Dikush duhet t’i shpjegojë kësaj rinie se “Shqipëritë” tona janë të tilla siç janë, ngaqë Parajsën në to e ndërtojnë muratorët e Ferrit dhe ngaqë ndërtues të tillë u bëmë thuajse të gjithë ne.

Nuk e thonë tërë të vërtetën ata që pohojnë se nëpër “Shqipëritë” tona nuk luftohet korrupsioni. Nuk kanë plotësisht të drejtë ata që pohojnë se institucionet e shteteve shqiptare nuk e zbatojnë ligjin, se vendet tona nuk janë shoqëri demokratike, ku sundon e drejta dhe ku vlerë mbi të gjitha vlerat është njeriu dhe aftësitë e tij individuale. Gjysmë të vërteta janë pohimet se nëpër institucionet e shteteve tona shqiptare nuk ndëshkohen keqpërdoruesit e pozitës dhe detyrës. Nuk e thonë të vërtetën e plotë as ata që pohojnë se gjithandej nëpër “Shiqipëritë” tona mbillet fara e bimës së keqe të jonjerëzores dhe se asgjësend nuk vlen morali dhe etika.

E vërteta e plotë për “Shqipëritë” tona është krejt ndryshe. Në “Shqipëritë” tona përfundon në burg apo pezullohet nga puna çdo zyrtar që merr ryshfet 50 euro, por jo kryehajduti, që ia del të vjedhë 50 milionë euro. Në “Shqipëritë” tona dënohet me zbritje të pagës mujore çdo i punësuar në ndonjë ministri, i cili, për t’i plotësuar kushtet për marrjen e kredisë për të mbijetuar, merr vërtetim me shumën rrejshëm të rritur të pagës mujore, por jo edhe ai që i falsifikon librat e kadastrës, në të cilat pronën shoqërore e regjistron si të vetën dhe të të afërmve të tij. Në “Shqipëritë” tona ngrihet aktakuzë dhe hetohet ai që e shqetëson qenin e fqinjit të tij, por jo edhe ata për të cilët publikisht flitet se kanë vrarë kundërshtarët e tyre politikë.

Dhe e tëra kjo ndodh ngaqë me burgosjen e atij që ka keqpërdorur 50 euro, mbulohet hajduti i 50 milionëve, ku para të huajve dëshmohet devotshmëria në luftën kundër korrupsionit. I punësuari në ndonjë ministri, që me makinën zyrtare ka çuar fëmijën e sëmurë te mjeku, pa kërkuar leje nga shefi i tij, menjëherë pezullohet nga puna, ngaqë kështu dëshmohet lufta kundër keqpërdorimit të detyrës, sepse kështu njëkohësisht mbulohet ai që me veturën e shtetit e çon në pushim dashnoren e vet, kështu mbulohet ai që brenda një muaji harxhon aq litra karburant të paguar nga taksat e qytetarëve, sa një familje shqiptare pi ujë brenda një viti. Paraburgoset e hetohet ai që e shkel bishtin e maces së fqinjit të vet, vetëm që të dëshmohet ekzistimi i shtetit të së drejtës, vetëm që askush të mos e hetojë se lirshëm shëtisin ata për të cilët publikisht thuhet se kanë marrë më qafë edhe të pafajshëm.

Që të mos mbetet e tëra kjo që u tha më lart e pambështetur në fakte, ja një shembull se si “Shqipëritë” tona e luftojnë korrupsion, por vetëm kundër atyre të cilët, mbase, këtë e bëjnë për të mbijetuar, ku vlen ligji, por vetëm për ata që nuk kanë me çka ta blejnë gjykatësin, ku ka moral e etikë, por të cilën e përcaktojnë ata që nuk kanë as fisnikëri e as ndershmëri. Një i punësuar si drejtor dikasteri në një ministri të “Shqipërive” tona, ku ende udhëtohet nëpër botë me viza, merr një ftesë për të marrë pjesë në disa takime në shtetin e ëndrrave të tij rinore. I tillë siç është, i padjallëzuar, krijues i ri, duke besuar se Parajsa mund të ndërtohet edhe mbi pronë të Ferrit, nga përgjegjësi i administratës kërkon notë verbale për të siguruar vizën e duhur. Kolegu i tij, gjithashtu i ri e i padjallëzuar, përgatit kërkesën për notë verbale dhe ia përcjell shërbimit konsullor pranë MPJ-së. Nga atje marrin notën verbale (për ata që nuk e dinë – Nota verbale është kërkesë që u drejtohet ambasadave të huaja në rastet kur zyrtarisht kërkohet vizë për të punësuarit nëpër institucionet shtetërore), me çka drejtori i ri i dikasterit ministror fillon ta jetojë gëzimin e realizimit të njërës prej ëndrrave të tij rinore, për ta vizituar shtetin që mbahet si djep i demokracisë, e ku shpreson se do të bëjë diçka të vlefshme edhe për institucionin ku punon.

