Komisioni për Lustrimin në Maqedoni ka publikuar në faqen zyrtare emrat dhe dosjet e personave që kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Në mbrëmje u publikuan emrat dhe dosjet e 11 personave, që kanë qenë ish-spiunë dhe në mesin e tyre gjenden edhe katër ish-funksionarë dhe personalitete publike shqiptare. Sefedin Haruni, Shaban Shehu, Faredin Miftari dhe Mahi Nesimi janë katër shqiptarët që Komisioni për Lustrim i ka shpallur bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, njofton Zhurnal.

Sefedin Haruni është ish-deputet dhe ish-kryetar i PPD-së, kurse Mahi Nesimi është ish-ambasador i Maqedonisë në Kroaci. Shaban Shehu është ish-ministër në qeverinë e fundit komuniste, ndërsa Faredin Miftari thuhet të jetë ish-drejtor i burgut dhe më pas ish-drejtor i një shkolle fillore.

Per me shume Shekulli

17 Komente

vetem kto jane spiuna te UDB-se....ku jane te tjeret? Po knej nga brenda kufirit...na i nxirrni i cik

Po nuk ka per te dale kurre Sala i UDB-se ore, lodheni kot! Nuk o Sala i tille. smiley

po se mos del i Sigurimit bre...pse nuk i hap dosjet?

ah mjer ti! ai ti hapi, po vetëm e tija nuk është (më) atje! 

sinjale ka qe ka qene - si ai i burgosuri politik qe e permendi ne ceshtjen e tij. gjithe referencat e Hutes nuk mund te fshihen nga dosjet...

Ju jeni t'çuditshem vallai. Po tashi, i dikujt duhet te jete ai! O i UDB, o i KGB, o i MI6, o i CIA, o i Mossadit, o i Masoneve, o i Illuminatit, o i Sorosit, o i Shoqates se Kardiollogeve... 

Perdorni llogjiken per te vendos se i kujt eshte. smiley

petat e byrekut bre...po ku dini juve qe hanit vetem kulac ne hi

dalin vetem peshqit e vegjel,,,pastaj po te shikosh veprimet proserbe te sali fazllicit nga 91-i e ketej duhet te jesh si stivi uonder qe te mos i shikosh. ne gare te forte me e.toptanin kush do e marre medaljen ne 1oo-esh

... Usain Bolt!smiley 

bile do vendos rekord te ri boteror them une..  per nja 1 ore zhvillohet gara finale.

po po ,kishte bere edhe kenge tip noisysmiley.

le ta marre ndonje zezak tjeter,se ketij i kane ardhur ne maje te hundes medaljet

Fakti qe kane qene shqiptar s'perben asnje te informacion.Si funksionar te shteti qe kane perfaqesuar kane qene te detyruar te merren dhe me sherbime sekrete. 

Duhet te japin me shume te dhena, se cfare informatash kane transferuar dhe nese i kane rene njerezve padrejtesisht ne qafe.

Dmth asnje peshk i madh.

Peshqit e medhenj i kane ne dore dosjet si duket.

Pse merakoseni per kete .Ata jane Spiune te Maqedonise .Ka edhe Spune te Malit te Zi edhe te Sllovenise .Spiune me origjine shqiptare ka pasur dhe ne Otomani smiley Pse nuk merakoseni qe akoma nuk po dalin "disenjatoret" ( me falni ) spiunet tane smiley Po dosjet e Spiuneve te Serbise ne Shqiperi do hapen ndonjehere ?

Kater spiune gjithsej ? 

Keta duhet te jene ata te djegurit, qe sjapin me. Te tjeret, aktivet, me siguri do tu dali emri kur te mos japin me, me nje fjale kur te jene ne pension, te mbaruar.

