Empiri asht ma pranë nesh sesa jemi ne drejt vetvetes; andaj, ma mirë mos me lypë mbi krye por me pritë për te në shpirt, përbrenda.

V. Weigel, De Vita Beata, 1572

 

Robin e përshkoi nji dëshirë e fortë qi t’ ish i lirë e si mugullimi i fletëve të zambakut në pranverë hapi kryet ndaj gjithë teorive qi mund t’ kishin njifarësoj kuptimi. E u qas ndaj vetes ashtu kryehapun me shpresën e nji shpërderdhje nga lart. Kulmi i qiellit u çel po prej tij ranë veç pusulla qi lajmëronin duhi e përmbysje pafund. Fletët u sjellën në rrathë ajri të shëndritshëm qi puthën sa herë shkëlqimin e sa herë hijen e vetvetes por s’ mundën kurrnjiherë me cekë tokën. Pas tyne nganë shitësit e letrave sikur nget pas hipnozës së nji llampe të largët nji flutur torrollake. Ndër duer të pugatme zhubravitën shkresën, fshehën në mes thasësh domethanien e përsënfundi ja shitën me kile brumin nji pike grumbullimi andej nga Treni.

Pa kurrgja në xhep robi mbet si Fanti Spathi kur Cupa Kub e bani me dije se nuk besonte ma te seksi para martese. Gurët qi dikur shenjshin cakun e tij të shpengimit u shkërmuen në pluhur qi era e fryu e e shkundi në Katër Rrugët e Shijakut.

U shtang për pak robi por u përshkund shpejt prej mëdyshjes udhëkryqe. Shendi i tij për mendimin e lirë u lëkund por ai kambënguli. Tekefundit mendoi, sa e vështirë do ish qi në mes gjithë këtyne fijesh varësie qi turbullonin pamjen, t’ dallonte diçka mëvete e qi pezull pret me padurim përqafjen dashunore me mend e tij?

-Nji Zot e dinte!

Pas atyne dasive capërluse sot qe ma e zorshme me gjetë dy sende qi puqeshin në nji pikë të vetme, e jo ma n’ nji pafundësi pikash, siç lypej në përqafime dashunore. Por edhe në kët shkreth t’ tij, ngrefun me shkarpa dyshimesh, nji gja ish e sigurt si vdekja: Çdo përpjekje e kësaj madhësie e kish t’ shkrujtun  përplasjen me ndonji cung qi mund t’a nxirrte prej udhe, e ai si i pafan qi ish, e kish për borxh t’ tejkalonte kufinin e çdo përfytyrimi. S’ kish sesi t’ shpegohej ndrysh lakmia i tij me u ulë kambëkryq me ato kuvende ku gjindja leshatorë presin padurim me shpalosë burrninë e tyne tue brejtun speca djegs. E gjithë historia e tij shtegtuese qe veç nji përcëllim i tejzgjatë, nji tërheqje e mundimshme drejt tersit.

Me tersin u poq ndër skutat më errta qi të sjell jeta e i errdh ndër mend fjala e Siebertz-it:

“ Shqiptari ma fort i tutet syut te keq se lis e tifës...; për sy të keq ai ka dy barna të sigurt: hurdhen dhe me e pështye të s’mundin” .

Tuta e shqiptarit s’ish krejt pa vend. Sykeqsia ish tashma mahitë në nji cikllop shtëllungash sulfurike. Kokërrdhoku i irkët  këqyrte me përkulje kercënuese çdonjanin e shfajsonte po me të njajtën lehtësi paaftësitë e secilit. Barnat qi përmendte  Siebertz-it nuk banin ma dobi. Hurdhën s’e mbaje dot ma në xhep, sepse sipas këshillës së nji libri të vjetër, era e saj nxirrte shpejt në pah të pagdhendunin, e sa për të pështymen e të s’mundit as qi mund të bahej fjalë; k’ta syresh ishin tash ndry nëpër spitale me rregulla të rrepta higjene.

Kurrgja nuk kish ma kaull përballë kësaj zie. Përsakohë qi  jeta e tij i rretullohesh tersit, shkëlqimet xixëlluese t’ jetës qi i sjell vetëm e pandehma treteshin prroskave emënhupuna.

