Përpiqem të sajoj një alegori apo një parabolë. Përse një parabolë dhe jo një histori të vërtetë apo të shpikur, nga ato që i thonë gjërat kuptueshëm dhe hapur? Sepse tek parabola njerëzit gjejnë mundësi të shprehen paksa më lehtë, më natyrshëm dhe me gjuhë të figurshme mbi ide, principe, përvoja dhe mendime komplekse në dukje. 
Nuk është aq e ndërlikuar, në të vërtetë, kjo që dua të shpreh. Në formën më të thjeshtë të narracionit, po nis të shtjell diçka rreth një mjeti që në mos e përdorim, e njohim të gjithë: rreth ashensorit. 

Shtysën fillestare për këtë ma dha regjisori holandez Dick Maas. Thuajse 30 vjet më parë, ai paraqiti në publik filmin “Ashensori” (De Lift), prej të cilit më 2001 nxori versonin “Down”, i njohur edhe me titullin “The Shalf”. Është një thriller-horror i pastër, që rrëfen historinë e një ashensori, që del nga kontrolli dhe i ngre kurthe përdoruesve të tij. Edhepse e shohin që dikush dëmtohet apo zhduket gjithmonë, me të vënë këmbët në atë ashensor, njerëzit vazhdojnë të hipin aty pa u ndalur, gjer në fund. Por jeta jonë ka aq shumë horror, sa do e kisha kisha harruar fare filmin, sikur në trailerin e tij, një zë i errët të mos përsëriste ankthshëm këto fjali: "Take the stairs, take the stairs. For God's sake, take the stairs!!!" -“Merrni shkallët! Merrni shkallët! Për hir të Zotit merrni shkallët!!!”
Nuk është në dëshirore. Është në urdhërore. Mbajeni mend. Është këshillim me një dozë kanosjeje brenda. Është thuajse një përgjërim për t’iu kthyer mënyrave të zakonshme, që njeriu ka përdorur që prej lashtësisë, sa herë që ka dashur të ngjitet lart. Qoftë dhe për të mbëritur më pranë zotave, siç rasti i Ikarit dhe Dedalit me krahë të ngjitur na kujton. Jo ashensorin, pra! Shkallët. 
Atyre që nuk kanë ndjerë, qoftë edhe një herë të vetme, stepje, frikë, një si angështi, marrje mendsh apo marrje fryme teksa marrin ashensorin, sidomos gjatë herës së parë, është e vështrirë t’ua bësh të pranueshme, sidomos përmes një parabole, idenë se durimi është formë e dashurisë, se maturia lodh dhe se të gjithë jemi para sprovës. Kjo sepse tanimë ashensori ka krijuar mitologjinë e tij. Ai është Hokus pokus! Sa herë që na mungojnë zgjidhjet, sa herë që na lënë këllqet, sa herë që energjia morale, shpirtërore, intelektule që kemi mbledhur dhe që kemi dashur ta investojmë për veten dhe për shoqërinë nuk përfillet, ne i drejtohuni atij: bamirësit tonë - ashensorit. Zgjidhja nga Zoti - Deux ex machina, është ai. 
Dhe shkallët? Shkallët, ato të njëpasnjëshmet, të llogariturat, të maturat me kënde, me lartësi dhe me sheshpushime për t’u përshtatur ngritjes dhe për të rregulluar frymëmarrjen, nuk vlejnë më? Jo. Së paku jo shoqërisë sonë…
Siç vihet re parabolat priren ta zhvillojën idenë fillestare nga pikëpamje asnjanëse, të bëjë ftesë për të hyrë në bashkëbisedim përmes gjuhës metaforike dhe jo të ofrojnë këshilla të drejpërdrejta mbi dilemat morale apo se çfarë duhet dhe ç’nuk duhet të bëjë një njeri. Parabolat nuk janë guida udhëheqëse, as programe. Ndaj për ta respektuar atë asnjanësi, që parabola e ka ruajtur jo pa saktificë gjer më sot, po krijojmë një lloj social me nistoren e zëshme -A-, pakashumë në metodën e Italo Calvino-s te “Komikat kozmike”. 
