Darien Levani është autor i dy romaneve në gjuhën italiane “Vrasësi i qymyrit”, “Qukapiku magjik dhe i famshëm” dhe së fundmi përgatit që të sjellë në shqip romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe nga ne”.

Thotë se në stilin e tij të të shkruarit kanë ndikuar parullat në pallatet gri të socializmit dhe që letërsia shqipe është rishkrimi i varfër i asaj evropiane. Darien Levani i lindur në Fratar, Fier, është sot avokat në profesion, dhe e ushtron të shkruarit si të ishte krijues i lirë, merr pjesë për lexime në festivalet e letërsisë dhe ka në proces një roman të ri. 

U bë shkas për këtë intervistë ribotimi në italisht i romanit “Qukapiku magjik dhe i famshëm” (Il famoso magico qukapik”, Odoya, Bolonjë 2011) ku Darieni trajton temën se çfarë do të thotë të ishe fëmijë në një regjim diktatorial. Megjithëse ai kapi vetëm dhjetëvjetëshin e fundit të epokës socialiste në Shqipëri, fantazia e Levanit ka mjetet e saj për t’iu afruar realitetit. 

Darien Levani është nga më të rinjtë e një brezi autorësh që emigruan, u shkolluan në vendet dhe me kulturat pritëse, dhe megjithëse ndërmjet dy gjuhëve, vendi i origjinës, bota shqiptare, është shenjë dalluese në librat e tyre. Ka ardhur një moment lojtarët e këtushëm të letërsisë dhe editorisë ta lënë mënjanë shpërfilljen dhe heshtjen që mbahet ndaj kësaj aradhe shkrimtarësh shqiptarë bilingë në Perëndim. 

 

Si lindi romani “Qukapiku magjik dhe i famshëm”?

Si shënime mbi luftën e ardhshme, që është identike me luftën e kaluar. “Say hello to the new boss/same as the old boss”, këndonin The Who: “Përshëndete shefin e ri/ është njësoj si shefi i vjetër”. Pastaj si kërkim, gërmim në rrënjët e propagandës.

Ka elemente nga vendlindja?

Ka servilë, shah, magji, Shqipëri, luftë, epikë, histori. Njerëzve mund t’u tregosh vetëm atë që duan të marrin, asgjë më shumë. Por në thelb them se “Qukapiku...” tregon një tjetër mënyrë jetese, një mënyrë për të parë jetën apo ngjarjet. Çdo libër e bën këtë, në fund të fundit, dhe Kurosawa e ka banalizuar që para gjysmë shekulli me “Roshomon”. E megjithatë unë nuk dua t’u shpjegoj asgjë italianeve apo kujtdo tjetri, dua vetëm të tregoj një histori. Letërsia shpjeguese është një shpikje e tmerrshme e komunistëve, e asaj që guxonin ta quanin “realizmi socialist”, edhe pse aty nuk kishte as realizëm e as socializëm.

Çfarë ka ndikuar në stilin tuaj të të shkruarit?

Parullat në pallatet gri.

Nga një libër në tjetrin, e fiton autori sigurinë?

Jam përpjekur një kohë që të mësoj, më sinqerisht të vjedh stile e forma andej këtej. Por shprehja e Verlaine-it se art do të thotë të jesh vetvetja deri në fund, sikur më konfirmoi atë që ndjeja por që kisha frikë ta zbatoja: kur shkruan duhet të ndihesh rehat me vetveten, të mos mundohesh që të gënjesh ndokënd. Kur kam pranuar këtë, çdo gjë u bë më e lehtë. 

Meqë kapët artin si tërësi, ju bën përshtypje diçka, kështu në distancë, nga kushtet ku bëhet art dhe kulturë në atdhe?

Për fat të keq, në atdhe... ashtu si gjetkë xhanëm, kush ka ide nuk ka lekë. Se, në fund të fundit, kultura është edhe industri e ka nevojë për drita, salla regjistrimi e kamera. Është i pallogaritshëm haraçi që do paguajmë për këto mungesa. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes mungesës së kulturës e varfërisë, zhvillimit të kriminalitetit e të mizerjes. Nëse njeriu nuk është në kontakt me të bukurën...  

Ajo që më pezmaton është se shumë ia vënë fajin burokracisë për dështimet e tyre, e se si njerëz që mund të çanin, tërhiqen dhe i ulin flatrat në baltë.

A e shikoni në ndonjë drejtim Shqipërinë drejt progresit, apo...?

Tani po mbledh shënime për një libër “noir” që, midis të tjerash, mund të flas për kriminalitetin shqiptar në Evropë. Po bëj kërkime në këtë fushë meqë më duhen edhe për punën si avokat. Ajo që tregojnë raportet evropiane është që kriminaliteti shqiptar është i aftë të rritet, të adaptohet e të hedhë baza për një të ardhme të shndritshme. Kjo sepse është krijuar si një rrjet bazuar në lidhje personale, familjare apo krahinore, e megjithatë me kontakte në gjithë Evropën. Ky për shembull është një përparim i madh...

Jeni lexues i letërsisë shqipe? 

Shumë pak. Edhe letërsia më e mirë shqiptare s’është gjë tjetër veçse rishkrimi i varfër i asaj evropiane. Një letërsi e vakët, pa ide, pa busull e pa personazhe të aftë të krijojnë epokë, që nuk përkthehet e nuk lexohet jashtë. E si shpëtojmë ne nga kjo? Duke thënë që e kanë fajin lexuesit që nuk dinë të lexojnë! Jo mo jo, e ke fajin ti që nuk ia del të mbërrish deri te lexuesi. 

