Kur merret me romët, i thuhet: kemi halle të tjera, or ti avokat! Kur merret me LGBT, i thuhet: s’kemi të tillë ne në Shqipëri, or ti Totozan! Kur merret me qytetarët që vuajnë nga abuzimet e faturave të CEZ, i thuhet: Mos u merr me politikë, ti or tej…!
Foto nga Shekulli/F.Zhurda

Ka një fakt të pakundërshtueshëm që tregon se sa shumë egoistë mund të jemi ne shqiptarët! E si për të mos qenë pak kjo, edhe sa shumë të ngjashëm me atë shprehjen “dhi e zgjebur e bishtin përpjetë”.

Ju kërkoj ndjesë për krahasimin e fundit dhe për përdorimin e një metafore në titull që mund të tingëllojë gjithashtu diskriminuese. Por teksa po lexoja te Shqiptarja.com komentet poshtë një lajmi nga Avokati i Popullit, i cili sot nuk shkoi të bënte plazh te Gjiri i Lalzit, apo në bregdetin jugor si, ma merr mendja, shumica e njerëzve të rëndësishëm të këtij vendi, por u takua me komunitetin rom. 

Që z. Igli Totozani i njeh mirë metodat e komunikimit me median dhe me publikun, kjo s’ka nevojë për debat. Por fundja: çfarë më shumë mund të bëjë një institucion kushtetues që vërtet zgjidhet me 3/5 e votave, por që maksimumi që ligji i garanton është të konstatojë, të dënojë publikisht, mbi të gjitha të lobojë prane shtetit dhe të sugjerojë?!

Veprim i mençur nga ana e Avokatit të Popullit: puna me median, puna për edukimin e publikut, e përmes kësaj armët për të lobuar pranë institucioneve që kanë realisht forcë ekzekutive, shndërrohen në armë më të forta.

Por shikoni si e komentonin këtë lajm: Njëri, njëfarë Genti, beson se komuniteti rom që jeton në Shqipëri nuk ka pse të jetë prioritar me hallet e veta që ngjajnë më keq se në mesjetë! Ky farë shqiptari që mban emrin e një mbreti që është tërhequr zvarrë e është poshtëruar si rob në historinë e thellë të ilirëve, shkruan me fjalor e dialekt mejhanesh: “Leni romet ti o Totozan,po merru me hallet e Shqiptareve. Po te vjen aq keq per romet,leja vendin e avokatit no nje Romi,per ndryshe,hajt sikter se kemi halla me shum se romet”.

I të njëjtit pseudo-argumentim është dhe njëfarë Altini. Ky shkruan, në mënyrë më të zbutur, por me të njëjtin qëllim egoist dhe malinj për të diskriminuar e për të mos llogaritur fare mijëra njerëz: “Po ky totozani popull quan vetem jevgjit, se qe kur ka marr detyren vetem me ata eshte marr. Shqiperia ka me shume halle rreth e rrotull, hapi syte o totozan”.

Ka dhe një shprehje tjetër orientale, të lidhur ngushtë me episode barcaletash orientale e që ka të bëjë me Nastradinin (Nostradamusin alla-shqiptaro-turk): ajo shprehja, “ma ftohe gomarin”, apo “ma nxehe gomarin”! Kur merret me romët, i thuhet: kemi halle të tjera, or ti avokat! Kur merret me LGBT, i thuhet: s’kemi të tillë ne në Shqipëri, or ti Totozan! Kur merret me qytetarët që vuajnë nga abuzimet e faturave të CEZ, i thuhet: Mos u merr me politikë, ti or tej…! Kur merret me gratë e dhunuara apo me personat me aftësi të kufizuara, ose nuk i thuhet gjë (injorimi është arma me tehën më prerëse), ose i thuhet: po na bën show për t’u dukur edhe ti o Igli!

Më thoni nëse ne nuk jetojmë në një shoqëri të verbër, egoiste dhe të paaftë për të kuptuar se në thelb, çdo të keqe e kemi si pasojë se nuk i njohim, nuk duam t’i njohim dhe nuk i pranojmë dot të drejtat e njeriut si baza mbi të cilën duhet të ngrejmë bashkëjetesën tonë! Gjithçka tjetër, është ose llogje kafenesh kundër Berishës (i cili e njeh më mirë se kushdo tjetër këtë mangësi kolektive që kemi), ose impotencë, sërish kolektive, për ta kapur dreqin pas brirësh…

P.S. 
“Jevgjit” egoiste shqiptare dhe komuniteti rom ne Shqiperi, do te duhej te ishte titulli i ketij komenti… Dhe sigurisht, nuk behet fjale per kedo shqiptar qe qendron ne heshtje e nuk guxon as te diskriminoje, as te luftoje gjithcka qe shef te ndodhe, ne format nga me te padrejta, rreth tij. Por kjo e fundit, eshte nje problem me i madh!

Historiaime.com

 

8 Komente

Mire e ke o Kristi,Igli te merret me Romet deri sa tja zgjidhe hallet dhe per kete Hallall,ju jeni rehat ju te LGB -se nji te kthyme dhe ja ku i zgjidhet.

ja, per tipa si puna jote flet artikulli qe cdo muhabet e banalizojne dhe e ulin ne nivel ordiner ku te ndihen me rehate

Me fal zemra nqs te kam prekur sadopak.

te fal une mo shpirti se aq di aq ben

Nga aq pak sa kam ndjekur ne media, me ka pelqyer sjellja e Totos. Por nuk kuptoj pse ky artikulli interesohet per c'fare shkruajne komentuesit. Njesoj sikur nje gazet tjeter te vi tek peshku dhe te thote c'fare ka thene secili anetar. Prit, me ngjane sikur gazetat kane bere dicka te tille...

Diskriminimi pozitiv eshte pjese e çdo shoqerie te civilizuar; shqiptaret jane bere si shoqeri ujqerish ku sulmojne me te dobetin.

kam bere dy komente ketu te dy me jane fshire(asnjeri nuk kishte permbajte dishkriminuese) tani po komentoj kot me pa se sa do rezistoje i treti. (a eshte valle i treti i verteti?)

Ajo cfarë më bën për të qeshur sa herë më duhet të analizoj profilin e një shqiptari, nuk arrij dot të gjej një fjalë të duhur! Dëgjova një ditë në media që dikush i cilësoj shqiptarët (rrjedhimishtë dhe veten) SHPELLAR! Këtu akoma dhe më keq më filloj trazimi, ok sillemi si shpellar në kuptimin e vërtet dhe figurativ të fjalës! Joo cfarë po them, nuk është e vërtet .. po familja ime, mos o zot familja ime nuk është shpellare! As unë nuk jam ashtu, pra mua më djeg ti quaj të tillë!

Pastaj mendova njësoj si Pinderi, egoistë dhe fillova të analizoj mirë fjalën egoistë!Ç'do lloj forme egoizmi karakterizohet nga interesi vetjak apo jo, atëhërë ç'interes kanë shqiptarët të nërvozohen nqs Avokati interesohet edhe për këtë komunitet?!!

Tani jam duke kërkuar shumë, si quhet një gjëndje e tillë " Të kesh inat të shohësh tjetrin më mirë se veten" ??

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).