Reportazhet e udhëtimit në Shqipëri të shkrimtarit të njohur austriak Joseph Roth, u botuan për herë të parë në vitin 1927 në faqet e gazetës gjermane Frankfurter Zeitung, korrespondent i së cilës ishte vetë shkrimtari. Libri është përkthyer në shqip nga Dr. Lindita Arapi, disa fragmente të të cilit mund t’i gjeni më poshtë

(1927)

Të civilizuarit në vendin e barbarëve

Frankfurter Zeitung, 7.7.1927

Karakterin ekzotik të tokës shqiptare e kupton qysh në vështrimin e parë nga mënyra e veçantë e jetesës së evropianëve të civilizuar që jetojnë këtu. Kjo racë e çuditshme, zakonet dhe traditat e së cilës akoma nuk janë lëvruar tërësisht dhe pjesëtarët e së cilës e urrejnë në vendlindjen e tyre komfortabël njëri-tjetrin, duket se në dheun e huaj, të egër, zbulojnë tek vetja një zemër tjetër, një botëkuptim të ri dhe për përdorim nxjerrin një karakter tjetër. Menjëherë sapo mbërrijnë në një vend me WC pa shpëlarje, nxjerrin nga valixhet e tyre një buzëqeshje të re fringo e të papërdorur për ta shkëmbyer këtë me po një buzëqeshje të tillë, të re, të miqve të civilizuar, me të cilët u ra fati i përbashkët të jenë në këtë vend. Madje në zona veçanërisht të shkreta, ndodh nganjëherë që një sinjorinë e vërtetë të vallëzojë me ndonjë përfaqësues tregtar në klubin evropian, vetëm e vetëm që të hidhen edhe vendasit.

Në Shqipëri arrita në përfundimin se që të gjithë, evropianë apo amerikanë, në thelb nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Kujtime të përbashkëta si roja i ashensorit, tufa e transaksioneve ngjiten si stuko me gradën më të lartë të patundshmërisë, akoma më shumë kur ia beh gramofoni dhe çiftet shkrihen në dans.

Diplomatët, që në të vërtetë janë armiq me njëri-tjetrin, këtu luftojnë në një front mushkonjat, malarjen si dhe vendasit, të cilëve ata vetë duan t’u sjellin kulturën e qytetërimit. Të gjithë konkurentët që janë mbledhur këtu për thelat thatime dhe pa zot, marshojnë të bashkuar, por përfitojnë ndarazi. Bile edhe gazetarët i mërmërisin njëri-tjetrit, pa zili, lajme të gënjeshtërta nga burime autentike. Herët në mëngjes mund të të qëllojë të ndeshesh me atasheun ushtarak të aksh vendi, i cili përshëndet një berber, sepse pikërisht ky është në zonën e sigurisë së këtij atasheu. Të dërguarit evropianë shkëmbejnë kartëvizitat me aksh persona të paemër. Para selive të evropianëve nuk ka më portier të pasjellshëm, por asqer, që të dekurajon. Aty ku në Evropë të pret nje sekretar, këtu të pret terxhumani me buzëqeshje të gatshme. Zotërinj të sërës janë madje gati të ndajnë një krevat, vetëm e vetëm t’u ikin pleshtave. Vëllazërimi është kaq i madh, tamam si një orë para fundit të botës. Kjo racë e të civilizuarve këtu ia ka frikën vullkanit, mbi të cilin të gjithë vallëzojnë çarlestonin!

Disa vendalinj ia kanë dalë të futen në elitën e perëndive të huaja. Në Tiranë ka bile edhe klub tenisi, në të cilin hyjnë e dalin të gjithë ata që zotërojnë një furçë dhëmbësh apo raketë tenisi. Temë e pëlqyeshme për thashetheme është një kapter shqiptar me origjinë austriake dhe karakter aventurieri, por që shihet si hero kombëtar.