Sa herë që jeta i ka vënë përballë zgjidhje më të thjeshta, më të kollajshme, pa kokëçarje dhe sa herë që e kanë këshilluar të sajojë “by pass-e” apo “short cut-e” për të ardhmen e vet, individi -A- i është lutur vetes të përmbahet, të mos tundohet, duke përsëritur në formë liturgjie të njëjtat fjalë: “Merr shkallët, merr shkallët! Për hir të Zotit merr shkallët!” 
Nuk është ndonjë formë ekzibicionizmi kjo që individi -A- po shpreh. Personalizim jo se jo. U zgjodh -A- sipas renditjes hyjnore të shkonjave në alfabet. Por as ndonjë guxim apo idealizëm i kulluar nuk mund të gjejmë këtu e në vijim. Nuk është madje as ndonjë akt që kërkon të ndikojë apo të ndryshojë individët e tjerë, që po i quajmë -E- dhe -Y-. Është thjesht çështje e ushtrimit të praktikës morale të një individi që, teksa lutet për vetëpërmbajtje, beson se nuk është i vetmi që e bën këtë gjë. 
Ky individ -A-, mendon se zgjedhja e shkallëve si formë refuzimi ndaj metodës-ashensor, nuk është alternativë e butë, është një kundërshtim i ashpër ndaj asaj metodologjie, që tashmë ka hedhur rrënjë qoftë në mendësinë, qoftë në praktikën tonë të të jetuarit. 
Kjo mendësi tashmë ia ka dalë të deformojë si qëllimet ashtu edhe ambicjet më të dëlira, duke ndotur me dyshim çdo gjë, duke thyer njëkohësisht edhe besimin se një ditë shoqëria shqiptare mund të jetë një shoqëri reale, me individë mbi të cilën nuk vihen baste si në hipizëm dhe që nuk sponsorizohen enkas mediatikisht, politikisht dhe finaniarisht. 
Individi -A- nuk është modeli “qytetar që përjeton vlerën e paanshme të të drejtave” dhe që ndjen “dobitë e pjesëmarrjes në kulturën e përbashkët politike”, siç do t’i kishte pëlqyer shumë Habermas-it. 
Ky individ nuk është as ai që të mirën e sheh si “diçka që ka të bëjë me përmbushjen e dëshirave të tij vetjake dhe që e di se përmbushja e dëshirave të këqija është keqja më e madhe”, gjë që do e ngazëllente edhe Bertrand Russell-in me këtë rast. 
Individi –A- nuk është shenjt. Ai nuk është as qytetari shoqëror. Individi -A- mendon për shoqërinë sepse është duke menduar për fatin e tij. Ai dhe shoqëria ndodhen në të njëjtën barkë. Së paku që prej kohës kur fati individual pushoi së ekzistuari si i tillë në shoqërinë e sotme globaliste. 
Ndaj dhe individi -A- vihet në kërkim të të afërme dhe të të ngjashmëve të vet – të atyre që e kanë ndarë mendjen të vazhdojnë të marrin shkallët. Jo për ta mohuar, por për ta çmitizuar ashensorin. Megjithëse ideja e marrjes së shkallëve herë-herë i tingëllon utopiste, poetike edhe vetë edhe individit -A-, prapëseprapë ky individ jo lehtësisht i modifikueshëm gjenetikisht, vazhdon t’i besojë vizionit mistikut sufi Mevlana Xhalaludin Rumiu, që e shihte botën dhe shoqërinë njerëzore si një organizëm i vetëm. A nuk na nxjerrin xixa sytë, sa herë që përplasim fort pas diçkaje, qoftë dhe gishtin më të vogël të këmbës? 
Por ndërkaq individi -A- nuk dëshiron që me këtë sjellje të krijojë ndonjë veçim nga bota, ndojë modë kryeneçe, lëvizje apo ndonjë antimodë të re. Ai po bën thjesht një propozim. Një kujtesë, si ato që lexojmë mbi paketat e cigareve apo kur kapërcejmë binarët e trenit. Vepron kështu pasi beson se t’u kujtojë të tjerëve një gjë të harruar dhe t’u propozojë pas kësaj diçka si një shteg bashkimi, është jo detyrë, por dëshirë e tij. Detyra e tij është të pvrshkuajë edhe ato gjëra që më pas do të harrohen apo çmontohen. 
