Zoti Xhufi, pas zgjedhjes së Presidentit LSI-ja ndryshoi tre krerët e ministrive që ka në qeveri. Por më shumë se ndryshime, u dukën si rrotacione në bazë të premtimeve të dhëna më parë për personat që dolën dhe hynë nga qeveria. Cili është komenti juaj?

Mendoj se vetë heshtja e përgjithshme që shoqëroi këto lëvizje ministrore flet qartë për impaktin “hiç” të tyre. Askush, as nga populli aty poshtë, as nga qeveria aty lart, madje as nga opozita aty-askund, nuk shprehu ndonjë ndjenjë për këto ndryshime drastike brenda qeverisë së mazhorancës: keqardhje për ministrat që ikin, mirëseardhje për ministrat qe vijnë. Të gjithë këta u trajtuan si një lëvizje e thjeshtë “zaresh”. Asnjëri prej tyre nuk u emërua ose u çemërua për arsye pune, apo performance. Edhe vetë protagonistët e këtyre ndryshimeve, z.Berisha e z.Meta, kësaj radhe nuk denjuan t’u kushtojnë qoftë edhe ndonjë frazë kortezie, siç e do zakoni, ikësve apo ardhësve. Kujtoni që z.Berisha gati u përlot kur u nda nga ish-ministri Prifti. I bëri një vlerësim si prej Kryeministri të ardhshëm, aq sa i shkaktoi të dridhura edhe vetë liderit të LSI-së.

Ndërkaq, të gjashtë ministrat e lëvizur të LSI-së heshtin si peshku në ujë. Vetëm njëri prej tyre bëri të habiturin për emërimin e tij të “papritur”. Por edhe më budallai i fshatit e di mirë që ky iu bashkua LSI-së me kontratë, dhe këtu e ndonjë vit më parë, kur e ndjeu se kontrata nuk po zbatohej “në kohë”, e trashi zërin dhe filloi të flasë poshtë e përpjetë kundër partisë dhe kundër ministrit të partisë së vet, të cilit donte t’i zinte vendin. Gjykoj që me këtë personazh, zotin Meta do ta pjellë shumë shpejt belaja. Me t’u dhënë rasti, do të jetë i pari që do t’i lerë pendët.

Si diplomat, mendoni se ministri i Jashtëm duhet të ketë lidhje me politikën e jashtme apo mund të jetë edhe një emërim politik? Dhe si ish-koleg në LSI me zotin Edmond Panariti, a keni një vlerësim tashmë që do të mbajë postin e ministrit të Jashtëm?

Si ish-drejtues i LSI-së, unë kam patur gjithnjë një marrëdhënie respekti, besoj, reciprok me z.Panariti. E kam vlerësuar dhe e vlerësoj për dijen dhe për qytetarinë e tij. Është një shkencëtar i vërtetë, dhe në këtë kuptim, më vjen keq si për veten time, kur shoh që Edmondi po largohet gjithnjë e më shumë nga ajo që është fusha e tij e vërtetë e betejës, që është shkenca. Sigurisht, çdo qeveri e ka të nevojshëm edhe kontributin e njerëzve të shkencës. Por nuk është rasti i kësaj qeverie. Dhe aq më pak nuk është rasti për politikën e jashtme, e cila përcaktohet nga interesa e nga lidhje të dyshimta të liderëve politikë me mjedise mafioze e masonike antishqiptare. Kjo qeveri është e tillë që i kërkon ministrit të Ekonomisë të shesë deri dhe pasuritë e fundit të vendit, deri dhe skeletet e uzinave e shinat e hekurudhave; që i kërkon ministrit të Arsimit të shkatërrojë shkollën publike, në mënyrë që të lulëzojnë shkollat private të qeveritarëve; që i kërkon ministrit të Mbrojtjes të bëjë tregtarin e armëve; që i kërkon ministrit të Bujqësisë të rrënojë prodhimin e brendshëm, për të mbytur tregun me produktet kancerogjene të ortakëve ballkanikë të pushtetit; që i kërkon ministrit të Mjedisit të merret me importin e plehrave dhe ministrit të Shëndetësisë të mbyllë spitalet publike dhe të hapë klinikat private; dhe në fund, kjo është qeveria që nga ministri i saj i Jashtëm kërkon të firmosë deri edhe marrëveshje antishqiptare e antikushtetuese, si ajo e detit apo e memorialeve greke. Megjithatë, për ta çdramatizuar dhe meqë me z.Panariti kemi bërë dikur edhe ndonjë shaka, parashikoj se sfida e tij e parë si ministër i Jashtëm do të jetë relativisht e lehtë, do të jetë…mësimi i gjuhës kineze. Unë e di që ai njeh në mënyrë të shkëlqyer gjuhët angleze, gjermane, italiane, franceze e ndonjë tjetër. Por këto nuk hyjnë shumë në punë për nismën më të re planetare të shpallur nga Kryeministri, atë të rihapjes së “Rrugës së Mëndafshit”.

