Prioriteti i çështjes së shqiptarëve në Maqedoni si përbërësi kryesor i çështjes shqiptare duhet të vendoset në platformën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së shtetit shqiptar, të shtetit të Kosovës, të forcave politike shqiptare në Maqedoni ...

Në programin kombëtar të çështjes shqiptare paraqiten disa problematika dhe objektiva për t’u zgjidhur. Sistemi i tërësisë së problemeve kombëtare përfshin dhe sugjeron një hierarki në trajtimin dhe në detyrat e zgjidhjes së tyre. Në momentin e ri historik, ku ndodhet çështja shqiptare, prioriteti numër një i takon çështjes së popullit shqiptar në Maqedoni. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni është aktualisht përbërësi kryesor i çështjes së pazgjidhur shqiptare në përgjithësi. 

Ky prioritet u jetësua në vitin 2008, pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe formësimit të saj si subjekt i pavarur i të drejtës ndërkombëtare. Me pavarësimin juridik të shtetit të Kosovës, të konsakruar edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 22 korrik 2010, dhe me njohjen nga mbi 90 shtete të botës, çështja e Kosovës pushon së qeni përbërësi kryesor i çështjes shqiptare, status që e ka pasur për afro 100 vjet. 

Çështja e shqiptarëve në Maqedoni del tani përbërësi kryesor: 

Së pari, për shkak të madhësisë fizike të popullit shqiptar në Maqedoni, që nuk ka krahasim me asnjë nga shtetet e tjera të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët, dhe e cila është e përafërt me madhësinë fizike të popullit maqedonas, që drejton shtetin. 

Së dyti, sepse shkatërrimi i ish-Jugosllavisë dhe pavarësia e krijimi i shtetit të Kosovës e lanë të pazgjidhur çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Njësoj siç la pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 gjysmën e popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, ashtu dhe pavarësimi i shtetit të Kosovës në vitin 2008 la jashtë kufijve të Kosovës gjysmën e shqiptarëve, që jetonin në ish-Jugosllavi. 

Së treti, sepse krijimi, ekzistenca dhe funksionimi i shtetit të Maqedonisë e ka bazën në ekuilibrin dhe në marrëdhëniet mes popullit shqiptar dhe popullit maqedonas në atë shtet. 

Populli shqiptar në Maqedoni ende nuk ka të përcaktuar statusin e vet të merituar juridik kushtetues, që do të sanksiononte një nivel të barabartë të drejtash, lirish dhe sidomos të vendimmarrjes shtetërore, që ka populli maqedonas. Derisa vendimmarrja shtetërore në Maqedoni vazhdon të jetë ekskluzivisht vetëm në duart e komunitetit maqedonas, nuk mund të bashkohemi me konkluzionin se në atë shtet janë ndërtuar marrëdhënie funksionale ndëretnike dhe shtetërore. Tensionet e vazhdueshme etnike dhe pastabiliteti i vazhdueshëm etnik në Maqedoni, janë provë e pakontestueshme e moszgjidhjes së problemit të pozitës së popullit shqiptar në atë shtet dhe e nevojës prioritare të realizimit të një detyre historike të shtruar për zgjidhje. Hapat, që janë bërë deri tani, të tipit të Marrëveshjes së Ohrit, janë të pamjaftueshme, dhe refuzimi i udhëheqjes politike dhe shtetërore maqedonase për të realizuar qoftë dhe paketën formale të asaj Marrëveshje, furnizon energji negative. 

Çështja e statusit të popullit shqiptar në Maqedoni kërkon një formatim juridik përfundimtar. 21 vjet tranzicion të kësaj çështjeje kanë qenë të mjaftueshëm për të sjellë përvojën dhe përfundimin se tashmë duhet kaluar nga faza e koalicioneve qeveritare formale në fazën e drejtimit të përbashkët shtetëror. Statusi i shtetformimit, është tashmë i pakët, sepse është jashtë çdo logjike historike dhe juridike që populli shqiptar në Maqedoni të gëzojë më pak se serbët e Bosnjë-Hercegovinës. Në formulimin e statusit juridiko-kushtetues të popullit shqiptar në Maqedoni duhet të shkohet jo si rezultat i sintagmave të kapërcyera romantike apo folklorike, por si rezultat i emëruesit të përbashkët të të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni për të jetuar, gëzuar dhe drejtuar shtetin e Maqedonisë, si shtetin e përbashkët, për të cilin shqiptarët dhanë konsensusin ekzistencial në vitin 1991. Europa demokratike dhe e qytetëruar ka plot shembuj shtetesh, ku komunitete të ndryshme etnike jetojnë në harmoni juridike të drejtash, lirish dhe vendimmarrjeje. 

Në çështjen e popullit shqiptar në Maqedoni duhet të mbajmë parasysh problemin delikat të përpjekjeve historike të pushteteve sllave për mpakjen dhe humbjen nëpër histori të masave shqiptare në ato troje. 

