Muzeu Historik Kombëtar është nga objektet më të vizituara në Tiranë. Por Pavijoni demode i Pavarësisë nuk është për 'homo touristicus'. Po për shqiptarët, është? Ai nuk përbën as modelin konservator që përfaqëson konsensusin e historianëve.

Nuk kemi për qëllim t’i japim përgjigje pyetjes që shtrojmë në titull. Sepse mbajmë parasysh që Pavijoni i Pavarësisë, në tërësi Muzeu Historik Kombëtar, ruan sa objekte origjinale, aq edhe kopje e sostitute. Për të parë se si trajtohet historia nga Pavarësia (1912) deri në pushtimin fashist (1939), ia vlen të ndjekësh vallen e kaosit që gjen në këtë hapësirë, në prezantimin demode të stendave, në objekte, në arkitekturë dhe së fundi, në atë që komunikon.

Nuk është më i madh se një apartament 2 plus 1. Krahasimin me shtëpinë ta shtie në mend prania e një gruaje në çdo sheshpushim të kateve të muzeut. Sa më lart ngjitesh aq më vapë bën. Gruas që ruan hapësirat e periudhave otomane e të pavarësisë i këputet koka para ventilatorit. Po dremit. Ora është 11.00.
Imazhi i parë goditës në këtë cep të mrrolur është portreti në bronz i një burri, te të dyzetat, që kokën e ka më të madhe se bustin, sikur të jetë me sëmundje të keqe. Monitori sipër tij ka ngecur në prezantimin: “Unë jam Ismail Qemali”. Nga pas është një foto e madhe luftëtarësh shoqëruar me “Flamurin e çetave patriotike 1920-1924”, një rreckë vishnje me vrima me shqiponjë të zezë, e kapur në dy gozhdë. Poza paraqet një kompozim të portreteve, veshjeve por edhe të qëndrimit dhe sjelljes me armët. 
Në duart e dy komitëve nuk është çudi të shohësh unaza, por të shohësh orë elegante, është pak. Në këtë faqe janë vendosur bustet e Dom Nikoll Kaçorrit (nënkryetari i qeverisë) që vjen më i vogël se portreti i Kryetarit të kombit, por matet me bustin e Aqif pashë Elbasanit. Janë punuar me të njëjtin bronz me ngjyrë myshku. Në kurriz me këtë faqe prezantuese të Pavijonit të Pavarësisë, sikur të kenë kërcyer nga raftet e bufesë 12 mijëshe dhe të jenë shndërruar në këto që tregon fotografi i “Shekullit”, rrinë mbi pode, në rresht, të rruar e të qëruar, me tipare si nga shartime racash të çuditshme, bustet e gjithë anëtarëve të qeverisë së Vlorës. Një dorë i ka prerë portretet e ministrave: Myfit bej Libohova i Punëve të Jashtme, Mehmet pashë Dërralla i Luftës, Petro Poga i Drejtësisë, Luigj Gurakuqi i Arsimit, Abdi bej Toptani i Financave, Pandeli Cale i Bujqësisë, Lef Nosi i Postë Telegrafeve, Mit’hat bej Frashëri i Punëve Botore. Jeta nuk paskësh kaluar te këta burra, nuk u gjen shteg rrudhe nga më i riu te më i vjetri. 
Janë produkt i Bujar Leskajt që kur ishte njëherë ministër i Kulturës tha se do t’ia vendoste në vend historisë nderin e humbur, në këtë rast Vlorës motër. Sot zoti Leskaj kontrollon dhe raporton abuzimet financiare në zyrat e shtetit, sepse tek ne korrupsioni që është realitet sa edhe mit, mendohet se ka vetëm fytyrën e lekut. Ja ku të shfaqet me imazhin e shëmtuar të Qeverisë së Vlorës. Informacioni që merr publiku nga modeli joverbal i komunikimit në këtë muzeun tonë është shëmtia vizuale.  
Prapa rreshtit të ministrave ekspozohet një pozë e madhe, një qendër qyteti, ku njoftohet për një shfaqje teatrale nga Shoqëria “Puna”!
