Aldous Huxley (1894-1963) brenda një viti i prezantohet lexuesit shqiptar me dy vepra me mjaft influencë në autorë dhe vepra të veçanta letrare të shek. XX. Njëra prej tyre, “Më e mira e botëve”, (Brave new world) botuar në Londër në vitin 1932, është përkthyer nga shkrimtari Rudi Erebara. Ndryshe, këtë vepër të Huxley-t e kanë parë si letërsi anti-utopike për një shoqëri anti-utopike. Për kontrolluesit e botës shoqëria ideale është ajo ku shkenca gjenetike e çon racën njerëzore drejt përsosjes. Ajo projekton njeriun e kënaqur me rolin që i është përcaktuar. Por, në Londrën e Huxley-t flitet për njerëz të pakënaqur, që përjetojnë një dëshirë të panatyrshme për vetmi, kërkojnë të vizitojnë vende të egra dhe të lashta, ku jeta është e papërsosur. Këto mund të jenë ilaç për fatkeqësinë e tyre. Në legjendën “Më e mira e botëve” nuk ekziston uiski, as duhani apo heroina e paligjshme. Kur dikush është në depresion apo në gjendje ankthi merr një tabletë, një lloj droge, një lloj lëngu ose pluhuri dehës për të dalë nga situata. Kështu trupi tij forcohet, zemra mbushet me kurajë dhe entuziazëm, mendja prek lirinë e pafundme dhe ndjen sigurinë e përjetësisë. Kjo formë udhëtimi e njeriut përbën një temë qendrore për Huxley-n edhe 20 vjet më vonë në librin tjetër “Dyert e perceptimit” (The doors of perception 1954), i përkthyer në shqip nga Ervin Qafmolla. Këtu, vetë Huxley gjendet në qendër të kërkimeve shkencore rreth meskalinës (lloj droge). Gjysmë ore pasi ka marrë katër të dhjetat e gramit, ai ndodhet në një botë tjetër. Nga një përfytyrues i dobët, ai nis të rrokë vizionin e shenjtëruar të realitetit. Aftësia e tij për të kujtuar dhe “gjykuar drejt” zbehet pak, syri rimerr diç nga pafajësia perceptuese e fëmijërisë, interesi për hapësirën bie, ndërsa interesi për kohën shkon drejt zeros. Kauzat për të cilat do të ishte i gatshëm të vuante, në kushte normale, tani i duken jo interesante. Huxley tregon se gjatë këtij eksperimenti percepton përjetësinë në një lule, pafundësinë në katër këmbë karrigeje dhe absoluten në palosjen e një palë pantallonash fanellatë. Meskalina e kishte çliruar nga bota e vet, e kohës, e gjykimeve morale dhe vlerësimeve utilitare, e fjalëve të mbivlerësuara dhe pikëpamjeve të dyzuara. Gjatë kësaj kohe Huxley çohet të vizitojë depon farmaceutike më të madhe në botë dhe gjendet përballë pikturave, librave, veprave muzikore më të famshme për të cilat ai shpreh kritikat, admirimin dhe vizionin e tij. Kjo është dëshira për t’u arratisur nga vetvetja dhe nga mjedisi përreth që i çon njerëzit qetësisht drejt përdorimit të narkotikëve bimorë apo haluçinogjenëve. Në fund të librit autori kthehet përmes derës së perceptimit. Por ai nuk është më i njëjti njeri.

Në intervistën me Rudi Erebarën, që fokusohet veçanërisht te “Më e mira e botëve” përkthyesi veçon nga gjithë trajtimet e goditura që Aldous Huxley ka bërë 80 vjet përpara për njeriun e kohës sonë, dallimin mes ndjenjës dhe dëshirës. “Se ja m’u këtu endet dhe kyçi i enigmës, ndjenja apo dëshira. A duhet të kemi dëshirë të ndiejmë si personazhet te “Më e mira e botëve”, apo duhet ndjenja të na çojë te dëshira?” Dhe në fund, një këqyrje në panoramën e arteve në Shqipëri, e atij cepi ku janë shfaqur edhe eksperimentuesit tanë të drogave.

 

Një kuriozitet të parë në lidhje me titullin: përse “Brave new world” vjen në shqip “Më e mira e botëve”?

