Patëzot

 

Dykëndëshit tonë me tokën i mungon një brinjë...

 

Një tra na duhet të mbajmë mbi kokat tona, një tra çatie

për qiellin e rëndë, strehën e çarë prej nga pikon brenda

forcë mbrapsht rëndese mendimesh fluturake që shkojnë

si erë, herë nga ty tek unë e herë përkundër, ajo erë fryn

brenda frymë të lirë fati patëzot, fati të pazot lirie beronjë.

Jemi mure, ngritur për mbajtur brenda veten, atë mëdysh

ndajmë, është imja apo jotja fryma e patëzot, liria për uri?

 

Dykëndëshit tonë me qiellin i mungon një brinjë…

 

Afria jote është aq larg, sa varg më vijnë fjalët q‘andej,

lidhur dorë më dorë si pranga me të mjerë,  si përralla

netësh pa të tjerë, që ia tregon vetes për të fjetur, herë

qelës e shfaq ajo në mur hijen, herë zi s'ka më as nata,

por veç ëndrra nga ku dot s’del, e shkretë është pastaj

kënga e etja e saj për zë, e shkretë është vala pa tjetër

që shter bregun e të mbyturit në vaj, e kotë dhe përralla...

 

Dykëndëshit tonë me tjetrin i mungon një brinjë…

 

 

Veç...

 

Veç në gjumë mund të jetoj vërtet siç dua,

kur n'ëndërr e di që ëndërroj dhe ëndërroj

çka dua, fluturoj a kridhem qiejve e ujrave

e më ndjekin, s'më zënë dot e s'kam duar,

veç sy jam atëherë, sy i errët kuajsh e bota

është e fshehtë dhe e heshtur, herë vuajtja

është zgjimi dhe herë është ai ngushëllimi

nga vuajtja, sidoqoftë e fundmë e me dalje, 

ndaj pëlqej më shumë të fle se të rri zgjuar,

ndaj dua më shumë të vdes se të jem gjallë,

se veç kur të vdes do mund të jetoj siç dua.

 

 

Brauni

 

Të zura me duar, të lëshova natën jashtë

të dhashë lirinë e kështu të vrava, në një pemë

të zezë ndalove e cicërove herën e fundit, të ftohta

janë netët e këtyre anëve, plumb i rëndë mendimi

që të frik vetminë; faljet pikëllojnë mëkate e nevoja,

lutjet nuk i kërkojnë asgjë perëndisë, ajo e di

se çfarë duhet bërë, ajo të njeh më mirë.

 

Dhe rrahjen e zemrës tënde të vogël

e kam ende ndër gishta, puplat e kafenjta

e të verdha... Rob i një zoti të panjohur, iu fala

forcës së egër, që zbardh kaltrinën dhe e bën re;

renë pastaj e mbyt, e kall tëposhtë nëpër dhe,

q‘aty pijmë fatin e shirat e kripur nga enë pa fyt.

 

Dikur edhe faji do shlyer, nga krisa në qiell

do të gjëmojë dhe rrebeshi do të na përmbysë

shtratet; kockat pastaj do të na mbulojnë kryet,

do të jem unë  atëherë ai që do të japë shpirtin

në ato degë të thara trembur, ftohtë është atje

e tavani pikëllon peshë mbi sy, yjet janë përmbi;

herën tjetër do të jem në ferrin për të vetëm.

 

Ti qe veç një verdh dalë nga një burg lëvozhge,

nata është edhe ajo një vezë, një vezë e zezë

pa të verdhë, që të frik vetminë... Falmë o mik

lirinë që të fala, falmë o mik e mos më tremb

në gjumë me pikëllimë e gulç, mos më dëno

me zbeh, ik, endu në mundesh qiejve të tjerë...

falmë në mundsh prej tyre e të tjera vende.

 

Jam ti në kafaz; cicëroj këngën tënde...

 

 

Maria Z. dhe unë

 

Jeta është rast për të mbigjallë e vetëvrasës,

veç ata gjejnë kënaqësi kur e japin a marrin,

ne, pakica tjetër, jemi veç emigrantë këtupari,

ne kemi ardhur nga një atdhe tjetër nga halli,

atje po duam të na dërgojnë kur të vijë koha

që t‘iu lemë shëndenë të marrëve dhe djallit,

eprorit të kësaj bote, t‘i lemë dhe të shkojmë 

gjëkundi tjetër, ku frymën s‘ta merr më malli...

më thoshte Maria Z. në korridorin e pavionit.

