Kur tregtuesi i librit ngre supet dhe të thotë se cilët libra i shiten, prej rrëmujës së madhe të titujve zgjohet pyetja tjetër: në këtë rrëmujë konsumiste pa krye, cili është shkrimtari i sotëm shqiptar?

1.

 

Ç’bëhet me shkrimtarin shqiptar (që do të thotë, ndërkohë, se ç’bëhet me letërsinë shqipe)?

Si atëherë kur Paul Valery thotë se një vepër nuk mbaron kurrë, veçse ta merr botuesi nga duart, si atëherë kur W.B.Yeats thotë se ka një “klik” që lajmëron mbarimin e veprës, kemi të bëjmë me të njëjtën gjë, pra me mbylljen e një etape në krijimtarinë e artistit dhe hapjen e një tjetre, sepse te ky çast i rëndësishëm për të, ku e ka shtëpinë mbijetesa e tij, shfaqet problemi i ndërlikuar i tregut, i treti në radhën e katër kushteve themelore që përcaktojnë epokat më të mëdha artistike, ku thuhet se bëjnë pjesë frymëzimi, përvetësimi i teknikës, tregu dhe vlerësimi. Megjithëse artistë të kalibrit Van Gogh kanë bërë art të madh edhe pa dy kushtet e fundit, rregulli vazhdon ta ruajë natyrën e tij tipike, sepse arti përpiqet ta thotë fjalën e tij edhe përtej këtyre përjashtimeve, pasi siç thuhet në deklaratën e Droits de l’Homme: liria është e drejta për të bërë gjithçka që nuk i dëmton të tjerët. Mandej, ky rregull e ruan natyrën e tij për shkrimtarin e varfër shqiptar, i cili e bazon mbijetesën te një gjuhë e vogël demografikisht, që për më tepër numrin e lexuesve e ka fare të vogël.  

Mund të mendohet se në letërsinë shqipe nuk mund të diskutohet me tone kaq të ngritura. Dhe duket e drejtë: kaosi dhe rrëmuja që e karakterizojnë pamjen e saj hierarkike i japin pak mundësi këtij diskutimi, pasi statusi i tekstit letrar vazhdon të mos e ketë fituar qytetarinë. Ende nuk kemi hartuar një antologji që do të paraqiste historinë e zbulimeve e risive dhe shprehjeve të tyre në kuadrin e fjalës artistike shqipe, gjendur vetëm te një varg a dy, apo me cilësi të veçanta të kadencës a sonoritetit, të cilën pasuesit e shumtë e përsërisin, e zbusin ose e modifikojnë. Zgjedhja vetëm në bazë të zbulimeve që shtrihen në dimensionin e thellësisë, jo vetëm të ndonjë risie në sipërfaqe, do të hidhte dritë më të qartë se sa paraqitja kuturu dhe en block. Kjo metodë që nuk ka asgjë të përbashkët me metodat ose përpjekjet e atyre që i ndajnë elementet e letërsisë sipas disa kategorive joletrare, do të ndihmonte që të dallojmë shpikësit, mjeshtrit, ata që kanë merita në ngritjen e ndonjë forme në shkallë më të lartë, apo mbllaçitësit që nuk kanë ndonjë efekt mbi rrjedhën kryesore, pasi përndryshe do të jetë tregu dhe mendimi amatoresk ai që do të vazhdojë ta përcaktojë fatin e letërsisë shqipe edhe për shumë kohë.

 

 

2.