Në fakt titulli “Më e mira e botëve” është përshtatje nga botimi në gjuhën frënge i “Brave New World”. Unë titullin që kisha më për zemër ishte “Bota e re e guximtarëve”, titull për të cilin edhe u këshillova me përkthyes të tjerë, e që më dhanë të drejtë përsa i përket përmbajtjes, edhe domethënies, apo simethënies që duhet të përcjellë titulli si tharm i lëndës që përmban libri. Megjithatë edhe “Më e mira e botëve” është një titull mjaft i përshtatshëm. Përkthimi fjalë për fjalë nga origjinali, kur bie fjala për letërsinë kam përshtypjen se nuk ka vend të qëndrojë në shumicën e rasteve. Edhe sidomos kur haset me fjalëformimin e gjuhës angleze, përkthimi e ka të vështirë të dalë saktë me metodën “besnikëri”, apo “besë-besë” me tekstin. Ja edhe në përkthimin frëngjisht nuk është ruajtur (dot!) siç duket të jetë edhe një titull i mirë për kopertinë e për treg edhe të thotë atë përcaktim që jep autori me tri fjalë shumë të shkurtra në anglisht. Sigurisht që në shqip jemi të detyruar ndonjëherë të gjithë të vrasim mendje si të nxjerrim një titull të bukur me fjalë që nuk janë tërësisht të gjata, si në rastin tim me “guximtarëve” fjalë e gjatë që të nxjerrë probleme në kopertinë. Me një fjalë, duhet parë aty ku ka mundësi e ku nuk cenohet vepra.

Aldous Huxley shkruan që qenies njerëzore i jepet e drejta e zgjedhjes: nga njëra anë përgjeshmëria, më anë tjetër çmenduria. Mendoni se dhe përgjegjshmëria do të ishte e realizueshme nëse ekziston dëshira e individit, apo veç këto të dyja janë alternativat?

Te “Më e mira e botëve” Huxley pikërisht me këtë merret. Trajton çmendurinë kolektive, të një shoqërie të fantazuar, e cila rron jetën nën kanunet e rrepta të përgjegjshmërisë. Dëshira e individit, dëshirimi si akt në këtë libër është kult. Po sa ndryshon ky akti i dëshirimit të gjithçkaje me botën e sotme të konsumit? Thuajse fare. Në mos Huxley do habitej po të ish gjallë, jo me zbardhjen e parashikimit të hershëm, por më fort me tejkalimin e këtij parashikimi. Në metrin njerëzor sot dëshirimi domethënë me një listë të shkurtër si te “Më e mira e botëve”, ushqim, seks, veshje, argëtim, makina, avionë, helikopterë e raketa, rrugë të pafundme, etj., etj., janë të gjitha të arritshme. Mjaft të kesh - dëshirën të dëshirosh - a nuk janë sot kartat e kreditë e ndryshme në banka të mundshme vetëm t’i dëshirosh që t’i kesh, të shpenzosh, e më pas t’i paguash me shumëfishin e borxhit për t’u ndier domosdoshmërisht në fund edhe i përgjegjshëm madje ndaj vetes dhe shoqërisë. Kështu nëse e shohim në këtë libër do gjejmë dëshirimin si përgjegjshmëri. Kurse çmenduria, trajtohet me të njëjtën “përgjegjshmëri” me të cilën e trajtojmë edhe ne të sotmit. Çmenduria hyn tek dëshirat ekstreme që mund të maten vetëm me vdekjen. Alternativa e propozuar nga Huxley është pak a shumë si sot, ikja nga qytetërimi i detyruar, ku jeta është mekanizuar, ku koha ka fund, ku energjia shter vazhdimisht e pa rezultate biologjikisht të matshme për mirë, ku nënshtrimi me bindje ka vetëm një dalje në dritë, vdekjen.

Rezultate që janë ndikuar nga përparimi i shkencës?