Gjëja e fundit revolucionare që ka ndodhur në letërsinë shqiptare ka qenë lindja e Migjenit. S’është e rëndë, në fund të fundit po ndodh e njëjta gjë edhe në fusha të tjera arti.  

Për autorët s’kam asnjë koment. Ndërsa në letërsi vërej mungesën e vet letërsisë. 

Atëherë, na përmendi autorët tuaj të zemrës?

Janë shumë. Për momentin do përmendja vetëm Jaroslav Hašek, një autor gjenial që në Lindje nuk durohet më sepse është imponuar për 50 vjet, ndërsa në Perëndim urrehet sepse propaganda sovjetike e ka shitur si komunist. Gënjeshtër me bisht. Tani, për shembull, po lexoj “ Il Naufragio” (Përmbytja) nga Alessandro Leogrande, një mik e gazetar i mirë. Tregon deri në detaje mbytjen e Kater i Radës, po ashtu edhe procesin gjyqësor. Është libri që çdo shqiptar duhet ta lexojë, e me sa di do të botohet shqip.

Çfarë ju lodh apo ju gëzon kur dëgjoni lajmet nga Shqipëria?

Më lodh shumë fisnikëria e kulturës shqiptare që urren e përçmon çdo gjë që vjen nga terreni, duke filluar nga përçmimi për bejtexhinjtë, për muzikën popullore apo atë tallava. Masakrimi mediatik që i është bërë Lek Plepit për shembull, është diçka e turpshme. Më mërzit fakti se si shumë njerëz - e mes tyre, edhe artistë, regjisorë apo shkrimtarë - e përçmojnë popullin e tyre, e urrejnë, e, tamam për këtë, s’dinë as ta kuptojnë e as ta tregojnë.   

Keni arritur të ndërtoni në Itali diçka për të cilën në Shqipëri nuk do të mundnit?

Të ndërtoj?! Tingëllon pak rëndë, por kam arritur të kem një punë të mirë që më pëlqen. Punoj si avokat, ka qenë gjithmonë një ëndërr për mua. Pastaj shkruaj libra që botohen e shiten, gjë që do ishte shumë e vështirë në atdhe.

Çfarë ju mungon nga vendlindja? Kthimin e keni menduar?

Nga vendlindja më mungon shpresa. Unë i mbaj mend vitet ‘90, e mbi të gjitha mbaj mend që shqiptarët nuk kishin asnjë kufi. Mund të bëheshim çdo gjë, mund të ishim kushdo që donim të ishim. Ndoshta nuk ishim të ndërgjegjshëm, ndoshta gënjeheshim lehtë, por më merr malli për atë optimizëm që sot është zëvendësuar më pezmatimin e një helmimi të ngadaltë.

E mendoj kthimin? Çdo mëngjes! Mendimet mbi kthimin në atdhe janë tortura e preferuar e çdo shqiptari jashtë kufirit. Është guri ynë i Sizifit, ai që çon sipër e pastaj në moment të fundit të rrokullis poshtë e akoma më poshtë, deri në Rinas, apo “Nënë Tereza” siç e quajnë tani.

Pritet botimi i romanit “Lufta e ftohtë”. Ç’është ky libër?

“Lufta e ftohtë” që ndërkohë më duket se ka marrë titullin përfundimtar “Poetët bëjnë dashuri ndryshe nga ne” duhet të dalë pas verës, nga shtëpia botuese “Pegi”, e ndoshta arrij të organizojmë një prezantim në panairin e librit në Tiranë në nëntor. Jam shumë i kënaqur për këtë libër. Flet për një djalë që ka një grup muzikor në Tiranë, e lëviz mes shpresash e zhgënjimesh, tamam ashtu si kam parë shumë miq që mundohen të bëjnë muzikë. “Poetët bëjnë dashuri ndryshe nga ne” është një homazh për ta, që nuk lodhen e nuk stepen, që nuk dorëzohen, por luftojnë përditë, aty, në ato lokale ku nuk shkoni kurrë a në salla provash të fshehura. Doja që kur të lexohej të ndihej pluhuri i Tiranës që ngrihet! Pastaj ka gjëra të tjera, të reja e të vjetra: tym cigaresh, këngë të shkëputura, treg Medreseje, autobusë të djersitur, dashuri buzë Lanës që qelbet e lulëzon, mbledhje partish, fundjavë në Durrës e pastaj koncerte, këngë, prova, muzikë. Në fund të fundit, është vetëm rock ‘n roll, por unë e dua shumë!

7 Komente

Titulli i librit "Poetet bejne dashuri ndryshe nga ne" tingellon intrigues dhe shume ngacmues dhe interesant dhe nga sa flet dhe vete autori.

Suksese Darien!

nje shkrimtar  shqiptar qe shkruan ne gjuhe te huaj dhe snobon shqipen ,le ta komentojne lexuesit e tij te huaj.

I këndshëm dhe i freskët ky artikull. Të shkoftë mbarë Darien!

Jeni lexues i letërsisë shqipe? 

Shumë pak. Edhe letërsia më e mirë shqiptare s’është gjë tjetër veçse rishkrimi i varfër i asaj evropiane.

smiley

Prandaj thoja une se nga eshte zhdukur kritiku jone i PPU, e hee, paska qene i zene me dy libra, urime.

Suksese Darien.

Sa lajme te bukura na dhe me kete interviste mo Darien, me behet shume qejfi qe karriera jote si krijues po ecen kaq mire.  Intervista big like!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).