 

Mendoja dyfish kur e dëgjoja: për çka më fliste

e se si do të kish qenë po të ishim vetëm të dy

në një odë të mugët gjumi me shtratin në mes,

me çarçafë të bardhë me në mes atë, zeshkët

siç  e kishte lëkurën dhe flokët e zinj kaçurrelë 

në mes t‘asaj bore si pemë e shkulur me fletë

të lagura e unë zog nëpër të, i vogël, i shkretë;

të dënesja mbytur këngë përsërie, psherëtima,

të putheshim butë symbyllur e gjatë dhe prapë,

të lëshohesha krahëve të saj të çarë si heshtja

që pasonte fjalëfundin, që na rëndonte pafajin.

E ç‘mund të bëje në një pavion si ai, në dhjetë

qenë të tërë në shtrat e roja i natës me llampë 

kontrollonte sytë, në flinim a i mbanim hapur?

Më shumë se sa disa prekje të pafaj nuk ishte

e thënë të ndodhnin më atje, veç kur na vranë

qemë vetëm në morg, të shtrirë pranë e pranë.

 

Vdekja është rasti për të qenë gjallë e vetja,

veç atje gjejmë qetësinë e njëri-tjetrin vërtet,

çfarë mbet nga ne është veç ç‘jemi këtupari,

ne kemi ardhur në një atdhe tjetër nga malli,

këtu po duam të duhemi, e ja koha na erdhi

që t‘iu lemë shëndenë të marrëve dhe djallit,

eprorit të botës tjetër, t‘i lemë atje, t‘shkojmë 

gjëkundi tjetër, ku frymën s‘ta merr më halli...

i thoja Maria Z. në morgun plot me kukulla.

 

6 Komente

Jam shume e dhene pas dykendeshit patezot. Castin qe kujtoj se eshte ndertuar skena (mbaroj per skenografine e arritur ne nje poezi) dhe une duhet vetem ta banoj, kuptoj qe dykendeshi eshte nje koncept i ri per mua dhe qe hyrja duhet te nise nga e para. Nese Stonehenge-it do t'i mungonin guret horizontale dhe nese gureve vertikale do t'u mungonte hapesira e shenjte

Metafora e murit dhe dy vargjet qe e perfshijne jane te vyera.

Dykëndëshit tonë me tokën i mungon një brinjë...

 

Një tra na duhet të mbajmë mbi kokat tona, një tra çatie

për qiellin e rëndë, strehën e çarë prej nga pikon brenda

forcë mbrapsht rëndese mendimesh fluturake që shkojnë

si erë, herë nga ty tek unë e herë përkundër, ajo erë fryn

brenda frymë të lirë fati patëzot, fati të pazot lirie beronjë.

 

Nuk e gjykoj hic te tepert te them se, per sa me takon mua dhe veshit tim si lexues, kur lexoj vargje te tilla i kuptoj me qarte amanetet qe na lane rilindasit tane. Me fjale te tjera, kur Nami thote “gjuha jone sa e mire, sa e embel, sa e dlire...” apo kur Mjeda shprehet se “permbi za qe l’shon bylbyli gjuha shqipe m’shungullon...”, une i marr vesh shume mire se cfare kane dashur te thone tek lexoj tani vargjet ketu me lart.

Gjej ne keto vargje nje perzgjedhje te fjaleve dhe nje vendosje te tyre ne menyre te tille qe poeti i cili i ka shkruar i ben nder gjuhes qe flet. Dhe ne kete sens, ai na nderon ne te gjitheve.

Poema e pare, “Patezot”, eshte nje veshtrim filozofik mbi konceptin e “lirise”, nje kerkim per sinorin e lirise, d.m.th. per ‘kufinjte’ e saj me qellimin per ta perkufizuar ate sic duhet. Kur mendimet njerezore kerkojne ta ndertojne diskursin e lirise, ato nuk arrijne me lart se nje lloj fataliteti kaotik (“fati patezot” qe vjen nga “fryma e lire”, por qe s’perben tjeter vecse nje liri te pafryt, liri shterpe (“beronje”). "Fryma e lire" nuk eshte e njejta gje si "liria". Eshte nje liri e manget, nje "dykendesh" qe "i mungon nje brinje".