1 - Shqiptarët kanë humbur dhe po humbin nëpër legjislacionet dhe listat e regjistrimeve shtetërore maqedonase dhe asnjë regjistrim në shtetin e ri të Maqedonisë nuk ka pasqyruar numrin e saktë të banorëve shqiptarë. 

2 - Ka një kategori shqip-tarësh, të cilët janë zyrtarisht të humbur dhe gjëllojnë vetëm në nëntokën demografike të atij shteti. Këta janë shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, të cilët janë të shumtë jo vetëm në krahinën e Rekës, por edhe në dy anët e liqenit të Ohrit, që kufizohen me Shqipërinë. Në kushtet e zhvillimeve demokratike, kur Maqedonia ka marrë statusin e shtetit kandidat të Bashkimit Europian dhe është në prag të anëtarësimit në NATO, ka ardhur dhe po kalon koha kur kombi shqiptar duhet të nxjerrë nga nëntoka këtë thesar të fshehur të trupit të tij. Unë përfitoj nga rasti të përulem me nderim përpara aktit të madh të shtetasit të Maqedonisë, Branko Manolovski, i cili është shqiptari i parë ortodoks në Maqedoni, i cili shpalli publikisht dhe zyrtarisht se është shqiptar me gjak dhe me rrënjë, me fisin dhe me krahinën e tij, dhe vendosi flamurin kombëtar në ballkonin e shtëpisë së tij në Rekë. 

3 - Ka edhe një kategori tjetër, ajo e të quajturve myslimanë ma-qedonas, të cilët përgjithësisht janë shqiptarë të sllavizuar dhe që për arsye historike, ekonomike, politike dhe represioni çkombëtarizues sllav, kanë qenë të detyruar të kërkojnë mënyrën e shpëtimit nga shtypja e pushtetit serbo-maqedonas, duke ndryshuar identitetin e tyre kombëtar. 

Çështja e popullit shqiptar në Maqedoni ndodhet nën presione dhe diversione të mbidheshme dhe të nëndheshme të strukturave dhe të qendrave antishqiptare, dhe ato janë kaq komplekse dhe të sofistikuara, sa që disa herë hutojnë edhe grupe intelektuale apo politike në Shqipëri, Kosovë, dhe gjetkë, të cilët nuk njohin dhe nuk kuptojnë, ose nuk duan të kuptojnë, terrenin e vështirë, të rrëshqitshëm dhe specifik të atij shteti. Në këtë kuadër është e nevojshme të theksohet se çështja e shqiptarëve në Maqedoni kërkon një kujdes të veçantë dhe një respekt më të madh në qëndrimin ndaj ndjenjave të tyre fetare. 

Prioriteti i çështjes së shqiptarëve në Maqedoni si përbërësi kryesor i çështjes shqiptare duhet të vendoset në platformën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë së shtetit shqiptar, të shtetit të Kosovës, të forcave politike shqiptare në Maqedoni dhe në të gjitha trojet amtare në gadishull, si dhe në diasporë. Kjo kërkon një nivel të lartë kuptimi dhe përdorimi të kartave diplomatike të arta si njohja e emrit apo vota për pranimin e Maqedonisë në NATO, të cilat duhet thënë se janë trajtuar nga Shqipëria jo në shkallën, që kërkon interesi shtetëror dhe kombëtar dhe duke anashkaluar interesat tona kombëtare në Maqedoni. 

Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është vetëm çështje e shqiptarëve dhe e forcave politike në Maqedoni, të cilat natyrisht kanë barrën kryesore të ndërgjegjësimit të vetvetes dhe të aksionit për prioritarizimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Ajo duhet kuptuar dhe trajtuar si çështje politike, diplomatike, sigurie, strategjike, gjeopolitike etj, dhe duhet konsideruar si pjesë e interesave jetike të kombit shqiptar. Ajo është një motor dhe një gjenerator, që mban gjallë çështjen shqiptare në Ballkan. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni është sot prioriteti numër një i çështjes sonë ende të pazgjidhur kombëtare.

Shaban Murati - Ish Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni

Nga Gazeta Lajm (MKD)

13 Komente

Shabani mire e ka, por ky copezimi i Ceshtjes Shqiptare sikur... E vleresoj terheqjen e vemendjes qe deshiron te bej , por duke pare se shqiptaret e Maqedonise ashtu si gjithe shqiptaret e tjere, jane nen murtajen tipike shqiptare qe na persekuton me shekuj e qe jane Liderat e politikane qe prodhojme , zor s'e kane mundesi ti hedhin syte ne rreza te tjera. Dashte Zoti e na largofte na ky persekutim i njerzve te paafte ne krye te vendeve tona te vogla.