Por thonë se të padjallëzuarit dhe ëndërrimtarët janë gjahu më i lehtë dhe më i dëshiruar i intrigantëve dhe i varrtarëve të ëndrrave. Në po të njëjtën kohë, kur ky e dërgon kërkesën për vizë, nga një ambasadë perëndimore, u bëhet me dije pushtetarëve të kësaj “Shqipërisë” sonë, se kanë informata se u jepen nota verbale edhe atyre që nuk punojnë fare nëpër institucionet e shtetit dhe se ka parashenja se këtë e keqpërdorin edhe disa grupe me veprimtari të dyshimta. Pushtetarët e kësaj “Shqipërie”, të përballur me lëshimet që janë bërë me vite gjatë dhënieve të notave verbale, por edhe të papërkulur që të dëshmojnë se janë të pamëshirshëm ndaj keqpërdoruesve të detyrës zyrtare, e matin punën nga të gjitha anët dhe nga cili do kënd që e vlerësojnë, gjithmonë u del përpara o fytyra e tyre, o ajo e ndonjë të afërmi të tyre. Dhe ngaqë nuk mund të ndëshkojnë të vetin, e as vetveten, ata gjejnë mbulesë si të dëshmojnë para të huajve se janë të paluhatshëm në luftën kundër keqpërdoruesve të notave verbale: i pezullojnë nga puna dy të rinjtë e lartpërmendur. Pra, e pezullojnë nga puna drejtorin e ri të dikasterit ministror, me arsyetimin se ka sjellë vendime dhe ka ndërmarrë veprime që i tejkalojnë kompetencave që i takojnë, se ka bërë veprim pa konsultuar Sekretarin e Përgjithshëm. Të kota ishin treguar dëshmitë e të riut se ai s’ka bërë asgjë pa dijeninë e Ministrit, ngaqë Komisioni Disiplinor i bie shkurt e shqip: kërkesën e tij për të marrë vizë e vlerëson si vendim, ndërsa dëshirën e tij për të udhëtuar në shtetin e ëndrrave rinore, ku do të realizonte takime të rëndësishme për institucionin ku punon, e barazon me veprim të dënueshëm, duke e lënë të dënuarin të ngushëllohet se mirë që nuk e kanë shpallur falsifikues të ftesës, mirë që nuk kanë shkuar më tej e ta shpallnin pjesëtar të ndonjë grupi që merret me punë të dyshimta.

Autori i këtij teksti e posedon tërë dokumentacionin për këtë ngjarje, që nga ftesa e deri te Vendimi i Komisionit Disiplinor, që një të padjallëzuar e shpall shembull të djallëzisë dhe të së keqes institucionale. Nënshkruesi i këtij teksti e shpalos këtë rast ngaqë ka pjesë të fajit në tërë këtë ngjarje. Faji i autorit të këtij teksti qëndron në të vërtetën se, kur drejtori i ri iu drejtua për ndihmë që ta bëjë publik këtë rast, mori përgjigjen: “Mos se mund ta pësosh edhe më keq, mos se më kot e ke ta nxjerrësh para gjyqtarit publik atë që nuk e qorton ndërgjegjja e vet, mos se në zhdukje është ajo racë njerëzore që nuk të bën keq, jo pse nuk mundet, po pse nuk ia lejon gjykatësi i rreptë i njerëzores në vetvete!” Dhe tani, duke e pranuar pjesën e gabimit të vet, pse nuk i lejoi të vepronte me kohë ashtu siç vepruan ata që u ngutën ta shpallnin publikisht të fajshëm, para se të grumbulloheshin faktet, nënshkruesi i këtij teksti publikisht i premton se po vendos ta dëshmojë të vërtetën e të kërkojë drejtësi, do ia mbulojë të gjitha harxhimet gjyqësore, përfshirë edhe ato para Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut.

Por këtij të riu, si dhe të gjithë të rinjve të tjerë të padjallëzuar, duhet dikush t’ua bëjë me dije se në “Shqipëritë” tona është e rrezikshme të vjedhësh 50 euro, por jo 50 milionë, ngaqë vjedhësi i dhjetëra eurove përfundon në burg, e ai i milionave bëhet mik me gjykatësit, se pezullohesh nga puna nëse të zënë si ke rritur shumën e rrogës në vërtetimin për të marrë kredi bankare për të mbijetuar, por do të kesh karrierë të ndritshme politike, nëse ia del që pronën e shtetit ta përvetësosh si ta kishe trashëgimi të lënë nga gjyshërit. Dikush duhet t’i shpjegojë kësaj rinie se “Shqipëritë” tona janë të tilla siç janë, ngaqë Parajsën në to e ndërtojnë muratorët e Ferrit dhe ngaqë ndërtues të tillë u bëmë thuajse të gjithë ne. Dhe u bëmë të tillë ngaqë e votojmë të korruptuarin, duke shpresuar se të tillin do të mund ta blejmë më lehtë kur të kemi nevojë, e përkrahim dyfytyrëshin vetëm pse në njërën nga fytyrat e tij e shohim atë tonën. Me çka e harruam të vërtetën se të gjithë ne, të korruptuar e të ndershëm, hajna e fisnikë, vrasës e të atillë që nuk e shkelin as buburrecin kur dalin të shëtisin nëpër male, me dashje apo pa të, vetëgënjehemi se është e mundur të ndërtosh Parajsë me muratorët e Ferrit. Dhe shkelëm mbi shumëçka që ka të bëjë me moralin e etikën njerëzore, vetëm pse harruam edhe atë më të rëndësishmen, që pasqyron vetëdijen e një populli: se për asnjë veprim institucional nuk ka përgjegjësi kolektive, por për të gjitha deformimet në një shoqëri, ka fajësi kolektive. Pra, harruam se përgjegjësia u takon dhe duhet t’u bjerë mbi shpinë muratorëve të Ferrit, por fajësinë pse Parajsën tonë e ndërtojnë ata, e bartim të gjithë ne. Pra, fajësia u takon edhe atyre që nuk vjedhin, por e votojnë hajdutin, ngaqë ashtu u thotë hajni në vetvete, edhe i atyre që e votojnë të korruptuarin, ngaqë ashtu u thotë në vetvete i korruptuari që s’ka kush e ble. Fajësia, pra, na takon të gjithë neve, që në heshtje sodisim si mjeshtrit e Ferrit, të papenguar nga askush, janë duke ndërtuar Parajsën tonë.

