Vetëm brenda pak orësh nga një njeri prej vërteti ajo u shndërrua në dy iniciale: B.S. Pastaj u dha edhe mosha, 40 vjeç. Pastaj u tha se ishte hedhur në të ngrysur nga një shkëmb pranë Currilave në Durrës.

Dikujt madje, shkëmbi i ishte dukur i lartë, shumë i lartë. 200 metra raportoi një gazetar, gati sa pesë 15 kate a më tepër! Me këtë rast u përdor edhe termi interesant “u vetëhodh”. Më kot pritëm një ditë më pas për të mësuar ndonjë gjë më tepër për historinë e kësaj femre, që vendosi t’i japë fund jetës, duke u shndërruar në dy germa të brishta. Vetëm pakkush i kushtoi ndonjë radhë gazete. Duket sikur vetëvrasja e një femre nuk ka aq shumë rëndësi. Më me vlerë ishin sigurisht, KQZ-ja, mbledhja e LSI-së në një hotel në Greqinë Veriore, kriza greke, ndonjë aksident makine, ku i kalojnë pushimet VIP-at… Trishtim i madh, megjithatë ndoshta është normale kështu. Vetëvrasje ka pasur e do të ketë jetë e mot. Njerëzit edhe lodhen. Nganjëherë çastet e bukura të jetës të duken aq pak sa që dorëzohesh… Porse kjo femër e trishtë, gati-gati misterioze, që bredh në mugëtirë buzë detit një të diel pasdite, ndërsa dëgjohen ende të qeshurat e hareshme të plazhistëve, kjo figurë e pakapshme, të cilën të gjithë duan ta harrojnë dhe jo ta njohin, sepse na kujtoi edhe një herë diskutimet e pafund që janë bërë për gjendjen e femrës shqiptare sidomos në këto vitet e fundit.

Ca me dashje e ca me padashje për shqiptarët është krijuar ideja e një kombi maskilist. I një vendi ku femra ka qenë jetë e mot e nënshtruar dhe kokulur, një skllave më shumë në shtëpi dhe asgjë tjetër. Në fakt, nëse u kthehemi legjendave tona, duket se të parët tanë kanë pasur më shumë respekt për femrën sesa ndoshta vetë ne të epokës postmoderne. Le të kujtojmë disa figura tipike të admirimit që ka pasur shoqëria jonë e vjetër për figurën e femrës, si motër, si nënë, si grua. Konstandini Vogëlith dhe e motra janë kulmi i respektit mes motrës dhe vëllait në një familje mesjetare shqiptare. Legjenda e shkodranes Kaltrinë, vajzës që u vetëvra në ditën e saj të dasmës sapo mësoi se njeriu i saj i zemrës ishte ai, që i kishte vrarë të vëllanë e vetëm, është një rrëfim gati-gati homerik. Argjiroja dhe “argjirotë” e tjera anekënd vendit, gra që lëshoheshin në humnerë bashkë me foshnjat e tyre për të mos rënë në dorë të osmanlinjve, kanë qenë për breza e breza me radhë shembull i një respekti të parrëfyer për dinjitetin femëror. Ajkuna e shoqja e Mujit, është rasti i bashkëshortes, që jo vetëm se është e barabartë, por shpesh është edhe më e fortë se i shoqi i saj kreshnik. Mbase këtu bën përjashtim një legjendë me të cilin krenohemi fort dhe kemi hyrë në garë me fqinjët tanë sllavë se kush e kush e shpiku më i pari. Kjo është historia e Rozafës, nuses së re që u muros në themelet e kalasë së Shkodrës. Kjo në thelb është një histori pabesie mes vëllezërish, po nejse ky është një muhabet i gjatë. Në tërësinë e saj në letërsinë tonë gojore femra shqiptare është një figurë dinjitoze, e respektuar, asaj i merret gjithnjë mendim, atë nuk mund dhe nuk ke përse ta gënjesh, ajo vendos për gjërat më të rëndësishme, për jetën ose për vdekjen. Ajo është aq fisnike sa që askujt nuk i shkon mendja të ngrejë dorë mbi të. Megjithatë, asaj gjithnjë nuk i ndahet një hije trishtimi, një fat i keq i cili bën që historitë e saj të përfundojnë gjithnjë me zi. Mbase ka ndodhur kështu, sepse e tillë ishte jeta asokohe. Ose ndoshta vetë jeta bën që tragjeditë të rrënjosen më fort se sa hareja në mendjet e popullit. Sido që të jetë, të parëve tanë nuk kemi se si t’u mohojmë respektin e thellë për femrën si nënë, si motër, si grua. Për çfarë po ndodh tani nuk kemi të drejtë asesi t’i bëjmë ata me faj.