Druhej me të drejtë robi se mos kjo sykeqesi i zente pragun e durimit. Druhej se pa rremën e diçkaje të randë ku t’ kapesh ai qe true me u sjellë përjetë rreth ketij qarku.

Anipra nuk i besoi syve kur i ra nëpër duer krejt rastësisht Ditorja. Ditorja qe perpjekja ma e afërt qi ai mund t’mësynte e tek ajo i vari shpresat saora. Lëshoi veten ndër numra të vjetër e të rinj, e me gazin e kënduesit që prej fillimin zbulon zbërthimin e fjalës, priti qi fletët e saj t’i jepnin shpjegimin. Gazeta si karabojë kulloi nota gjithfarësh e ia përleu mendt përhimët si dhe fletët. Fjalë boshe e ftyra të gjana u përzinë në nji lamsh me të cilin mica e vemendjes luejti sa me nji qosh në tjetrin. Kur ajo humbi interesin, robi vrau mend aqsa trutë e tij ngjyrë gazete i dhimbtën prej mbresës qi lanë në te shkronjat e nxehta. Nën sypranin e kokëdhambjes u bind se shpërderdhja kah nalt ish kohëhumbje.

Me Ditoren mund t’ fshikullonte dika qi nuk mendonte si ai, mund t’a përdorte si mburojë kundër nji rrebeshi të shkurtën, a t’a palonte në nji kapele trekandëshe bojaxhiu, por kurrsesi ‘t shpresonte me nxjerrë prej saj kuptimin. Shumë ma lehtë naltësia bishtnuse mund t’ fitohej nëse nisesh drejt ndonji kepi që shjellej me dëshirë drejt qiellit.

Përfytyroi kësodore nji pikë naltësie mesatare e me i shtue edhe nji përmasë historike përpjekjes, i vuni gishtinMajës s’Pikalorit’. Kështjelli i famshëm kish vërtetë firue kah gurët por e hija e tij e randë mbahesh ende në kambë prej gojëdhënash shtegtarësh. Robit iu desh me rrëmy vijën e horizontit, ngjeshë me kulme të reja e torre qi shponin qiellin me erëna të lakmueshme. Dikur kullat e vjetra kishin shkurajue sytë e kureshtareve me hone të thella, ndërsa këto ma të mbramet i joshnin ata me tavë dheje e fërgesa. 

Shpërhapja e bujtinave në natyrë kundërmonte dorë-tundje por dorëtundësit me kështjella s’ishin pa mbrojtësit shenjt të tyne. Më kot ata me mbiemnin Kalaja ngrejtën zanin qi t’iu jepej sëpaku përparësi në këtë rregullim kështjellor por askush si përfilli. Njani pas tjerit rendën me marramendje homofonet e çrregullt, pështjellim, kështjellim, derisa i gjithë vendi erdhi erë të fortë dëshpërimi.

Qe mrekulli qi robi mundi diqysh me shmangë rrezikun e mbipeshimit.

Kaloi nëpër kopshte e ullishte e i ngelën mend tek aftësia me firshkëllye nji vijë melodike të trashëgume. Qi prej kur mbahesh mend, katundarët i kishin këndue bekimit të naltësisë qi i kish shpëtue prej lëngatave të rrafshultës, e tash, lëngatat e malit shendeshin vetëm po t’ niseshin teposhtë drejt fushës. S’ ish pra gja e madhe qi kanga e tyne tingëllonte e vjetrume dhe disi e jashtë kohe.

Nën firshëllimin e nji vrime të vetme fylli robi mbërriti tek porta e kështjellit e dalloi shenja qytetënimesh të vjetra e pika të qarta horizonti. Menjianë Kruja me gjithë sfondin e vet epik, më anën tjetër vezullimi i argjendë i Adriatikut dhe e ma tej reja e pluhunit të kryeqytetit. Prej naltësie këqyri harkimin e qiellit në truell dhe i ra ndër fije vezimi i rruzullimit. Naltësia i dha përshtypjen e perspektivës e pavarësisht çfarë kish me të dëgjume në atë çast kuptoi se ajo ish vetëm nji punë përpjesëtimesh e mizurash. Mendimi i lirë e kish sprovue samund por urtia ende s’ish shfaqë kunduell. Përpjekja e deritashme qe fshehë midis largësive qi mateshin e atyne qi i shpëtonin shqisave.