Dosjet e Serbisë - litari në qafën e kombit

Nga: SHABAN MURATI

Dosjet e Serbisë - litari në qafën e kombitKomisioni zyrtar i lustracionit në Maqedoni nisi të publikojë në 3 gusht në faqen e tij zyrtare emrat e bashkëpunëtorëve të shërbimit të dikurshëm sekret jugosllav, UDB, në mesin e të cilëve figurojnë disa emra, që u bënë pjesë e garniturës së lartë politike shqiptare të periudhës së shtetit të pavarur të Maqedonisë. Përtej kuadrit maqedonas apo shqiptaro-maqedonas, ngjarja shërben si alarm apo kambanë për të tërhequr vëmendjen mbarëkombëtare për një të vërtetë të madhe, të pandriçuar dhe të pazbuluar, të pozicionit dhe të marrëdhënieve ende jo plotësisht të sqaruara të të dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar me Serbinë. 
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë kjo mbetet enigma e madhe e padeshifruar për opinionin mbarëkombëtar dhe tek e cila mund të qëndrojë ndoshta çelësi i shpjegimit se përse Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar, gjatë rrugëtimit të tyre historik kanë kaq litarë nëpër këmbë dhe ende nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë standardet normale të stabilitetit dhe zhvillim normal të një shoqërie demokratike dhe të lulëzuar ekonomikisht. 
Kjo nxit dhe duhet të hapë debatin e madh për nevojën e njohjes me emrat dhe dosjet e atyre politikanëve, ministrave, deputetëve, biznesmenëve apo intelektualëve opinionbërës në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan, të cilët kanë qenë dhe janë të lidhur me shërbimet sekrete të Serbisë. Në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, vazhdimisht pas rënies së komunizmit është prekur çështja e domosdoshmërisë së zbulimit të dosjeve të protagonistëve të politikës, të partive politike, etj. që kanë firmat në dosjet e arkivit sekret të zbulimit serb. Për ta bërë sa më konfuz opinionin dhe faktorin mbarëshqiptar, forcat politike shqiptare në të tre kryeqytetet që përmendëm, kanë akuzuar rregullisht njëra-tjetrën se strehojnë spiunë të Serbisë, një konstruksion propagandistik i cili, duke mos qenë i shoqëruar me përçapje juridike, më shumë ka shërbyer për të fshehur më mirë identitetin e atyre agjentëve. Nuk mund të mos ngjallë një ndjenjë përçmimi sjellja e atyre politikanëve apo zyrtarëve të lartë, të cilët, ndërsa inskenojnë në podiumet parlamentare apo televizive “damkosjen në shtyllën e turpit” për x apo y funksionar të lartë të shtetit si agjent të Serbisë, nuk kanë ndërmarrë gjatë 20 vjetëve postkomuniste as edhe një denoncim konkret në prokurori për njerëzit, që i akuzojnë se kanë tradhtuar interesat e Shqipërisë tek Serbia. 
Rrjetet agjenturore shqiptare në shërbim të Serbisë në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, kanë qenë dhe janë pjesë e realitetit politik në këto kryeqytete. Në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Bruksel në muajin maj të këtij viti, eksperti serb Zoran Petroviç, i shoqatës joqeveritare serbe “Koop i kapinic”, shpalli disa të dhëna të zbuluara pas hulumtimeve në disa arkiva serbe se regjimi i Sllobodan Millosheviçit ka pasur një rrjet të gjerë agjenturor në Ballkan prej 2200 spiunësh, nga të cilët 700 vepronin në Kosovë, 200 në Mal të Zi dhe 150 në Maqedoni. Zoran Petroviç bëri të ditur edhe të dhënën tjetër, sipas së cilës, 200 agjentë të Serbisë vepronin në Shqipëri, Bullgari, Rumani, Qipro. Në mënyrë më të specifikuar për këtë veprimtari drejt Shqipërisë u shpreh në atë kohë ish- shefi i shërbimit informativ kombëtar, SHIK, Fatos Klosi, i cili deklaroi në mediat shqiptare në 28 maj 2012, se “regjimi i diktatorit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, ka pasur agjentë edhe në Shqipëri. Madje mund të them se ishin me dhjetëra. Sigurisht që agjentët e Sllobodan Millosheviçit në Shqipëri kanë qenë të niveleve të ndryshme, pa përjashtuar as zyrtarë të rangut të lartë. SHIK-u i ka ndjekur një pjesë të këtyre personave”. 
Ish-drejtori i shërbimit informativ kombëtar shqiptar e ka vlerësuar të udhës t’i shmanget pyetjes logjike të qytetarëve se çfarë ndodhi me këta dhjetëra agjentë të Serbisë dhe a përfundoi ndonjëri prej tyre në bankën e drejtësisë të Shqipërisë. Sidoqoftë, këtu kemi një pohim kompetent për atë të vërtetë të dhimbshme se agjenturat serbe janë pjesë e realitetit politik shqiptar. 
Qytetarët shqiptarë, kudo që jetojnë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, dhe kudo në diasporë, kanë të drejtën legjitime dhe shqetësimin kombëtar të shtrojnë pyetjen se në çfarë situate jemi në këtë temë sot në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sepse askush nuk mund të besojë se spiunët e shërbimit sekret serb të kohës së Millosheviçit, pas ikjes së Millosheviçit nga pushteti, zbritën nga autobusi serb dhe u larguan nga skena e veprimit të tyre në Tiranë, në Prishtinë apo në Shkup. Sepse mund të ndodhë fare mirë që në tribunat ceremoniale të festimit të 100-vjetorit në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, të jenë pikërisht disa prej agjentëve të Serbisë, të cilëve, pozicioni i arritur politik apo shtetëror, iu krijon luksin dhe ironinë e të qenit në tribunat festive. Logjika më e thjeshtë të shtyn të mendosh se ata, që kanë pasur dhe kanë detyrën të sabotojnë pavarësinë reale të Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të pajtohen me pavarësinë reale të të dy shteteve shqiptare dhe të kombit shqiptar. Ndaj në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë mbetet i pakryer misioni i shenjtë mbarëkombëtar i mbrojtjes së kësaj pavarësie nga sabotimet, deformimet dhe rrugët qorre, ku përpiqen ta fusin agjenturat serbe. 