Portreti i Gjergj Fishtës dhe Selam Musait, (prapë nga e njëjta dorë), shërben si kufi ndarës i Pavijonit të Pavarësisë me të Mbretërisë. Një kolonë krijon një kënd të fshehur dhe aty janë ngucur dy eksponate xhami. Njëri ka brenda Statutin e Federatës së madhe “Atdheu” i vitit 1921, Statutin e Shoqërisë “Bashkimi” 1924, dhe armë trofe, përdorur gjatë Luftës së Vlorës. Tjetri përmban: katër dyfekë, dy revole, dylbi, jataganë që  përmblidhen në shpjegimin “armë të luftëtarëve të çlirimit”. Dhe një palë “darë për prerjen e telave në Luftën e Vlorës më 1920 përdorur nga çeta e Selam Musait”. 
Është tipike që gati asnjëherë të mos thuhet se ku janë gjetur dhe kush i ka trashëguar objektet që vijnë deri këtu si dëshmi e një kohe historike. Objekte si këto darë nuk kanë as numër inventari. Kur ke përpara objekte me potencial dëshmie, të zgjohet dhe vetëdija për trashëgiminë, e cila po të zhduket apo dëmtohet, do ta ndjeje si heqje të një cope nga kujtesa. Përpara darëve të Semal Musait ke ndjesinë se po të humbin, një palë të ngjashme i gjen te rruga e servisit të biçikletave në Tiranën e vjetër.
Ky objekt, ata dyfekë, ato librushka që rrinë në një vend me thikat, secila më vete ka status të dyshimtë dhe të lidhura kështu siç janë, ato vdesin sepse nuk krijojnë tërësi, nuk krijojnë histori, kontekst, për rrjedhojë as emocione, as kënaqësi, as dije nuk fiton (po t’i referohesh funksioneve të një koleksioni në muze). Ky nuk është pavijon për homo touristicus. 
Muzeu Historik Kombëtar është nga objektet më të vizituara në Tiranë në stinën e turizmit. Por është e rrallë të shohësh ndonjë të huaj që të marrë për nga stendat e lodhura të pavarësisë. 
Arkitektura apo arti i dizajnit dhe prezantimi i objekteve përbën një nga konceptet kryesore në një muze. Në Pavijonin e Pavarësisë arti i dizajnit përkthehet: shpërdorim në masë i letrës, riprodhim deri në mërzi e me cilësi të keqe i portreteve të protagonistëve politikë të kohës. 
Dëshmitë për zhvillimin arsimor dhe kulturën në vitet ’30 mbahen vetëm me foto nga Liceu i Korçës, Gjimnazi i Shtetit, Dega Femërore në vitin shkollor 1935-36. Të njëjtat portrete të Aleksandër Xhuvanit, Mirash Ivanajt, Ndoc Nikajt, Hil Mosit, të artistëve me veshje kombëtare, foto nga një tur çiklistik, princeshat duke demonstruar veshjet civile, Tefta Tashko Koço dhe Lola Gjoka.
E kështu vazhdon e sëmurë përsëritja e portreteve në stendën e personaliteteve shtetërore, e jetës parlamentare me deputetë, senatorë, asamblistë, në stendën e qeverive që bien e ngrihen dhe po aq herë përsëriten fotot e Ahmet Zogut, Petro Pogës, Pandeli Evangjelit, Kostaq Kotes, Fan Nolit, Xhafer Ypit, Shefqet Vërlacit, Suljeman Delvinës, Iljaz Vrionit, Hasan Prishtinës. Dominim i jetës nga politika.
Banaku i kartëmonedhave përdorur gjatë periudhës 1912-1939 ka kyçur bukur, pastër prerjet “Nji frang”, “100 franga ari”, “Njëzet franga ari” e me radhë. 
Përbri, ekspozohen “Objekte të pjesëmarrësve në revolucionin demokratik 1924”: Kollan fishekësh i Muço Kapinovës, pjesëmarrës në kryengritje. Revolverë të luftëtarëve të çetave në Kosovë. Gotë çaji e Bajram Currit pa bisht. Plus 1 lahutë. 
Kështu bashkë, për një aliazh të çuditshëm historik. 
Menduam se është mbyllur kapitulli i Vlorës. Në teknikën e ekspozimit të Pavijonit të Pavarësisë përdoret flash back-u! Në vazhdim, gëzhoja e madhe e një predhe nga Lufta e Vlorës: “Kuitim i luftës kombëtare të Vlorës 3 shtator 1920, Banush Hamdi Bego, Starova.” Pranë saj një mitraloz, që me sa duket, është futur të kryejë funksionin e kallamit, të mbajë lart një fill të kuq që ndan stendat.  
Eksponatet pas kësaj prezantojnë: emision pullash për asamblenë kushtetuese, kuti duhani e Sali Çekës, stema e Federatës “Atdheu”, katër pushkë e një revole. 
