Agroni vdiq në një spital të mjeruar, pa ilaçe, pa kontroll. Realiteti është kështu. Më thoni përse të mos kem keq? Për çfarë të kem mirënjohje?

Valdete dhe Agron Aliaj jetuan bashkë 50 vjet, deri në 17 maj 2012 kur njëri ndërroi jetë, Agron Aliaj, për të cilin edhe pas vdekjes u fol si për “mjeshtrin” dhe do të flitet për sa kohë vepra e tij do të jetë aktive në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.  Sikur të gjallët të gërmonin në kronikën e vdekjes së njerëzve të dashur, do të iknin të tmerruar prej andej. Kronika, si dhe ku ndodh vdekja, është imazhi i fundit që hyn në kujtesën e të gjallit. Ka njerëz që përballen pa frikë me kronikën e vdekjes dhe nxjerrin prej saj arsye të tjera, shkaqe të së vërtetës, dhe nuk pajtohen me efektet shëruese të kujtesës në rrjedhën e kohës tek fshin, rindërton po edhe restauron jetën e përbashkët dikur, për të fituar pastaj paqen e dëshiruar, pra harresën.

Valdete Aliaj është e revoltuar sa herë kujton atë cep të ngushtë rruge ku i shoqi u godit dhe pësoi hematomë të rëndë në shtyllën kurrizore, - kështu raportonte edhe raporti i mjekut ligjor. Një mbrëmje të marsit, ndërsa linte punën në Opera, Agron Aliaj 79-vjeçar, merrte në këmbë rrugën për në shtëpi. Ndërmjet Operës dhe bar Ulqinit vjen me kthesë një rrugë ku dhe një biçikletë do ta kontrollonte shpejtësinë. 

Gruaja i quan “baltë” ato zëra që e nxjerrin fajtor Agron Alijan, ndërsa shoferi i aksidentit endet i lirë. Organet e drejtësisë deri tani nuk janë përgjigjur. 

Histori më vete janë dy muajt e ferrit nëpër spitalet e Tiranës ku pacienti shtrëngohet të blejë çdo gjë dhe të jetë në mëshirë të fatit, ku familjarët e sjellin me bidonë nga shtëpia ujin e ngrohtë për trupin e të pamundurit, e nga ana tjetër të mos e marrin vesh kurrë që duart pa doreza të infermieres që sapo ka ngrënë byrekun te kiosku, ta infektojë pa bërë zë atë trup. 

E intervistuar nga “Shekulli”, Valdet Aliaj ndërton kronikën e të shoqit, hap pas hapi, javë pas jave, duke përjetuar luftën e dështuar që qytetari i këtij vendi bën me institucionet.

Zonja Valdet, çfarë dini ju për rrethanat e aksidentimit të bashkëshortit tuaj, profesor Agronit? 

Agroni më ka treguar që atë e kishte tmerruar ai pozicioni i parë: “Makina vinte me shpejtësi drejt meje. E pashë me bisht të syrit. Pastaj m’u duk vetja sikur isha një thes me kocka.” Shoferi e kishte goditur Agronin në shtyllën kurrizore. Ma tha që ditën e parë. Mendova se ai do ta falte personin që e goditi, sepse nuk e dija ku do të arrinte shëndeti i tij dhe që do të ligështohej aq shumë. As erdhi të kërkonte falje ky person. Atëherë Agroni ngarkoi avokaten e tij të merrej me të. 

Deri ku shkoi puna e avokates?

Deri në njëfarë mase, sepse mua më thirrën në Prokurori dhe më thanë: “Avokatët tuaj jemi ne. Këto çështje penale kalohen nëpërmjet policisë dhe prokurorisë. Në qoftë se ne nuk do t’i zgjidhim, atëherë ju keni të drejtën ta çoni çështjen në gjykatë.” Dikush i Policisë Rrugore doli dhe në televizor dhe e bëri Agronin fajtor. Familja jonë për një kohë të gjatë qëndronte mbi Agronin dhe nuk na interesonte atë moment kush e bëri aksidentin. Mendonim se me këtë do merreshin institucionet përkatëse. Ne kishim bërë denoncimin. Kurse ai, shoferi i aksidentit, mendonte ndërkohë ta mbyllte procesin në favor të tij dhe e nxorën të pafajshëm.

Aksidenti ka ndodhur poshtë Teatrit të Operës dhe Baletit dhe është thënë që aty u gjendën disa nga trupa e baletit.

