Ndryshimet e miratuara nga Këshilli Ndërakademik shkojnë larg. Ato prekin strukturën fonetike, metrike e morfologjike të fjalës në gjuhën shqipe dhe, në këtë mënyrë, gërryejnë themelet e drejtshkrimit, të drejtshqiptimit e të morfologjisë së gjuhës

Një javë më parë u mbajt në Tiranë mbledhja e Këshillit Ndërakademik për gjuhën standarde. Në njoftimin për shtyp të kryesisë së këtij Këshilli thuhet se tema e diskutimeve ishte “Drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar në shqipen standarde” dhe se, sipas rregullores së Këshillit, “ishin hartuar më parë dy parashtresa lidhur me çështjet problemore të drejtshkrimit të kësaj zanoreje, që shërbyen si bazë e material referimi për diskutimet e anëtarëve të Këshillit”. Më tej, në këtë kumtim lexojmë: “Diskutimet qenë të hapëta, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për t’i shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj.”

Vërejmë që në fillim se diskutimet për këtë zanore kanë qenë vërtet “me frymë bashkëpunuese”, po për të prishur atë që është ngritur me përpjekjet e disa brezave gjuhëtarësh. Nuk mund të flitet as për diskutime “me argumente shkencore”, përderisa në mbledhjet e Këshillit kanë munguar specialistët e drejtshkrimit, ata që e kanë këtë fushë objekt të veprimtarisë së tyre shkencore a pedagogjike dhe që e kanë dëshmuar këtë njohje me botimet e tyre. Po të shprehemi në mënyrë të figurshme, në gjyqin që i është bërë ë-së së patheksuar (në njoftimin e mësipërm zbulohet padashur se goditja kryesore është drejtuar ndaj saj, si thembra e Akilit e drejtshkrimit të shqipes) kanë qenë të pranishëm vetëm “prokurorët”, që kanë kërkuar dënimin me vdekje të saj, po kanë munguar “avokatët mbrojtës”. Një gjyq komunist apo fashist, quajeni si të doni.

Për të mos u marrë ky pohim yni si një akuzë e rëndë, le t’i kthehemi pjesës tjetër të pohimit se “sipas rregullores së këshillit, ishin hartuar më parë dy parashtresa”. Sqarojmë paraprakisht se pranë Këshillit Ndërakademik vepron edhe një komision i drejtshkrimit, ku secila akademi përfaqësohet me grupin e vet të ekspertëve që relaton për problemin në shqyrtim. Por a kanë qenë të dy parashtresat të hartuara nga grupet përkatëse?

Në këtë pikë, pala e ASHAK-ut është në rregull: ajo është përfaqësuar në mbledhjet e zhvilluara me grupin e vet, i cili ka paraqitur relacionin e tij. Kurse pala e ASHSH-së nuk është përfaqësuar me grupin gjegjës, relacioni fundit i të cilit është i vitit 2006. Që nga riaktivizimi i Këshillit Ndërakademik më 2010-ën, komisioni drejtshkrimit nuk është mbledhur asnjëherë, madje nuk dihet me saktësi edhe se cilët janë anëtarët e tij. Kryetar i tij ka qenë prof. Emil Lafja, i cili, sikundër e bëri të ditur publikisht, e ka pezulluar pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit Ndërakademik që në fillim të këtij viti, për një varg shkaqesh që ia ka bërë të njohura me dy promemorje Këshillit Ndërakademik. Kështu që mungesën e parashtresës së grupit të Tiranës bashkëkryetarët e Këshillit e kanë parë të udhës ta  “kompensojnë” me një relacion të akademikut Kolec Topalli, i cili nuk është as anëtar i grupit të drejtshkrimit (me sa jemi në dijeni), as specialist i fushës. 