Stenda e Miqve të shquar të Shqipërisë në kohë të vështira përmban foto të Edit Durham-it, Aubrey Herbert-it, Norbert Jokl-it, Justin Godard-it etj. Ka një “vulë e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Tepelenës”, Flamur tryeze e Kongresit të Lushnjes. 
Dy fije letër që dokumentojnë protestën kundër planeve antishqiptare të Fuqive të Mëdha dhe mbështetjen që masat popullore i bëjnë vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Foto nga manifestimi i shqiptarëve të Amerikës në mbrojtje të territorit; njësi luftarake nga Elbasani në Luftën e Vlorës; Vlora e çliruar; varrimi i Selam Musait dhe portretet apo portrete me gjasë të dëshmorëve që quhen: Kanan Maze, Sado Koshina, Sali Murati, Zigur Lelo.
Nën to, në dërrasë janë “bastuni dhe thika e Aqif Pashë Elbasanit” të dekoruara me gurë.
Edhe Shqipëria në vitet 1915-1918 mbulohet me dëshmi të varfra fotografike: Komiteti mbrojtja kombëtare e Kosovës; drejtorët e administratës së përkohshme në Shkodër; ushtarakë francezë në Korçë; administrata e krahinës autonome të Korçës; kolonia shqiptare e Amerikës, Rumanisë, Bullgarisë. 
Një bust i Princ Vidit (nga e njëjta dorë) është ngjeshur në këtë cep. Një uniformë holandeze gri “e përdorur në kohën e kolonelit Tomson”, ia shton tonin grisë së zymtë të eksponateve.
Njoftime mbi qëndresën kundër copëtimit të trojeve shqiptare vijnë nga gazetat e kohës si “Përlindja e Shqipënies”. Është një eksponat i gjithi me numrat e Përlindjes, “organ për të mbrojtur të drejtat kombëtare që del në Vlorë”. Ka edhe një kopje me ngjyra të gazetës. 
Mbërrijmë sërish në vitin 1912. Siç thamë specialistët shqiptarë të muzeologjisë përdorin një teknikë të lashtë të artit të të rrëfyerit, kthimin mbrapa në kohë sa dhe kur të duan. Telegrami i Qeverisë së Përkohshme drejtuar ministrave të punëve të jashtëm të shteteve të Ballkanit, që fillon me “Ministrit të punëve të jashtme Romë, Vjenë, Paris, Londër, Berlin, Petrograd...” dhe mbyllet: “... bota e qytetëruar do t’i presë me sy të mirë duke ia mbrojtur qenien e tij kombëtare nga çdo mësymje dhe tokën e tyre nga çdo coptim.” Nuk është një dokument autentik, duket një copë letër e daktilografuar. Përbri saj, faksimile të prera keq. Akti i Shpalljes së Pavarësisë ndër to. Në këndin e fotove të delegatëve në Kuvendin e Vlorës gjen portretet nga Ahmet Zogu, Sheh Ahmet Pazari,  Ali Shahini, Aqif pashë Elbasani, te Repexhep Mitrovica, Xhelal Koprencka, Hysen Hoxha - xhaxhai i Enver Hoxhës etj. Është e plotë dhe e saktë kjo pasqyrë? Tre historianë janë pyetur për rastin e Hysen Hoxhës dhe pohimet e tyre nuk bien në konsensus. 
Në pavijon gjen Telegrafin e Qeverisë së Vlorës dhe reliket e patriotit shqiptar Isa Boletini. Xhamadani i Isës “në kohën e vrasjes nga shovinistët malazezë”, revolveri dhe pipa e “Heroit të Popullit” gjetur në Shkodër 1982. Është i vetmi rast në Pavijon ku thuhet origjina e objektit.  
Muzeu nuk ka lëvizur për të bërë mbledhje, blerje për koleksionin, qoftë edhe ndryshime në teknikën e ekspozimit. Ka gjasa të rishihet e të përmirësohet cilësia e mendimit dhe informacionit që përcillet për këtë periudhë të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë? Nga biseda me drejtorin Luan Malltezi nuk duket se ka për të ndodhur.  
Komunistizim është ndoshta fjala më e përtatshme për të përkufizuar statusin e kësaj pjese të Muzeut Historik Kombëtar. Është një vend tipik që provon se ato që nuk janë dekomunistizuar në Shqipëri janë elitat. 