Por tashmë ky individ e di se parabolat, njëlloj si përrallat, ku e mira fiton përherë mbi të keqen, kanë ndikim të kufiuar në këtë botë. E di, siç dhe e ka kuptuar se në Shqipëri çdo refuzim është keqkuptuar, çdo kundërvënie është keqpërdorur, pastaj të gjitha bashkë kanë degjeneruar. Çdo “anti” dhe çdo “kundër”, në fund të fundit ka shkuar në dobi të asaj që përfaqëson “anti-n” dhe “kundra-n” vetë. Tashmë ai ka mësuar diçka më shumë edhe mbi atë lloj pasigurie që ndjen qenia kur sheh se institucionet - ende të brishta edhe pas 100 vjetësh - sfidohen për pushtet personal dhe kur shumë nga ato që besuam se më në fund do të jenë të pavarura, plurale, binare, janë të tilla vetëm sipërfaqësisht. E di se do të ndryshojnë, por jo të nesërmen reale, atë të hënë që vjen me siguri pas një të diele pushimi, por në të nesërmen metaforike. Nuk është bindje. Është besim i tij. 
Individi -A- e di gjithashtu se ashensori do të vazhdojë të mbetet mjeti më i pëlqyer për zanoret e tjera: -E-, -U- dhe -I-. Ashensori do të bekohet si një fe, do të përkrahet si një i afërm, do të mbrohet si një dashuri, do të mirëmbahet si një mëri e vjetër, do të rinovohet, do të ujdiset, do të restaurohet dhe do të shpallet si i vetmi mjet efikas i promovimit të vlerave në shoqëri. 
Po fundja ç’e dallon një filozof nga moralisi. Filozofi nuk bën thirrje të tilla si: “Merrni shkallët! Merrni shkallët! Për hir të Zotit merrni shkallët!!!”. Kështu që individit -A- i mbetet të jetë një moralist, nga ata më tradicionalët, konservator, përderisa vazhdon të refuzojë progresin dhe një mjet kaq efikas, si ashensori. 
Por këtë ai e bën jo për t’i nxitur njerëzit të mos guxojnë. Jo për të mos i synuar edhe vetë ato lartësi, të cilat, njëlloj si në prozën e Kafkës, janë krijuar pikërisht për t’i synuar, për t’u mbërritur nga njerëzit, përfshi këtu edhe individët -E-,-U-,-I-,-Ë-. Përkundrai. Ai e bën këtë jo për të refuzuar lëvizjen. Madje ai është i gatshëm të pranojë (por jo t’i përligjë dhe t’i shfajësojë) edhe gabimet që bëhen për hir të lëvizjes. Ai e bën këtë për të refuzuar metodologjinë e ashensorit, që jashtë çdo norme dhe logjike, jashtë çdo përzgjedhjeje dhe qëllimi të mirë, rrëmben njerëz nga sheshet dhe nga rruga, për t’i ngritur gjer në majat më të larta të sferës së përfaqësimit publik. 
Nuk kemi pse ankohemi për gjithë sa ka ngjarë. As kujt i ankohemi. Përballë pasqyrës së ashensorit jemi ne. Këta individë jemi ne. Janë aq rreth nesh, mbi ne, nën ne. Individi -A, megjithëse mund të mos jetë i përfshrë, mendon se është i implikuar dhe pjesëmarrës. Pikërisht sepse kupton se gjygji mund të jetë individual, por jo fati. Sidomos kur në një shoqëri, ku roli i secilit është i ngjashëm me atë të detarit në një varkë që nuk rri lidhur pas molit, por ka dalë tashmë në lundrim. 
Gabimi nuk është as i pandreqshëm dhe as i pafalshëm. Madje fare mirë mund të quhet mosdije, mosdëshirë për të ditur, mosdëshirë për të llogaritur jo hapin një dhe dy, por hain tre dhe katër. Jemi ne që në vend të nënshkruajnë një kontratë legale me shoqërinë dhe me institucionet, nënshkruajnë një kontratë okulte me ashensorin-bamirës, të cilit i janë mirënjohës përjetë. Këta individë krijojnë ndaj ashensorit vartësi, dogmë, tabu dhe fanatizëm.
