Në rast se do të më duhej ta përktheja titullin e këtij dokumentari, telash i madh do të kishte qenë. Se sido që ta përkthesh, "Fuqia e maktheve" apo "Pushteti i maktheve", në shqip do të qëndronin të dyja.

Dokumentari është një vështrim mbi forcën që ushtron mbi psikologjinë e popullatës shpikja e një armiku të tmerrshëm që kërkon shkatërrimin e saj dhe të vlerave të saj, si dhe tërë pasojat që rrjedhin prej kësaj. Ju tingëllon muzikë e njohur, apo jo? Pa u shpërndarë shumë, ai përqendrohet tek lindja dhe fuqizimi i dy grupeve, njëri në Lindje, tjetri në Perëndim - radikalët islamikë në Lindjen e Mesme dhe neokonservatorët në Botën e Re - dhe impakti i gjithsecilit në shoqëritë respektive.

Dokumentari përbëhet nga tri pjesë. Në pjesën e parë tregohet lindja e islamizmit radikal dhe neokonservatorizmit amerikan. Pjesa e dytë rrëfen se si këto dy kampe bashkëpunojnë në luftën kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan dhe se si fitorja e kësaj lufte lind në gjirin e secilit prej tyre ëndrrën për përhapjen e vlerave që thonë se mbrojnë dhe sundimin e tyre në botë. Ndërsa pjesa e tretë rrëfen "lindjen" e rrjetit terrorist botëror të njohur me emrin al-Kaida, bashkë me atë të "luftës kundër terrorizmit", si dhe çfarë i kanë sjellë botës "pjella" të tilla. Të shpërndara tek-tuk nëpër të tri dokumentarët fshihet ndonjëherë edhe nga një "përse" e tërë këtyre punëve.

Shumë u zgjata dhe unë. Hajt pra, shikim të këndshëm.

http://topdocumentaryfilms.com/the-power-of-nightmares/

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).