Sapo makina del sipër, në Qafën e Thanës, e shfaqet pamja e kaltër e liqenit si në një ekran filmi, Robert Rado përlotet dhe zhytet i tëri në një meditim të thellë, me syrin pranë xhamit të makinës. Ka mall e brengë për këtë liqen. Zbret Qafën e Thanës e i afrohet bregut të liqenit. Llokoçitja e dallgëve dhe grishjet e pulëbardhave e sjellin në atë ditë vjeshte kur ai, së bashku me shokun e tij, Besnik Zekthin, i bënë një sfidë diktaturës komuniste. Vështron vendin, ku ata u nisën atë mbrëmje pranë lulishtes “1 Maji”, ku sot janë vendosur motopompat e pastrimit të kolektorit. Me syrin e malluar ai vështron vendin rreth e rrotull. Edhe pse në një moshë të thyer, me flokë të zbardhura krejt, atij i vijnë imazhe në kujtesë, si një formë dashurie dhimbjeje e makthi. “Jeta ime është një kalvar i mundimshëm çnjerëzor, burgje e ndëshkime, por lirinë nuk e mbajtën dot në pranga”. Njerëz si Robert Rado i bënë sfidë diktaturës komuniste. Ai është tip modest; nuk do që të flasë për historitë e tij dhe është hera e parë që flet, ekskluzivisht për “Gazetën Shqiptare”…
- Si u nisët, Robert?
Ka qenë data 22 shtator 1986, pasi e kishim lidhur fjalën me Besnik Zekthin (vëllain e Besim Zekthit) se do të arratiseshim nga liqeni i Pogradecit. Besniku ishte notar. Ai ishte edhe komunist, por nuk e donte regjimin. Data 22 shtator 1986 shërbeu si datë çmalljeje me njerëzit e dashur, por pa iu treguar se do të arratiseshim. Unë mora djalin tim të vetëm, Kreonin, i cili atëherë ishte vetëm katër vjeç, së bashku me disa nipër dhe mbesa që i doja shumë, dhe i çova me biçikletë pranë një dyqani akulloresh në afërsi të korpusit të Universitetit. Më pas Kreoni më kërkoi që ta hipja në një motor, madje bëmë edhe një foto...Më 23 shtator 1986, herët të mëngjes, me Besnikun i hipëm trenit për të shkuar nga Tirana në Pogradec. Mbërritëm atje në mesditë. Bëmë plazh dhe e vendosëm që të niseshim pikërisht këtu, sapo të binte mbrëmja. Rreth orës 20:00, sapo ra nata, u lëshua i pari Besniku. Ai zhveshi rrobat dhe i vendosi poshtë një tubi të trashë çeliku ku merrej ujë nga liqeni për vaditje. Sapo u nis Besniku, pas pesë minutash u futa edhe unë në liqen, por u hodha me gjithë rroba. Në breg lashë vetëm një çantë sportive dhe brenda kisha një thikë të vogël. Rrobat i hoqa nga trupi duke notuar. Notuam të shkëputur nga njëri-tjetri. Kufiri kontrollonte liqenin me dy projektorë të fuqishëm. Sapo shikoja projektorin zhytesha në ujë; nëpërmjet tij u orientova. Fillimisht eca drejt thellësisë, më pas preva diagonale në drejtim të Tushemishtit. Mbaj mend që kam notuar rreth 5 orë. Kur kam dalë në bregun tjetër rreth orës 01:00 pas mesnate, isha i sfilitur, po ngrija. Kisha qëndruar pesë orë në ujë, që nuk ishte si tani në verë, pasi kishin filluar shirat e vjeshtës.
-Ku shkuat pasi dolët matanë kufirit?
Pashë një zjarr pranë një kopshti. U afrova pranë zjarrit për t’u ngrohur. Aty duket ishte një rojë që ruante kopshtin me mollë, i cili u tremb nga unë kur më pa të zhveshur krejt. Unë e kuptova që do të lajmëronte policinë dhe qëndrova aty palëvizur, duke u ngrohur rreth zjarrit. Rreth orës 05:00 të mëngjesit vjen një “Xhip” me dy policë dhe një civil dhe më marrin e më çojnë në burgun e Ohrit.
-Sa kohë qëndruat në burg?
