet e tij gjatë rrugëtimit Shqipëri- Kosovë

Visar Zhiti, i kujtohet mirë koha kur qe dënuar pse dëgjonte Radio Prishtinën, pse kishte lexuar fshehtas Azem Shkrelin e Ali Podrimen. Sot pas kaq shumë vitesh, ai po kënaqet për krejt këto ndryshime,derisa kafenë po e pinte po në ndërtesën e radios së dikurshme, dhe për faktin se promovoi dy librat e tij “Rrugët e ferrit”, dhe “Ferri i çarë”, pikërisht para shkrimtarëve për të cilët ishte dënuar. Visar Zhiti, i njohur për vargun e tij “Malli më ka marrë pa qenë kurrë”, që ia ka dedikuar Kosovës rrëfen për të arriturat në fushën e letërsisë si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri, deri te meditimet e tij gjatë rrugëtimit Shqipëri- Kosovë

Zëri: Pikërisht kopshtin e Radio Kosovës e zgjodhët si vend të preferuar për ta realizuar këtë intervistë. Mirëpo, ju vuajtët dënimin në kohën e Enver Hoxhës, edhe për faktin se keni dëgjuar në mënyrë të fshehtë Radio Prishtinën. Çfarë ndërlidhje paraqet për ju?

Visar Zhiti: Më duket sikur në njëfarë mënyre jemi të shpërblyer nga koha. Sepse po takohemi pikërisht në ndërtesën, ku zeri i Kosovës përhapej nëpër botë dhe e kishe të ndaluar ta dëgjoje, madje dënoheshe. Kam një ndjenjë të lumtur, pra njeriu fiton mbi të keqen, sado i fortë të jetë ai sistem, vjen një ditë që absurdi saj, tmerri i saj pushon. Ndoshta nuk pushon vetvetiu, duhet ngritje, duhen lëvizje, duhen qëndresa, po gjithsesi fundi vjen.

Në qoftë se Kosova pati një UÇK që luftoi për ta çliruar vendin dhe i bëri apel gjithë botës që të vijë dhe të ndihmojë që të fitojë këtë luftë, ka edhe një UÇK kulturore do të thosha, më përpara, dhe pa UÇK-në kulturore nuk do të kishte ardhur UÇK-ja luftëtare.

Jam shumë i gëzuar që bisedojmë në kopshtin e këtij tempulli. Kur më thanë atje se pse ke dëgjuar Radio Kosovën u thashë jo pa ironi se nuk e dija që ishte stacion i huaj, fliste shqip shumë mirë, ishte çelësi i fatit tonë të përbashkët.

Zëri: Tash e sa kohë po i takoni për së afërmi emrat për të cilët ishit dënuar. Imagjinata dhe realja jo gjithmonë janë të njëjta. Si është tashti qasja e juaj me ta?

Visar Zhiti: Të takosh ata autorë të Kosovës është fat, gëzim dhe shpërblim. Të takosh ata autorë për të cilët ke ëndërruar, ke marë prej tyre mesazhe të fuqishme, mesazhe jete, mesazhe lirie, të cilët i ke lexuar fshehurazi. Libri i Kosovës hynte në Shqipëri o i censuruar, ose do të hynte fshehtas. Merrnim librat në valixhe.

Që herët kemi lexuar autorë kosovarë, më vjen keq që them kosovarë, sepse për kulturën shqiptare të thuash kosovarë është sikur të thuash vlonjat, shkodran, sepse kultura është një. Së pari e kam lexuar librin “E di një fjalë prej guri”, të Azem Shkrelit, isha student në atë kohë, dhe librin “Thirrje”, të Ali Podrimes. Këta janë dy poetët e parë që i kam lexuar nga botimet e Prishtinës, fshehurazi.

Kam njohur poezinë e Agim Vincës, Edi Shukriut, Flora Brovinës, Rexhep Qosjes pak më vonë, pasi që u botua romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Interesi dhe horizonti për të lexuar po zgjerohej, e kështu u pasurua njohja dhë njëkohësisht kishim kënaqëisnë që librat e Kosovës na dukeshin me më liri sesa librat që botoheshin në Tiranë. Kam në aktakuzë pse kam lexuar Zhak Preverin, i cili ishte një libër i vogël i botuar në Prishtinë, i përkthyer nga Rexhep Ismajli.