Përballja me vitrinat e librarive është vendi ideal për të ngritur pyetjen se çfarë po ndodh sot me letërsinë shqipe, pasi shikon menjëherë se mungon çdo mendim hierarkik i vlerësimit të saj. Kur tregtuesi i librit ngre supet dhe të thotë se cilët libra i shiten, prej rrëmujës së madhe të titujve zgjohet pyetja tjetër: në këtë rrëmujë konsumiste pa krye cili është shkrimtari i sotëm shqiptar? Imazhet e krijuar nga media e përditshme, e cila gjithmonë noton nëpër faktorë jashtëletrarë, jo vetëm që nuk e sqaron këtë problem, por e turbullon atë edhe më keq: një vend i vogël si i yni nuk mund të ketë me qindra shkrimtarë të mëdhenj, siç duket se del prej saj. Mendimi i paspecializuar i bën jehonë një prodhimi mesatar dhe nënmesatar, diçkaje që është artikuluar për arsye të ndryshme dhe diçkaje të pranuar përgjithësisht me sy mbyllur: prekja e këtyre tabuve bie reagime të ashpra, veçse pa asnjë argument të mirëfilltë artistik, duke mbjellur tash e parë vetëm pamje kaotike, qoftë në rastin e thjeshtë të lexuesit fanatik, qoftë në rastin e estetit të socrealizmit. Rasti i këtij të fundit na tregon edhe një herë se thembra e Akilit nuk është krijimi por gjykimi: prodhimi vulgar i socrealizmit do të kishte vdekur me kohë pa këtë të fundit (ç’dinë brezat e sotëm për komisarin, sekretarin e partisë, lejfenizmin?). Si një herë e një kohë, paaftësia e plotë për të folur për letërsinë si letërsi, paaftësia e plotë për të zotëruar kodet elementarë, pjell lista qesharake emrash që nuk maten as me nivelin mediokër të letërsisë shqipe, sipas parimit lista pjell listën dhe kështu diçka do të mbetet, pasi koha e kaluar e ka aprovuar këtë, përderisa predikuesve të mendimit të ri u mungon pushteti për të qenë të bindshëm për turmën, e cila s’i ka për qejf ndryshimet e shpeshta. Gjithçka që u tha më sipër tregon se, si çdo fushë tjetër e jetës shqiptare, edhe letërsia paguan çmimin e lirisë së fituar në emër të demokracisë, ku parësore janë fitimi i parave dhe thellimi i kësaj të fundit.

 

3.

Sot për sot, ndër shkrimtarët shqiptarë shquajmë së pari ata që vijnë nga periudha e djeshme e komunizmit, dy kampe krejt të ndryshme në pamje të parë, por edhe të përshkuar nga një tipar i përbashkët: ata përcaktohen nga marrdhënja me politikën dhe jo nga cilësia e veprës. Në rastin e parë kemi shkrimtarin me etiketën e intelektualit të shtetit, i cili lindi në një shoqëri strukturat e së cilës u bënë qartazi artificiale, pasi klasa sunduese e humbi funksionin e saj, por arrinte të mbahej në pushtet me forcë dhe mashtrim, duke premtuar më tepër një kohë skizofrenie se sa një kohë besimi, një kohë që nuk lejonte rregjistrimin besnik të fakteve dhe sinqeritetin emocional të krijimit: nga pikëshikimi i shoqërisë totalitariste historia është diçka që duhet krijuar e jo diçka që duhet mësuar, kështuqë lejohet vetëm një opinion, i cili sjell për pasojë një falsifikim të plotë. Kasta sunduese e shtetit totalitar duhet të ruajë sundimin e saj, prandaj duhet të konsiderohet si e pagabueshme, mirëpo meqë në praktikë askush nuk është i pagabueshëm, është e nevojshme që ngjarjet e kaluara të përshtaten në  mënyrë që triumfet e imagjinuara të duket se kanë ndodhur vërtet. Ky kamp i identifikuar lehtë si oportunist ishte dhe vazhdon të mbetet më i madhi, ngaqë në gjirin e tij krijohej mundësia e një mënyre mirëkuptimi me kastën drejtuese të shtetit, çka nënkupton vazhdimësinë e të shkruarit dhe të botuarit, sigurisht kundrejt çmimit të vetëcensurimit apo gjuhës së Ezopit, duke çuar nëpër disa simbolika dhe metafora të stërholluara. Si të gjithë vendet e Evropës lindore, edhe Shqipëria ka njohur ekzistencën e shkrimtarit disident, çka përbën modelin e dytë të sipërpërmendur, por efekti i përftuar prej tij, për arsyet e njohura të një diktature të shkallës më të lartë, ka patur një minimizim të skajshëm në krahasim me vendet e tjera, kështuqë edhe sot e kësaj dite vlerësimi për këtë shkrimtar vazhdon të luhatet përmes uljengritjesh të mëdha, shembujt ilustrues janë të qartë për të gjithë dhe nuk ka nevojë për përmendje emrash.

