Ti më gjete si një zaje që dikush e merr në ranishte

si një send të çuditshëm, të humbur

që s'dihet për ç'punë ishte

Si një algë mbi një sekstant

që batica e flak nga rëra

si një mjegull te dritarja

që don veç të hyjë brenda

si një dhomë hoteli e bërë rrëmujë dhe e panderqur

një ditë pas festës plot letra i kanë hedhur

një kafshë pylli që drita makinash e rrethojnë me një rrjetë

si një rojë nate që kthehet nëpër mëngjesin e zbehtë

si ëndërr e padavaritur mirë në burgjet me terr të zi

si marrosja e një zogu që gabimisht ka hyrë në një shtëpi

si shenja e kuqe e unazës në gishtin e një dashnori të tradhtuar

një veturë e braktisur në mes të një tokë të shkretuar

si letra e grisur që rrugëve përhapet prej erës

si shenja që dielli la në duar pasi iku stina e verës

si vështrimi i hutuar i një njeriu që gabimin e tij drejt e kupton

si plaçkat e lëna fillikat në një stacion

si një derë, a ndoshta një kanat që përplaset diku

gjurma e njëllojtë e rrufesë që ra në një zemër a në një dru 

 një gur që në kujtim të diçkaje buzë rrugës e kanë vendosur

 një dhimbje që si ngjyra e ekimozave s'ka të sosur

si sirena e kotë e një anijeje larg në det

si pas shumë kohësh në mish, kujtimi i thikës së mprehtë

si kali i arratisur që pi ujë turbull në hurdha

si një jastëk që në një nate ankthesh u bë zhubra-zhubra

si një sharje nëpër dhëmbë kur syri i lënduar të dhemb

si zemërimi kur sheh se nën qiell s'ka ndryshuar gjësend

Ti më gjete nëpër natë

si një fjalë që s'e merr dot prapa

si një endacak që për të fjetur

shtrihet ku mundet tek vatha

si një qen që mban inicialet me emrin e një tjetri

si njeri i ditëve të shkuara

që sa nuk pëllcet nga mllefi.

 

 

2 Komente

e bukur ! sa shumë krahasime për një gjendje.

ti me gjete...

po dhe une te kam gjetur.

Me fund! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).