Të rinj, të arsimuar, të sapodiplomuar. Janë të shumtë të tillët që i bashkohen përditë armatës së të papunëve ku një vend pune fiks, sidomos për ata që nuk e kanë ende një eksperiencë, është kthyer tashmë në një utopi

Teksa lart e poshtë, nëpër ekrane, salla mbledhjesh e kuvendesh, edhe kur iu bie ndërmend, burrat e gratë e politikës zënë e grinden se sa realisht është shifra e të papunëve në vend e sa për qind zënë në të të rinjtë e sapodiplomuar, këtyre të fundit as që u bëhet vonë fare për shifrën. Për sa kohë me të vetëm luhet, për sa kohë vërtetësia e saj nuk ndryshon asgjë në gjendjen e tyre dhe ende askush nuk denjon t’iu japë shansin e parë. Jo vetëm për ata vetë, por edhe për inferiorët ndaj fenomenit të papunësisë tek të rinjtë, duket se kjo gjendje është kthyer, dashur pa dashur, në një apati që s’bzan.

...

Disa eksperienca të papunësisë dhe çudirat me të cilat i përball tregu i njoftimeve të punësimit

“Overqualified”, përcjellje me lezet

Sikur të mos e kishte provuar në kurriz, Albana H., 27 vjeç, nuk do ta besonte asnjëherë. Pas përfundimit të studimeve të larta, si shumë të tjerë rreth 2 vjet më parë, edhe ajo u shtrëngua të gjente mundësitë financiare për të bërë një master në Menaxhim. La pas Vlorën dhe u projektua në Tiranën, që mbas përfundimit të masterit me rezultate vërtet të mira, mendoi se do ta përqafonte me më shumë mundësi sesa qyteti i saj i lindjes. Aty, deri pak më parë, kishte dhënë mësim në një shkollë të mesme private dhe kishte punuar me kohë të pjesshme në një zyrë avokatie. Por ja që edhe kryeqyteti nuk është se u tregua shumë bujar. “Miq e të afërm bënin vazhdimisht premtime se pas mbarimit të masterit, do të më ndihmonin të gjeja një punë të mirë, por gjithçka mbetej në kuadrin e fjalëve. Ishte e pabesueshme, sepse këtu nuk mund të gjeja më as punën e mësueses. Sidomos për këtë duheshin më shumë miq e të njohur. Pastaj mendova për bankat. Kam plotësuar formularë e kam dorëzuar CV pa fund. Si përfundim, askush s’merrte në telefon. Dhe ishte e qartë. Njoftime fiktive, sepse vendet ishin zënë me kohë, nga ata që kishin miq që i mbanin premtimet. Qëllonte që kaloja fazën e parë të intervistës, të dytën, të tretën... një javë, dy, tre pritje. Përfundoje deri në ndonjë takim me drejtorë të mëdhenj dhe pastaj... “me keqardhje, por ju jeni ‘overqualified’ për këtë pozicion pune. Do t’ju rikontaktojmë sapo të na jepet rasti...”. Nga majat thembrat. Historia vazhdonte, për tu përsëritur në plot raste të tjera zhgënjyese. Për gati dy vjet, të ardhurat i siguronte duke u marrë me përkthime nga shtëpia, ose duke ndihmuar herë pas here miq në bizneset e vogla që kishin. Këtë javë pret të fillojë një punë të re. E para për të cilën i kanë premtuar se më në fund do të firmosë një kontratë serioze. Jo, nuk e gjete në njoftimet e punës nëpër gazeta e internet, kish tre muaj që nuk i shifte më, sepse po i dukej sikur qe bërë “addictive”. Kësaj radhe ishte një mikeshë dashamirëse. Të shpresojmë se do ta mbajë fjalën...