Pra, është shkelur rregullorja që vetë ky Këshill ka miratuar dhe kjo e komprometon këtë mbledhje, si dhe gjithë veprimtarinë trevjeçare të Këshillit, i cili ka funksionuar me një dhe jo me dy grupe për drejtshkrimin. Do të pritej nga një institucion si Akademia jonë e Shkencave, e cila ka për detyrë të mbrojë kulturën, historinë dhe gjuhën kombëtare, që të kërkonte funksionimin normal të strukturave që ka miratuar. Ajo nuk duhet të lejonte votimin në mungesë të katër anëtarëve të Këshillit, dmth. të një të katërtës së tij, konkretisht të akademikëve Ethem Likaj e Gjovalin Shkurtaj dhe të prof. Emil Lafe e Shezai Rrokaj. Në mungesë të tyre, u votua 7 me 6 për ndryshime të thella në drejtshkrimin e shqipes. Por situata në terren nuk kështu, pasi opinioni i gjerë i studiuesve dhe i lëvruesve të shqipes tejembanë trojeve shqiptare e në diasporë është kundër ndërhyrjeve të thella në normat e gjuhës, kurse këta që fituan me një votë më tepër, përfaqësojnë vetëm një pakicë. 

Sikundër zbulon prof. Emil Lafja në promemoriet që i ka dërguar këtij Këshilli, që në fillim aty është punuar me mënyra joluajale për krijimin e një shumice të atyre që deri dje e kanë sulmuar gjuhën standarde, duke kërkuar kthimin te dialektet ose pluricentrizmin (tri variante gjuhësore), sipas modelit të ish-Jugosllavisë. Me prapaskena të tilla janë mënjanuar a përjashtuar nga ky Këshill dhe nga komisionet e tij ata që e shohin gjuhën standarde si një arritje të madhe kombëtare dhe që shquhen për ndihmesat e tyre në kodifikimin e normave të saj. Për të pasur dorë të lirë në punët e veta, kryesia e këtij Këshilli ka përjashtuar edhe dy institucionet që kanë përballuar gjithë punën për kodifikimin e normave të gjuhës standarde: Institutin e Gjuhësisë në Tiranë dhe departamentin e gjuhës shqipe të UT, në gjirin e të cilave janë edhe njohësit më të mirë të çështjeve të drejtshkrimit.

Thirrja jonë drejtuar Akademisë së Shkencave është që të mos e njohë këtë vendim të Këshillit Ndërakademik dhe ta shpërndajë këtë Këshill, pasi, duke praktikuar metoda pune të padenja për një forum shkencor, po i bën dëme të mëdha gjuhës. Përndryshe, duke tumirur veprimtarinë që nga fillimi jonormale të përfaqësuesve të saj në Këshillin Ndërakademik, Akademia jonë e Shkencave bëhet de facto bashkëpunëtore në një vepër që nuk i shërben unitetit, po përçarjes kombëtare. Dhe nëse ajo nuk mbron çështjen kombëtare, atëherë shtrohet pyetja: cila është arsyeja e ekzistencës së vetë Akademisë? për çfarë na duhet një institucion i tillë? 