Shkenca është njeriu. Ligjet aty janë, ne i kuptojmë, i ushtrojmë, i përdorim, por nuk i kapim kurrë me dorë, as i shijojmë me gojë, nuk i nuhasim dot, nuk i shohim. Në këtë kuptim, ashtu si te “Më e mira e botëve” kur shkenca e ka tejkaluar njeriun deri aty sa të krijohet njeriu i ri sipas kushteve shkencore, një qenie që dëshiron dhe dëshirën e ka kushtin e parë jetik, mundemi fare lehtë të gjejmë dozat e doktrinës së komunizmit shkencor. E kujtoj këtë, sepse ashtu si Zoti “sillet” shkenca në mendjen e njeriut të Huxley-t. Në këtë libër për mua ka qenë dhe mbetet shumë intrigues trajtimi aq delikat i një dallimi si ligjet e shkencës a mrekullitë e Zotit, mes ndjenjës dhe dëshirës. Se ja m’u këtu endet dhe kyçi i enigmës, ndjenja apo dëshira.

A duhet të kemi dëshirë të ndiejmë si personazhet te “Më e mira e botëve”, apo duhet ndjenja të na çojë te dëshira?

Shkencë bota ka pasur sa ka histori njerëzimi. Egjiptianët e lashtë kanë qenë të jashtëzakonshëm në shkencë. Po kështu rilindja europiane, e më vonë shekulli 19 dhe 20. Revolucioni ndikon pra, mbi jetën e njeriut si së jashtmi ashtu dhe së brendshmi. Ja shembulli më i qartë është revolucioni komunist. Një revolucion që nisi si dëshirim, t’u marrim të pasurve të “poshtër” dhe t’ ua shpërndajmë të varfërve të “mirë”. E më pas po prej dëshirimit njeriu shkoi në Hënë. 

Njeriu i ri sipas Huxley-t, çfarë varësie krijon ai ndaj atyre që e udhëheqin?

Kjo është një pyetje për një natë dimri. Sepse, uria dhe etja rrëzojnë çdo shtet e qeveri, edhe sado shkencor të jetë shteti, si në rastin e trajtuar nga Huxley, ngopja e njeriut vjen vetëm kur kushtet shpirtërore i thonë këtë, e më pas, nëse njeriu jeton në botë me cilësi shpirtërore, si vendet me religjion të fortë, hapësira që i mbetet qenies përbrenda e së jashtmi: si njeriu që shkeli në Hënë e pa se universin nuk e arrinte dot as me mend: ashtu dhe njeriu që zbulon se Zotin nuk e arrin dot ta formulojë të plotë me mend: të dy do të jenë të detyruar në mënyrë shkencore apo spirituale të “ngopen” brenda lëkurës së vet. Është e provuar e stërpovuar se edhe në kushtet më ekstreme të ngopjes, në botën moderne, njeriu prapë ka një zgavër boshe që nuk i mbushet. Edhe po kështu është provuar e kundërta, njeriu më i uritur, në kushtet më natyrore, me shi e borë për lëkure, e ka këtë zgavrën më pak bosh. E ka një zgavër që i mbushet me një tas çaj.

Huxley trajton dhe një nga temat më të nxehta të shoqërisë së sotme, drogat, efektet e tyre, prekja nëpërmjet tyre e kufijve ekstrem të lirisë. Ju si i mendoni këto ndikime në arte?

Ndikimi i drogave në arte është një periudhë relativisht shumë e cekët dhe në krahasim, pothuaj e papërfillshme në historinë e arteve apo letërsisë. Liria në disa raste është drogë. Dhe drogat janë pjesë e lirisë. Por, nuk ka kurrë tepri në liri, ashtu siç ka përherë tepri në droga. Sa për ndikimin e drogave në arte, në përgjithësi, ndikimi ka qenë pozitiv. Sigurisht që veprat kanë vuajtur të njëjtat pasoja që ka pësuar edhe autori, por këto unë jo domosdoshmërish do t’i cilësoja negative, pasi duhet për hatër të ekuilibrit të gjejmë edhe anën pozitive që të arrijmë në një krahasim e mirë, e keqe.

Është një ndikim artificial i frymëzimit dhe inteligjencës?

Mendoj, se, artisti po kërkon të gjejë ose horizonte të tjera, ose lartësi të tjera. Sigurisht që çdo artist, shkrimtar, krijues me një fjalë, ka pa mëdyshje gjatë jetës ulje-ngritje, dobësi, mungesa. Një nga mungesat është frymëzimi, një mungesë është metoda, një tjetër siç është mjeti. Mungesë ka për liri. Edhe si të thuash, përherë mungon arsyeja për të qenë esëll në këtë botë krejtësisht të çmendur. Krijuesit e fillimit të shekullit të 20 eksperimentuan me drogat, një efekt i tillë u përsërit pas luftës së dytë botërore, edhe ky efekt përfshiu breza të tërë deri edhe grupime artistike që i shikonin drogat gati si mjet i natyrshëm për të arritur cilësi në letërsi e art. Sa për të përmendur, grupimi “Kobra”. Por jo vetëm. 