Kur nuk të jepet as shansi i parë

Kur Ivjonela nisi studimet për infermieri, nuk mbeti kush pa i thënë se kishte bërë zgjedhjen e duhur dhe se “ishte zanat që hante bukë”. Dhe mbase se kishin keq. E vetmja gjë që i duhej të bënte, ishte të dilte me rezultate të mira. Dhe ashtu bëri. Vetëm se për të filluar atë punën “në zanatin që hante bukë”, në spitalet e klinikat shtetërore duhej “të hidheshe”. Po po, dhe të hidhesh do të thotë “të paguash 2-3 milionë lekë të vjetra. “Dhe edhe atëherë s’të garanton kush, se të marrin për ca e pastaj të hedhin përsëri jashtë, për të rrjepur ndokënd tjetër në bendin tënd”. Ivi e dinte mirë këtë, po edhe sikur, nuk i kishte ato para. Kështu ia kishin bërë dhe mikeshës së saj të fëmijërisë që mbaroi studimet për mësuesi. Ajo i dha paratë dhe punoi vetëm 3 muaj. Tani bën dadon, rrit fëmijët e vëllezërve.

24 vjeçarja, kujton se nuk i ka të pakta momentet e pesimizmit, e megjithatë, vazhdon. Që nga 2009  që ka përfunduar studimet e deri më tani, ka bërë lloj lloj punësh. Sigurisht, do i pëlqente të vishte përparësen e bardhë, mundësisht në ndonjë klinikë a spital privat, por këta kërkojnë minimalisht 3-5 vjet eksperiencë. “Ku ta gjesh eksperiencën, kur asnjë nuk të beson shansin e parë. Të gjithë kërkojnë eksperiencë dhe askush nuk vihet në provë...”. Vajza ka të drejtë. Aq të drejtë ka sa në rastin e saj mund edhe të mos çuditesh, po të kesh parasysh që në absolutisht pjesën dërrmuese të njoftimeve të punësimit, eksperienca është kusht i domosdoshëm. Që nga ofertat për financier, jurist, arkitekt, infermier, menaxher, e deri tek shitëse butiku, kamerier apo pastruese. 

“Provoni të viheni në vendin tonë!”

Joani është fjalëpakë. “ne të shkencave ekzakte kështu jemi”. Qesh. Tre vjet më parë ai përfundoi studimet për inxhinieri kimike. Nuk ishte aspak e thjeshtë, por ia doli. Qysh student ka punuar si kamerier në kohën pas shkolle dhe gjatë pushimeve verore. Të njëjtën gjë vazhdoi të bënte edhe plot kohë pas diplomimit. “Pastaj u bë e bezdisshme. Sigurisht që dua të shikoja për diçka tjetër. Kam bërë disa intervista pune. Kuptohet, asnjë në profesion, shanset janë pothuaj inekzistente. Bankë, zyrë shitjesh, agjenci imobiliare, agjent marketingu...,deri edhe animator në festat e fëmijëve. Në rastin më të mirë ishin të përkohshme, në rastin më të keq, ndodh të të mbajnë dy-tri javë si në provë pa pagesë e pastaj të thonë, sot ë të njoftojmë ne dhe nuk kujtohen më. Të mitë nuk jetojnë në Shqipëri, kanë vite që janë në Greqi, vetëm se, sidomos këto dy tre vjetët e fundit, menjëherë pas mbarimit të studimeve të mia, edhe për ata u bë e pamundur të më mbështesnin financiarisht si dikur, student. Më thonë gjithmonë të shkoj atje me ta, duke qenë se këtu nuk po gjej ndonjë punë të përshtatshme. Por ja dhe vajta, edhe atje kamerierin do bëj. As më shumë e as më pak...”. nga nëntori deri në shkurt të këtij viti ai ka punuar në agjenci udhëtimesh, si shoqërues i grupeve në tour-et turistike, në Greqi, Itali, Francë... Këtë punë e gjeti në gazetë. Ishte e lodhshme, por edhe argëtuese. Vetëm se vendi u shkurtua dhe... “Nuk kishte më aq punë, nuk po organizonin udhëtime me grupe të mëdha. Ja, të shohim verës... Po su bë gjë do iki në Greqi besoj”. Është e trishtë ta dëgjosh. Por Tirana është e ashpër dhe e shtrenjtë për të. Deri tani ka ngrënë ato që kishte kursyer dhe qeranë e qershorit do ia paguajnë prindërit. Më saktë e ëma, sepse vetëm ajo punon. Ai jeton me dy shokë të tjerë. Më njërin prej tyre ka qenë në një klasë. për fat, Ermali ka filluar punë para dy muajsh në një depo farmaceutike. Bën shpërndarësin, edhe pse kur e pyesin nga fisi larg e larg, i pëlqen të thotë që punon në një fabrikë të huaj të përpunimit të barnave. “Kot të gënjesh veten...”, thotë Joani. Shoku i tjetër me të cilin ai ndan qeranë është gjithashtu pa punë dhe e mban familja, motra me e madhe që ka një parukeri të vetën. Është e tepërt ta pyesësh se çdo bëjë gjatë pushimeve verore (ai ka kohë që ka marrë pushimet). Pi cigare dendur dhe e mbyll shkurt: “Ndihem i pafuqishëm, mosbesues, shpesh i paaftë, po aq sa i pafat...”. A i ndodh të rebelohet? Ndoshta do të ishte më mirë sesa ta linte pesimizmin t’i mbushte ditët. Po, qëllon. Por më shumë shfryn me fjalët. “Provoni të viheni në vendin tonë, qoftë edhe vetëm për një muaj. Në vend që të propagandoni reforma të reja për punësimin, pse nuk filloni më parë të ulni shpenzimet absurde. Nëse do bëheshin ca shkurtime në shpenzimet kolosale që bën shteti, atëherë edhe paratë do të dilnin me kollaj. Ose të paktën do të kishte më shumë burime, pa qenë nevoja të vjedhin nga xhepat e shqiptarëve, edhe të atyre që nuk kanë fare”. Ja kështu do të shprehej Joani përpara politikanëve. Kështu shfryn edhe sa herë sheh lajmet në televizor. 