Ambasadori i ShBA-së, Arvizu, duke shprehur zhgënjim për mosarritjen e konsensusit në zgjedhjen e Presidentit, u shpreh se ai u zgjodh nga treshja Berisha-Meta-Rama (ky i fundit me mosveprimet tij). Kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes?

Për mendimin tim, me zgjedhjen “alla Berisha” të presidentit, humbën të gjithë. Humbëm ne shqiptarët, që po braktisim gjithnjë e më shumë Europën duke u zvarritur pas marrive sado-mazokiste dhe eurocide të politikës. Humbi demokracia, humbi Kushtetuta e sigurisht humbi institucioni i Presidencës. Me maskaradën që shoqëroi nga fillimi deri në fund procesin e zgjedhjes së presidentit, kryeministri Berisha arriti ta kthejë në rrënojë edhe këtë bastion të sistemit demokratik në Shqipëri. Pasi e ktheu administratën publike në një strofkë militantësh të paditur e fanatikë; pasi i ktheu prokurorinë e gjykatat në zyra “pajtimi” me krimin; pasi e ktheu policinë në mburojë të antiligjit e të bandave; pasi e ktheu ushtrinë  në të kundërtën e vet, në një trup gjithnjë e më të huaj për shqiptarët, në një grusht mercenarësh shëtitës, që kundrejt pagesës janë gati të luftojnë edhe për malet e Nepalit, por jo për tokën e të parëve. Pra, pasi e ndërtoi kështu, sipas fytyrës së vet, demokracinë shqiptare dhe institucionet e saj, z.Berisha, më në fund, e ktheu edhe Presidencën në një simbol të pafuqisë e të jargavitjes partiake. Tani mund të themi që jetojmë të lirë e të lumtur në mbretërinë e tij. Në një mbretëri, apo le të themi oligarki, si kjo e jona, rrethi i aktorëve është ngushtuar në emrat e tre personave të përmendur nga ambasadori Arvizu. Sigurisht, në këtë shfaqjen e radhës me president, protagonisti ishte vetëm një, z.Berisha. Dy të tjerët, edhe kur u duk sikur hidhnin shqelma, nuk bënin tjetër vetëm se rolin që u kishte caktuar regjisori Berisha, atë të figurantit, që ka për detyrë vetëm të përligjë lojën e protagonistit.

Keni folur për rolin e kreut të LSI-së, Meta, në zgjedhjen e Presidentit, por nuk keni folur për rolin e zotit Rama. A mendoni se i bëri të gjitha lëvizjet që i lejonin rrethanat e lojës politike dhe numrat që ka në Kuvend?