Zëri: "Malli më ka marrë pa qenë kurrë", vargu i juaj i famshëm që i dedikohet Kosovës qysh në vitin 1995, ishte dhe mbetet një varg emocionues për Kosovën e Shqipërinë, po tash ikën shumë vite nga ajo kohë dhe janë tjera rrethana, si e keni sot mallin për Kosovën?

Visar Zhiti: Është varg i vjetër. Ky varg është kujtim. Ne vijmë këtu sa herë që duam, sa herë që mundemi. Kur erdha për herë të parë më dukej sikur që kisha qenë me shekuj dhe tani që vijmë na duket sikur nuk kemi ardhur kurrë, sepse gjithmonë gjejmë diçka të re, zbulojmë dhe nuk mbaron.

Zëri: Ju promovuat veprat “Rrugët e ferrit”, dhe “Ferri i çarë”, pikërisht në Kosovë, çfarë ndjesie të sjellë ky promovim para audeincës së Kosovës?

Visar Zhiti: Nuk më emocionon promovimi në vetvete, më emocionon akti i të qenit këtu së bashku. Një ëndërr shekullore e etërve tanë, andej e këndej. Libri thjesht është një pretekst, një ëndërr e asaj që e kemi ëndrruar, prekja e asaj që e kemi ëndrruar. Librat në botë promovohen kudo.

Por, unë mendoj që kur një autor shqiptar promovon një libër në Prishtinë nuk është njëlloj, sepse për të arritë deri tek ai promovim duhet të binte perandoria e komunizmit, duhet të binte muri i Berlinit, duhet të binte tmerri i kufirit, duhet të vinte NATO-ja dhe ta bombardonte Beogradin, prandaj merreni me mend sa shumë mund ka bërë njerzimi, koha, në mënyrë që një autor shqiptar të vijë dhe në mënyrë të thjeshtë të bëjë një promovim në Prishtinë.

Zëri: Të flasim për letërsinë duke mos ndarë atë të Kosovës dhe Shqipërisë, në çfarë pike të lartësisë është në sytë e Visar Zhitit?

Visar Zhiti: Unë bëj pjesë nga ata “naivët”, dhe them se letërsia shqipe është më mirë se kurrë. Liria i ka dhënë një dimension tjetër. Dëgjoj se është thënë se edhe në diktaturë bëhen vepra të mëdha, është e vërtetë që bëhen vepra të mëdha në diktaturë, por i bëjnë ata që kanë pasur liri më shumë sesa të tjerët.

Ndërsa sot qoftë në Shqipëri, qoftë në këtë pjesë tjetër të Shqipërisë që quhet Kosovë, shqiptarët janë më të fortë se kurrë në kuptimin e vetvetes, sepse jemi një komb me dy shtete, gjë që na bën të ndjehemi më të fortë se më parë. Dhe liria ka prodhuar do të thosha më dritë, liria ka prodhuar liri, liri në mendim, liri në shprehje. Është si një lumë që është zgjeruar.

Zëri: Po nëse bëjmë krahasime të letërsisë mes këtyre dy vendeve si e vlerësoni, është në një gjendje të mirë?

Visar Zhiti: Në Tiranë ndoshta ka botime të librit më shumë dhe blerës më shumë. Ndërsa teknikisht ka përmirsime që nuk i ka pasur dikur Shqipëria. Nuk e di, them se jemi më mirë se më përpara duke i përfshirë të dy shtetet.

Zëri: Por padyshim duhet të ketë një ngecje në letërsinë shqiptare kur kemi parasysh fuqinë e letërsisë botërore, pse po ndodhë kjo?