Këto dy prerje të mëdha nuk mbyllin gjithçka, sepse ka edhe përjashtime të rralla për letërsinë shqipe në përgjithësi, por shërbejnë për të krijuar një ide për pamjet e saj më tipike. Në pamje të parë, grupi i parë vazhdon të jetë më i fituari: vula zyrtare e vënë një herë e një kohë për ta (sigurisht, një verdikt politik) shtrëngohet me forcë, duke gëzuar edhe përkrahje mendjesh të mpira individësh të caktuar, organesh shtypi, përgatitësish tekstesh shkollore, apo fantazmash të ndonjë institucioni kohësh të kaluara. Nga këto koka, me media apo mjete të tjera nën zotërim, mund të dëgjosh se ndër hierarki duhet të hyjë dikush me emër, duke harruar se gjykimi nuk është për emrat por për vlerat. Gjykime të tilla vijnë nga një kohë kur shkrimtarët merreshin seriozisht si nga shteti ashtu dhe nga publiku, nga një kohë ku dihej se ç’duhej shkruar, ç’duhej thënë ose menduar: nga një kohë kur shkrimtarët vlerësoheshin më shumë se sa shkrimtarë, duke u marrë si ideologë, si ndërgjegje morale, si mbartës të disa vlerave apo të drejtash të njeriut.

Tashti që nuk ka më ideologji sunduese, vetë politika nuk ka më interes për asnjërin model dhe çmimin e lirisë së tyre shkrimtarët e paguajnë tek tregu: tashti shtrohet problemi se mund të shkruash çfarë të duash, po kush do të të lexojë. Tashti shtrohet problemi: cilët shkrimtarë janë përgatitur të shkruajnë pa marrë parasysh se kush do t’i lexojë, a do të kemi pas kësaj shkrimtarë me vlerat e tyre të vërteta? Këto pyetje ngrihen vetëm në sferën më të ndjeshme të letërsisë dhe studimit të saj, sepse çfarë mbisundon pamjen e përgjithshme mbetet konsumizmi, ngritja e supeve të librarëve që thonë “këto më shiten”, duke i bërë jehonë herë pas here kësaj dukurie edhe një instrument ndikues te mendimi i përgjithshëm si media. Ende nuk kam hequr dorë nga përgjigjia që i kam dhënë dikur një lexuesi, i cili besonte se mund ta ngrinte hierarkinë e letërsisë shqipe me anë të leximeve të veta: i thashë se mund t’ia rekomandoja vetëm pas tridhjetë vjetësh autorët që duhej të lexonte. Sepse shkrimtarët nuk kanë më funksion të veçantë në shoqëri, funksion ideologjik apo moral, atyre u mbetet veçse të prodhojnë letërsi, mirëpo mënyra e vlerësimit si e tillë do të vonojë, kërkohen vite për ta ndërtuar hierarkinë sipas saj, pasi logjika e tregut favorizon një letërsi bulevardesh (qoftë nga ajo periferike, qoftë nga ajo që përkthehet e botohet jashtë vendit), e cila ngrihet deri te imazhet mediatikë dhe mekanizmi i çmimeve kombëtarë. Dikush mund të thotë se tipari konsumist është fenomen tipik edhe në shoqëritë më të zhvilluara perëndimore, por s’duhet harruar se atje ai përballet me mendimin e specializuar, të konsoliduar, i cili sqaron se kur diskutohet në mënyrë serioze për letërsinë, W.S.Maughm dhe Archibald Cronin, bie fjala, janë shkrimtarë që shërbejnë për të rritur numrin e lexuesve.

 

A ka vdekur socrealizmi?