Nëpunësit shqiptarë madje guxojnë të luajnë një set me gra autentike të oficerëve anglezë. Ndërsa një drejtor gjerman luan poker me nënkonsullin e një shteti ballkanik. Amerikanët janë miqësorë edhe karshi bullgarëve, pasi në Sofje eksportojnë sfungjer, Tiranës akoma nuk i ka ardhur radha. Thuhet se disa ministra janë të gatshëm t’i japin dorën edhe kujdestares së fëmijëve po qe se ajo është duke shëtitur me një pasardhës evropian.

Herë pas here organizohen ne Tiranë edhe ballo. Anglezët, të cilët i dallon menjëherë nga kostumi i ditës, vijnë në këto mbrëmje me smoking. Në një nga këto darka ndodhi që të bisedojë me mua gjysmë ore një dynjabredhës feudal, që në të vërtetë e përçmon shtypin dhe sidomos çdo lloj letre pa emblemë – dhe për këtë si përgjigje nga ana ime mori vetëm heshtjen!

Aty u dendëm me uiski-soda, e nxjerrë nga një gardist rus, që administron lokalin e këtushëm derisa të ngrihet cari. U dendëm edhe duke u marrë me thashetheme. Ekziston edhe molloisja tiranase – perënditë e huaja as nuk e vënë re sa tokësore janë.

Kështu, mora vesh që mikesha bukuroshe e Presidentit është vjeneze nga lagja e Ottakringut. Ajo, Franzi? Iku me Fiat. Po kur? Pasdite! Në cilën orë? Në orën katër e njëzetë! Çfarë kishte veshur? Ou, kishte një kapele të re! Çfarë lloj kapeleje? Të kuqe!- E morët vesh që Majori X., adjutanti i motrës së presidentit, ia ndaloi një nëpunësi të ri shqiptar të vallëzonte me princeshën. Megjithatë, nëpunësi i ri vallëzoi! Dhe përfundoi në arrest. Tre ditë plot qëndroi në burgun e Tiranës. Barbarizëm! ankohen perënditë. Harrojnë që në Bavari ndenjën në burg shkrimtarë me vite, madje pa i këshilluar ndonjëherë ndonjë adjutant. Në Amerikë bojkotohet Çaplini pasi ka puthur gruan e tij jo vetëm në buzë. Në Francë jetonte dikur një i ashtuquajtur Drejfus. Në Itali pijnë në gjendje të mirë shëndetësore vaj recini.

Po pse bëjnë kaq shumë zhurmë për ndodhitë në Shqipëri – epo ky në fund të fundit, vend barbarësh është!

Diplomatët kanë misionin të tregojnë se punojnë për interesat e vendeve të tyre. Por në të vërtetë, i shohin gjërat nga sipër – si mizat mbi mbulesën e djathit, gumëzhijnë në automobilat e shtetit andej këndej, vizitojnë njëri-tjetrin, përgjojnë njëri-tjetrin, konsultohen, e bëjnë mizën elefant, e kodojnë dhe e nisin me telegram në vendlindje. Pastaj çfarë ndodh? Pastaj tensionohet një çikëz situata. Si pasojë, vetëm pakëz, shtetet fillojnë armatimin.

Gazetari rend për në zyrën e postës. Dëgjon një taty-tata. Ishte boria e një prej të dërguarve evropianë. Ky i dërguar i posaçëm është zjarrfikës për gazetën. Dhe gazeta në të vërtetë përgjon diplomatin. Anasjelltas, diplomati i beson gazetës. Çfarë keni dëgjuar ju? Ka banda në Shkodër? A ia thatë këtë atasheut ushtarak? Pse nuk e dini akoma? Selaniku? Sazani? Kryqe në bregdet të mos futen tanket? Hidroplan?!

Ndërkohë që tirret ky mishmash, bujqit shqiptarë punojnë në fusha, tregtarët shesin opingat, kovaçi bën gjymat, samarxhiu qep shalën. Mëngjes për mëngjes marshojnë rekrutët, dëgjohen daullet dhe boria e zgjimit për të filluar përgjunjja. Dikur të vrasin. Kush? Italianët? Jugosllavët? – Lufta është luftë.