Sa i përket reformës së drejtshkrimit, ashtu si dhe shumë gjuhëtarë të tjerë që mbajnë një qëndrim të moderuar, autori i këtij shkrimi është i mendimit se duhen bërë përmirësime në pika të veçanta, por jo ndryshime rrënjësore sikundër propozohen. Ndryshimet duhet të synojnë drejt zgjidhjeve sistemore dhe në këtë pikë nuk e kundërshtojmë z. Topalli. Madje, mjaft nga zgjidhjet që ai përmend në intervistën e tij, autori i këtij shkrimi i ka jetësuar në një vepër të madhe të botuar një vit e gjysmë më parë (lexuesi le të krahasojë shembujt në intervistën e z. Topalli me zgjidhjet që kemi dhënë në “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (2011), që akademikut nuk ka si të mos i ketë rënë në dorë). Por s’mund të pranohen ato zgjidhje që nuk marrin parasysh rregullat fonetike, ku akademikët që kanë votuar për këto ndryshime të thella dëshmojnë mungesë të theksuar kompetence, si p.sh. duke njësuar mjekësi me popullsi, mjeshtëri me mjeshtri, të cilat kanë strukturë theksore të ndryshme të temave a të theksimit, apo mjeshtëror me ministror që kanë strukturë të ndryshme të grupeve të bashkëtingëlloreve para grupit -ër. Shkurt, nuk mund të pranohen propozimet e tyre për mosshkrimin e zanores ë : në fjalët e përbëra nga temat vetë e gjithë (vetvendosje, gjithkohor në vend të vetëvendosje dhe gjithëkohor), ku ata ngatërrojnë formimin e fjalëve me përngjitje (vetvetiu, gjithmonë) me formimet me bashkim të dy temave  (vetëvendosje, gjithëkohor); në fjalët e prejardhura të formuara nga tema me ë  fundore dhe prapashtesa që nisin me bashkëtingëllore (antar në vend të anëtar) apo në kompozita si anshkruaj për anëshkruaj; si zanore mbështetëse që mënjanon grupet e vështira të bashkëtingëlloreve dhe i jep një strukturë ritmike fjalës (kombtar në vend të kombëtar); dhe shumë propozime të tjera, të cilat vetëm sa ceken në intervistën e z. Topalli
Për të mos u zgjatur në hollësi që do ta lodhnin lexuesin, ndryshimet e miratuara nga Këshilli Ndërakademik shkojnë larg. Ato prekin strukturën fonetike, metrike e morfologjike të fjalës në gjuhën shqipe dhe, në këtë mënyrë, gërryejnë themelet e drejtshkrimit, të drejtshqiptimit e të morfologjisë së gjuhës standarde. Arsyeja e kundërshtimit të ndryshimeve prej gjuhëtarëve që po shqiptohen të shqetësuar në faqet e shtypit të përditshëm dhe në televizionet, është se autorët e këtyre ndryshimeve nisen nga premisa të gabuara. E gabuar është shpallja prej tyre e parimit fonetik si parim absolut i drejtshkrimit, kur në të vërtetë në drejtshkrimin e shqipes mbizotëron parimi morfologjik, i cili i ruan më mirë format e fjalëve dhe, rrjedhimisht i vë fre gërryerjes së formave të fjalëve, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e gjuhës. Propozimeve të miratuara u mungon edhe argumentimi shkencor: përkrahësit e ndryshimeve nuk mbështeten në argumente fonetike, në të dhëna për strukturat rrokjesore a grupet e bashkëtingëlloreve që krijohen nga mos shkrimi i ë-së, për pasojat morfologjike të këtyre ndryshimeve etj.: i vetmi argument i tyre është të mos shkruhet, se folësit nuk e shqiptojnë dhe instrumenti fonetik për ta provuar këtë është veshi i tyre dialektor, asnjë matje akustike, asnjë studim i mbështetur në metoda objektive.
Në fund të intervistës së tij, akademiku K. Topalli përpiqet të qetësojë opinionin duke deklaruar: “Këshilli Ndërakademik nuk ka tagër që të ndryshojë atë që është vendosur në një kongres, por është një këshill që studion, hulumton dhe propozon ndryshimet që mund t'i bëhen drejtshkrimit. Më vonë do të studiohen mënyrat se si mund të kthehen në rregulla ndryshimet e propozuara.” Por pyetjes së gazetares: “Cili do ta ketë tagrin?, i përgjigjet:  “Nuk mund ta them sepse nuk është diskutuar kjo. Ne si akademikë studiojmë e hulumtojmë.”

Gjuha shqipe studiohet në institucionet që janë ngritur posaçërisht për studimin e saj, siç janë Instituti i Gjuhësisë në Tiranë, Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe departamentet e gjuhës shqipe në universitetet publike të hapësirave shqiptare. Këto mbajnë barrën e madhe të studimit të shqipes dhe jo pesë a gjashtë akademikë të të dy Akademive. Detyra e akademikëve është t’i mbështetin këto institucione në veprimtarinë e tyre kërkimore dhe jo t’u bëjnë karshillëk apo të krijojnë institucione paralele për t’u zënë frymën, sikundër po bëjnë. 

Pohimi i z. Topalli se akademikët “studiojnë e hulumtojnë” fsheh edhe një kumt tjetër. Akademikët autorë të ndryshimeve të propozuara ndoshta po përpiqen se si të gjejnë format dhe rrugët për t’i anashkaluar këto institucione dhe për t’i bërë fakt të kryer ndryshimet me anë të ndonjë “konference shkencore” si ajo e Durrësit 2010, ku të ftojnë mbështetësit e tyre. Kjo do t’i damkoste ata me njollën e përçarësve.

23 Komente

Eh, shyqyr qe nuk jemi te fushes, se me siguri do te na quanin sabotatore te lukunizuar dhe do te na plasnin brenda.....