Gjithmonë nga e para...

Anjeza G. është 26 vjeç. Ka një diplomë në psikologji, plot dëshirë për të punuar dhe entuziazëm për jetën, si shumë moshatarë të saj. Që nga 2008 kur përfundoi studimet e deri më tani, ka bërë punë nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk i është afruar dot zanatit. CV e saj mund të quhet e pasur, po të llogarisë tani sesa shumë punë ka bërë, madje disa prej tyre në të njëjtën kohë. Nga përkthyese filmash për fëmijë, agjente shitjesh, operatore telefonie, bariste e, së fundi, edhe agjente marketingu (nëse mund të quhet kështu puna e tanishme). “Duhet të promovojmë dhe të shesim një program kompjuterik që mundëson shitjen e kartave rimbushëse për celularët online, nëpër bar kafe e kudo. Nuk është e thjeshtë, por ia kam marrë dorën. Shqetësohem vetëm se sa do zgjasë...”. Tiranë, Durrës, Elbasan..., puna është në lëvizje. Përpara se të bënte këtë, ajo punonte si operatore telefonike në një Call Center dhe paguhej mire. Pastaj kjo u mbyll dhe, edhe njëherë nga e para iu desh të përballej me tregun e punës. Shpesh është humbje kohe, shpesh zhgënjyese, e jo pak herë edhe fyese... “Megjithatë, asnjëherë nuk duhet hequr dorë, thjesht duhet të mësohesh edhe me paradokset, t’i evitosh e të mos lësh çudirat të të deprimojnë”. Tani ajo qesh. Në fakt, nuk i erdhi fare për të qeshur, përkundrazi, kur 3 vjet më parë, një “shef në tentativë”, i tha se fakti që ajo kishte një të dashur i ulte shumë pikë, ndaj do ta rishikonte këtë punë. Me keqardhje pranon se nuk shpreson ndonjëherë, të paktën në një të ardhme të afërt, të bëjë psikologen. Për momentin lut që ajo dhe e motra të vazhdojnë të jetë në punë, që të kenë mundësi të paguajnë qeranë dhe jetesën. “Nuk e di edhe sa kohë do jetë kjo punë... Më mirë të mos e mendoj...”.