Perderisa marredhenieve tona me “token”, me “qiellin”, dhe me “tjetrin" u “mungon nje brinje”, pra nje perceptim dhe perkufizim i mire i lirise, ne jemi te destinuar te behemi pre e fatalizmit tone, i cili si i “pazot” qe eshte, ose i “patezot”, nuk con ne vendosmeri dhe bindje pozitive per jeten, por ne medyshje: “Jemi mure, ngritur për mbajtur brenda veten, atë mëdysh/ndajmë, është imja apo jotja fryma e patëzot, liria për uri?”

Qe te shtjellohej mire, kjo poeme do te kerkonte nje ballafaqim te tezave te Isaiah Berlin, autor i librit Kater Ese per Lirine (Four Essays on Freedom, 1969), me ato te Emmanuel Levinas tek libri i tij Liri e Veshtire (Difficult Freedom, 1963). Oponencen ketij debati mund t’ia bente Erich Fromm me tezat tek libri i tij Arratisje nga Liria (Escape from Freedom, 1941). Por keta burra i perkasin shek. 20 dhe kane kohe qe kane vdekur e t’i ringjallesh virtualisht ketu rrezikon te zgjosh ndonje alergji a reaksion te padeshiruar tek peshqit e tjere… smiley

Poemat “Vec” dhe “Brauni” e zhvillojne me tej problemin e lirise duke aluduar ne iluzionin e saj te gjetur ne endrrat e gjumit, ne pavetedijen tone te pernatshme, ku mundemi te “ëndërroj[me]/çka dua[m], fluturoj[me] a kridhem[i] qiejve e ujrave”, te palidhur e te pafrenuar nga realiteti i dites. Ose, nje veshtrim alternativ i lirise gjendet ne simboliken e nje zogu ku imagjinata poetike kemben vendet mes njeriut e shpendit per te pasur nje pikeveshtrim ndryshe mbi boten. Perfundimi me duket i njejte me filozofine e poemes se pare: “Të zura me duar, të lëshova natën jashtë/të dhashë lirinë e kështu të vrava”. Liria “beronje” e poemes se pare behet liri vrastare ne poemen e trete.

“Maria Z. dhe une” ha buke vec nder keto poezi. Ajo merret me temen e lirise ne njefare menyre, por nga nje pikeveshtrim tjeter: ai i marrezise. Kesaj poeme do t’i kthehem me vone. Ajo kerkon nje lexim me vete.

“Marrezia”, ka thene Kadare diku, “fqinjeron me gjenine”. Ai madje, tek “Ftese ne studio”, tregon pershtypjet e tij nga bisedat e gjata me Lasgush Poradecin dhe sesi personaliteti i poetit te vjeter i kujtonte fjalen shqipe “i krisur”, e cila i kujtonte Kadarese fjalen angleze “crazy”, dhe sesi te qenit “i krisur” ne rastin e nje gjeniu si Poradeci ishte nje forme e komunikimit me boten pertej njerezores, pertej normales, pertej te llogjikshmes. Pasi “krisja” eshte nje “e care” ne personalitetin qe neve “normaleve” na duket jonormal, por qe gjithashtu mundeson “te marret”, “te cmendurit” te kene akses ne nje realitet qe ne te tjeret, ne “jo te krisurit”, nuk mund ta njohim.

Ideja nuk eshte e re. Mund ta gjurmojme ne modernizmin e hershem te pakten qe nga Dostojevski, i cili pervec se shkroi romanin “Idioti”, ishte edhe vete nje epileptik kronik, nje semundje teper sfiduese kjo po te mendosh se ai ia doli te vuaje prej saj dhe njekohesisht te behet nje nga shkrimtaret me te medhenj boterore.

Ne poezine e katert te ciklit me lart, “Maria Z. dhe une”, kam bindjen se dialogu mes Maries dhe folesit ndodh ne nje spital psiqiatrik. Fjala “pavion” e perforcon kete interpretim ashtu si edhe fjalet qe Maria flet ne strofen e pare, te cilat me japin pershtypjen e ligjerimit te nje njeriu qe nuk jeton ne normalitet, ashtu sic jetojne “te mbigjalle e vetevrases”, per te cilet eshte vertet kjo jete. Ndoshta tingellon shume i ashper leximi i personazhit te Maries si “e krisur”, megjithate nen driten e hyrjes qe i bera temes me lart, me idene e Kadarese dhe rastin e Dostojevskit, edhe ne kete poeme une dalloj admirimin e madh te poetit, te shprehur nepermjet bashkebiseduesit te Maries (ai qe quhet “une” ne titullin e poemes), per kete femer. Ne strofen e dyte, kur folesi enderron per nje realizim te ndjenjes se dashurise se tij me Marien, ai e imagjinon ate si “peme e shkulur me gjethe te lagura”, nderkohe qe krahet e saj jane “te care si heshtja/ qe pasonte fjalefundin”. Metaforat ne fjale jane vertet te bukura per te dhene idene e femres qe folesi dashuron, por gjithashtu me duket se ato sugjerojne nje femer “te krisur”.    