Artikull mbi Shqipërinë

(Shkruar në një ditë të nxehtë)

Frankfurter Zeitung, 30.7.1927

Shqipëria është e bukur, e pafat dhe megjithë aktualitetin e saj, e mërzitshme. Malet e këtij vendi të duken nganjëherë sikur janë prej substance të tejpashme e të papërcaktuar, saqë lehtë mund t’i ngatërrosh me lëmsha të qelqtë e të pikturuar me të gjelbër. Vetëm në ditët e vranëta, kur qielli nuk është i mbuluar tërësisht nga retë, por duket si i veshur me një pëlhurë të hollë, e kupton që malet në të vërtetë janë masa gurishteje. Me kohë ata janë bërë më tepër masivë, të pamëshirshëm, madje i gjithë ky vend është si një oborr i mbyllur, i rrethuar nga mure burgjesh natyrorë. Liria është një nocion relativ, këtu e ndjen qartë se nuk ekzistojnë shinat, të cilat të çojnë në atë shekull, që është edhe atdheu ynë, e ndjen se anijet, dy orë, katër orë, dymbëdhjetë orë larg prej këtu, vetëm një herë në javë ndalojnë në portin shqiptar. Ekzotika rëndon dyfish më tmerrshëm se sa tortura e vetëzgjedhur.

E parë nga Berlini, hakmarrja duket më interesante. Veçse në vendlindjen e saj, ajo shoqërohet nga pisllëku, tartabiqët, netë pa drita, fenerë të thyer vajguri, merimanga të dhjamosura, shpërthime malarjeje, çaj i turbullt si prej algash; ajo është kthyer në një gjendje të zakonshme dhe të vetëkuptueshme.

Në kushte të tilla, unë jam më pak i ndjeshëm karshi bukurive të natyrës, jo me optimizmin e lindur të turistit. Më së shumti, regjistroj: ditë të qeta blu prej një thjeshtësie fisnike, të përmbushura nga një diell i mirë, i cili djeg madje edhe vetë hijen dhe ndjehet në çdo çarje shkëmbi, aty-këtu fluturojnë zogjtë (që këtu janë të rrallë, pasi njerëzit në këtë vend qëllojnë zellshëm) në ajër dhe nëpër degë. Shoh pyje me një Qetësi, Thellësi, Pafundshmëri dhe Përhumbje pambarim. Aty-këtu duket një grumbull kullash, pa dritare, gjithandej të izoluara, si kube shurdhmemece prej guri, të rënda, enigmatike dhe tragjike, të mbarsura me fate njerëzish dhe me mallkim të mistershëm.

Në secilën nga këto shtëpi të ujdisura në mënyrë që gjakmarrësi të gjejë strehë, i përndjekuri skutë dhe një fis i tërë siguri, rri pezull magjia ogurzezë, së cilës unë preferoj të mos i avitem. Pa lejen e zotit të shtëpisë, nuk është e lejueshme të shkelësh as pragun e derës më të varfër. Të ftoi i zoti i shtëpisë brenda, atëherë je mik e shkuar miku dhe ai rrezikon edhe kokën për ty.

Mikpritja! Ky zakon i mirë të kujton kohën fisnike të njerëzimit. Sigurisht, mikpritja e arsyeton mirë veten bazuar në pikëpamjen egoiste të këtyre njerëzve, që në vend të zgjedhin gjyqin, pranojnë gjakmarrjen për të vendosur të drejtën e tyre. Dhe është e qartë që kush përndiqet, ka nevojë për strehë, e në fund të fundit, gjithkujt i qëllon të përndiqet njëherë në jetë.

Por megjithatë, po të jesh në mënyrë konsekuente skeptik – atëherë vjen kollaj në përfundimin se një polici e përgatitur është disa herë më mirë se sa mikpritja.

U lutem shqiptarëve dhe të tjerëve të mos më zemërohen, pse nuk jam aq i aftë ta vlerësoj këtë lloj konservatorizmi joproduktiv!