Edhe pa këtë shkrim përpjekja ndërakademike dukej qartë se ishte a është një përpjekje jo profesionale e shkencore por një përpjekje përçarëse jo e drejtëpërdrejtë për të sulmuar standartin drejshkrimor mfsheshur pas emërtimit "ndërakademik" e dialektorëve inatçorë që s'duan t'a kuptojnë rëndësinë e madhe politike e historike të një gjuhe normative shkencore e jetëgjatë për një komb."Gryerja" e fjalëve është shtrembërimi më i madh që mund ti bëhet një gjuhe vetëm repistave i lejohet për arsye profesioni por jo gjuhëtarve qofshin dhe dialektorë.40vjet drejtshkrim i një gjuhe janë shumë pak për të kaluar në ndërhyrje qofshin dhe të domosdoshme në një kohë kur asgjë nuk funksionon normalisht në shtetet shqiptare që janë pothuajse rrumpallë e përgjithshme për gjëra shumë më pak të ndjeshme e shkencore.Por përçarsit dialektorë duan t'i shfrytzojnë këto kohë të turbullta. 

Mos u nxitoni! Shembujt e K.Topallit që i ndoqa mbrëmë në intervistën në Top Channel, ishin bindëse, ku bie "ë"-ja, ku shtohet, ku ndrron qendrim, etj. Bindëse është edhe argumenti, "gjuha evolon". Është "hasm", bëhet "hasëm". Ramiu thotë se ky ndryshim të çon larg. Ku dreqin të çon, se s'po marrim vesh gjë? Mirë thotë alidemsi, shyqyr që s'jemi të fushës.

Pse paragjykohen ndryshimet? E keqja qëndron tek armiqësia që po kultivohet prej 20 vjetësh mes gegve e toskëve, mes gegnishtes e standartit. Tani që  institucionet i zotërojnë ata, dmth, "malokët" (ndjesë për zhargonin, por e përdor si e përdor rruga) dyshimet janë mprehur edhe më, me vëmëndjen se, "kujdes, po veprojnë për të bërë keq!" Kaq shumë është thelluar ndarja e qëllimshme Jug-Veri, sa disa akademikë kosovarë kanë alergji nga fjala "Kombëtarë". Ato 50 fjalë që bie K.Topalli, me nevojën e ndryshimit të "ë"-së, personalisht, unë si Tosk dhe lëvrues i shqipes standarte, i pranoj si të domosdoshme. Edhe njëherë, mos nxisni më helm. Plot paudhësira janë bërë e thënë për shipen standarte, por këto ndryshimet e fundit, mendoj e besoj se nuk i drejtohen dëmit, por evoluimit. Memushaj dhe Lafe, bëjnë mirë që dyshojnë, por s'duhet të paragjykijnë. Në këtë rast, nuk kanë të drejtë.

Ato 50 fjalë që bie K.Topalli, me nevojën e ndryshimit të "ë"-së, personalisht, unë si Tosk dhe lëvrues i shqipes standarte, i pranoj si të domosdoshme. 

Le të themi të nevojshme, nëse janë të drejta. Në intervistë, ky historiani geg pohoi se ka patur zëra kundër, por sipas tij shumica ka qënë dakort me ndryshimet.

Mirëpo, një nga ato zërat, që është kundër, ka pohuar që nënës tani do t`i themi nans dhe babës babs. Këtë nuk e pergënjeshtroi ky shkencëtari geg. Pra, bie ë-ja sipas një llogjike përjashtuese që e kushtëzon marrja e një rroge dhe ligësia e një Topalli geg që urren. Unë kështu e besoj këtë.

Memushaj dhe Lafe janë pjesë e diskutimit, që ky gegu i quajti zëra kundër.

Si mendon se del bilanci nëse votohet për ndryshimet nga vetë këta akademikët? 

Nuk është paranojë, besoj, por frikë. Po vijnë barbarët !

Koth! Jo babës, por "babs", jo nanës, por "nans", mesa di, ka dalë nga Memushaj, në gjegje të kërkesës për një intervistë, pasi Lafe botoi letrën, e thënë në këmbë e me nxitim. Dukej që, e shoqëruar me pezm, qëllimisht e degjeneroi deri në tallje. Enkas, një gazetareje të kulturës, miqësisht i kam kërkuar të hyjë tek "strofka" ku gatuhet gjëma dhe më the se nuk ishte e vërtetë. Ishin pikërisht këta dy emra, për të cilat thuhej se hiqej "ë"-ja, që ngjallën diskutim e dyshime.