Dikur mjeshtër të një shkolle, tashti nxënës të dobët që duhet të nisin gjithçka nga fillimi, dikur prodhonin vepra që quheshin të rëndësishme, tashti del se s’dinë të shkruajnë më: kjo është pamja e sotme e autorëve të socrealizmit shqiptar, megjithatë pyetja nëse ky fenomen është gjallë apo ka vdekur, ngrihet herë pas here, duke e futur arsyetimin në disa labirinte social-kulturore, ku paqartësia e koncepteve për letërsinë e artit dhe letërsinë si fenomene shoqërore apo si të tillë, vazhdimisht pjellin mjegull. Ky pikëvështrim ngre idenë se “mëkati” nuk u mbetet autorëve, nëse ata bëjnë sa munden, e keqja mbetet tek gjykimi që u është adresuar dhe u adresohet. Fatkeqësisht, konfuzioni shtohet se vazhdon të gjykohet më tepër nga njerëz që vijnë prej të njëjtit formim, të cilëve mediokriteti i mjerë u rreh shpatullat dhe u siguron një gjendje komode mbijetese, për të zgjatur edhe pak atë që i ka ikur koha, duke krijuar aq shpesh situata të vërteta gazmore, sikur letërsia shqiptare fillon e mbyllet me ta. Paranojat idiote të kësaj fryme, bie fjala, do t’i gjesh në disa antologji të kohëve të fundit, të cilat janë të shkëputura krejtësisht, pra nuk mund të gjesh asnjë sistem krahasimi me atë që ka ndodhur në traditën e vërtetë të fjalës artistike shqipe. Sigurisht, jo gjithçka është për të qeshur, sidomos kur kemi parasysh atë që ndodh në sferën e superstrukturës, sepse atje nisin pasojat e pandreqshme lehtë. Në një studim të famshëm të tij, poeti dhe teoricieni francez Paul Valery tregon për një histori që piktori i madh impresionist Edgar Degas ia përsëriste shpesh. Sipas kësaj historie, E.Degas, i cili shkruante poezi herë pas here, duke i filluar ato mjaft mirë, një ditë ankohet te S. Mallarme se poezia është një zanat ferri, se si është plot ide, por ai nuk arrin të thotë atë çfarë don. Mallarme i përgjigjet: i dashur Degas, poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë. Kur Degas flet për ide, thotë Paul Valery, ai, para së gjithash, po mendonte për ligjërimin e brendshëm apo imazhet, të cilat mund të ishin shprehur me fjalë. Por këto fjalë, fraza sekrete, që ai i quan ide, të gjitha këto qëllime dhe perceptime të mendjes nuk bëjnë vargje. Ka diçka tjetër, një modifikim apo transformim, i papritur apo jo, spontan apo i përpunuar gjatë, të cilat zakonisht ndërhyjnë te mendimi që prodhon ide - kjo veprimtari dhe shumëzim i çështjeve, zgjidhjeve të brendshme, dhe, në anën tjetër, ky fjalmim i përftuar, kaq i ndryshëm nga ligjërimi i zakonshëm (i cili është poezi), kaq kuriozisht i rregulluar, i cili nuk flet tjetër përveçse për mungesë gjërash, ose gjëra të ndjera thellë dhe fshehtësisht: fjalmimi i çuditshëm, si mendim i bërë më shumë nga tjetërkush se sa nga folësi dhe adresuar te tjetërkush më shumë se sa te dëgjuesi. Shkurt, është gjuhë brenda gjuhës.