13 Komente

nje vend pune fiks?...me erdhen ndermend fjalet e kryeministrit italian M.Monti  kur tha se njerezit ( italianet ) duhet ta lene menjane idene e punes fikse dhe te jene me teper flesibel ne kete drejtim sidomos ne kete periudhe qe Italia po kalon nje krize te forte ekonomike...ketu flitet per Italine, imagjinoni per Shqiperine qe s'merret vesh cfare ndodh.Kjo ideja e vendit te punes fiks ndoshta vlente ne kohen e Xhaxhit e jo sot.

[...] krahu i punës në Shqipëri është i shkëlqyer. Përveçse në Kinë, nuk mund të gjeni kund tjetër, madje këtu është edhe më i favorshëm, sepse është i ri, i mirëshkolluar, dinamik, shumë punëtor, fleksibël dhe i vendosur në kontinent, në zemër të tregut më të madh të botës. Kjo përbën një faktor tjetër shumë të rëndësishëm për sipërmarrjen.

KM ne konferencen per investimet e huaja.

Nga gjith ajo armate studentesh qe kerkojne pune pas shkolle, nja 20% gjejne pune, 70% pa pune dhe 10% i drejtohen krimit. 

Edhe pse ende larg se qenit e shkelqyeshme*, situata vazhdon te shkoje exactement ne drejtimin e duhur, me gjithe faktin qe peshqit nuk i denjojne tema te tilla, duke preferuar ato me byrek  smiley

 

* e shkelqyeshme quhet nje situate si ajo ne fund te shek XIX dhe fillim shek. XX. Nderkohe qe aktualisht, ajo i ngjan me se shumti asaj te fillim shek XIX (grumbullim e grumbullim e grumbullim kapitali).

Artikulli do te ishte shume me i vlefshem (jo i mire ose interesant) nese do te listonte edhe se cilen shkolle (uni apo SHLUP) kane mbaruar personazhet e mesiperme

Gjynah.Por studentet duhet ti mesojme me shume drejte insiatives private.Te mos jene te varur thjeshte nga tregjet e punes,por te jene te afte per te bera gjera personale.Edhe sikur te mos bejne asnje gje,te pakten te jene te qarte qe vetja e tyre vlen me shume se cdo gje.Mire se ka mungesa hapesirash por ka dhe nje nivel te larte perulje ndaj te keqes dhe pamundesise ne Shqiperi.

por te jene te afte per te bera gjera personale.

 

Te bejne triko per shembull, je dakort ?

Handicrafts patjetersmiley.E ke parasysh monseiur sa shiten gjerat hand-made?smiley nejse stalker ,pervec kunjave, ideja eshte qe duhet te bejne dhe gjera vet,sepse ka nje ndjenje varesie te larte ne al.

Te filmi The Social Network, mbi M. Zuckenberg, ka nje fraze qe me pelqen jashtzakonisht. Ja thote dekani i Harvard atyre dy binjakeve qe hedhin ne gjyq Zuckenberg. Pak a shume:

Ju duhet te dilni me nje ide te re akoma me te re. Studentet e Harvard mendojne qe "te shpikesh nje vend pune, eshte me mire se te gjesh nje vend pune"

ahahahaha, si puna e asaj te papunes amerikane qe pata pare nje here ne TV, ne prag te rizgjedhjes se Bushit, para 8 vitesh.

