Pas publikimit të lajmit për vilat e ministrave në plazh, Flamuri vendosi të vërë në përgjim ministrat nga SHKB se kush spiunonte në gazeta. Ditën e parë gazetat kishin botuar vetëm ato çfarë ministrat kishin deklaruar në ILKPD. Por kjo kish ngjallur shumë reaksion dhe Flamuri vendosi të përgjonte se kush prej ministrave do të spiunonte për vilat e tyre. Më i dyshuari ishte Ed Halimi dhe  Genc Ruli. I la porosi SHKB t’i raportonte për gjithë bisedat e Ed Halimit.

Ora 10.00- Halimi, telefon Sandrit.
-Si je vëlla, si të kam. Ore e pe ça kanë bë gazetat me shtëpitë tona?
-E mo mos e rruj, të plasi trapi ty?
-Jo, më vjen inat se tregojnë vetëm tonat, jo të të gjithëve. Po na godasin nga brenda.
-Ou, s’i kam parë, ça kanë shkruar?
-Ja, na kanë nxjerrë vetëm ne që nuk na quajnë të Doktorit. Flamur Noka ka vilë në Lalëz, dy apartamente në Sarandë tek enti i banesave dhe nuk i ka dalë emri. Olldashit, Patozit nuk i ka  dalë. Ridvani ka një kat të tërë në Qerret, ia kanë dhënë ata të naftës, nuk i ka dalë. Ilir Meta, vilë gjigande trekatëshe, s’i ka dalë.
-Hajt o burrë se nuk e rruan Doktori për këtë. Dhe ty s’t’i paskan tregu të gjitha, vetëm ato që ke deklaruar, mos e rruaj.

Ora 10:20 min. Halimi, telefon Rulit.

-Si je o i madh? E pe ç’na kishin bërë në gazeta, vetëm emrat tanë, të gjithë kanë vila.
-E pashë biro, e pashë, s’ke ç’i bën. E ka zakon ky, tërë jetën këtë punë bën. Dhe në qeverinë e parë të gjithë vidhnin, me mua u kap sa më hoqi.
-Pse Doktori na e bën?
-Po pse kush, unë? Nuk e shikon listën, vetëm ata që do të mbajë nën kontroll ka nxjerrë në gazeta.
-Ou, s’e dija. Nejse, mua pak më ka përmendur, ishallah s’më ka pikasur.
-S’ke ç’i bën, është me fat kjo punë, nuk ruhesh dot, i tha Ruli. I vetmi shans që kemi është se Argita po e bën vilën në Lalëz më të madhe se të Ilir Metës dhe kjo mund të jetë shkak për tu prishur koalicioni pasi Monika nuk e duron dot këtë gjë.

Ora 11:35 min. Halimi, telefon Qirjakos.
-Alo Qirjako. Më ka urdhëruar kryeministri të më bësh një evidencë me gjithë pasuritë që kanë ministrat, gratë e tyre, kunetërit, motrat apo vëllezërit dhe prindërit. Më duhet urgjent nesër.
-Dakord, do flas me Flamurin dhe të them unë.
-Po ç’hyn Flamuri këtu, po ta jap unë porosinë?
-Porositë nga Doktori i marr nga Flamuri. Ti po ke ndonjë hall personal, më thuaj.
-Po nuk ma dhe, do pushohesh, i tha Halimi.
-Kam frikë që po e kërkove prapë këtë listë, do pushohesh ti, i tha Qirjako.

Ora 13:00. Ed Halimi i telefonon botuesit të një gazete.
-Vëlla, dua të më bësh një nder. Disa klane brenda PD po na sulmojnë si gjoja të pasur dhe vetë s’u del emri për asgjë. E ke parë lajmin për shtëpitë tona në bregdet? Me siguri e ke parë. I kanë hequr emrat gjithë këta kundërshtarët dhe na e kanë rrasë vetëm ne. Po deshe bëj një shkrim për nesër me titullin: “Klanet e PD sulmojnë ministrat e suksesshëm” dhe shkruaj që ne ministrave që na ka dalë emri jemi të suksesshëm, kurse atyre që s’u ka dalë emri janë ata që kanë porositur shkrimet kundër nesh.
-Më thuaj kush janë ata, i tha botuesi.
-Po ja, Olldashi, Noka, Bode, Patozi, Basha, kanë shtëpi më të mëdha se unë dhe s’ua ka zënë njeri emrin në gojë. Futi një të fortë dhe futi në sherr me Doktorin. Futi një fjali aty që ky sulm u bë pasi Doktori foli për milionerët e PS dhe me qëllim që të zhvlerësohej sulmi i Doktorit, klani brenda PD na sulmoi ne si miliarderë.
-OK, i tha botuesi. E ke gati për nesër. Vetëm më sill ato letrat për shtëpitë e Flamurit tek Enti i Banesave në Sarandë se më duhen.
-Patjetër, i tha Halimi, vetëm ma bëj këtë shkrimin. Dhe çoji një SMS Doktorit nga ndonjë numër dhe thuaj që po e bëjnë kundër Atij këtë luftë që ta  dëmtojnë…

Flamurit ia çuan të zbardhura bisedat e ditës së Halimit. U shqetësua seriozisht dhe vendosi ta mbajë Halimin nën kontroll. Pyeti ata të SHKB se me kë ka folur tjetër.
-Ka folur dhe me Zenin, i thanë ata, po ato s’t’i japim dot se dënohemi. Dhe atij pak a shumë këto gjëra i ka thënë.
Flamurit i ra telefoni nga dora.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).