Teksa e këqyr dhe përpiqem të kuptoj diçka më shumë mbi shoqërinë e sotme shqiptare, mbi individët si -A-,-E-,-U-,-I-,-Ë,-O-,-Y-, mbi personat dhe personalitetet, mbi figurat dhe figurantët e saj, mbi të investuarit, të vetëndjerët, të vetofruarit dhe të vetëbërët, të zhgënjyerit, të shpërblyerit, hatërmbeturit dhe ata që besojnë ende tek vlerat e saj, më forcohet dyshimi se kjo shoqëri, nga një shoqëri e projektuar për të qenë me të vërtetë dhe a më parë një shoqëri e lirë, e drejtë, mbështetur mbi parime, ligje, virtyt dhe merita (parime këto tashmë të degraduara në vulgarizim ende propagandistik), është shndërruar plotësisht në një shoqëri të llojit ashensor. 
Edhe atyre që ende nuk e kanë provuar, u është bërë me dije se kjo është rruga, drita, jeta dhe e vërteta, alfa dhe omega. Ndaj ata, të detyruar dhe të dëshiruar, vihen në radhë dhe në gjendje pritjeje. Të kujt? Të ashensorit. Shndërruan në një lloj Godoje të ri.
Me shoqërinë shqiptare është kryer një eksperiment. Cikli është i mbyllur thuajse. Loja, me skemën që po aplikohet, duket se është strukturuar. 
Prej më se dy dekadash, në vend të një “un-i shoqëror dhe qytetar”, është mbështetur “un-i instiktiv”. Është sponsorizuar ai lloj “un-i”, që “njeriun e ri” të komunizmit e zëvendësoi me “njeriun aksidental”, për të cilin jo rrjedhat dhe proceset logjike, por rastësitë dhe e jashtëzakonshmja luajnë rolin vendimtar, siç vërejnë sociologët. 
Kemi prekur kështu zonën më iracionale dhe më arbitrare të mënyrës se si mund të funksionojë një shoqëri. Prej materies së ardhur mirë apo të shprishur që në embrion, të formatuar apo të deformuar të kësaj shoqërie, mbruhen institucionet, shteti, qeveritë dhe drejtuesit e tyre. Prej po kësaj lënde gatuhen edhe individët-qytetarë, si shtetas të lirë dhe individët-shtetas kokëulur, të nënshtruarit, ata që vetëkufizohen në ushtrimin e lirive dhe përgjegjësive të tyre për shkak se mirënjohjen më të madhe për hapat e vegjël që kanë bërë në jetë ia atribuojnë ashensorit. Dhe hapat e vegjël që kanë bërë në jetë nuk kanë qenë hapa që çojnë paksa më lart qenien humane. Kur kthen kryet pas sheh se hapat e vegjël kanë qenë thjesht arritje të çastit, një “carpe diem” drejt përligjies politike dhe ekonimike të “unit aksidental”. Kanë qenë hapa që, ndose pak më me vonesë, domosdo që do i arrinim edhe pa përdorur ashensorin. 
E kotë ta fshehim. Tashmë individët e ashensorit tashmë përfaësojnë një çështje breznie. Kjo brezni është krijuar. Atë e gjen kudo. Por zakonisht lakmon postet e përfaqësimit publik. Edhe tipologjia e sjelljes së kësaj breznie është kornizuar. Nuk ke nevojë të studiosh, nuk ke nevojë të mësosh, makar edhe një zanat duarsh. Nuk është nevojshme të investohesh në dije dhe në maturinë e ecjes përpara në hierarkinë e administratës publike apo në biznes. E rëndësishme është të kesh ambicje, të shfaqesh, të vetofrosh shërbime, të pranosh ta fillosh nga “ground zero”, nga mitingjet dhe peticionet, të jesh rezervist, nën armë. Dhe jo për të gjithë jetën. Gjer sa t’i biesh në sy ashensorit. Sa t’i avitesh, sa të mbërrish pranë tij, sa të hysh në të, sa të mbyllet dera dhe sa të fillojë të lëvizë dhe të të ngrejë lart. 
Por nuk është kjo më shkurajuesja në gjithë këtë histori alegorike. Krijimi i përshtypjes se rruga e vetme për ecjen përpara në jetë është investimi politik; se mjeti i vetëm i ngritjes lart është ashensori, i cili, bashkë me shpalljen si normale e kësaj anomalie, mbetet gjëja që e bënte Adam Michnik-un të ndjente frikën se "mos sistemet demokratike rrëshqasin sërish në binarë totalitarë".