Si kundërshtar i bindur i ndryshimeve kushtetuese dhe ish-grevist, më duhet të them që zgjedhja e Presidentit është rasti i dytë, pas zgjedhjeve të vjedhura të 2009-s,  kur z.Rama duhet ta ketë ndjerë deri në thellësi të shpirtit shijen e çorbës berishiane, që pranoi ta gëlltisë symbyllur në vitin 2008. Kushtetuta e arnuar i lejonte opozitës vetëm rolin e një aktori fiktiv në procesin tashmë të kopsitur të zgjedhjes së presidentit. Në këto kushte, zotit Rama nuk i mbetej veç ta shfrytëzonte politikisht këtë moment, në funksion të imazhit e të zgjedhjeve të ardhshme. Ne e dimë mirë se cili është përfytyrimi që z.Berisha ka për Presidentin e Shqipërisë: një noter i tij personal. Por nuk dimë sot e gjithë ditën sesi e përfytyron Edi Rama figurën e qytetarit numër një të Republikës. Aq më pak, nuk e konkretizoi atë qoftë edhe me një emër. E la të ikë edhe këtë rast, që s’është i vetmi, për t’u treguar shqiptarëve se ç’kupton ai konkretisht me sloganin e radhës “Rilindje shqiptare”.

Për shembull, cili do të ishte “rasti tjetër” i mosangazhimit të z.Rama në funksion të këtij slogani të tij të ri?

