Kjo është pjesa e tretë e serisë Zeitgeist, titulluar Zeitgeist: Moving Forward. Në këtë film bëhet një paraqitje e përmbledhur, e rrëfyer, e një pjese të arritjeve të deritanishme studimesh në fushat si mjekësia, sociologjia dhe psikologjia, si dhe ripreken edhe njëherë diskutimet mbi fenë, ekonominë, financat.

Në gjysmën e dytë të dokumentarit bëhet edhe prezantimi i një lëvizjeje, të quajtur Lëvizja Venus, diçka që prekej përciptat që në serinë e dytë.

http://www.zeitgeistmovingforward.com/

Meqë bëhet fjalë për një lëvizje  të re, këtu do të doja të shtoja dy fjalë. Projeksionet mbi ardhmërinë, sado të paraqitura bukur, por ende të paargumentuara se në ç'rrugë e me ç'mjete do të arrihen, mua personalisht më bëjnë mosbesues, skeptik ndaj tyre. Në jetë kam mësuar - ndër plot të tjera - edhe dy përralla, njërën të rrëfyer e tjetrën të jetuar. E para ishte ajo që i tregonin vetes dhe njerëzve kohë më parë partizanët se, pas lufte, do hanin me lugë floriri. E dyta, ca më e vonë në kohë, ishte ajo se në demokraci deti do bëhej kos dhe oburra! kush të kishte lugë në brez (për këtë s'ishte e domosdoshme lugë floriri, mjaftonte një çfarëdo, edhe lugë druri qoftë). Këto dy përralla më dalin e më teprojnë për tërë jetën, s'më hyn në punë një e tretë. Kjo, ama s'më pengon ta lexoj shqetësimin e kësaj lëvizjeje njerëzish - që unë do t'i cilësoja në thelb teknologë - për atë se ku po shkon njerëzimi me këtë sistem organizimi e funksionimi që ka aktualisht dhe me shfrytëzimin që po u bën burimeve të fundme natyrore. Dhe e kuptoj reagimin e tyre, tek shohin që arritjet teknologjike që këta kjo kategori njerëzish i mundësojnë pjesës tjetër të njerëzisë, nuk përdoren me tërë kapacitetin e tyre, por pengohen pikërisht prej sistemit që ata anatemojnë. Por nga kjo pikë e deri tek arritja e vizionit të tyre qëndron, si i thonë, një det i tërë, dhe s'është kos, po ujë i kripur.

Nga ana tjetër, paraqitja e një numri faktesh e argumentesh të mëhershme që ata mbrojnë është me interes, dhe kjo është arsyeja kryesore pse e solla këtu këtë seri. Në thelb, ideja vërtitet tek rrëzimi i miteve si pengesa në rrugën e rritjes së njeriut dhe përparimit të qytetërimit. Çdokush është i lirë t'i shohë e t'i interpretojë si të dojë, s'është puna ime të bind ndokënd. Maksimumi ku unë mund të arrij është të ndaj me të tjerë diçka që e konsideroj me interes. Ndokush i sheh për herë të parë e sheh diçka në to, që mund t'i duket e kotë ose me vlerë. Dikush tjetër mund t'i ketë parë e, duke i qëndruar mendimit fillestar, t'i duken përsëritje të mërzitshme. Nga kaq vite përdorimi televizori, diçka duhet të kenë mësuar: pultin në dorë e keni. Dikur pultin, sot mausin, tastierën.

Fundja, unë i mbetem idesë se këtu, në tërë këtë seri, ka diçka për të parë. E ndoshta për të diskutuar. Secili në lirinë e vet. Për aq sa e sheh veten të lirë.

9 Komente

Ne pamje te pare duket shume utopike zgjidhja, por serish ky dokumentar me duket se duhet pare disa here, ka shume  koncepte qe duhen tretur me mire.

E pse jo!

Ja, dhe flamuri doli në atë listën.

Faleminderitsmiley Nejse PB e ka henger cfare ka per te ngrene, por mbase ka ndonje fije shprese per plea for pardon.

Nuk e kam idenë si është puna e gjyqit. Di që PB është goditur disa herë këto vitet e fundit me procese; BTJunkie është mbyllur fare, ndërsa Demonoid-in ka një javë që seç e sulmojnë. Këto i marr më tepër vesh nga përdorimi i faqeve, se nga lajmet. Megjithatë, për këtë djalin e PB (apo disa, s'e di sa janë në gjyq) më vjen keq - kanë bërë punë goxha të mirë, bashkë me të tjerët. Si i thonë fjalës, rrnoftë liria e netit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).