Shumë herë është bërë me faj Kanuni, nisur nga një fjali e cituar jashtë çdo konteksti: Femra asht shakull për me bajtë. Kritikët e zellshëm të Kanunit nuk shkonin ca më tej e të kuptonin se edhe burrat e qëmotshëm që jetuan në një vend pa shtet nuk e cenonin femrën, ajo nuk binte në gjak, mbi të nuk vihej dorë, ajo nuk cenohej kur shkonte rrugës, ajo ishte në fund të fundit e Zonja e Shtëpisë, ajo që mbante çelësat, pra ekonominë e shtëpisë. Kush e di se kush i mban çelësat sot në shtëpinë e kritikuesve të Kanunit. Në fund të fundit femra shqiptare e këtyre viteve e viseve ishte dinjitoze sa mund të ishte dinjitoze çdo qenie tjetër njerëzore në kushtet e një varfërie pa fund e pa anë.

Historia shumë shpesh bën shakara, me kripë sigurisht. E tillë është edhe historia e “emancipimit të femrës” shqiptare në kohën e komunizmit. Nën ndikimin e Lin Biaos dhe revolucionit kulturor kinez, Enver Hoxha, në 1967, me anë të fjalimit të tij “T’i djegim me zjarr e me hekur zakonet prapanike” nisi një vrull të madh. Ky aksion, që shkoi më pas deri në absurditetin e ndalimit të fesë, pati një anë të mirë. Shumë femra u shkëputën nga familjet, shumë të tjera nisën të zënë punë në ndërmarrjet e mëdha nëpër qytete ku jetohej në kolektiva të përbashkët me meshkuj të ardhur nga fe dhe krahina të ndryshme. Përse të mos e themi, shumë prej vajzave të ndrojtura fshatare u doli turpi nga seksi tjetër. Nisën të njohin mbrëmjet e vallëzimit, shoqërinë e djemve, jetën e përbashkët, dashurinë dhe respektin, deri-diku, sigurisht. Shumë prej tyre kishin një rrogë, gjë që i bënte të ndiheshin të pavarura.

Sot, për fatin tonë të mirë, kemi shumë OJQ që mbrojnë të drejtat e femrave. Ka ende shumë e shumë probleme për t’u zgjidhur, probleme mentaliteti, kulturore, shkollimi, gjendjeje ekonomike. Nganjëherë këto shoqata protestojnë aq fort sa që të gjithë meshkujt e ndjejnë veten si të zënë në faj. E ndoshta ndonjërit edhe i ka vajtur mendja të ngrejë ndonjë shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të meshkujve. Megjithatë OJQ-të bëjnë mirë, sa më shumë të flitet, sa më shumë njerëz që dënojnë dhunën, jo vetëm ndaj femrave, që të ketë, aq më mirë i bëhet vendit, aq më shumë horrat e xhahilët do ta ndjejnë veten vetëm e të izoluar.

Problemi fillon të ngatërrohet kur në këtë mes nis të luajë edhe politika. Kjo kujtohet për femrat sa herë që afrohen fushata elektorale. Jo vetëm që i diferencon dukshëm nga pjesa tjetër e shoqërisë, pra nga ne meshkujt e shkretë, por edhe i trumbeton ato sikur të jenë një minorancë që është shfrytëzuar deri në palcë, që ka vuajtur sa më s’ka, që meriton ku e ku më shumë se sa ka sot, etj… Më një fjalë në pragfushatash zgjedhore lum kush është femër. Vetëm pak ditë më parë, njëri prej dy liderëve tanë kryesorë, duke i folur një salle të madhe mbushur plot me femra tha pak a shumë kështu: Të gjitha ato gabime që janë bërë deri më tani janë bërë nga ne, meshkujt, të gjitha gjërat që do të përmirësohen në të ardhmen do të realizohen nga ju, femrat! Në qoftë shaka, atëherë kjo shprehje është fort e goditur. Në qoftë një kompliment galant, atëherë këtë do ta kishte zili çdo francez. Vetëm se nëse e ka pasur me gjithë mend, atëherë Shqipëria duhet të quhet “Republika e Amazonave” dhe jo “Republika e Shqipërisë”.