Shqiptarët kanë – përveç mjaft cilësive që unë i nderoj – edhe një karakteristikë të çuditshme. Ata janë kaq shumë të preokupuar të ruajnë ca zakone të shkuara dhe të mbesin të patundur në shqiptarinë e tyre duke mbetur jashtë botës së qytetëruar, dhe sikur të mos mjaftojë kjo, përkujdesen me kaq zell për fisin duke mos ndërtuar kështu kombin.

Ata shqiptarë që jetojnë jashtë izolohen me vetëdëshirë, martohen vetëm me vendase dhe nuk ia kanë besën rrethit ku jetojnë. Deri në Amerikë mbesin shqiptarë, flasin shqip me njëri-tjetrin – pas disa dhjetëra vjetësh rikthehen, po përse? – që të mbajnë në vendlindje gjerdanin me fishekë?!

Ashtu si popuj të tjerë të vegjël, edhe shqiptarët ruajnë atë lloj besnikërie ndaj atdheut, që në të vërtetë e çon kombin drejt shuarjes dhe kulturën kombëtare e lë të varfër.

Ndoshta kjo mund të jetë arsyeja që gjuha shqipe sot nuk ka akoma një fjalë specifike për “ Liebe” – dashurinë – asnjë përshtatje për “Seele” – frymë – nuk ka fjalë specifike për “Gott” – Zotin. Vetë letërsia shqipe, megjithëse sot është disi më e pasur dhe për së paku mundet të pasqyrojë jetën aktuale shqiptare, prapë është kaq e thjeshtë si këngët e para të njerëzimit, e mbetur madje pas zhvillimeve të këtij vendi të ngadalshëm. Temat e saj janë konflikte bukolike familjare.

Paralel me konservatorizmin kombëtar, ekzistojnë grindjet mes fiseve në dëm të zhvillimit të vendit, si edhe fanatizimi fetar në dëm të fesë. Sepse shqiptarët nuk janë kushedi sa fetarë. Por thjesht vetëm përkatësia në nje fe bën që ata të shohin konfesionet e tjera me dyshim.

E di që “karakteristikat kombëtare” jane rezultat i fatit të keq historik të shqiptarëve, që për shekuj me radhë kanë luftuar kundër turqve. Por pse shkuan mijëra shqiptarë në shërbim të turkut, u bënë favoritët e tyre, nëpunës, prijësa – e ndihmuan turkun të shtypë vendlindjen – dhe prapë mbetën shqiptarë.

Të çuditshme këto trille të natyrës kombëtare!

Më kujtohen fjalët e një majori shqiptar: “Është fat që turqit na pushtuan dhe na mbajtën larg kulturës së tyre. Po të kishte qenë ndryshe, sot nuk do të kishte më as gjuhë shqipe!” E pra, ky majori që më tha këto fjalë, ishte shqiptar. Për këtë arsye as nuk i ktheva përgjigje, atë përgjigje që më ngeci në gjuhë dhe po e shkruaj këtu: “E çfarë fituat ju nga kjo?! A i thua ti dot në shqip gruas sate të mirë: “Të dashuroj!” A nuk do të ishte më mirë, të shpreheshe i gjithi në turqisht, se sa përgjysmë në shqip? Natyrisht është krim, të mbash të nënshtruar një komb. Për këtë jemi të dy të një mendimi. Por të lëvdosh rezultatin negativ të shtypjes, sepse rastësisht çoi në ruajtjen e kësaj gjuhe mjaft interesante nga ana shkencore, është kalamanllëk dhe krenari e rreme kombëtare. Veç këto mendime që më vluan në kokë, nuk ia thashë majorit.

***

Nëpër Shqipëri pashë qytete të mbuluar nga një zi fisnike, trishtim të thellë dhe të thjeshtë. Elbasani është një nga qytetet më të vjetra të vendit. Shtëpizat e tij prej guri, të rrethuar po nga oborre guri dhe kopshte të gurta, mbartin monumentalitetin e vdekjes, por se ç’kanë edhe një lloj pikëllimi idilik!

S’ka gjë më prekëse se sa ky jeshillëk ndër gurë, ky myk i butë dhe i lagësht nëpër hulli dhe binarë, në thelb, asgjë më tepër se sa gonxhet e Kalbjes dhe të Hiçit.