A kanë eksperimentuar artistë apo autorë shqiptarë me këto mjete?

Artistët shqiptarë janë më klasikë në këtë lëmë. Si shkrimtarët, si piktorët e skulptorët kanë qenë e janë më pranë drogës organike, rakia e vera. Por të dhëna ka që disa kanë përdorur droga edhe në vitet e diktaturës, thuhet petidina dhe morfina. Hashashi. Pas 1990-s hynë edhe drogat e rënda, po i quaj moderne, edhe për habi në Shqipëri nuk pati njëpërshkallëzim të përdorimit të drogave nga më të lehtat tek më të rëndat jo vetëm te ata krijues që eksperimentuan me to, por edhe mes përdoruesve jokrijues. Më kujtohet që pati disa fatkeqësi me jetë në fillimet e 1990-s si pasojë e mbidozave, edhe disa prej viktimave kishin shfaqur prirje dhe talent në poezi apo muzikë. Si përherë me ne shqiptarët, dozat e gjithçkaje i marrim me sasi. Si revolucionin kulturor kinez, rusëzimin, apo izolimin ekstrem, edhe hapjen e bëmë me stilin tonë unik. Kam njohur të rinj që nisën drogat me heroinë me injektim që me herë të parë. Si të them, pa provuar një gotë raki a një cigare hashash. 

Pse ndodhte kjo? 

Një është se kemi ende një rendje për të mbërritur në perëndim me çdo kusht, sa më shpejt, edhe t’i ngjajmë me jetën tonë, jetës perëndimore. E dyta, sigurisht nga keqpërdorimi i lirisë, nga padija. Ashtu si i urituri që vdes se ha rëndë, i eturi që mbytet se pi shumë, edhe ne të djegur për liri, e të zbathur për të, ashtu e kaluam këtë hendek. Unë mbetem te kjo, që drogat në Shqipëri janë përdorur nën efekt social, për të qenë modernë, europianë, për të bërë si gjithë bota, me një fjalë. Dhe për të bërë të kundërtën e asaj që ishte e ndaluar. Këtu dalim edhe te ndikimi. Poeti Arb Elo ka një varg të jashtëzakonshëm: e shohim veten siç sheh sardelja konservën, nga brenda jashtë. Këtë varg e kam shumë për zemër kur vjen fjala për të përcaktuar ç’është artificiale dhe e natyrshme te njeriu, brenda dhe jashtë. Me njëmend nuk ka si të ketë artificiale gjë te njeriu. Por tek artisti mundet. Pasi krijuesi kërkon të shkojë e të shohë përtej çdo gjëje, edhe në njëfarë mënyre është si sardelja brenda në konservë pa kokë, si brenda shoqërisë e kohës ku rron ashtu edhe brenda veprës së vet. Me shekullin e 20-të arritja e krijuesit nuk mundet të ish e tipit Zhyl Vern. S’ka se si. Shkenca arriti ato që fantazonte njeriu përtej kokës së vet. Huxley e tejkaloi duke dhënë një botë si konservë sardelesh, me njerëz pa kokë, por të shijshëm e me erë, të prodhueshëm, riprodhueshëm edhe bile të riciklueshëm. Para do vitesh përktheva “Mos më lër të shkoj” të Kazuo Ishiguro, një vepër tjetër ku tejkalohet me vetëdije dhe përgjegjshmëri në kohë të tjera, ku njerëzit prodhohen për pjesë këmbimi. Nëse do heqim pjesën mekanike të makinës prodhuese të Huxley-t, edhe Ishiguro në ato toka të shkreta po kërkon të gjejë lirinë e jetës. Që të mos zgjatem shumë këtu, dua të them se frymëzimi, muza, krijimi, janë në njëfarë mënyre me të njëjtën valencë si drogat derisa zënë vend në jetë e bëhen organike, si veprat e Shekspirit po të themi një.