E dëgjova Memushaj-n sot në TCH.

Përjashtimi nuk bën rregullin tha dhe e dyta, sot nuk mu duk i rrëmbyer e me nxitim , shqipja tha nuk ka rregulla drejtshqiptimi dhe është absurde të vendosësh mbi baza fonetike dhe jo morfologjike. 

Ai e quajti Kolecin geg pothuaj profan të drejtshkrimit, krahasuar me Lafe.

E dëgjova edhe unë Koth, por nuk tha se pse deri tani na kanë thënë e stërthënë parreshtur që "Shqipja shkruhet ashtu siç flitet"?

Na kanë thënë vërtet, por kjo nuk i jep të drejtë ai fytyrmeitit geg të bëjë si t`i dojë palla me gjuhën.

Interesant argumenti që dha se nëse bazohemi mbi baza fonetike për drejtshkrimin, atëhere brezat qe vijnë nuk do arrijnë dot të kuptojnë gjuhën e sotme të shkruar.

Hasëm kur të shquhet do bënte hasëmi por do shqiptohet hasmi si tja bëjmë me "ë"-në apo një herë ta vejmë e një herë ta heqim dhe ky fenomen ndodh pothuajse me të 50 fjalët.Po problemi nuk është vetêm tek fjalët por tek mungesa e organizimit të akademisë si mund ti besosh kur specialistët më të mirë nuk janë aty.Përderisa M.çeliku është kundra dmth se kjo nuk shkon .Pastaj të gjitha këto fjalë janë shqyrtuar në këto variante që para vendosjes së drejtshkrimit pra ka qenë një problem i njohur .Asnjë evolim ska tek fjala hasm-kështu ka qenë shqiptuar dhe në 1970 "hasëm" pra ështê thjesht një alibi për të hapur rumpallën dhe në gjuhë si në çdo fushë tjetër të vendit.

Te gjitha keto do te eleminohen me rifutjen ne gjuhe te fjale turke qe u hoqen nga rregjimi i Enver Hoxhes

Admina, seksjoni Gjuhsi muncisht ju lutem smiley

+1  vrejtje me vend!

prit i cik mi 

s'du smiley 

U trash shumë kjo puna e "gegëve" më duket mua. Këtu diskutohet me emra, sepse po flitet për një grup të ngushtë personash ku nuk ka sens "përgjithësimi". 

P.sh fakti që zoti Kolec na shpaloset me gjithë neverinë që përmban nuk e bën zotin Gjovalin Shkurtaj më pak dinjitoz pse janë të dy shkodranë. 

Mua më duket i drejtë mendimi që ndryshimi duhet të jetë tek EV-EU.

Përdorimi pak i tepërt i "v" në vend të "u" duket si ndikim i përkthimeve nga rusishtja ku "u" shpesh zëvendësohet me "v". Psh në librat e vjetër mund të gjeni me shumicë qyfyre të tipit:

Vashington, Duka Velington apo viski. Këtu hyn edhe "Evropë" që realisht duhet Europë. 

p.s. se na u kujtua "viski": Ne andej.... Ju andej njomni gërrmazin me viski dhe nuk ua përzhit kokën zjarri i xhehenemit të kuq. 

Këshilla (nëse do ta quajmë të tillë, se nuk ka patur ndonjëherë vendimmarrje) për "Europë" në vend të "Evropë", ka qarkuar në redaktorë e korrektorë që më 1984-85 , dalë nga Instituti i Gjuhësisë. Argumenti ishte mëse bindës. E përdor "Evropë", pra me "v", ay grup gjuhësor që nuk ka ose nuk përdor diftongun, në këtë rast "eu", siç janë rusët, grekët e ndonjë tjetër.

ore po ambasadoret, (Arvizu , danezi, hollandezi ai BE etj), jane pozicionuarsmiley  per problemin e gjuhes... kur duhet perdorur ''ë-ja'' ne standart e kur jo?

Petro, a ta hedhim me mire ne referendum?

Se ty te ka bindur Topalli, dmth, ka bindur ndonje qe "nuk eshte i fushes".

Ketu(kortezi e AV) ke listen e atyre qe moren pjese ne Kongres.

Shume prej tyre jane ende gjalle.

Cilin prej tyre ka bindur llogjika argumentative e Topallit? Cili prej tyre u pyet?