Pra, poezia është art i gjuhës. Më tej, në studimin e tij, duke dashur të bëjë krahasimin mes poezisë e prozës, P. Valery kujton raportin vallëzimi - të ecurit, çka e ka thënë disa shekuj para tij poeti dhe teoricieni tjetër francez Mahlerbe. Mungon plotësisht mundësia për ta parë poezinë shqipe nëpërmjet këtij pikëshikimi: ekzistojnë antologji të ndryshme (mund të justifikohen ato të hartuara në kushtet e diktatit politik e ideologjik, nuk mund të justifikohen kurrë ato të hartuara pa rënjes së kësaj diktature), por në peizazhin e sotëm kulturor shqiptar nuk e gjen një antologji që kërkon të japë momentet e zhvillimit të poetikave të shqipes. Kjo pamje të shtyn të kujtosh se realizmi socialist ngatërroi në dy krahë: manipuloi dhe ia nënshtroi traditën qëllimeve të veta dhe shpiku brenda kallëpeve propagandistikë idhujt e rinj, duke sakatuar rrjedhat normale historike të fjalës artistike shqipe, me pasoja të hidhura sot e kësaj dite atje ku përvijohen qëndrime zyrtare: në tekstet shkollore dhe qëndrimet amatore mediatike. Përmbi të gjitha këto, i pafalshëm është roli i atyre prej të cilëve pritet ndikimi në opinion: koha tregon se ato s’dalin nga natyra, ose s’duan, ose e kanë të pamundur (herë-herë, të dyja bashkë). Mirëpo, dihet se prej të quajturve të mëdhenj, vjen dëmi më i madh. Bie fjala, për ilustrim, si pasojë e keqkuptimeve jashtartistike dy poetë të rëndësishëm  shqiptarë, L. Poradeci dhe Migjeni, ende s’e kanë gjetur emrin e vërtetë në letrat tona: ato i janë përcjellë lexuesit me uljengritje të pakapshme. Kemi rastin e një shkrimtari si I. Kadare, i cili abuzon në sajë të autoritetit të emrit që gëzon (kemi të bëjmë me tendencë të qëllimshme apo çështje formimi kjo mbetet për t’u diskutuar): në parathënjen prej shtatëdhjetë faqesh që shoqëron botimin special (në fund të viteve tetëdhjetë) të veprës së Migjenit, pas gjykimesh sociologjike, krejt jashtëletrare, gjejmë përcaktimet “uragan i ndërprerë” (të cilit mund t’ia marrësh lehtë anën mosvlerësuese) apo “çmitizues” (këtë cilësim e kanë shumë autorë të viteve tridhjetë), duke e lënë autorin në fjalë krejt të zbuluar përballë interpretimeve amatoreske apo keqdashëse. Në rastin e L.Poradecit dëmi rritet, pasi veprimi ndodh në vitet 90-të: asgjë s’e justifikon atë material që përdoret si parathënie për botimin e veprës së plotë të L.Poradecit nga Sh.B.Onufri. Portreti për poetin, që mund të rrijë shumë mirë diku tjetër, nuk e ka vendin aty, pasi ai hedh dritë mbi personalitetin, por nuk luan asnjë rol në zbërthimin e veprës së tij letrare. 

Faktet e mësipërme janë të mjaftueshme për të treguar se realizmi socialist i shtrin shfaqjet e tij deri në ditët tona, edhe në ato sfera ku duhej të kishim ngjarje të vërteta letrare, prandaj gjykimit bashkëkohor i duhet ta mbyllë atë drejtim letrar brenda kohës e hapësirës së caktuar, brenda gjuhës së vet të politizuar e ideologjizuar, sepse vetëm kështu mund të kthehet gjykimi i poezisë, dhe i letrave në përgjithësi, në ditët më të mira të traditës, nivelet e së cilës duhen përshëndetur sot e kësaj dite. Ndërtimi shpirtëror kombëtar dhe pozicioni historiko-gjeografik midis lindjes e perëndimit u ka dhënë letrave shqipe poetika të larmishme, duke u reflektuar mundësitë e shumta që ka fjala artistike, edhe pse kemi të bëjmë me një gjuhë të vogël demografikisht, veçse mbetet të mprehet gjykimi që pjell fryte, gjykimi që rifiton pjekurinë dhe kodet e marrdhënjes me të vërtetën.

 

*marrë nga blogu i autorit

 

3 Komente

Tekst goxha i mire. Mund te diskutohet gjate. E keqja jone eshte se njerezit jane lodhur shume. S'kane me nerva as te shkruajne, as te lexojne, e as te komentojne. Lodhja eshte vertet nje semundje qe nenvleftesohet shume. Ka mundesi qe ne te jemi futur me ne fund ne rangun e shoqerive moderne, atyre depresive. Edhe kur lexojme nje poezi te bukur, nje roman te mire, lodhja e skajshme ben qe t'i kalojme menjane dhe te mos e hapim gojen per te.

Gjithashtu, Krasniqi nuk gabohet kur citon rregullisht Paul Valéry, qe eshte mbase nje nga kokat me te zgjuara qe ka nxjerre toka e Frances. Nje estet siç nuk gjenden me, te pakten jo ne France. Them se Valéry eshte prag i pashmangshem per çdo kritik letersie.