Këtu bëhet guri akoma më i gurtë. Elbasani me rrugët gjarpëruese dhe me pazarin gungaç, të kujton një guackë të stërmadhe kërmilli, e thurur për trill. E duket sikur në këtë shtëpi kërmilli të spërdredhur, sikur të jetë kundër të gjitha ligjeve të natyrës, banori i parë ka vdekur dhe ia ka lënë vendin mizërisë së tregtarëve moskokëçarës, të nxirë nga dielli e të veshur ngjyra-ngjyra, të shoqëruar nga pisllëku dhe sëmundja.

Meqë ra fjala, të gjitha shtëpitë e Elbasanit i përkasin çifligarit të madh Shefqet Vërlaci, vjehrrit të ardhshëm të Ahmet Zogut, siç thuhet. Ky qytet ka një nga sheshet më të bukura për t’u falur, sheshi më i gjelbër e më i gjerë në të gjithë vendin. Pasditeve shtrihen aty shkollarët dhe priftërinjtë për t’iu përkushtuar metafizikës. Në lindje të qytetit gjenden varrezat e mëdha të muslimanëve, karakteristika e tyre janë gurët e mëdhenj, që të kujtojnë kërpudhat gjigande, ndërsa në jug të Elbasanit ndodhet ura e shpërthyer e Shkumbinit, akoma më tutje shtrihet tej e tej një pyll i mrekullueshëm ullinjsh, si skena e një shfaqjeje përralle.

Vizitova edhe Krujën. Primitive, idilike. Të kujton Besëlidhjen e Vjetër të Moisiut, historinë biblike ku tregohet se si Rebeka shkon tek burimi. Një push rinor, naiv, gati biblik shtrihet mbi qytezën fshatarake, ku piqen poçe të mëdha në vatra të hapura prushi si në kohërat e Besëlidhjes së Vjetër, katruve me bisht të ngjizura me argjil të pafajshëm, të pjekura mirë, qafëholla e vithehedhura duken gati vajzërore dhe me hinka të pambaruara.

Mbi zjarrin bubulak të ndezur përjashta piqet kafe turke. Kafeneja përbëhet nga një kafexhi dhe një peshore e palëvizshme, në të dyja anët e së cilës filxhanët këlthasin, të mbushur plot me lëngun e trashë, të zi e të ëmbël.

Qyteti qeveriset me dorë të hekurt nga komandanti i xhandarmërisë, ish-kapobandë, i veshur me një uniformë me yje floriri.

Këtu takon vërtet skena biblike: barinj me shaje kundra diellit pjekës, dele pulla-pulla, kasolle të bëra me gjethe, çadra të thurura me kashtë, sheh burra të rehatuar mbi gomarë, gra të mbuluara që thurin në ecje.

Ky vend duket kaq paqësor saqë nuk mund të besosh se njerëzit këtu kanë ca zakona të egra për t’u hakmarrë! Megjithatë, zakonet mbesin zakone!

Në Shqipëri u njoha me dikë, i cili para vitesh donte të hakmerrej ndaj shokut të tij. Për fatin e tij të zi, në vend të qëllonte vrasësin e shokut, vrau një të pafajshëm. Fatale. Sepse sikur të mos mjaftonte kjo, i ndjeri na paskësh pasur një turrë me vëllezër, shtatë copë, që tani të gjithë janë prapa këtij mikut tim. Deri tani ky ka dërguar disa ndërmjetës, por zgjat kohë derisa palët të bien në ujdi. Prej tre muajsh miku im pret orë për orë t’i vijë vdekja!

Dhe ky nuk është as ndonjë shqiptar i padalë. Ka jetuar madje në Paris si punëtor në fabrikë armësh. Pse është kthyer, do të pyesni ju? Vetëm për të marrë gjakun. E megjithëse ai përndiqet tani nga shtatë burra, miku im i nderuar vazhdon akoma të kërkojë vrasësin e vërtetë të shokut të tij të afërm.