Diskutimi/ Qëndrimet e tre historianëve

Luan Malltezi: Do të kemi ndryshime pas 28 nëntorit

Në Muzeun Historik Kombëtar e gjen akoma të diskutueshme se cilët ishin delegatët e vërtetë në Kuvendin e Vlorës. Fjala është për Hysen Hoxhën (1861–1934), xhaxhai i Enver Hoxhës (1908-1985), delegat i Gjirokastrës me rastin e nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë në Vlorë. Nevila Nika, drejtoreshë e Arkivit Qendror të Shtetit, studiuesja Valentina Duka dhe Luan Malltezi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar mbajnë qëndrime të ndryshme.

Zoti Malltezi, mendoni se ka gjëra që duhen riparë në Pavijonin e Pavarësisë?

 

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë ka aktivitete të shumta shkencore nga institucionet përkatëse si Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe të gjitha këto rezultate do të paraqiten edhe në muze. Do të ketë ekspozita si ardhja e armëve të Skënderbeut. Vetë pavijoni do të rishikohet pas rezultateve të 100-vjetorit. 

Është ngritur një komision për këtë?

Sigurisht.

Nga cilët përbëhet?

Nga një grup pune i Muzeut Historik Kombëtar që punon për hartimin e programeve dhe të ekspozitave tona. 

Atëherë, çfarë mendoni se duhet ndryshuar?

Ne flasim sot për 100-vjetorin e Pavarësisë kur vendi është i lirë dhe veprimtaria e atyre personaliteteve që kanë patur marrëdhënie të vështira me regjimin e kaluar, ka mes tyre që janë pushkatuar, ekzekutuar, internuar, duhet të zërë vendin e duhur. Një nga këta ka qenë Mit’hat Frashëri. Do të rishihen të gjithë në bazë të materialeve po edhe të financave. Pra çështja e pavijoneve bëhet në bashkëpunim me historianë dhe ekipe.

Financat dalin gjithmonë pengesë.

Ne bëjmë projektet tona, pastaj realizimi financiar varet nga ministria. Ne po zhvillojmë këto veprimtari që kemi. Sigurisht përpiqemi që si Muze Kombëtar të hyjmë në ekonominë e tregut te kemi dhe ne sallat të cilat janë në shërbim të të gjithë shoqërisë, njerëz që i marrin me qira. Jo vetëm sallat por edhe ambientin e brendshëm që ka muzeu që është nga më të bukurit që ka Tirana, nga më të mrekullueshmit, ne u garantojmë shërbim mbasdite.