Ka një gjë që edhe politikës edhe OJQ-ve nuk u vjen edhe aq për shtat ta thonë. Gjendja e femrës, sikurse edhe ajo e meshkujve, përmirësohet në një vend që rritet përditë ekonomikisht, kulturalisht, mendërisht. Në një familje të mbarë nuk ka arsye që bashkëshorti të ngrejë duart mbi gruan e tij, veç në qoftë i çmendur për t’u lidhur. Në një shtet normal, mundësitë e një vajze për t’u trafikuar si prostitutë janë shumë të pakta. Në një vend të begatë jetojnë po aq mirë si meshkujt edhe femrat. Në një vend që vlerëson të parat vlerat individuale dhe jo seksin, pakkush pyet nëse je burrë apo grua.

Në fund u duhet bërë një kërkesë politikanëve. Mos na ndani kaq prerë more burra në meshkuj mënjanë e femra mënjanë! Po vazhduat kështu si do t’i bëhet me “revolucionin seksual” ende të papërfunduar? Në Francë, në vendin koleg tonin në BE, brenda pak vitesh, këtë fenomen e kujtojnë ende si një ndër arritjet më të mëdha kombëtare e jo vetëm.

7 Komente

Kush u vetvra? smiley

Nuk jepet emri, jepen vetem inicialet, as per shkakun nuk flitet. 

Heu bre !

Po mire, po keta pronaret e gazetave shqiptare, a e kane shoshitur ndopak kete mundesi : te kalohet nga gazete e perditshme ne te perjavshme, ose dhe te perdyjavshme, per ato me te vocklat ne buxhet ?

Duke vepruar keshtu, do te kishim keto perfitime :

- dru mali te prere me pak

- boje ndotese te hedhur me pak ne natyre

- cilesi artikujsh me e larte

- page me e mire per gazetaret

- me pak pune trushpelarese ne ppu

Se si kercehet nga vetevrasja e deshperuar e nje gruaje (me halle te percaktuara) ne nje studim etno-antropologjik mbi grate e Sopotit, kjo do mbetet mister si pasaporta e atij mistrecit, Bozonit, qe i kapercen kufinjte pa pyetur per police.

Pastaj, kush tha se ne France, "revolucionin seksual" e shohin si arritje te madhe kombetare ? Nuk ka degjuar gazetari se sot ka nje zbythje te gjashtedhjeteetetshave ? Se ideologjia e majte e atyre viteve te shkuljes se kalldremeve dhe te parullave CRS=SS, ka zhgenjyer ca si teper grate qe vertet i mbushen ca zgavra me shume, por hapen ca zgavra te tjera, kesaj here ne shpirt ?

Si gjithmone, informacioni qe iu jepet lexuesve shqiptare eshte o i njeanshem, o i vonuar. Rralle here kam pare qe shkruesit te jene ne dijeni te debateve me te fundit te ideve ne Europe. Mund te dine ç'eshte thene ne 1970, 1980, por ç'eshte thene para 3-4 vjetesh apo dhe 5-6 ditesh, kete s'e kam pare. Ca shkaqe te kesaj i marr me mend, por jam i sigurte se edhe ju i merrni me mend. Prandaj, le ta leme ketu, por nese dikush do te komentonte pak mbi lidhjet e ketij shkrimi, do ta degjoja si Abrahami shkurren.

Ky shkrimi Baxhakut kercet nga te gjitha anet.

Kritikon heshtjen e shtypit per rrethanat e vetevrasjes te nje gruaje te mjere dhe vete ben te njeten gje, duke filozofuar si kodra pas bregut. Do ishte me e dobishme per informimin e shoqerise sikur Baxhaku te investigonte pak mbi rrethanat e rastit dhe dianamiken e vetvrasjeve te femrave, te kerkonte statistika, te kuptonte tipologjine e vetvrasjeve, se te tilla ndodhin dhe Danimarke dhe Suedi por atje per ca motive te tjera dhe gati te kunderta.