Kur mbërrin në qytetet treçerekësh të evropianizuar, si Shkodra, Vlora, Korça, pra në qytete me jaka të ngrira, kravata, kartolina, brisqe rroje, dhëmbë floriri, makina Ford dhe avokatë, beson akoma më pak në mundësinë e një fqinjësie të ngushtë mes gjysmëcivilizimit dhe eposit të heronjve. E megjithëkëtë, vëllai i berberit ku shkoj unë, është kapobanda më i suksesshëm. Kur vjen në qytet, ai shkon të rruhet njëherë, pi pastaj kafenë e ditës dhe flet si ti e unë. Në fund të fundit, njerëz jemi ne të gjithë!

Shqiptarët e qyteteve janë sipas mendimit tim, njerëzit më frikacakë në bisedë. Këtu kanë më pak guxim për të folur se sa për të qëlluar. Më duket se një shqiptar më përpara nxjerr pistoletën sesa të thotë mendimin e tij të vërtetë. Tutet se mos muret kanë veshë. Për të tek çdo njeri fshihet një spiun – por t’i japim hakun, këtu ka vetëm gjysmë të drejtë; sepse vetëm një në dy është spiun!

Nuk ka një organizatë të organizuar mirë, në kuptimin e “orchranës” ruse – sepse çdo qytetas këtu vëzhgon me pasion dhe pa i thënë kush, se çfarë bën fqinji. Ai se ç’ka madje një gëzim foshnjor të zbulojë gjoja “sekrete” dhe të shohë fshehtësira të rrezikshme edhe tek veprimet më të hapura dhe më pa të keq. Ju o shqiptarë të mirë, ia vështirësoni shumë jetën vetes!

Si i huaj këtu nuk vëzhgohesh, por përndiqesh me pasion dhe me një interes primitiv nga të gjitha anët. Mjaft shqiptarë që më ra rasti të takoj, tundnin kokën dhe bënin një fytyrë të zgjuar: “Ju jeni gazetar” – sikur unë të isha përpjekur ta fshihja këtë fakt dhe tashmë duhet të ndjehesha si i kapur në flagrancë.

Kur unë i pyesja: “Ç’kemi ndonjë të re?” apo “Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare, që unë nuk mund t’i lexoj?” – ata shkundnin supet, sepse e Reja mund të ishte mjaft e rrezikshme dhe çdo fjalë që mund të përafrohej me atë, “Të Renë” pra, mund t’i tradhtonte.

Formulë e ditës ishte përgjigjja: “Nuk di asnjë të re. Ju më tregoni diçka, ju jeni gazetar, i dini të gjitha”. Jam i sigurt që më vonë ky shqiptari kaq i heshtur do t’ia mbathë në ndonjë mejhane, ku mund të tregojë sa më shpejt: “Hej, gazetari tha se…”. Ëndja e këtyre njerëzve për të spiunuar është po aq e madhe sa frika e tyre për të pohuar mendimin që kanë. Dhe kaq rrallë e thonë troç atë që mendojnë, saqë me kohë ata humbasin çdo lloj opinioni të vetin dhe marrin vetëm atë të të tjerëve. Në fund të fundit, për çfarë duhet ta kesh një pikëpamje që mbetet e pathënë? Kështu, në vend të bindjes politike shfaqet idhtari, në vend të kujdesit – frika.

Në këtë vend nuk është askush i sigurtë, as qeverisësi dhe as i qeverisuri.

Në këtë gjendje nuk mund të ketë asnjë lloj opinioni publik – edhe sikur ai të ishte i lejueshëm.

Shqiptarët e kanë humbur nëpër shekuj çdo lloj kënaqësie në të drejtën për mendimin publik. Edhe për çështje jodykuptimëshe, ata krijojnë enigma tinzare. Gjërat e parrezikshme nuk u shijojnë më.