11 Komente

Nuk e kuptoj c'vlere ka te rrime e te diskutojme per muratore kur vete themelet e parajses jane hedhur ne truallin e qendrueshem te ferrit...!

Keto qekan llafe shum t'mdhoja per mu lale. Abstenoj!

"me çka drejtori i ri i dikasterit ministror fillon ta jetojë gëzimin e realizimit të njërës prej ëndrrave të tij rinore, për ta vizituar shtetin që mbahet si djep i demokracisë, e ku shpreson se do të bëjë diçka të vlefshme edhe për institucionin ku punon."

smiley

Thelbi eshte...

1. ai qe vjedh pak mund te denohet, ai qe vjedh shume, nuk denohet.

2. fajin e ka ai qe vjedh shume, por, ne fund te fundit, fajin e kane te gjithe ata qe votojne per megahajdutin.

..............

Tani Kimo, meqe sa here te kam ndjekur, ke folur gjithnje sagllam; ketu duhen permendur emra te pervecem.

Cila eshte zgjidhja kur te gjithe perfaqesuesit, emrat e medhenj  qe zgjidhen, qe te gjithe kane qene perfshire ne megavjedhje? Kur i vetmi qe ve emrin ne listen e muratoreve eshte kelyshi i ferrit, dhe ai qe nuk eshte, shpreson te behet i tille?

Nese ti permend shifra si £50 miljon, shumica do tundohen qe c'ke me te... dhe tundimi qe nje murator ferri mund te jetoje si me i miri ne parajse, - kur behet rend i dites - realitet, eshte shume i madh per t'i rezistuar.

Prandaj duhen emra te pervecem.

Argita Berisha

Shkelzen Berisha

Fatmir Mehdiu

Ilir Kokelopa

Fahri Balliu

Fatos Nano

Edvin Rama

Vuqidoli

Ja ku i ke emrat e pervetshem... Fillo me keta nje here... Keta sigurisht kane vjedhur me shume se 50 milion secili...

E pse nuk i perfshin Kimi keta emra ne te njejtin artikull?

Vota nuk hidhet thjesht parimisht... ka nje emer te pervecem ajo; nese do ta ndergjegjesosh votuesin per pergjegjesine e vet reale, - ku e ka fajin votuesi, dmth - tek fytyra e dyte e cilit politikan sheh vetveten votuesi, dmth. 

Per kaq sa ka thene, artikulli eshte shterp.

Kim (me veze), t'hongsha emnin! smiley

S’ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit

...Ata qe ideatuan dhe ndertuan ferrin komunist,nuk mund te ndertojne sot shoqerine demokratike.Kjo eshte nje shprehje karakteristike e perdorur gjeresisht ne ambjentet e ishteperndjekurve,(Kalakula e theksonte shpesh) te cilen Kimi e ka tjetersuar disi sipas oreksit per te ilustruar idet  e tija hamulliste.

Ata qe lane nje SHTET qe mund ta emertosh si te duash edhe Komunist , ata qe ndertuan nje Shoqeri Dinjitoze qe mund ta quash Shqiptare dhe Ata që ditën ti thonë Botës kjo është Shqipëria dhe së fundi ..ata që Lanë farën e Urtësisë .Unitetit  Dashurisë e Sakrificës për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare , nuk menduan se lanë një TOG Plehu ku si pas rastit do kakarijne Pula si Jozefpërcka ose Kokoshër e gjithfarë Kaposhër të trimëruar e lafshëruar në Lefqeni .

Artikulli ndjek vijen e gabuar duke Krahasuar me NDËRTIMIN, kur karakteristika e Vërtetë e kësaj Llumhaneje të pa shoqe ne Historinë e Njerzimit  është Shkatërimi . Dhe më e arsyehme do ishte të Krahasohej  " Nuk ndërtohet parajsa me Veglat dhe Përfaqësuesit e Ferrit "

pse na ban taneve fajtor ky? une nuk kam mdertuar asnje ferr....nuk eshte hiç e vertete....jepini çezaerit ate qe eshte e çesarit

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).