Lupus in fabula. Tanimë, edhepse e jo hapur, ekzistenca e ashensorit jo vetëm që është pranuar, por edhe po përligjet. Një brez thuajse i dorëzuar, që nuk dëshiron asgjë më shumë, veçse la lejojnë të lutet dhe të rrojë me shpresë se ashensori politik, ashensori social, ashensori religjioz, ashensori akademik, që tashmë e kemi legalizuar si një instrument të ligjshëm, t’i pikasë. Lutet që ashensorët t’i dallojnë mes qindra të tjerëve. Luten që ashensorët t’i veçojnë dhe më në fund t’i marrin dhe çojë... Ku? Lart!? 
Ata që kanë hipur qoftë edhe një herë të vetme në ashensor e kanë provuar atë që ndjejnë të gjithë rishtarët, teksa shijojnë ngritjen nëpër lartësi. Të gjithë, teksa i gëzohen lartësive të reja, pandehin edhe se janë ata që e vënë në lëvizje mjetin. Mendojnë se janë ata që shtypin butonët dhe e drejtojnë ashensorin nga brenda. 
Dehja nga qiejt dhe mosnjohja e të fshehtave të kësaj lloj teknologjie, nuk i lejon të kuptojnë se komandimi i këtyre lloj ashensorëve nuk bëhet nga brenda, por nga jashtë. Janë zotëruesit e vërtetë të ashensorëve që transporton trupa të frekstët për në frontin politik, social, religjoz, akademik dhe kulturor, ata që telekomandojnë gjithçka. Për këta ne jemi thjesht trupa dhe numra. Si ata që dikur transportoheshin me trena. Përfshirë këtu edhe individët -A-,-E-,-U-,-I-,-Ë-O-,-Y-. Ndaj dhe individët që fluturojnë “nga stallat tek sallat”, i shohim të sillen përreth si të telekomanduar. Ndaj… 
E nisa këtë tekst me filmin e regjisorit holandez Dick Maas filmin dhe po e mbyll po me të, duke risjellë në kujtesë për veten, për ju, por edhe për individët -A-,-E-,-U-,-I-,-Ë-O-,-Y-, thënien e njërit prej personazheve. Pyetja ngre dyshimin jo mbi vlerat e arritura dhe të njohura të shoqërisë në të cilën jetojmë, e cila edhe pse gjithmonë e pastabiluzuar plotësisht, është më e mira e shoqërive të provuara nga historia. Pyetja ka të bëjë me korruptimin që i bëhet strukturave të kësaj shoqërie, mes të cilave thyerja e besimit mbetet goditja më e fortë. 
Po e lë të papërkthyer këtë shprehje, pasi fjalët tingëllojnë fort edhe kështu: “But, if you can't trust even the elevators, what the fuck can you trust…?”
Ndodhemi pikërisht pranë stinës kur do të bëhemi sërish dëshmitarë të aktivizimit të të gjithë ashensorëve që përmendëm deri tani. Kemi hyrë në zonën kur ashensorët, njëlloj si në filmin e Dick Maas-it, do fillojë të dalin nga kontrolli. Fillimisht ata do i joshin dhe më pas do t’u ngrenë kurthe përdoruesve të tyre. Do shohim se si disa prej përdoruesve do të zbresin vetë nga ashensori: të lodhur, të gjymtuar apo të sëmurë nga këto ulje e ngritje të shpeshta. Të tjerë do të flaken jashtë sakaq. Ca të tjerë do të hipin rishtas dhe do të zëvendësojnë me mish të freskët të lodhurit dhe të flakurit jashtë prej dyerve të ashensorit. 
Po a do të vihen në resht sërish para dyerve të ashensorit po aq shumë njerëz sa edhe dje? A do të ketë sërish radhë të gjata në pritje të shërbimeve që ofrojnë ashensorët? Apo capak individë do fillojnë të dalin nga rreshti dhe nuk do e pranojnë më këtë shërbim?
Një parabolë nuk jep këshilla të drejpërdrejta mbi dilemat morale apo rrugëzgjidhje se çfarë duhet dhe ç’nuk duhet të bëjë një njeri. Parabolat thjesht thuhen dhe kaq. Meqë është fundi, thjesht për rutinë stilistikore ndoshta më lejohet të përsëris edhe një herë: “Merrni shkallët! Merrni shkallët! Për hir të Zotit merrni shkallët këtë herë!”