Është e vërtetë që ishin të baletit prezent. Ata kishin parë makinën e aksidentit, një Audi e bardhë me xhama të zinj, e tipit të policisë, më targa të huaja. Shoferi i saj ishte duke ikur, por rastësisht aty u ndodh Goldi, një vajzë që bënte mësime me Agronin, e cila kalonte andej dhe e gjeti Agronin përtokë. Vajza dhe makina që e shoqëronte penguan që shoferi të ikte menjëherë. Këto të dhëna, këto dëshmi nuk janë marrë nga ata që hetuan rastin. Përse nuk janë pyetur? Përse çështja është mbyllur zyrave? 

Ju kur e patë bashkëshortin?

Më njoftuan pak me vonesë njerëzit e baletit. Shkova e takova në spital. Më kërkoi t’i prek dorën, “ma ngri dhe ma lësho, jo me butësi, por ma lësho tamam.” Dora i ishte paralizuar. Për mua ishte dhembje e madhe dhe s’e dhashë veten. “Do të kalojë” më tha. Kur vinte fundi i një premiere ai ulej në karriget në fund në sallës për të ndjekur punën, ndriçimin, zërin, gjithçka dhe thoshte “do të kalojë shumë mirë”. Balerinëve shpesh në ankthin e premierës u jepte kurajë “do të kalojë shumë mirë”. Në ka gjë që më ka pëlqyer në punët e Agronit ishin mbylljet e tij, që unë i quaj “mbyllje me një kulm, agroniane”.

Kur pashë se dora nuk i reagonte, u shkëputa dhe mora në telefon rajonin e policisë. Po më fillonte revolta. 

Fillimisht u shtrua në spitalin ushtarak, në pavijonin VIP?

Në pavijonin VIP vajti për të keqen e tij se në pavijonin VIP s’kishte as aparaturat e frymëmarrjes, as oksigjen, infermieret iknin pinin kafe. Kur të doje mund të të ndodhte ndonjë gjë dhe ndodhi intubimi sepse s’kishte oksigjen. Javën e parë nuk u bë asnjë përpjekje për ta çuar jashtë. 

Ju me cilët kishit komunikuar?

Bashkë me djalin takuam Ministrin e Shëndetësisë si dhe zotin Pipero. Ditën e dytë ata na e mbyllnin telefonin, ndërsa roja i Ministrisë nuk na lejonte të hynim. 

Rrugën për në Hygea e mori Refik Halili, babai i Goldit, kontribuan dhe disa nxënës të Agronit. Me sa duket ministri u bë me turp dhe thanë do t’ju ndihmojmë. Nuk e di çfarë bëri shteti këtu. Zoti Halili mori përsipër që ta çonim te Hygeia dhe dy operacionet u paguan prej tij. Na thoshin se fondi i qeverisë është miratuar por asgjë konkrete. Nuk mund të qëndronim më shumë në spitalin privat. U detyruam dhe e çuam në spitalin “Nënë Tereza”. Aty ishte një ferr. “Sa mund të durojë njeriu”, më tha Agroni. Po e shihte  veten se si po e transportonin me barrelë nga një spital në tjetrin. 

Në reanimacion nuk kishte as ujë të ngrohtë, as ilaçe, as peceta. Agroni filloi të keqësohej. Shkova te Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami që pati mirësinë të na priste dhe ai i bëri kërkesë spitalit të traumave të Nato-s në Ankara. Mjekët kishin parë gjendjen e të sëmurit, kishin konsultuar epikrizat. Po të mos kishin njëfarë besimi, ata nuk do ta prisnin të sëmurin. 

Sa kohë kishte kaluar?

Gati një muaj e gjysmë, por Agroni kishte gjithë treguesit jetësorë në rregull. Ishim gati duke prerë biletat, për t’u nisur në Turqi, kur u ktheva në mbrëmje te ai në spital. Nuk ishte më Agroni me ata sy të gjallë, ai nuk reagonte. 

Çfarë e përkeqësoi gjendjen e tij?

Gjendja e reanimacionit te “Nënë Tereza” ishte e rëndë. Çdo ditë vdiste një njeri. Edhe ato lekë që kisha, duke mbushur xhepat e infermiereve. Për një shërbim të vogël, vetëm për të hequr serumin, duhej ta thërrisje ta paguaje. Çdo gjë duhej ta blije. E trajtonin Agronin si personalitet gjasme, po atje s’ishin kushtet. Ministria e Shëndetësisë atë pavijon të rregullonte. Të hynte një herë Ministri i Shëndetësisë në pavijon, ta shikonte njëherë, jo për Agronin, po për gjithë të tjerët që hyjnë aty. 

Ngaqë e kishte zemrën të fortë, ai donte në jetë. Donte të ishte në jetë. Agronit një infeksion ia mori jetën, nuk përdorte kush doreza dhe kontroll nuk kishte. Vdiq në atë spital pa shërbim edhe duke vuajtur. 