Kjo shfaqet sot, dhe normalisht duhet të jetë, një detyrë prioritare e shtetit dhe e organeve shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë në 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Kjo po bëhet dhe do të bëhet gjithnjë e më jetike, sa më keq të shkojnë punët në Shqipëri, në Kosovë dhe në faktorin shqiptar. Është naive të mendohet se me kalimin e kohës dhe të shkëputjes formale të Shqipërisë dhe të Kosovës nga Serbia, kjo çështje nuk ka më efekte. 
Gabimi i parë strategjik, që mund të bëhet, është pretendimi se me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE, rreziku i agjenturës serbe, që noton në garniturat politike shqiptare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, shkon drejt vetëneutralizimit. 
Serbia i ka mbjellë celulat e saj të fjetura në garniturat më të larta të pushtetit politik e shtetëror në Shqipëri dhe në Kosovë gjatë gjithë 100 vjetëve të kaluara nga themelimi i shtetit shqiptar dhe sidomos në prag të përmbysjes së komunizmit dhe të shembjes së federatës jugosllave. 
Serbia ka një interes konstant strategjik për të pasur nën kontrollin e vet faktorin shqiptar në Ballkan, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni, qoftë në Mal të Zi dhe kudo. Ky interes strategjik nuk është pakësuar me formalizimin e entiteteve shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk është keq të rikujtohet se dhe në 25-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1937, diplomati i lartë serb dhe antishqiptar i certifikuar, Ivo Andriç, deklaronte me mburrje se “ne kemi njerëzit tanë në Tiranë”. Nuk është keq të rikujtohet deklarata e mirënjohur e presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, në parlamentin e Serbisë se “ne kemi shpenzuar 17 milionë dollarë për destabilizimin e Shqipërisë”. 
Vështirë të ketë ndonjë shqiptar kaq naiv, sa të besojë se këto rrjete spiunësh të Serbisë në garniturat politike dhe shtetërore shqiptare janë neutralizuar. Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, në Kosovë dhe në shtetet e tjera, ku jetojnë shqiptarët, solli ndryshimin e metodave të Serbisë për të ruajtur kontrollin e vet. Serbia u kujdes të kishte ndikimin e vet në garniturat e reja politike, që u krijuan bashkë vendosjen e erës së re të pluralizmit dhe të demokracisë në shtetet ballkanike shqiptare ose ku banojnë shqiptarët. Fakti, i konfirmuar plotësisht ose jo, që në radhët e garniturave të larta politike në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, etj, ka pasur dhe ka agjentë shqiptarë të shërbimit sekret serb, duhet të bëjë të mendohen mirë si qeveritë, ashtu dhe organet shtetërore të sigurisë kombëtare. 
Ato dosje, të vjetra ose të reja, janë një pengesë kolosale për konstituimin e pavarësisë së vërtetë dhe të shoqërisë së vërtetë demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë. Sepse ato dosje janë një barrikadë në konsolidimin e demokracisë dhe në përparimin e popullit dhe të kombit shqiptar. Sepse Serbia ka qenë dhe është e interesuar strategjikisht për një Shqipëri dhe një Kosovë të dobët, të varfër dhe të nënshtruar, me qëllim që faktori shqiptar në Ballkan, jo vetëm të mos rimëkëmbet e të mos forcohet dhe as të mos rivalizojë faktorin serb, por edhe të jetë sa më i varur nga Serbia. 
Natyrisht dosjet e agjentëve shqiptarë të Serbisë në Shqipëri dhe në Kosovë ndodhen në Beograd dhe ato, vështirë se do t’i bëjë të njohura ndonjë qeveri “demokratike” serbe, derisa nuk do të pushojë interesi strategjik i Serbisë për të kontrolluar dhe dominuar shtetet shqiptare dhe kombin shqiptar. Dehja, që mund të shkaktojnë në kryeqytetet shqiptare overdozat e opiumit euroatllantik ballkanik, nuk duhet ta zhvendosë vëmendjen nga gjeopolitika dhe gjeostrategjia antishqiptare e Serbisë. 
Është naive të pritet që një Serbi e demokratizuar të gjejë në të ardhmen, pas 50 apo 100 vjetësh, gatishmërinë për të publikuar emrat e shqiptarëve, që i kanë shërbyer interesave serbe në Tiranë, në Prishtinë apo në Shkup. Kjo mbetet detyrë ekskluzive e shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë. Një detyrë tepër e vështirë, sepse Serbia është kujdesur që njerëzit e saj në këto kryeqytete të jenë shumë të pasur, me shumë pushtet, me shumë influencë politike, zyrtare dhe publike. Dhe këta drejtohen nga Beogradi me telekomandën e dosjeve. Ndaj dosjet e Serbisë janë një litar në qafën e kombit shqiptar.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).