13 Komente

" Der Lift "

E lexova deri ne fund me kokefortesi sepse Arian Leka eshte nja nga ato 10 pena bashkekohore, apo jo? Tmerr. Jo se metafora (nuk shoh ketu parabole funksionale) e ashensorit nuk eshte e mire, por shkrimi eshte nje llahtar. Ndihem e turperuar.

Pak  e gjate por ese  e mire.Nje klithme e mire ne vesh te shurdhet.

Spiritus, nganjehere peshku me duket si loje luftash - e kam harruar si i thone ne Tirane - dmth gjuhemi me topa llastiku kot, se ashtu ka qelluar loja dhe ashtu ka qelluar ndarja neper skuadra. Me kujtohet sa te hidhura ishin gjuajtjet te kembet, dhe thartoheshe mire po ta haje fatkeqesisht ne koke. Ja e bera edhe une nje parabole smiley.

Ah po, topa djegsi.

Topadjegsi sikur i thone asaj lojes? Nga gjuajtjet digjej lojtari skuadres kundershtare. Ti me ke skuader luan? smiley

Eshte nje nder shkrimet me te spikatura qe kam lexuar ne median shqiptareve te koheve te fundit, tejet pershkruese e mentalitetit how to be succesful ne katrahuren tone. 

mos me boj te mendoj qe te pelqekan burrat llafezan!

haha jam dakord i ka rene gjate smiley po mbase ka dashur te preke nje audience me te gjere  ti sqaroje gjerat nga 1+1 bejne  dy smiley 

Nejse jo nuk i kam qejf llafazanet, por ata qe kane per te thene dhe jane cilesore nuk i fus tek llafazanet smiley

Me nje fjale asnje nga ne s'e paska bere* ne assessor? smiley

*Brad, nuk behet fjale per p0rdhat.

Filmin e kam pare dhe une, por mendoj se krahasimi eshte per disa individe, nuk mund te pergjithesohet me ter shoqerine.

hmm shume i gjate ky alidushe

plus vizualisht i cuditshem me ato emertimet me shkronja kapitale, si me ndjek nai leksion matematike smiley

ma ha mendja qe pak a shume i referohet me ashensor ate qe une zakonisht e quaj me emrin tjeter : katapulte ose si fenomomenin 'katapultim'

yes yes pra mo smiley

aj ëgri

Oui, oui smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).