Ne Meqedoni, do te ishte mire qe ne parlamentin maqedonas te fliten dhe perdoren te dy gjuhet, shqipe dhe maqedonisht, biles ai parlamentar apo qeveritar qe nuk i di te dyja gjuhet, te dali jasht. 

Pjer gjuha shqipe perdoret ne parlamentin e Maqedonise, por jo plotesisht. Gjuha shqipe mund te perdoret vetem nga ana e parlamentarve shqiptare, por seanca plenare nuk mundet te udhehiqet ne gjuhen shqipe. Nga ana tjeter mbledhjet e komisioneve mund te udhehiqen ne gjuhen shqipe, por ama kjo nuk eshte mjaftushem ne krahasim me numrin e shqiptareve ne maqedoni. Ne fakt kushtetuta e Maqedonise precizon se ne maqedoni pervec gjuhes maqedone dhe alfabetit kirilik, gjuhe tjeter zyrtare eshte edhe gjuha qe flasin me shume se 20% te popullates(neni 5) dhe po ashtu ka nje shtojc ne kushtetut ku shkruan se kjo ceshtje mundet te zgjidhe nepermjet ligjit. Pra e thene shkurt gjuha shqipe as per se afermi nuk e ka statusin e gjuhes serbe ne kosove, edhe pse shqiptaret jane ne numer shume me ta madh ne maqedoni. 

Se fundmi nuk eshte vetem perdorimi i gjuhes problem per shqiptaret e maqedonise, ka edhe shume probleme tjera dhe me e rendesishmja:ndarja e buxhetin ne menyr proporcionale

Flm per informacionin. 

Çështja e statusit të popullit shqiptar në Maqedoni kërkon një formatim juridik përfundimtar

 

tamam fare.

Tamam po s'eshte aq e thjeshte.

Tamam. [e ke thone mire smiley]

d.m.th zgjidhja sipas shabanit qenka ''principatizimi'' i trojeve shqiptare. ca te thuash! ti degjosh nga serbet ose greket mendime te tilla edhe hahet por nga shqiptaret! dy gjera jane, ose jane te tredhur ose te infektuar.

28 nendorin qe kerkonte nje shtet shqiptar nuk duhet ta festojme me sipas shabanit.

Ne fakt ai gabon kur thote se tashme Kosova nuk eshte me qendra e problemit kombetar dhe gjithe analiza e mbeshtetur mbi kete premise bie poshte.

Fakti qe Kosova fitoi Pavaresine ( aq sa ka fituar) nuk e ben te kaloje ne radhe te dyte , perkundrazi qe te bashkohen shqiptaret e Maqedonise me te Shqiperise, duhet te ndodhe njehere bashkimi i Kosoves me Shqiperine.

Problemi aktual i atyre ne Maqedoni, lidhet me zbatimin e te drejtave te shqiptare si komb shteformues', por qe nuk eshte kjo zgjidhja e problemit kombetar ne Maqedoni, biles ne shume aspekte do te krijonte si thote shqiptari i vjeter, gjendjen e nje principate te re shqiptare.

Cfaredo lloj projekti ne Maqedoni eshte vetem afatshkurter, sepse zgjidhja e vetme qe eshte bashkimi kombetar, mund te kryhet vetem pas bashkimit te Kosoves me Shqiperine.

 

Si hap i pare do te ishte federalizmi, i cili eshte dhe me i pranueshem nga bashkesia nderkombetare, dhe mund te jete nje hap i perkohshem para ribashkimit me pjeset e tjera te Shqiperise.

Problemi me i madh ne ceshtjen e shqiptareve ne Maqedoni ka qene heshtja e mungesa e ndihmes nga autoritete shqiptare te shtetit shqiptar, kur Shqiperia ka shume ne dore per t'u bere presion autoriteteve maqedone.

Tirana zyrtare mund t'u beje presion shume te madh autoriteteve maqedone me veglat qe ka ne dore tani, si p.sh. te qenit anetare e NATO-s ose edhe me menyra tradicionale te diplomacise.

federata eshte me e keqe sesa gjendja aktuale.do te ishte nje pranim i heshtur se shqiptaret nuk jane nje komb.federatat krijohen ne shtete shumekombese ose ne shtete super te medhaja qe distanca dhe popullsia e madhe e ben te pamundur shtetin kombetar.nuk eshte spanja ose franca federate dhe duam te jemi ne qe te gjithe bashke nuk jemi sa gjysma e madritit ose parisit.kjo eshte mendesi krahinoriste dhe jo kombetare

Jo e kisha fjalen nje ndarje federale e Maqedonise mes pjeses shqiptare e asaj maqedone, sic e ka Belgjika p.sh. qe eshte nje shtet po ashtu i vogel: E me vone, pjesa shqiptare mund t'i bashkangjithet shteti te bashkuar shqiptar (Shqiperi+Kosove).

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).