Njoftim : keto dite vdiq njeri nder kritiket letrare me grindavece franceze, Michel Polac. Them se "grindaveceria" e kritikut letrar eshte natyra e tij e dyte. S'behet ndryshe. Ne peizazhin letrar shqiptar, gerrithja eshte bere shume e rralle ngaqe rrezikon shume. Dhe e dyta qe harrohet : Polac hante buke me keto "sherre". Sa kohe qe, ne Shqiperi, njerezit ta mendojne kritikun letrar si shokun e pallatit qe punon diku saldator dhe keshtu kalimthi i fut nje kritike neper gazeta, them se.

Lodhur shume, njerezit. 

"....Ç’bëhet me shkrimtarin shqiptar (që do të thotë, ndërkohë, se ç’bëhet me letërsinë shqipe)?...."

    Te "shkrin gazit", ky Gazmendi ! Te gjitha  na i kishte "Nebileja ...shqiptare", por na mungoka vetem...  ferexheja.He, me ta lumsha o Gazi! Ja, ate kemi hallin kryesor sot .Hallin e shkrimtareve, te shkrimeve, te  librave...

  Njerez, demek intelektuale, qe marrin lapesin dhe bejne nga nje  te shkruar,  marre per teme.Tema si  kjo, qe mundet ne ate fillim kthese, kur ne te  gjithe ishim me shpresen e nje procesi , te ngadalshem, sigurisht te  rremujshem, te pjesshem diferencimi, ne te cilin popuuli si kudo ne pjesen lindore te Evropes, do te mund te arrinte praktikisht, ne menyre graduale,ne rruge krejt e te  ndryshem, por te pasperdredhur, te mund te  fitohej   ne hapesira me  te  shumta  e me te gjera pluralizimi, qe do te arriheshin, duke filluar  nga poshte.Me paderman, jo me progresin e nje "komunizmi  te reformuar" dhe  asisoj te gjalleruar, por habitmerisht u rigjendem ne fillimin  e nje sokaku te nje totalitarizmi gjysmak, me dukurine konstante....  gjithmone e ne ngjitje.

Nuk  e di  ku ka qene...."me leje krijimtarie.." ky  Gazi gjat viteve 92-97 ?

  U dashka te themi se poetet, dmth shkrimtaret  e sotem, modernistet, si  ku  qe te shkul gazit, kane mbetur krejt jashte ketyre pasojave, sepse qenkane krejt mipoe,  per  ti  perceptuar  si dukuri, pa le me ti kene si tema ne krijimtari...? Mire qe kane mbeteur jashte, ne se nuk jane ne sherbime te mirfillat te politikave, qe mbarten ushqyen dhe na vune para  faktit me keto pasoja, por edhe  kur ne funksion te qellimeve te tyre gjasme se kane kapur te meta te medhaja ne letersine e kohes, bien ne banalietete si  ky qe ka kapur si qellimkeq ate, percaktimin  personifikuese, thene per  Migjenin,   "Uragan i  nderprere", duke ja marre ky Gazi... mendjelehte,..." si  nje vleresim lehtesisht mosvleresues apo çmitizues...!!"

Perendi e Madhe, qe as kete  vlersim poetik, me gjuhen  e artit te te shkrojturit, nuk e marrka vesh Gazi !

 Nuk  e marr dot me mendje, per sa vjeç e ka ditur Gazmendi, kur Migjeni  ndrroi  jete, por jam shume i sigurte se ne se do te kishet  jetuar  edhe se paku nje dhjetvjeçar,  poeti yne i mrekullushem,  " si  Uragan".... nuk do te  kishte  te nderprere,  more i  dashur Gazi.. .

Mirepo ngushullohemi  tek sa lexojme nga keto, psi i vleresojme si  kolooqithera me rigon.Tek e fundit, problematikat, qe na ka ofruar e sotmja nuk i pati parshikuar as vrojtuesi me mendjekthjellet  ne krej Evropen Lindore.Ato  qe ndodhen tek  neve dhe  qe vijojne  sipas kurbes me ngjitje dhe ne se edhe me tytje  kriteret  e ndryshimeve demokratike radikale, nuk do te  kene siç dhe   gjer sot, elementet bazale  ..."Rendin Ligjor dhe Tregun", ahere  me syte tane do te  shikojme gjera edhe  me te habiteshme.

Sigurisht, jo  ne "treguesish librash", por ne jeten e perditeshme.....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).