Për shembull, jemi në vitin e madh të 100-vjetorit dhe pikërisht ky është viti që z.Berisha e ka zgjedhur për të përmbysur historinë dhe vlerat më qenësore të kombit shqiptar. Në bisedat që njerëzit bëjnë çdo ditë, shumëkush pyet: si është e mundur që PS dhe kryetari i saj heshtin, kur Sali Berisha fyen emrin dhe veprën e Abdyl Frashërit, Vaso Pashës, Ismail Qemalit, Dom Nikollë Kaçorrit, Fan Nolit e Bajram Currit, për t’i bërë hosanara e për t’i ngritur monumente skotës së horrave politikë, që këtë vend e kanë shitur dhe e kanë rrjepur sa herë kanë dashur? Si është e mundur që z.Rama nuk reagon kur Akademia e Shkencave përjashton politikisht nga aktivitetet për 100-vjetorin Prof. Rexhep Qose, që shqiptarët e vërtetë dhe posaçërisht socialistët, e konsiderojnë një emblemë të atdhetarisë e të stoicizmit? Si është e mundur që kryetari-artist të mos revoltohet kur Kryeministri shpall ndërtimin mu në parkun “Rinia” të një monumenti të turpshëm si homazh për Rilindjen dhe për Pavarësinë: dy pllaka të çaplyera, që simbolizokan Shqipërinë  “e hapur” dhe “transparente”. Edi Rama do ketë dëgjuar nga më të vjetrit, se deri në vitin 1960 në atë vend ka ekzistuar një ËC publike, “e hapur” dhe “transparente” si ajo, ku burrat nevojtarë u tregonin gjithçka kalimtarëve, përveç pjesëve të turpshme, të cilat ua mbulonin disa pllaka, si ato që do vendosë Kryeministri në nderim të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Çfarë të mendojmë? Që kryetari i opozitës po hesht,  ashtu siç heshti edhe kur Sali Berisha shkatërroi Akademinë e Eqrem Çabejt e Aleks Budës, sepse ndan të njëjtat shije estetike me Kryeministrin, hesht sepse i pëlqen edhe ai eksperimentet malinje dhe shallvaregjëra të këtij të fundit deri në fyerje të historisë e të dinjitetit kombëtar,? Duke arsyetuar mbi heshtjet e shumta, por edhe mbi deklarata të papërshtatshme që kryetari i PS ka bërë mbi ngjarje e personalitete të ndryshme, të lind dyshimi se ai nuk është ftilluar ende se ku ndodhet, se ai nuk ka një ide të qartë mbi raportet me historinë dhe me publikun që ai duhet të ketë, jo si Edi Rama, por si Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Një politikan, që nuk ka referenca historike, kulturore e ideore nuk mund të bëhet bari tufe, s’mund të jetë veç një dele e humbur. Në dritën e këtyre qëndrimeve, ç’kuptim ka slogani “Për një Rilindje Shqiptare”, përveç atij të një shpërdorimi të radhës? Le të thotë z.Rama se cili është morali i përzgjedhjes që i bëri avokatit të krimit shtetëror të Gërdecit, kur deshi ta vinte në krye të sistemit të drejtësisë? Si do të mundet ai, këtej e tutje, të shohë në sy nënat dhe fëmijët e Gërdecit? Cili ishte rezultati i “vajtjes në Kanosë”, d.m.th. i vajtjes te Meta, përveç shpotive dhe poshtërimeve me të cilat e shpërblyen rrugaçërisht vetë sekserët e këtij takimi, Baton Haxhiu me shokë. Dhe në fund, duke iu rikthyer çështjes së Presidentit, duken të çuditshme sjelljet e njëanshme të tij. Them të njëanshme, pasi mendoj se nuk është konsultuar as me kryesinë e partisë, dhe as me të urtin “Këshill i të Urtëve”, që me sa duket është një shpërdorim i radhës i tij. Vërtet, pas ndryshimeve kushtetuese, të gjithë e dinim se presidentin do ta emëronte z.Berisha. Ja njohim instinktin e kafshës, që përjashton çdo lloj konsensusi. Por, në ndryshim nga shpura e varrmihësve të shtetit dhe të institucioneve, a nuk ishte rasti për Edi Ramën që të tregonte seriozitetin e përgjegjshmërinë e tij, qoftë edhe duke u treguar shqiptarëve dhe partnerëve se ai dhe partia e tij kanë një koncept tjetër, europian, për institucionet në përgjithësi, dhe për atë të Presidentit, në veçanti. Në fund të fundit, Amerika dhe Europa e inkurajuan për një gjë të tillë, kur e bënë të qartë se nuk do ta pranonin për president një qehaja të Berishës dhe se presidenti i ri duhej të ishte i denjë për të mbrojtur skalionin e fundit të institucioneve ende të papushtuara nga furia berishiane, atë të gjykatave dhe të ShISh-it. Me një fjalë, e përjashtonin absolutisht kurorëzimin e një kanakari të Berishës. Në të kundërtën, z.Rama e gëlltiti edhe këtë herë vullnetin e Berishës, pranoi të bëhej pjesë e lojës së tij, qoftë edhe duke u joshur nga nuret e zotit Meta. Nisur nga ato që ai vetë deklaron, pa vend e pa doganë, në Twitter-in e tij, z.Nishani është një President kushtetues dhe i pranueshëm. Përse? Sepse, arsyeton z.Rama, z. Nishani është ndryshe nga PD-istët e tjerë: është më i butë dhe më i sjellshëm. Pra, për z.Rama mund të jesh burrë e president i mirë edhe duke qenë shqytar i Berishës, mjafton që të kesh një mirësjellje formale, mjafton t’i drejtohesh opozitës me fjalën “mirëmëngjes” e jo “plaç”, siç bëjnë normalisht veteranët e ish-selisë së ShNUM-it. A thua ky duhet të jetë kriteri për të peshuar Presidentin e Republikës? Mendoj se jo. Z.Rama do kish mundur të rregullonte diçka nga imazhi i tij si bashkëfajtor në vrasjen e Kushtetutës më 2008, të paktën duke u fshehur pas hijes së ndonjë burri, që ka treguar se e do dhe e mbron shtetin. Nëse nuk e donte “të majtë”, nga meraku se nuk ia donte Berisha, aty e kishte z.Alfred Moisiu, presidentin që e ka treguar me vepra se përballë tentativave për të sulmuar Kushtetutën dhe institucionet, është në gjendje të ngryset e të marrë qëndrim të rreptë ushtarak.

Çështja e Presidentit la shenja plasaritjeje në raportet Berisha-Meta. Po t’i shtosh kësaj faktin e akuzave për korrupsion gjatë këtyre katër viteve ndaj qeverisë dhe mazhorancës, a mund të parashikohet se LSI-ja është duke kalkuluar kalimin në krahun tjetër në zgjedhjet e 2013-s? Si e shihni ju të ardhmen politike të kësaj force?