Ju më ngacmoni kot. sepse e dini shumë mirë që çështjet gjuhësore dhe problemet e saj nuk zgjidhen me shumica në dëm të pakicës. As institucionet akademike nuk kanë vendosur ndonjëherë me shumicë duarsh pro, por zgjidhen me argument e llogjikë teorike. Ata që kanë mbaruar për gjuhë e dinë se ajo ka ligjësitë e saj, pothuajse metematikore. Personalisht nuk ndjek tendencat e Topallit, por në rastin konkret dëgjoj argumentin dhe them: këta, jo gjithmonë duhen paragjykuar për çdo gjë.

Ne te njejten llogjike te ketij komenti, a mund te me thuash se kush e vendosi qe drejtshkrimi ka probleme, dhe si eshte vendosur. Me ngritje duarsh apo debat profesionistesh te fushes?

Nuk po te ngacmoj... thjesht nje dore muhabet po bejme. smiley

cdo njeri qe ka respekt per veten nuk mund te mos bjere dakord me artikullshkruesin ,se ku te con llogjika e topall-shllakut.nuk mund te merren me gjuhen kombetare armiqte e saj krahinariste.

Duhet te jemi shume koservatore kur vjen puna per gjuhen. Ndoshta eshte e lehte te ndryshosh dicka ne gjuhe, por do te jete teper e veshtire per te riparuar pastaj demet qe mund t'i behen gjuhes dhe te gjithe komunkimit ne nje shoqeri te qyteteruar.

Perafrimi i gjuhes se shkruar me ate te folur me duket nje tendence e gabuar. Nuk shoh arsye p.sh. se pse "anetar" duhet te shnderrohet ne "antar". Edhe pse "e"-ja (e kam fjalen per "e" me dy pika, c't'i bej tastieres anglisht te laptopit!) ne kete rast eshte e patheksuar, nuk e kuptoj pse ky nxitim per ta eliminuar ate teresisht nga kjo fjale... Cfare fitojme ne kete mes, renie shkurt? A behet kjo per pragmatizem? Me duket se ne kete menyre cenohet nje bukuri estetike qe ka gjuha e shkruar standarte.

Memushaj i sheh keto tendenca me plan krahinor dhe politik. Mbase ashtu jane vertet. Ne dy a tri raste ne kete blog kam ngritur zerin per gegnishen dhe geget. Por them se nderhyrje te tilla ne gjuhen standarte jane te nxituara dhe te pamatura. Shpesh perdoret metafora se gjuha eshte nje organizim i gjalle, gjithmone ne evoluim e siper. Por po kjo metafore mund edhe te na beje te mos harrojme se si cdo gje tjeter e gjalle, gjuha do goxha kujdes kur trajtohet. Eshte si nje bime qe nuk duhet prekur nga jospecialiste. Eshte si nje peme deget e se ciles kurrsesi nuk duhen prere me sepate.  

Profesuer Topallin e kane pyt or tie :

E shka asht ajo fjale qe Nrysh shkruhet e Nrysh lexohet ne Shqip

Njaj Akademik e Profesor Topalli a dashe kohe me u menue dhe ...se ka dite

Ka nderhye njaj Gjuhtar i madh prej Vlone ai aktori qe luan tek parodistet e Vlores dhe ja ka njiite te verten ne sye

Vete fjala nrysh ....

Po zhdukini keta Bole me Topall nga cdo fushe e botimeve SOT . Jo vetem qe jane te paafte , Spekulatotr po nuk kaane asnje Merit e asnje centigram kontribut ne te foluren e te shkruaren e Shqioptareve .Per me teper nga servilizmi e hipokrizia nenshtrimi skllaveror e c'ti numurosh cilesite negative te ketij Vemjeje , ne cdo nderhyrje duhen Vleresuar tamam sic jane ...Ngatrestare me prapvija Gjithmione te Dyshimta .

E shumta e kredibiletit qe mund tu jepet kesaj kategorie eshte nje miratim me koke te shoqeruar me Bravo HAJVAN ! Dhe gjithe Hajvanerise qe vjen prapa tij si Keshill Akakademik a nder -fer- per- akademik do ti rekomandonim nje pergjigje Shkencore Kunde Encikloedis Maqedonase !

Akane BOLE keta sqeper te babasqapit apo i ka tredhur dhenderi Serbevve ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).