Virtytet shqiptare janë mirësjellja, qetësia, shpirtbutësia, thjeshtësia. Cilësia më e rrezikshme: dashuria për paranë. Nëpër disa rajone ka fshatarë që kanë groposur kapulë me flori dhe akoma vazhdojnë të mbledhin. Ndoshta gjysma e thjeshtësisë së tyre është kopraci. Si rezultat i kësaj, shqiptarët nuk më duket se nuk janë punëtorë, por janë mjaft të ligur. Ata janë shumë pak efektivë se sa një evropian, sepse janë të ushqyer shumë keq. Lënia e vetes në skamje më duket sikur shkon deri në marrëzi.

Thjeshtësia që kanë është e trishtueshme dhe angështuese,  po aq pezmatuese si jeta antifemërore nëpër qytete. Mund të kalojnë ditë dhe nuk sheh asnjë grua nëpër rrugë, nuk dëgjon asnjë zë të çelët.

Jetës këtu i është hequr kurmi i erosit, dashuria ka degraduar në virtyt shtëpiak dhe një shëtitje është po aq e mërzitshme si fundjava.

Këtij i thonë aktualitet! …

 

Fjala Review

14 Komente

Gjithmone e kam pasur, edhe e kam, te veshtire te pranoj shume prej tezave te Eduard Said tek libri i tij Orientalizmi. Si shqiptar pro-perendimor qe jam gjithmone kam menduar se Said e ka tepruar ne sulmin e tij kunder perendimit, kur e akuzon kete te fundit per kolonizimin dhe stereotipizimin qe i ka bere lindjes. Por kur lexon shkrime te kesaj natyre, si keto dy raporte te ketij austriakut, te behet t'i rikthehesh Said-it dhe ta rikonsiderosh edhe njehere me me kujdes ne ato qe thote. Sepse vertet, sikurse Said u ankua per britanike, gjermane e franceze qe e kishin pare, sipas tij, Lindjen e Mesme tradicionalisht ne menyre siperfaqesore, te njetrajtesuar, te thjeshtezuar ne stereotipe qe ata vete kishin ngritur mbi Orientin, edhe pas leximit te ketij shkrimi te vjen te pysesh: cfare ka lexuar ky shkrimtar/gazetar per shqiptaret dhe historine e tyre? Cfare di ky per gjuhen e tyre? A perpiqet ky sadopak te hyje ne brendesi te botes se tyre, te kuptoje jo vetem pasojat (qe qartazi ia benin 'mu', sic i ka thekur se pershkruari me lart!) por edhe shkaqet qe i kane cuar keta njerez ne kete dore dite qe ai i ka gjetur? E keshtu me rradhe.

Jo se ato vezhgime qe ka bere nuk kane te vertete brenda. Sigurisht qe duhet te kete qene vend i zymte Shqiperia e viteve '20, aq me teper ne syte e nje vizitori te ardhur nga Berlini! Po ashtu, nga vete natyra e shkrimeve gazetareske nuk mund te presesh ndonje analize te thelluar te vendit, historise, zakoneve. Vecse kur sheh shkallen e cinizmit te tij, te qasjes siperfaqesore ndaj gjuhes, ndaj marredhenieve te shqiptareve me turqit, permendjen nga ana e tij vetem shkarazi te disa virtyteve te cilat referohen ne nje rresht, nderkohe qe ankimet per te keqijat e kesaj shoqerie te prapambetur qe gazetari po vizitonte u kushtohen paragrafe e paragrafe te tere... atehere ky kozmopolitanizem i tij te shfaqet krejt i pashprese, plot paragjykime, tipik orientalist (ala Said) ne thelbin e vet.  