Zoti drejtor, ne po shkrijmë vape tani që po flasim...

Nga periudha e majit e deri në shtator këtu është ambienti me klimën më të bukur në Tiranë. Oborri i brendshëm e kam fjalën, është me hije.

Kur do të ndryshojë klima në këto hapësira ku ndodhen objektet?

Ah, këtu? Këtu kemi probleme. Klima? Çështja e klimës është një kërkesë shumë e domosdoshme për çdo muze për arsye se ruhen objektet e kulturës sonë dhe kushtet e temperaturës e të ndriçimit duhet të garantohen. Janë probleme themelore për një muze dhe sigurisht kërkon financa të mëdha. 

Kur për herë të fundit keni kërkuar zgjidhje të problemit?

Vazhdimisht e kemi kërkesë të parë çështjen e klimës në muze. Ka qenë garantuar deri në vitin 1990, pas kësaj muzeu ka patur shumë probleme për faktin se ka qenë shumë i politizuar. Ky që kemi sot nuk është më muzeu i viteve ‘90, nuk është një muzeu linear për historinë e Shqipërisë. Sot është muze me koleksione arkeologjike, ikonat. Po punohet ndërkaq për pavijonin e etnografisë.

Edhe një pyetje për Pavijonin e Pavarësisë. Hysen Hoxha qëndron në stendë delegat i Kuvendit të Vlorës. Është një fakt i qëndrueshëm apo që duhet riparë?

Ne nisemi nëse ka marrë pjesë, nëse ka dokumentacion për këtë. Ne si historianë na intereson vetëm fakti që ai ka veprimtari. Nëse diskutohet për praninë dhe jo praninë ka dokumentacione të kohës. Ne kërkojmë vetëm fakti të jetë i sigurt.

Sipas dijenisë tuaj, ishte apo nuk ishte ai delegat në Kuvendin e Vlorës?
Unë kam dijeni nga ato që kam lexuar që ka qenë. Por duhen parë faktet, duhen sjellë faktet.

Janë rimarrë në diskutimet tuaja ndonjëherë këto dyshime dhe perspektivat për korrigjime?
Shtypi shkruan vazhdimisht për këto.

Komisioni juaj i specialistëve?
Jo, jo s’është marrë.

Nevila Nika: I kemi të gjitha mundësitë të themi të vërtetën

Diskutimet për firmëtarët e Aktit të Pavarësisë i kemi prej vitit 1993. Atë vit Arkivi organizoi një ekspozitë dokumentare ku ka ekspozuar aktin e pavarëisë, pa montazhin e fotove që pengonin firmat dhe emrat. Bëmë gabime dhe ne atëherë sepse jo të gjitha firmat i lexonim mirë. Pastaj iu vumë punës dhe pamë dokumentin e Lef Nosit. Dhe prej tij doli që s’i kishim lexuar dot saktë firmat. Në vitin 2005 ekspozuam në një konferencë fotot e gjithë delegatëve. 
Gjithnjë ka patur përpjekje për të treguar që Hysen Hoxha ka qenë i pranishëm ditën e Pavarësisë. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk përjashtohet që ai të ketë shkuar më vonë siç kanë shkuar dhe dhjetëra të tjerë të cilët nuk arritën të shkonin në kohë, për shkak të situatës politike që u krijua në trevat shqiptare, ushtritë e huaja hynë shpejt në Shqipëri.  Në Vlorë nuk shkoi Aqif Pashë Elbasani që unë e konsideroj si një figurë emblematike, edhe për moshën e tij edhe për autoritetin që gëzonte. Ai nuk shkon në Vlorë por asgjë nuk i heq atij meritat e mëdha që ka. Siç nuk arriti Refik Toptani të ikte nga Tirana. 
Përpjekje për të futur emra në atë të famshmin aktin e pavarësisë ka patur edhe përpara ’44-ës. Mbajtja e aktit të pavarësisë nga Lef Nosi mund të ketë qenë një përpjekje nga ana e Mbreti Zog për të thënë që ishim dhe ne ditën që u vu firma. Por edhe ata kanë qenë mbasi ka mbaruar dita dhe nata e 28 nëntorit. Siç shkoi dhe Isa Boletini. Por familja Boletini nuk pretendoi që Isa Boletini ka vënë firmën në akt, por ka shkuar në mbështetje ditë më vonë. Ne sot i kemi të gjitha mundësitë të themi të vërtetën. Nuk na shtrëngon njeri të gënjejmë. Vazhdoj ta them ende sot që ato emra, ato firma sa janë atje ne duhet t’i dimë përmendësh, në shkolla të mësohen përmendësh. Kush janë dhe nga cilat krahina janë. Akti dy rreshta ka, por në atë copëz letër përfaqësohen mjaft treva të Shqipërisë.

