Si mund të deduktojmë ekzistencën e diçkaje që nuk është e vëzhgueshme? Universi, Multiversi, materia e errët, antimateria.

(vijim)

Antimateria, burim i pafund energjie?

Një litër benzinë kushton shtrenjtë, peshon 750 gr dhe me një makinë të vogël me kaq karburant mund të bësh shumë-shumë 20 km. Kurse me motorin e duhur, po kësaj makine do t'i mjaftonte 1gr antimaterie që të udhëtonte për 100 mijë vjet me radhë. Ky skenar i ka kaluar tashmë kufijtë e fantashkencores dhe është pjesë e së përditshmes sonë: Pet-i*, Tomografia aq e dobishme me pozitrone, shfrytëzon pikërisht këto të fundit. Pozitronet janë antithërrmijat e elektroneve, të cilët rrotullohen vazhdimisht rreth bërthamave atomike. Po kështu, në çdo çast ne përshkohemi, - dhe pa asnjë pasojë të dëmshme, - nga rreze kozmike super-energjitike, që mbërrijnë nga thellësitë e Universit, e që duke u përplasur me atmosferën prodhojnë ndonjë thërrmijë antimaterieje. Dhe në fund fare: pak vjet më parë, sateliti Fermi i Nasa-s, një projekt ky në të cilin është përfshirë edhe Italia, zbuloi që antithërrmija formohen edhe gjatë furtunave të fuqishme në lartësi të mëdha.

Po çfarë është kjo antimateria? Shumë e thjeshtë: çdo thërrmijë elementare, përfshirë këtu bozonin e Higgs-it, ka një thërrmijë gjegjëse, identike, simetrike në ngarkesë, si tek çifti elektron-pozitron (elektroni ka ngarkesë negative). Kjo u zbulua në 1928-n nga Paul Dirac. Duke futur risinë e atëhershme, Relativitetin e Einstein-it, në fizikën e pafundësisht të voglës, Dirac gjeti që çdo thërrmijë mund të përshkruhet me një ekuacion që ka dy zgjidhje simetrike, njëra me shenjën “+” dhe tjetra me shenjën “-”. Skepticizmi i fillimit u tret sa hap e mbyll sytë tre vjet më pas kur u zbulua pozitroni i parë. Sot dimë të ndërtojmë qindra antithërrmija në laburator, por për këtë nevojitet shumë energji, plus që sapo formohen këto zhduken, meqë sapo prekin, si të thuash, një thërrmijë të materies anulohen së bashku në një shkreptimë energjie. Po kështu, është tejet e ndërlikuar për “ta mbajtur” antimaterien: do të duhej robëruar me një rrjetë elektromagnetike, dhe sidoqoftë edhe kjo është e mundur vetëm për pak kohë. Një rekord u vendos në vitin 2011, kur u zunë dhe u mbajtën për 1 mijë minuta, një përjetësi kjo për botën nënatomike, plot 309 atome të antihidrogjenit në Cern-in e Gjenevës. Me një fjalë rruga është e gjatë për të mbërritur tek ai grami që thamë në fillim. Dhe po aq e gjatë është ajo për të kuptuar se si ka mundësi që në Univers gjejmë pak antithërrmija, pothuaj fare. Ku ka përfunduar antimateria, nëse nga ekuacionet ka po aq gjasa të gjendet antimaterie saç materie? Zgjidhjet e gjetura gjer më sot nuk janë të kënaqshme.

Sidoqoftë, duke iu kthyer energjisë nga antimateria, është e njohur që anija kozmike Enterprise në filmin “Star Trek” funksionon pikërisht sajë kësaj, por ajmè vetëm në ekranin e televizorit. Sidoqoftë Nasa, Universiteti i Berkeley-t dhe të tjerët po investojnë jashtëzakonisht në këtë fushë, në të cilën asgjë s’i afrohet as së largu botës që kapim me shqisat tona. Me sa duket shpresojnë të gjejnë burimin e vërtetë të energjisë së pafund.