Maria flet per veten si anetare e nje “pakice” njerezish, nje soj nga ata qe ndihen “emigrante”, apo te huaj, ne kete bote. Ajo e di se nuk pershtatet dot, se kjo jete nuk eshte per te, se endrrat i ka tek nje bote tjeter, “gjekundi tjeter, ku frymen s’ta merr me malli…”, dhe ajo mezi po pret qe t’i lere “shendene te marreve dhe djallit”. Bashkebiseduesi i saj, qe eshte gjithashtu pacient i te njejtit pavion, eshte i dashuruar pas saj dhe enderron nje jete te mundshme me te, por ai e di se kjo jete, kjo bote ne normalitetin dhe shendetin e saj, nuk eshte per kata dy shpirtra te humbur. Papritur poema i shpie te dy “ne morg” dhe folesi pohon se “na vrane”, ndonese nuk eshte e qarte se kush dhe pse i vrau. Por c’rendesi ka per keta dy shpirtra shtegtare? Ne fund te fundit vdekja eshte per ta nje lloj shpetimi, sic fillon edhe strofa e trete: “Vdekja është rasti për të qenë gjallë e vetja,/veç atje gjejmë qetësinë e njëri-tjetrin vërtet”. Endrra e folesit per nje bashkim te mundshem me Marine ka me shume shance te behet reale ne vdekjen e tyre, sesa ne gjalljen e tyre, ne cmendurine e nje pavioni. Sepse ne gjallje shpirtra te tille mund te egzistojne vec te mbyllur ne nje pavion, si zogu ne kafaz. Kjo jete nuk u fal atyre lirine. Vdekja eshte e mirepritur per ta. Me se fundi ata jane te lire t’i lene “shendene te marreve dhe djallit,/eprorit te kesaj bote”, ashtu sic folesi ia perserit Maries keto fjale te saj ne morg, nje refren qe perseritet si nje lloj ninulle per “kukullat” qe flene ne morg duke u perkundur ne paqen e pertejme. Me ne fund, keta shpirtra te burgosur ne 'cmendinen' e kesaj jete, gjejne lirine e shumedeshiruar ne ikjen e tyre nga kjo bote.

Ja se c’thote edhe Emilia, ajo nga fisi Dickinson i Massachusetts: “Much madness is divinest sense/to a discerning eye”. Hm, marrezia e madhe arrin kuptimin me hyjnor? Kushedi. C’mund te thuash tjeter pasi ka folur Emilia? Ajo ka fjalen e fundit. End of discussion.

 

Analizë shumë e mirë M. Jam i nderuar!

Dykendeshin pa nje brinje se kuptova tamam se cfare simbolike mbart. Dua te lexoj si dykembeshi, homo sapines, i hapur ne komunikim me qiellin, token dhe tjetrin. Qielli eshte cati e rende, Tjetri eshte kaq afer por i pakuptueshem dhe i mbyllur ne muret e tij, toka (sipas frymes edhe te poezive ne vijim) eshte nje repart kanceroz.NJERIU vertitet ne keto tre dimensione (qielli, toka, tjetri) ku liria kthehet ne fryme fataliteti.

Poezite kane nje ndjenje fataliteti.Vdekja afirmohet si shpetim dhe perceptohet si clirim  nga fataliteti jetes.Vetmi, ankth, pasiguri  e njeriut modern i cili, shpetimin nga humbja e unit, nga tjetersimi dhe pesha e lirise,  e kerkon tek iluzionet sado-mazohiste te varesise ndaj nje autoriteti suprem. Vdekja ne kete rast glorifikohet si nje rrugekalim drejt Qiellit, Hyjnores, Amshimit. (Koha hap gropa e une vecse ne qiell udhetoj).

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).