Artikuj, fantastik, po fantastik fare. Nuk kisha rene ne shkrime te kesaj lartesie stilistike me pare dhe nuk e dija se nemcet benin gjera te tilla, ngaqe me shume eshte krijuar stereotipi i gazetarit shetites anglez apo amerikan. Personalisht per mua ishte nje zbulim dhe librat e tij (nese jane ne lartesine e ketyre shkrimeve) do ti ve krahas librave te Bruce Chatwin dhe te Robert Kaplan ne biblioteken time modeste dhe humble.

edhe s'ta mbushin mendjen gjall ne bote kshu na perjashta, them. thengjij te mbulum, jon.

ps. me kujtoi nje story te vockel te ca njerzve te mi. me at fillim te ambasadave kishte ik cuni i komshijes poshte ne gjermani, u njoftu mas ca kohe edhe fliste ne telefon rregullisht, te themi nji here ne jave psh... vinin kta te shpis vet kur i binte ai telefonit, me nje fryme... si je... mir... ca po bo... mir... c'na thua naj gjo... mir... pastaj vinte fjalia qe s'mungonte kurre: po te ftoft ato gjermont, e? smiley

perher ky muhabet. smiley

 

erdha prap me kafen e mjesit per nji dore muhabet, si zakonisht, por sot s'qeka dite me yje te mbara. ja po boj adetin ktu. per t'mira.

Uee sa klasike.
Ps, hashishi bir, hashishi.
Ai te cel site ksisoj

Mjaft na sollët këto artikuj të rëndomtë që dinë vetëm të shajnë shqiptarët. Shiko si thotë pa pikë turpi:

Qyteti qeveriset me dorë të hekurt nga komandanti i xhandarmërisë, ish-kapobandë, i veshur me një uniformë me yje floriri.

A ka shpifje më të madhe? Pale po na hiqet edhe sikur na do të mirën:

 Ju o shqiptarë të mirë, ia vështirësoni shumë jetën vetes!

p.s. Ekziston edhe molloisja tiranase – perënditë e huaja as nuk e vënë re sa tokësore janë. 

si e quanin ate prostituten tek "viti i mbraphte" e cila, pasi konsulli austriak iku, kqyri shenjat e vogla te kafshimeve te austriakut ne ca vende shume interesante te trupit smiley

smiley

Këtu më ke kapur Mat. Nuk e kam lexuar Viti i mbrapshtë, për turp. 

Por...shumë shpejt edhe për këtë pyetje do jem hazër-xhevap.

smiley  Mjeshtri duhet lexu, po...

xhind ka pas qene, kur e zinte penden, sikur e zinte tartakuti... ja ne paralel:

http://youtu.be/O_j9KEjrY4o

Ikim s'kemi ç'bëjmë më këtu.

..ama u kënaqëm! (te të dyja temat).

pervec servilizmit dhe spiunllekut gjithe te tjerat jane ''muhabet ushtrie''

Mua me duket se ca gjera i ka kapur mjaft mire dhe jane aktuale edhe per sot. P.sh.

'Shqiptarët kanë – përveç mjaft cilësive që unë i nderoj – edhe një karakteristikë të çuditshme. Ata janë kaq shumë të preokupuar të ruajnë ca zakone të shkuara dhe të mbesin të patundur në shqiptarinë e tyre duke mbetur jashtë botës së qytetëruar, dhe sikur të mos mjaftojë kjo, përkujdesen me kaq zell për fisin duke mos ndërtuar kështu kombin.'

 

Bukur, me pelqeu, sikur ishte aktuale edhe per sot. 

Kjo eshte e fresket, nga artikulli i Lubonjes sot:

"Mos vallë na ka mbetur ende, me gjithë përunjësinë tonë proverbiale ndaj të huajve, ca pak nga mëkati i krenarisë që s’na lejon të kuptojmë se sa poshtë dhe me sa përçmim na shohin këta ambasadorët perëndimorë?"

Zevendeso fjalet "ambasadoret perendimore" me fjalen "gazetaret perendimore". Pastaj zevendeso fjalet "gazetaret perendimore" me "shqipo te perendimorizuar" dhe te del e plote formula e kompleksit te veteurrejtjes, veteposhterimit, dhe vetepeshtirosjes...

Ah, se harrova. Jeni qe jeni, zevendesoni dhe vitin 1927 me 2012, meqe fjalet e Roth-it ju kane tingelluar kaq aktuale. Po prit, se ka dy ane ne cdo medalje. Aktualiteti i "Shqiperise" se Roth-it nga njera ane, dhe aktualiteti i veteperbuzjes e veteposhterimit tone sot e gjithe diten.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).