-----

* Tomografia me pozitrone është një teknikë e mjeksisë bërthamore dhe e diagnostikimit mjeksor që përdoret për të përftuar harta të proceseve funksionale në brendësi të organizmit. (Shënimet janë të përkthimit.)

 

Jemi në një univers apo në një “multivers”

Fizika nuk e ka përmbushur misionin e saj me verifikimin e ekzistencës së bozonit të Higgs-it. Janë akoma të shumta pyetjet që presin përgjigje nga kërkimi shkencor. Mes çështjeve të pazgjidhura disa janë të lidhura me mundësinë që Kozmosi ynë të jetë i zhytur në një shumësi Universesh paralele. Kjo teori lidhet me nocionin e “peizazhit”, term që fizikani Leonard Susskind, i Universitetit kalifornian të Stanford-it, futi për herë të parë në një artikull të vitit 2003. Susskind nisej nga analiza matematikore e Teorisë së pejzave, - hipotezë e cila përpiqet të pajtojë relativitetin me mekanikën kuantike, - duke vënë re se ekuacionet e kësaj teorie lejojnë ekzistencën e Universeve paralele.

Numri i Universeve të mundshme përshkruar nga llogaritë nuk është i rendit të dhjetrave apo qindrave, e as të milionave dhe miliardave, por matet me googol, që shenjon një 1-sh të ndjekur nga 100 zero. “Peizazhi” është pra një bashkësi mundësisht të pafundme matematikore botësh me përmasa të ndryshme. Çdonjëri prej këtyre Universeve karakterizohet me të paktën një dallim të vogël në njërën nga konstantet fizike që ne njohim, nga shpejtësia e dritës tek masa e protonit. “Peizazhi” është sfondi ku vendosen Universet e ndryshme e të mundshme, që popullojnë një Megavers të madh e të vetëm. Me fjalë të tjera, Kozmosi brenda të cilit jetojmë nuk është tjetër veçse një në një mizëri botësh të mundshme që gëlojnë “peizazhin”, një soj flluske e zhytur në një oqean flluskash të tjera, disa prej të cilave të stërmëdha e të tjera të vockla. Hipoteza e “peizazhit” është tejet e diskutuar, ndaj edhe s’duhet të na habisë fakti që fizikanët ndahen edhe më në përshkrimin e asaj se si mund të jetë ndërtuar edhe vetë Megaversi. Ka nga ata që flasin për një multivers në inflacion: një Univers në zgjerim e sipër, e që prodhon flluska gjigande si ky Kozmosi ynë. Një hipotezë tjetër e përfytyron Universin tonë që luhatet mbi një siperfaqe tripërmasore të quajtur branë*, dhe që endet në një det Universesh paralele. Ka pastaj nga ata që hedhin hipotezën që Universet e ndryshme sh-palosen jo brenda hapësirash paralele, por përmes kohësh paralele. Denigruesit e hipotezës së Megaversit pretendojnë megjithatë që këtu s’kemi të bëjmë me një teori shkencore, meqenëse në parim nuk mund të vërtetohet ekzistenca e Universeve paralele me tonin. Në të vërtetë ekzistojnë vërtetime eksperimentale, të cilat, edhe nëse nuk mund ta provojnë katërcipërisht praninë e një morie botësh paralele, e bëjnë megjithatë më të përkrahshme ekzistencën e tyre duke përforcuar aspekte të veçanta të Teorisë së pejzave. Zbulimi i thërrmijave supersimetrike parashikuar prej kësaj teorie, për shembull, mund të konsiderohej si një provë e parë e rëndësishme e mundësisë të ekzistencës së Megaversit.                                                                                                                                                

-----

* vjen nga "membranë"                                                                                                                                                                             

 

Marrë nga Nòva, Il Sole 24 Ore, korrik 2012     

Përktheu: finis terre

2 Komente

Ja hodhemsmiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).