Valentina Duka: Hoxhës nuk i mohohet kontributi

Hysen Hoxha ka qenë në Kuvendin e Vlorës. Dimë që aty munguan delegatët e territoreve skajore, që erdhën pas tri ditësh. Hoxha ka qenë në grupin e delegatëve të Gjirokastrës. Nëse drejtoresha e Arkivit ka dokumente që provojnë se nuk ka qenë, le të tregohen këto dokumente. Hysen Hoxha ka qenë sepse ai vinte në Vlorës si i zgjedhur, si përfaqësues i Gjirokastrës, pra si rezultat i kontributit që kishte dhënë. 

 

13 Komente

ato daret e Selos jane dhe ne Vlore. Mendoj se duhet te jene dhe ne Tepelene!
Jane ne gjendje te mire pune(te paperdorura) se telat u kaluan me guna.

Te dyshosh ne jane autentike objektet historike qe ekspozohen ne nje muze kombetar eshte vertet e trishte.S'e kam per ate qe dyshon,por per ata qe nuk vertetojne vertetesine e tyre.Te shkosh ne nje muze e te te servirin si per te mireqena disa objekte qe s'perkojne apo s'i perkasin  figures apo ngjarjes ne fjale eshte vertet tallje me historine e kombit tend dhe per me teper deshmi te nje kulture te varfer.

Znj.Nevila e kam degjuar disa here ne debate dhe mendoj se puna ne arkiva e ka mbyllur aq shume sa me zor nxjerr nje fjale qe vertet te na sherbeje.Me se shumti tregon se si procedohet puna ne arkiva pa dhene detaje apo informacionin qe vertet  na intereson.

Ja nje shembull:

 

Edhe një pyetje për Pavijonin e Pavarësisë. Hysen Hoxha qëndron në stendë delegat i Kuvendit të Vlorës. Është një fakt i qëndrueshëm apo që duhet riparë?

Ne nisemi nëse ka marrë pjesë, nëse ka dokumentacion për këtë. Ne si historianë na intereson vetëm fakti që ai ka veprimtari. Nëse diskutohet për praninë dhe jo praninë ka dokumentacione të kohës. Ne kërkojmë vetëm fakti të jetë i sigurt.

smiley

Me zor shprehet ,por prape e lekundur:

Sipas dijenisë tuaj, ishte apo nuk ishte ai delegat në Kuvendin e Vlorës?
Unë kam dijeni nga ato që kam lexuar që ka qenë. Por duhen parë faktet, duhen sjellë faktet.

 

dhe pastaj thote qe i kemi te gjitha mundesite per te thene te verteten.smiley

 

shi nashti presim pergjigje ,a ishte selami i dehur apo jo se daret nuk i duheshin ai shtronte gunen mbi tela ,kjo per shpejtesi pune ,nderkoh italanet ja muaren daret selamit per te ngren nakarona.....