Kemi deri tani në shqip pak vepra nga Allen Ginzberg, William Borroughs apo Jeck Kerouac, autorë te të cilët ka ndikuar vepra e Huxley-t. Po krijohet në shqip një bibliotekë nga klubi i “shkrimtarëve të lirë”? 

Është shumë e rëndësishme të vijnë në shqip vepra të autorëve që lanë jetën për to. Vepra që i duhen si mjete krijuesve të sotëm e të ardhëm, po aq sa dhe lexuesve. Është e domosdoshme të mos ketë vende bosh, aq sa të krijohet mungesa në këtë fushë. Biblioteka e “shkrimtarëve të lirë”, të çliruar do thosha unë, të çliruar nga vetja në radhë të parë

Bio
Aldous Huxley (1894-1963) ishte një shkrimtar i shquar anglez dhe rridhte nga në një familje me arsim të lartë.  Gjyshi i tij, Thomas Huxley, ishte një botanist i shquar. Huxley u bë i njohur me romanin e tij anti-utopik, “World Brave New” (1932). Përfundoi studimet për mjekësi. Ishte humanist dhe pacifist, kohët e fundit interesohej për psikologjinë dhe misticizmin filozofik. Nga disa qarqe akademike u konsiderua udhëheqës i mendimit modern dhe intelektual i rangut të lartë, gjithashtu konsiderohej si një nga hulumtuesit më të spikatur për komunikimin vizual të cilin e mbështeste në teoritë e tij. Është vlerësuar me çmime si: “James Tait Black Memorial” apo”Çmimin e Meritës në letërsi” nga Akademia e Arteve  për librin “Më e mira e botëve” dhe për “Përshtatjen e punës së tij në filma”.

 

Intervistoi Valeria Dedaj

10 Komente

Urime Rud! Titulli ne versionin francez kam pershtypjen rimerr Candidin e Voltaireit, i cili nga ana e vet tallet me Leibnizin qe ishte i bindur se jetonte ne "me te miren e boteve te mundshme". S'di a ka lidhje libri me kete sepse s'e kam lexuar, keshtu qe mbetem me dyshimin tim smiley. Suksese!

Une nuk te besoj ty kur thua se nuk e ke lexu librin ne fjale! Ti me ke lexu mu, qe kam botu vetem ne gjuhen taxhike, e s'paske lexu Huxleyn ???

E ka mire nje kolegia ime qe thote shpesh : Il y a de ces énigmes sur cette terre smiley

smiley Kete jo. Vetem "Dyert e perceptimit" dhe nje vellim me tregime.

Ke ardhur si filozof ne interviste, petlla:Liria eshte droge, drogat jane pjese e lirise. Liria tek ne erdhi nga raftet bosh, nga stomaket bosh.Zgavra bosh ne gjokse u takon postmoderneve.Ne jemi paramoderne ne kete drejtim.Jemi tek supa e stomakut akoma prandaj s'na i ndjen shume per kushtetuten e lirise.

Urime per perkthimin.

Në rastin e Huxley-t dhe përvojave të tij me meskalinën nuk ma do mendja se bëhet fjalë për "drogë" dhe "çlirim", pasi kjo ndodhi në kornizat e një eksperimenti të kontrolluar dhe vetëm disa herë. Në atë kohë "droga" nuk kish atë konotacion negativ që ka sot e që e fitoi vetëm pas viteve 70'.

Duhet bërë edhe dallimi midis meskalinës, që është halucinogjen e heroinës, morfinës apo dhe maruhuanës e hashashit, pasi efektet nuk janë aspak të njëjta, e kështu edhe impakti në  veprën letrare, po qe se ka.

Qasja e Huxley-t ndaj meskalinës është më afër ndaj asaj të Dumas atit ndaj opiumit, apo Freud-it ndaj kokainës, dmth. më shkencore e kurioze se sa vetëshkatërrimi nga varësia të brezit të shkrimtarëve "të lirë" që përmenden, pavarësisht se ata gjetën tek ai një alibi të respektuar.

Urime Rudit e suksese!