Fillimi dhe fundi i sociològjise, antropologjise, psikologjise vazhdon te mbetet "Autobiograia e popullit ne vargje" te Kadarese.Ky eshte fillimi dhe fundi dijeve per Baxhakun. Femra ne tradite respektohej me shume thote Baxhaku dhe na sjell ca ilustrime baladash e legjendash. Po edhe portieri hotelit ku bujtin milioneret respektohet.Ne nje shoqeri tradicionale patriarkale, pasi femeres i ishte percaktuar vendi dhe roli,ajo respektohej per ato role, pra te pillte femije, ti sherbente burrit dhe te kishte nje rol instrumental. Brenda konceptit te shoqerise patriarkale nuk ka munguar dashuria e vellait per motren por a eshte argument ky per idealizimin e shoqerise ku femra ishte prone e respketuar  e burrit? Ate vend qe femrat nuk e kane patur ne shoqeri, meshkujt u a kane dhene ne balada e legjenda per te kuruar misogjinine  e tyre.

Zorret te vijne ne gryke kur glorifikohet Kanuni si kushtetute e shoqerise pa shtet per respektin ndaj femres. Por edhe per roberit ka nje kod respekti. Nuk lexohet Kanuni sipas midese dhe ne funksion te rastit. Gruas jepi te haj dhe dajakun mos ja ndaj-eshte e shkruar ne Kanun z.Baxhaku dhe shiko se ne keto paragrafe do gjesh sot nje nga shkaqet e drurit mbi femren e shek 21 jo vetem ne malet tona por edhe ne metropol.

Pastaj cudia e radhes vjen ne formen e komplimentimit te OJQ-ve si promotore te ndryshimit dhe emancipimit shoqeror. Sikur te ishte keshtu. Por ne Shqiperi nuk ka levizje feministe.Ka ca org.joqeveritare qe vjelin fonde per projekte per konferenca ne salla luksoze, per studime pas studimesh dhe asgje me shume. Sherbimet e mirefillta per grate ne nevoje te ngritura prej tyre, as me gishat e nje dore nuk numerohen.

Dhe ne fund vjen shqetsimi  Baxhakut per "revolucionin seksual te paperfunduar".Te jete ironi valle? Se kete revolucioni seksual ka perfundur me sukses te plote, madje jemi ne shoqerine postrevolucion. Pornografi, erotizem, sex, liri seksuale hetero dhe homoseksuale, abort, divorc, prostitucion, trafikim. Por te gjitha ne mungese te lirise dhe autonomise ekonomike.

A mbahet akoma radha ne shqiperi...burrat veç..e grate veç?

E llaka-llaka si gjithmonë. C'ju duhet emri i saj? Apo që të gjeni kujt ti lini fajin? Para se të interesoheni për emrin e të mjerës, interesohuni pak për gratë e burrat që keni afër vetes. Mundohuni të kuptoni si e kanë hallin nëse s'buzëqeshin prej kohësh. Apo janë shumë afër vetes ata?

Baxhaku thote: "Sido që të jetë, të parëve tanë nuk kemi se si t’u mohojmë respektin e thellë për femrën si nënë, si motër, si grua. Për çfarë po ndodh tani nuk kemi të drejtë asesi t’i bëjmë ata me faj."

Cfare anakronizmi? Baxhaku shkruan shume mire, por "kepucar qendroi zanatit" - thote nje fjale e urte gjermane. 

Ne te gjitha historite e lartrrefyera ku sakrifikohet femra e ben kete ne ose ne sherbim te "nderit" te burrit (Argjiroja), te "funksionit" te familjes apo te llacit/komunitetit (rozafa) ose te "gjakut", pra serish te familjes. Nuk eshte respekt, eshte thjeshte "funksion" ne shoqeri, ndarje pune, edhe pse shtazore (i madhi e ha te voglin). 

Jane pikerisht keto histori te shemtuara qe krijojne pritshmerite e formojne rolin e gruas ne shoqerine shqiptare. Ta gadisin gruan per sakrifica, rrezime nga shkembinjte e kasaphana brenda familjes. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).