Altin ishin burra me mustaqe ata. Nuk u vihet burreria ne dyshim pse pinin raki, ti e di qe ashtu e kishin ato zona, kur mbushje 14 do uleshe me burrat e do e ktheje me fund rakine qe te te dilnin syte si koqe lepuri. Po te ishte tape do i merreshin kembet e sdo ngrihej dot jo me te hidhej mbi tela e te bente lufte aq me teper qe ishte kapedan i qindra veteve. Tani zakoni e kishte qe nje nate para lufte haej e piej mire si per here te fundit dhe shikohej cdo ndodhte ne brinjet e dashit. Sipas legjendes Selami e ka pare tek brinjet qe do vdiste dhe e zgjodhi te lavdishme vdekjen. Une kam respekt maksimal per te tille burra qe ky vend ka vite qe nuk i lind me.... nuk e di ne na eshte prishur raca deri ne ate pike sa te mos nxjerrim me burra te tille. Respekt per ata qe jeten e tyre e rrojten me nder dhe e mbrojten ate nder e dinjitet dhe me sakrifice te tille. Neve sot nuk ju vijme as tek gishti i kembes asaj lloj race te stergjysherve tane. I AM SORRY, IS THE TRUTH.

e di mo eri pobbaj hagare bre

eh te kishim ne sot vetem 2 % te burreris qe kishte s2lami me shoke nuk do ishim ne kete gjendje qw jemi

keta e bejne sikur Selam Musai ishte Deda elektricisti ( Rruge te bardha) qe mbante gjithmone nje pale dare, pinca dhe nastro ne xhep..smiley

Duhet te vene edhe zamzanen e rakise qe selami e thau perpara se te bente yxhym.

u plake e nuk u poqe....

I paska pase dare origjinale Selua qe ja paskan nderruar ne muzeum smiley

opo ja fusin kot fare keta Brad...  Selami kishte nje dyfek dhe gunen.  thote mire ''t-ja'' me siper,  Selami nuk i preu telat,  po hodhi gunen mbi to dhe i kaperceu.smiley

Po pra keshtu e dija dhe une,keta jane artikuj dashakeqes qe duan ti ulin vlerat Selos,shih kur te thone ndonje dite qe tela me gjemba,nuk ka pasur fare.

Nuk behet fjale per dare personale te Selamit por dare qe ka pas me vete ceta e Selamit. Mos lexoni vetem titullin dashakeqes anti-Selamist smiley

qe kur arti eshte bere rutine e gjykimit te lloj lloj gazetari,qe mbaron veterinarine,gjeologji miniera etj etj eshte e kote te kthesh pergjigje,por pak sedra alla shqipetare na detyron ta bejme kete gje gjithsesi.

moj elsa moj, kush te ka thene ty qe ato vetem pse jane nje ngjyre jane e njejta dore?kush te ka thene ty qe keta nuk kane qene sojniket me te medhenj te kohes ne shqiperi?perderisa jane te "rruajtur e qethur" me fal qe po te them por term shume katundaresk per kete lloj kritike.kush te ka thene ty qe nuk eshte perdorur rekuizita per ti punuar keto buste? 

vetem e verber te jesh nuk e dallon gjuhen e formes aty, dhe per me teper te thuash dhe per bustin e selam musait qe vetem pse e tonuam ne, duket e njejta dore, ku gjuha plastike e perdorur as qe behet fjale te kete me te voglen ngjashmeri me bustet tjera, me duket abuzive. gjithsesi sa per info e shikon qe nuk i ke rene ne te me materien e perdorur,nuk eshte bronz me ngjyre myku por eshte allci me imazh bronzi.etj etj,

me vjen keq qe bini pre e ylberave dhe doni ti lyejme bustet nje blu,nje kuq,nje roze,nje jeshil nje kaf etj etj,por jo me ne kurre nuk ndodh kjo se jemi profesioniste te skulptures dhe jo amatore te gazetarise!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).