Visar Zhiti: Letërsia e jonë është letërsia e një populli prej 5 milionë banorësh, dhe nuk kemi pse të mburremi por as të jemi inferiorë. Ne jemi popull evropian dhe bëjmë letërsi evropiane, këtë do të thosha. Nuk ka nevojë krahasimi në letërsi. Letërsia ka specifikë tjetër dhe kalendarë tjetër.

Zëri: Çfarë i mungon letërsisë shqiptare?

Visar Zhiti: Në qoftë se nuk do t’i mungonte diçka letërsisë shqiptare nuk do të shkruanim më. Pikërisht shkruhet sepse mungon. Edhe lëtrësitë botërore vazhdojnë të shkruhen sepse mbetet diçka pa u thënë. Dhe ne nuk bëjmë përjashtim nga ky rast. Ndoshta shkrimtarët botërorë janë më të pasur sesa shkrimtarët shqiptarë, pasi që jetojnë nga veprat e tyre. Ndoshta institucionet e tyre bëjnë më shumë për kulturën e tyre. Që të nderosh letërsinë do të nderosh autorin.

Zëri: Flasim pak edhe për përvojën e trishtë të popullit shqiptar dhe plasimin e asaj përvoje në letërsi, e kanë arritur letrarët shqiptarë këtë pikë?

Visar Zhiti: Diçka është bërë, duhet të bëhet akoma më shumë. Në këtë drejtim së pari ka rëndësi që të dalin libra të tillë që të tregojnë vuajtjen, të njihet e vërteta dhe mesazhi i saj është që të mos përsëriten këto dhimbje. Në këtë drejtim jemi në rrugë të mbarë, po i rrëfejmë gjërat tona, sepse jemi të lirë. Por nga ana tjetër po bëjmë shumë pak për t’ia treguar botës këtë gjë. Ka dy drejtime, së pari duhet ndihmuar të dalë e vërteta dhe më pas mënyra e treguarit të saj nëpërmjet përkthimit.

Zëri: Po romanet dhe shndërrimi i tyre në film, po ndodh apo nuk po ndodh?

Visar Zhiti: Kinemaja do të ndihmonte shumë, është më e kollajshme për t’u kapur edhe pse duhet një ansambël i tërë dhe kërkon shpenzime të mëdha. Ndoshta jo gjithmonë duhet marrë nga letërsia, sepse romanet e mëdhenj nuk janë bërë gjithmonë filma të mëdhenj, sepse kanë gjuhë të ndryshme artistike. Por mund të shkruhet specifikisht për filmin.

Zëri: Sa jeni optimist për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve në fushën e letërsisë?

Visar Zhiti: Unë mendoj se e ardhmja s’ka pse të jetë e largët. Ajo që sot mund të fillojë. Vetëm do që institucionet të vështrojnë në këtë drejtim, që të zgjedhin libra, dhe të merren me përkthime dhe të japin dëshmitë tona dhe të arriturat artistike.

Zëri: Padyshim që mendoni diçka në rrugëtimin tuaj Shqipëri- Kosovë. Ka mendime pak më sepcifike?

Visar Zhiti: Sinqerisht sa herë që vij këndej duket sikur bart urimin e prindërvë, sikur më thonë falmu shnet atyre në kullat e atyre që nuk i pamë dot. Dhe kjo porosi më bën më të ndërgjegjshëm për rrugën, është një udhëtim brenda vetes. Kur vij në Prishtinë nuk është sikur udhëtimi i Uliksit kur shkon në Itakë, por është një udhëtim brenda vetes, sikur shkoj brenda shtëpisë sime, nga njëra dhomë në dhomën tjetër.

Nga Gazeta Zeri

2 Komente

edhe ne e kemi degjuar radio prishtinen e sna ka futur njeri brenda.te italiani e mbanim gjithe diten(se serbet nuk i degjoja dot qe atehere).vetem kaq nuk mjaftonte per te futur brenda.

Visari shkrusn mire dhe ben pershkrime te bukura. Kam respekt per vu ajtjet dhe ferrin qe kaloi, por dicka me duket e paqarte, autoret qe ai permend pse I
ka lexuar fshehurazi kur poetet kosovar I kishim cikel ne gjimnaz?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).