Veçse tani perkthehet ne Shqiperi nje roman si "me e mira e boteve"?? Se atje ç'nuk eshte perkthyer

po habitem... smiley

@ Se atje ç'nuk eshte perkthyer

Po  librat nuk jane si vera  , Stalker, dmth nuk funksionon perhere "sa me e vjeter aq me e mire". Prurjet e reja shpesh sfidojne vlerat e vjetra. Ja, une sot zbulova se duart e shkatheta dhe shpirti merkantilist, paskerkan sjelle ne treg "Fifty shades of Gray" (Botimet Dritan Tirana, perkthyer nga M.B.Bako) 1500 leke or tungjatjeta.U nisa te blej "Ura mbi drin" dhe u tundova nga 50 hijet sepse koha na kerkon te jemi trendy smiley

 

ah, eshte perkthyer Ura mbi Drin?

ps. kto nuancat e grise i ke ne cdo shitore librash ktu, ne forme garrumbulli (lexo "rifuxho"), mendja te shkon menjehere ne autodafe.

Ura eshte botuar qysh me 2005.

"Rifuxho" thua ti per "50 shades" por 40 milione kopje te shitura ja kane ngrohur xhepin mire asaj shoqes autore. Gje e madhe marketingu. Mire ketu qe Enveri (Fevziut) eshte akoma seksi po dhe aty ne perendim seksi qenkerka akoma enver (i pa eksploruar) smiley Nuk eshte cudi jo, tregu fabrikon vlera si Kodi, Shqiperia, Enveri, Hitleri

ps: e di mire gjuhen perkthyesja? smiley se ketu eshte perkthyer "50 hijet e Greit" Ndoshta luhet me nuancat e fjales.

Pa lidhje me temen, por vetem me titullin francez dhe me talljen e Volterit per Laibnicin si kundeshtar i multiversit duke mbajtur universin real si te universin me te mire te mundeshem. Le qe ka dyshime qe Volteri e ka pas inotin me nje akademik fracez, por edhe ne mos qofte keshtu, Leibnici eshte dekontestalizuar ideologjikisht me keqdashje dhe me injorance nga kush mos, sidomos nga ata qe nuk kane lexuar asnje faqe te tij, filofrancezè qe nuk honepsin Gjermanine, revolucionare te medhenj mer jahu qe urrejne teistet. Per te kuptuar cfar gjigandi i pakuptuar eshte mjafton te lexohet Wiki:

"Leibniz occupies a prominent place in the history of mathematics and the history of philosophy. He developed the infinitesimal calculus independently of Isaac Newton, and Leibniz's mathematical notation has been widely used ever since it was published. His visionary Law of Continuity and Transcendental Law of Homogeneity only found mathematical implementation in the 20th century. He became one of the most prolific inventors in the field of mechanical calculators. While working on adding automatic multiplication and division to Pascal's calculator, he was the first to describe a pinwheel calculator in 1685[4] and invented the Leibniz wheel, used in the arithmometer, the first mass-produced mechanical calculator. He also refined the binary number system, which is at the foundation of virtually all digital computers. In philosophy, Leibniz is mostly noted for his optimism, e.g., his conclusion that our Universe is, in a restricted sense, the best possible one that God could have created. Leibniz, along with René Descartes and Baruch Spinoza, was one of the three great 17th century advocates of rationalism. The work of Leibniz anticipated modern logic and analytic philosophy, but his philosophy also looks back to the scholastic tradition, in which conclusions are produced by applying reason to first principles or prior definitions rather than to empirical evidence. Leibniz made major contributions to physics and technology, and anticipated notions that surfaced much later in philosophy, probability theory, biology, medicine, geology, psychology, linguistics, and information science. He wrote works on philosophy, politics, law, ethics, theology, history, and philology. Leibniz's contributions to this vast array of subjects were scattered in various learned journals, in tens of thousands of letters, and in unpublished manuscripts. As of 2012, there is no complete gathering of the writings of Leibniz".

Vetem kaq mjafton per te thene shqip se “u bo botha Volterit me u tall me Laibnicin”. He se harrova, Laibnici eshte i pari personalitet i njohur boterisht qe ka shkruar per gjuhen shqipe. Nga Wiki ne shqip:

"Lajbnici, njëherit, ka bërë studimin e parë ndër gjermanët dhe evropianët për prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve. Lajbnici me tri "letrat shqiptare që ai i ka dërguar bibliotekarit mbretëror në Berlin, së bashku me albanologun Erik Hemp, "një dijetar të hershëm të vërtetë të gjuhës shqipe" paraqesin të parët teorin "ilire" të prejardhjes së gjuhës shqipe"".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).