Ditën që u bënë homazhet drejtori i Operës Zhani Ciko tha se shteti ka bërë maksimumin, mos dëgjoni gazetat. Çfarë kishte parasysh ai?

Fondin që nuk po vinte në shërbim të asaj klinike private ku ky njeri po kurohej. Ai fond që u përdor për Hygean mund të ishte përdorur për ta çuar jashtë. Atëherë ne u detyruam të shkonim te “Nënë Tereza”. 

Më 22 qershor, dyzet ditë pas vdekjes së Agronit, u ekzekutua fondi i qeverisë. Më erdhën në shtëpi që të firmosja. Qeveria i pruri lekët si Kofini pas të vjelit, i pruri pas vdekjes. 

Ishin aq para sa u deklaruan në fillim?

Po, fondi ishte 5 milionë, një pjesë i shkojnë spitalit Hygea, pjesa tjetër do të kthehet mbrapsht.

Ju po kërkoni të vini në vend drejtësinë për aksidentin?

Unë shikoj që nuk ka as drejtësi për Agronin. Kjo ndjekja ime është amanet i Agronit. Po shqetësohen institucionet e larta shtetërore të prokurorisë edhe të policisë për këtë djalin që ka bërë aksidentin, që ai të mos pësojë gjë kur ai është fajtori. Po mbrohet ai duke paguar para ndërsa nuk shqetësohen që ai e vdiq një njeri.

Thatë se dje keni qenë në Prokurori?

Shkova vetë, sepse as të ka njeri në hise fare. Dy herë ekspertët e kanë bërë Agronin fajtor, mirëpo ai që e goditi për vdekje është i lirë. Kam një revoltë. 

Sokol Malaj kryeprokurori i Tiranës, është i vetmi ku po mbaj një shpresë.

E njihni shoferin e aksidentit?

Jo për fytyrë. I di emrin, mbiemrin edhe telefonin. I kam telefonuar njëherë dhe i kam thënë të jetë i qetë se Agroni vdiq dhe nuk do të ketë shqetësime personalisht prej tij. 

Çfarë dini tjetër për të?

Thonë që merret me biznes, ka të ngjarë të jetë i policisë private. Makina ishte e bardhë me xhama të zinj, Audi, me targa të huaja. Agroni ishte me këmbët e veta, në atë shëtitjen e zakonshme të mbrëmjes. Për kuriozitet, shikoni regjimin e tij ditor.

(Në një letër të bardhë është shkruar ky program që ishte regjimi i përditshëm i koreografit Agron Aliaj:

Ngritja në orën 8: kafe, gjimnastikë

Ora 09.00 punë në kompjuter

Ora 11.00 dush dhe biçikletë

Shëtitje një orë

Ora 13.00 kthim nga shëtitja. 

Ora 14.00 dreka, pushim 

Mbasdite, punë në kompjuter

Ora 19.00, shëtitje 

Ora 21.00 darka, televizor pak 

Ora 23.00 gjumë)

Një njeri me një regjim të tillë, që atë ditë sapo kishte lënë punën dhe kishte të tjera projekte në Opera, një njeri që e ruan këtë regjim dhe shëtitjen e bën edhe kur është pa qejf, edhe kur është baltë, edhe kur është ftohtë e me rrufë. Ai prandaj kishte plane. 

E di, njeriu duhet të jetë zemërgjerë për aq sa e bëhet, por ndihmë pas vdekjes... më vjen keq por... Vlerësimi bëhet me vepra. Shqipëria është bërë një vend ku punët nuk funksionojë. Që nuk e bënë për Agronin e që gjoja u përpoqën si për një personalitet, do të thotë që shumë njerëz të tjerë janë në mëshirë të fatit. 

Agroni vdiq në një spital të mjeruar, pa ilaçe, pa kontroll. Realiteti është kështu. Më thoni përse të mos kem keq? Për çfarë të kem mirënjohje? 

3 Komente

Mungesa e pastersis, ilaçeve, oksigjenit, fashove, ujtit te ngrohte, etj, kane vite qe ndihen dhe flitet. Per gjith keto vite, nuk u rregullua sado pak gjendja e spitaleve. 

Te vjen keq kur situata te tilla ndodhin dhe me personalitet te cmuara te vendit tone. Deri ne momentin qe luhet kukamfshehti me te tilla figura as nuk dua ta imagjonoj numrin e njerezve te thjeshte qe vriten cdo dite neper spitalet e Shqiperise apo nga persona te papergjegjshem.

Gjynof qe se ka sjell Marini ket ne peshk. Ta kish bo Hopa copa...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).