Më nxorën para gjykatës dhe më dënuan me një muaj burg. Unë u kërkova në gjyq statusin e një të burgosuri politik, që kishte qenë në burgun e diktaturës komuniste.
-Pse, kishit qenë herë të tjera në burg?
-Po, dhe dy herë të tjera, për tentativë arratisjeje. Madje tentativa e parë ka filluar kur unë isha 16 vjeç, kur së bashku me dy shokë bëmë një trap për t’u futur në një anije të huaj dhe të fshiheshim në vapor deri sa të shkonte anija në Itali, por atëherë e quajtën si punë kalamajsh dhe bëra vetëm një muaj burg. Më pas tentova së bashku me tre shokë të arratiseshim nga Rakicka e Devollit, por na spiunoi njëri dhe na arrestuan në kufi. U dënova me 8 vjet burg, në burgun e Spaçit.
-Jua dha statusin gjykata (jugosllave) e Ohrit?
Jo, një muaj kam parë një terror psikologjik të paparë në hetuesi. Ata ishin të bindur se neve na kishte hedhur Sigurimi i Shtetit si agjentë dhe nuk besonin se e kishim kaluar liqenin me not. Kështu, më datë 16 tetor na morën me një skaf dhe na futën në mes të liqenit së bashku me një ekspert noti dhe të dy me Besnikun (me të cilin u takova në burgun e Ohrit; edhe ai ishte dorëzuar në polici dhe kërkonte statusin e emigrantit politik) na lëshuan në liqen dhe na thanë të përshkonim me not një distancë prej disa orësh. Ne e kryem distancën dhe ata u bindën që e kishim kaluar nga liqeni me not.
-Po më pas, çfarë ndodhi?
Na transferuan pas një muaji në Beograd. Edhe aty vazhdonte dhuna psikologjike nga hetues të ndryshëm civilë që na merrnin në pyetje. Unë iu kërkova një mjek, pasi kisha dhimbje të veshkave, por nuk ma sollën. Pas një muaji në kampin e refugjatëve, unë dhe Besniku aplikuam për në SHBA. Fillimisht qëndrova në Detroit, pas një viti shkova në Nju Xhersi dhe një vit tjetër në Kenerike dhe më pas në Boston, ku vazhdoj të jem edhe sot. Në vitin 1990 kam punuar tek restoranti i famshëm i Vipave, të shqiptarit Antonio Athanasi, si kamerier.
Po familja, e mori vesh arratisjen?
Po, pas një viti kam gjetur një kosovar dhe i kam thënë që, nga Durrësi të postonte një letër, me një foto brenda, për në Skrapar, tek njerëzit e nuses. Letra iu mbërriti dhe kështu ata e morën vesh.
-Si e tërhoqët familjen në Amerikë?
Pas shthurjes së sistemit, gruaja së bashku me djalin u futën në korrik të 1991-it në ambasadën italiane dhe më pas unë i tërhoqa në Boston. Është një moment i tmerrshëm: Djali nuk më njohu, më qëndronte si i huaj...
Më pas jeta vazhdoi me dinamikën e saj. Kreoni, djali ynë i vetëm, ishte drita e gëzimit. Ai u shkollua, por me një dashuri shumë të madhe për Shqipërinë. Në sendet e tij personale ishte një flamur shqiptar, që ai e merrte me vete ngado që shkonte. Kreoni, ndonëse iku i vogël nga Shqipëria, vetëm 7 vjeç, gjithmonë kujtonte një fjalë që i kishte vrarë shpirtin, kur shokët i thoshin, në klasën e parë: “Këtij i është arratisur babi”.
-Në Amerikë, pasi u bashkuat me familjen, gjithçka ndryshoi për mirë?
Fillimisht ashtu ka qenë. Djali më solli një gëzim të paparë. U rrit, u edukua, u shkollua dhe punoi për 5 vjet si marins në Flotën Detare në Virxhinia, por në fund të këtij misioni, pikërisht një vit më parë, më datë 31 gusht 2011, djalin, Kreonin, - pjesën më të mirë të jetës sime, - në moshën 27-vjeçare e humba në një aksident (qan me dënesë; ka një video nga ceremonia mortore dhe letrën ngushëlluese të Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama).