E pyet gazetari : Zonje, per ke do votoni ?
- Per Bushin - thote kjo e mençmja
- Ah ! Si e papune dhe e varfer qe jeni, mendova qe... - i thote gazetari
- Ashtu jam, e pa pune dhe e varfer - vazhdon kjo 
- E dini ju se Bushi perfaqeson shtresat e pasura dhe pushtetin ekonomik ? - i kthehet gazetari
- E di e di ! - pergjigjet e papuna, por pikerisht, une votoj per Bushin, qe ai te me mesoje se si te behem e pasur si ai !

smiley
 

Cfare me ben pershtypje te madhe ne kete artikull eshte menyra e te menduarit te kandidateve me siper qe pothuaj te gjithe e mbajne shpresen tek "miku" dhe pastaj radhisin "masterat"

Nuk po them se edhe ne vende te tjera gjen pune me te njohur por 80% te shanseve i ke nga zotesia dhe ajo qe do te besh ne vendin e punes qe aplikon dhe jo nga "miku"

Do t'ju sjell nje shembull konkret nga vetja ime:

Aktualisht jam ne nje pozicion qe marr njerez ne pune ose punesoj nga pozicioni qe kam intervistoj kandidate qe na duhen ne pune pothuaj cdo jave marrim ne interviste njerez te ndryshem.

Me ka rene rasti qe me kane rekomanduar njerez te njohur per kandidate qe mund te jene te suksesshem apo per te bere edhe nder. Me nje fjale i bej nderin "mikut" (jo atij mikut qe mendon ndokush se shkon per ti bere qejfin ndonje mikut tjeter ne burg pastaj)

 

Nejse, cfare kam vene re nga pothuaj te gjitha rastet qe rekomandohen me "mik" jane kandidatura qe nuk vlejne hic, duan vetem te zene nje pune sa per "pay check" dhe kur ju kerkon qe te jene korrekte ne pune apo per te plotesuar normat e punes jo vetem qe te pergjigjen negativisht por edhe te marrin inat sepse presin tju besh favore pafund.

 

Personalisht e kam bere nje nder te tille me pare dhe me ka vene ne nje pozicion shume te veshtire. Miku eshte zotesia dhe eksperienca personale. Miqesine lereni per me miqte se pastaj ju fusin "mikun" aty ku nuk e prisni.

Pastaj ne Shqiperi eshte ajo mania qe cfare do beje shteti per mua se kam mbaruar ate shkolle apo kete shkolle, kete master apo ate master.... e ku ta di une sa diploma pacavure varin njerezit neper mure.

Duan o Drejtore e lart ose me mire pa pune.... Hiqeni ate mentalitet!

S'ka rendesi hic diplomat apo masterat, ato te vijne ne ndihme me vone kur ti ke marre eksperiencen e nevojshme dhe e betonojne dijen e marre ne pune me master apo kualifikime te tjera....

Filloni nje pune ne pozicion fillestar dhe ngjitini shkallet e karieres ngadale se ashtu eshte edhe me e besueshme dhe me e vlefshme karriera juaj.... Mbaher edhe me gjate ashtu ngadale si ajo flaka e eshkes dhe jo si e kashtes....

Problem në Shqipëri është edhe fakti që të diplomuarit nga universitete janë batalione të tëra të rinjsh shumica prej të cilëve nuk kanë patur ndonjë interes të veçantë për studimet në atë degë por i kanë hyrë asaj rruge në mungesë variantesh ose "sa për ta marrë një shkollë". Të marrësh një shkollë është e lavdërueshme në vetvete po shkolla nuk të jep profesion, thjeshtë të hap sytë dhe të lejon të përmbushësh një kriter formal e të nevojshëm por jo të mjaftueshëm për të trokitur në çdo derë.

P.S.: Bill Gates, Steve Jobs dhe Mark Zukerberg ... nuk i përfunduan kurrë studimet e larta...

Ky shkrim s'ka asgje te ndryshme nga Amerika. Edhe ketu te mbarosh shkollen dhe te gjesh pune quhesh me fat ne ditet e sotme. "Overqualified" nuk eshte asgje e re, sigurisht qe i tille do quhesh kur shkon te intervistohesh per nje pune ku edhe numerimi me gishtat e dores mjafton. E pranoj situaten por s'ka asgje te jashtezakonshme apo paradoksale. Mbarimi i shkolles nuk te garanton pune askund vetem te shton shanset.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).