E si dhe peshkatari qi llogarit sa filispanjë i duhej mes tij, plumcit. tapës e grepit, barazpesha e mendimit lypte lypte ma shumë nji dorë mjeshtnore.

Veç nji llogaritje kësi i bante mendt e tij me u topitë kah droja... 

 

Piktura; v-bey, 2011

13 Komente

Love it.

bukur village bey.

po ashtu me pelqejne shume ngjyrat e piktures.

“ Shqiptari ma fort i tutet syut te keq se lis e tifës...; për sy të keq ai ka dy barna të sigurt: hurdhen dhe me e pështye të s’mundin” .

smileysmileysmiley

Bukur. Qe nga titulli te ben te mendosh...dhe gjuha si shkruan me pelqen.  e meriton 5 starin No2 smiley te I-rin e paske marre me kohe. Do t'lexoj ku te shoh! Thnx again!

Truni jem ngjyrë pureje me spinaq dhe karrota u kthye në fazë ripërtypse pasi gëlltitja qe e shpejtë, por tretja nuk e pasoi si duhet.

Gjynah qe nuk mundem dot ta shijoje kete proze. 

A ka ndonje metodike/liber/CD per te mesuar gegenishten?

po ndonje fjalor gegenisht - toskerisht dhe anasjelltas?

per mua ne kete ketu ke bere un salto di qualita',me pelqeu shume ,gjuha gegnishte e mrekullueshme e elaboruar ,metafora...veçanesia e grepit e filispajes ,piktura me rroeten e biçikletes me nje si grremç hekuri qe e shoqeronte me ben te mendoj ....se pak sa do jesh shkodran....smiley

teksti eshte poetik, por e kam tmerresisht te veshtire te perqendrohem prej gjuhes. gegnishtja si qellim ne vetevete mundet te jete fjalor. shume nga fjalet ne tekst duan kohen e vet t'u gjesh domethonien, qofsha une gabim. edhe une flas dialekt edhe e shkruj. smiley nuk duhet me u rremy (nxitu) me i llaf. ose duhet me rrmy = marr me kujdes frymezimin edhe me e latu sidomos pa apostrofa vend e pavend.

ps. qe te beje = qi te beje, merr fjala kuptim tjeter. nji here e dy hera ka kuptim, ne dialog qi-ja ka kuptim, por qi te vazhdoj fjaline e kam te pamunun sa me cek kjo forme. miqsore te gjitha, kam besim se nuk ma merr per keq. pershendes shume shume fort deshiren per te shkrujt shqipen ndryshe nga ajo qe eshte shkrujt gjer me sot. edhe kjo meriton megjith mend levdate. por ngecet kur nis e lodhem ne lexim, kjo ndofta krejt per faj timin qe jam c'mesuar. sidoqofte te ndahem 50/50 me ty e me te drejten time, gegnishtja e standartit shqip te para 1945 edhe ndoca vite me mbas, eshte shume e rrjedhshme. u ba. mbarsi.

Once upon a time there was a rich man who lived in Amman. One morning he went into his garden only to find Death there, staring at him. Terrified, the man ran back inside and told his servant that he was going to Damascus to escape Death, who was waiting for him in the garden. After the man departed, the servant went into the garden and asked Death, "Why were you staring at my master?" Death replied, "I was surprised to see him here. You see, I have an appointment with him tonight in Damascus."

 

Rudo s'ta marr as1 her per keq per te modhin Zot, perkundrazi flm.

Flm te gjithve.

Ps, Zana skam asnji lidhje me Shkodren e dashur.

Ta ra 

nuk kisha e as kam dyshim , pooor thashe c'nemelazem, megjithat jo per ta "zbut" smiley ashtu menoj. s'ka mo mire se kur thuhen gjonat troc. edhe vazhdo se ashtu .... duhet...

Teksti eshte i veshtire, edhe gjuha, dhe pavaresisht veshtiresive pelqehet detyrimisht sepse ka shperthime artistike te koreografuara. Te gjithe kerkojme gjera me te lehta.

shperthime artistike te koreografuara smiley

po pra, dicka si valle granatash.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).