Burimi

14 Komente

"si u arratisem me not nga Pogradeci.....

po me not o vlla, e thua vet..smiley

nejse, brovo per guximin dhe kurajon.... se nuk ishte aspak e lehte te beje dicka te tille...
me ardhka shume keq per djalin e z.Rado... histori e trishte.smiley

Guxim i tepruar, por edhe nje papergjegjshmeri kriminale ndaj personave te lidhur. 

do te ishte nje happy end po te mos ishte tragjedia e djalit.....

Kjo nuk e kishte vendin ketu dhe te lidhur me Historikun e arratise .....-Në Amerikë, pasi u bashkuat me familjen, gjithçka ndryshoi për mirë ?... E dhimbeshme dhe shpirti tij di se si e perballon ! Kjo shtese e fundit , te nderpret cdo koment , pasi behet fjale jo per Problem Shoqeror por per jeten PRIVATE ne ekstremet e saj !

Po nga nje postues ..... pret cfaredo !

A mund te thuhet, pa ditur rrethanat e arsyet qe e shtyen te arratiset, qe eshte nje papergjegjshmeri e tmerrshme te braktisesh grua e femi 3 vjeç, pa ditur se kur do ti shikosh perseri, meqe atehere ishim ne 1986?

kjo historia e Robertit i ka te gjitha ''ingredient-et'' per te bere nje film.

Me duket se Pjeri ka filluar te merret me skenarin!

prandaj te kete vajtur ne Shqiperi thua, per  te mbledhur material?     hemm, me sa mbaj mend   Pjeri ka shprehur ambicje per te bere nje film  te ajo intervista  per promovimin e VQ.... 

pastaj kjo histori ka dhe disidencen ndaj  diktatures brenda...    domaini    i shumepelqyer i Pjerit...

Roni, pjesa qe me pelqeu ketu ishte, pjesa kur flet per shokun e vet qe ndonse ishte komunist, e urrente rregjimin e tij, gje qe tregon se edhe shum komuniste nuk pajtoheshin me menyrat e atij sistemi. Jo si Buall Mavria qe deri ne dhjetor te 1990 mbante xhaketen e kuqe dhe brenda 24 oreve e ktheu ne blu, per t`ju pershtatur rrethanave te reja.

Pjero, kur do dali shkrimi per pershtypjet e tua ne Shqiperine e 2012.

Po i presim si simitet e nxeta!!!!

Belul ose Roni, e ka njeri ne word ate tregimin mbi viziten e pare ne Shqiperi, intervisten etj? Nqse po, e dini vete si te ma nisni. Me duhet vertet. Rrofshi paradhenie kush te behet mukajet!

Mos e lejo ket pjese te ezauroje mesazhin kryesor ne film. Detaji nuk duhet te erresoje kumtin kryesor, qe eshte ekonomia, mungesa e burses, CO2, cmimet etj. Po ti e di vete xhanem, se je mjeshter i detajit. Thjesht per merak, jo per gjo.

Kam vite qe kam degjuar kete histori ,por nuk e mbaj mend ne eshte i njejti person.Per djalin qe e paska humbur se fundmi,me vjen keq.

Fate and destiny............

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).