Jemi jo më shumë se shtatëdhjetë persona. Se kush ishte i pari dhe tjetri pas tij, nuk e kishim problem, e dinim me emër dhe me mbiemër.

Kemi një histori të lashtë, njihemi në tërë botën dhe të papëlqyer nga bota, edhe pse disa thonë se ne jemi bota. U munduan ta djegin, ta zhdukin, ta imtësojnë, ta copëtojnë shkopin por prap sot ne shtatëdhjetë persona jetojmë. Jemi një pjesë e vogël e shkopit të copëtuar por një shkop i madh për vendin ku ndodhemi tash. Ende shihen shenjat e shkopit tek më i moshuari jonë, që ende ndodhet pranë nesh. Na rrahën me shkop, na larguan me shkop sikur delet në fushë kur vrapon fëmija me shkop pas tyre, dhe na copëtuan si shkopi. Sot ne kemi statusin e shkopit, sot ne jemi shkopi që po i mban të tubuar delet në fushë. 

Mendoj se të dy palët kuptohemi. 

E dimë se si është njëherë të jesh dele dhe mandej shkop por e dimë edhe se si është të jesh njëher shkop dhe mandej dele !. Shtëpitë i kemi të rradhitura një nga një. Më parë të gjithë jetonim në një shtëpi , grumbull fare, të gjithë me një oborr me një banjo e cila as banjo nuk ishte, pa kuzhinë. Nuk jemi të  ndarë por secili e ka kulmin e vet. Asnjëherë nuk shkojmë në spital dhe gjithashtu edhe fëmijët nuk i dërgojmë. S'kemi nevojë. Kemi mjekun tonë i cili është gjaku jonë, qëllimisht shtëpia e tij është e vendosur në krye të shtëpive tjera për shkak të urdhrit të tij. Ka shumë pacientë por shumicën e refuzon për arsye se  nuk mundet dot të vizitojë të gjithë. Që të marrë ndonjë motër mjekime, ajo nuk vjen parasysh. Do presim të na rriten fëmijët dal-ngadalë, t'i edukojmë dhe shkollojmë. Qumësht nuk blejmë asnjëherë, i kemi lopët tona kurse mishim e marrim nga viçat e tyre. Edhe ushqejmë veten, paralelisht punojmë me shitjen e mishit dhe qumështit. Makinat tona luksoze asnjëherë nuk i kemi dërguar te mekaniku, në raste kur nuk ka qenë në rregull, kemi Zeqon tonë të cilit femijërija i ka shkuar duke prishur sende por fatmirësisht nga gjithë ato prishje sot njihet si një ndër mekanikët më të mirë të makinave. Asnjëherë nuk kemi pasur qen që të na ruajë shtëpinë në mbrëmje. Për punën e qenit, qen do bëhemi vetë, sa ushqejmë qenin ushqejmë një fëmijë. Fëmijët asnjëherë nuk i dërgojmë me makinë në shkollë edhe pse shkolla ndodhet katër deri në gjashtë stacione larg shtëpive tona. Gjithë shkojnë në këmbë dhe kthehen njëlloj. Respektojmë fjalën e më të moshurarit tonë: ¨Mësojeni edhe gjënë më të parëndësishme, ta dini se do vije koha kur do të bëhet e rëndësishme¨.Vazhdojmë të punojmë me këtë bashkësi pasi në fund kemi rezultate të mira. Bashkimi ynë na solli këtu ku jemi sot. Nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë vështirësi atëherë të gjithë kemi qenë në vështirësi, se jemi një. Vishemi njësoj, ushqehemi njësoj, flasim, qeshim, qajmë, lexojmë njësoj. Të gjithë për të gjithë. Përqëndrimin më të madh e kemi tek femijët, tek ata nuk bëjmë fare lëshime, jemi strikt në rregulla. Shikojmë punën tonë dhe asnjëherë të tjerët. 

Jemi rritur pa e shikuar Superman-in, as që kemi ditur se kush është dhe cfarë fuqie ka, thjesht nuk na ka interesuar.

1 Komente

smileysmiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).