Shikoni, ta lëmë mënjanë “forcën politike” dhe të flasim thjesht për zotin Meta. Unë jam i bindur që arsyet dhe sendet që e lidhin këtë të fundit me z.Berisha janë shumë herë më të shumta, më joshëse e më obliguese, sesa arsyet që mund të çojnë në plasaritjen, çarjen e këtyre raporteve dhe në bashkimin e tij me opozitën. Në fund të fundit, ç’do t’i sillte të majtës bashkimi i nesërm i z.Meta? Përveç dyshimit se do të jetë “kolona e pestë” e Berishës, z.Meta do të sillte në frontin opozitar një barrë me mëkate, me përgjegjësi e me kërkesa për 20, 30 apo 40-përqindsha. Njeriu që u paraqit si burrë shteti, mbrojtës i ligjit dhe i institucioneve, dhe që në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës organizoi edhe një grevë këtu e 4 vjet më parë, sot refuzon çdo përmirësim të saj, dhe është bërë protagonist në ngritjen e një shteti të korruptuar e klientelist që shtyp, plaçkit dhe mashtron qytetarët e vet. Unë mendoj se z.Rama duhet të ndryshojë sjellje pikë së pari me njerëzit që ka dejà në kampin e vet, të vjetër e të rinj, ndaj të cilëve shpesh herë tregon se i sheh vetëm si instrumente përdorimi e shpërdorimi, gjithnjë sipas hënës së vet. Nëse ai do të jetë në gjendje në këta pak muaj të tregojë se është vërtet patriot, se është vërtet i majtë, se është me të vërtetë demokrat, se është me të vërtetë principial, se është vërtet kurajoz dhe, më në fund, se është vërtet socialist, atëherë vërtet mund të shpresojmë për një ndryshim, për një “Rilindje” të vërtetë, e cila mund të bëjë fare mirë edhe pa Ilir Metën edhe pa djallin vetë.

Pra, ju flisni për një “Fillim të ri”?

Po, po. Për një fillim të ri, që të ketë si yll polar njerëzit, moralin, historinë dhe idetë e së majtës shqiptare e europiane. Dhe nuk do ta shihja të tepërt, që ky fillim të fillonte me një mea culpa sensacionaletë drejtuesve dhe posaçërisht të kryetarit të PS-së. Duke pasur parasysh personazhin dhe referencat e tij kulturore, më vjen në mend një shembull ekstravagant nga historia. Në vitin 1077 mbreti gjerman Henriku IV, nën presionin e Papës Grigori VII, që e kishte çkishëruar, u detyrua ose të humbte pushtetin, ose të shkonte të kërkonte falje si pendimtar tek ai. Zgjodhi këtë të dytën, dhe si pelegrin i thjeshtë e këmbëzbathur qëndroi tri ditë e tri net në të ftohtë përpara portës së kështjellës së Kanosës, deri sa Papa e lejoi të futej brenda e ta pranonte përsëri në gjirin e Kishës. Një dëshirë e fshehtë më shtyn ta shoh kryetarin e PS-së në këtë rol pendimtari, përpara dyerve të PS-së, sa herë që na zhgënjen e na trishton me kuturisjet e tij në boshllëk. Në fund të fundit, ai ka hyrë në PS nga dritarja. Le të futet, siç duhet, nga dera.

4 Komente

Ky vellai i Bobit nga Rranza e Malit e ka sjelle kete prurje?

Ku jane lidhjet e Berishes me Ahmadiejadin, marreveshja e tij me Tadicin per ndarjen e Kosoves, marreveshja me Samarasin per gllaberimin e Vorio-Epirit, marreveshja me Putinin per ndarjen e Cecenise? Dobet Xhufi, shume dobet, nuk i ke permendur te gjitha, me kryesoret ia ke falur Berishes, je marre me cikerrima. Kam frike se po don te ledhatohesh perseri nga koalicioni.

Një dëshirë e fshehtë më shtyn ta shoh kryetarin e PS-së në këtë rol pendimtari,smiley përpara dyerve të PS-së, sa herë që na zhgënjen e na trishton me kuturisjet e tij në boshllëk.

     ....oops, he did it again!

 

  

 

He me se tallesh

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).