Plehrat gjenden kudo të patrazuara në Vain, që gjithsesi ruan një qetësi të paqme në këtë sezon plazhi. Nuk ka kosha plazhi, mjedise mirëfilli qetësie, përveç disa restoranteve ndërtuar varfër, por që të kripin mirë faturën e ngrënies.

Ndërsa dora e pushtetit lokal, jo vetëm s’ndihet, por duket se as nuk e ka idenë se si mund të administrojë lagunën e bukur, një nga krenaritë e mjedisit shqiptar...

Të vjen për të qeshur me një grup mjedisorësh, që në çdo fillim sezoni, dalin para kamerave të kanaleve kryesore dhe tregojnë se si plazhet shqiptare janë të pista dhe janë ata që po i pastrojnë. Ata pra, vetëm ata. Në fakt, që plazhet e Adriatikut shqiptar janë plot me ndyrësira, kjo s’përbën më lajm dhe askënd sot nuk e shqetëson më. Por, më qesharakë mbeten njësitë e ndryshme të mjedisit dhe organizatat mjedisore që kanë mbirë pa fund. Mjedisi i Shqipërisë është i pistë dhe gjithnjë e më i pistë. Më së shumti kjo mund të shihet në plazhet katastrofë, të cilat gjenden pranë derdhjes së lumenjve, dhe me radhë dhe të tjerët...

Të gjitha këto mendime të rrotullohen në kokë, qoftë një herë si imazh, tjetër herë si jehonë, apo si fjalë që shqiptohen nga aparati televiziv. Ato të dalin para vetes, si nga ndonjë kaleidoskop natyror. Befas, një i vetëm kazan i madh plehrash, si ai poshtë pallateve tona, të thotë se këtu duhet të kesh kujdes se çdo gjë është në rregull. Ky është thjesht iluzion. Jemi në hyrje të Vainit, ku një tabelë e madhe, të tregon se je në zonën ekologjike të Kune-Vainit. Një burrë me një motoçikletë, ngarkuar dëngazi, na kalon dhe lëshon një vazhdë tymi, kurse një i ri pak më tej që e ndjek, ka mbetur pas...I kalojmë, na kalojnë, i kalojmë sërish. Ata manovrojnë dhe kalojnë edhe njëherë, kurse makina jonë duhet të ndalojë në hyrje të Parkut, ku një tra i madh na ndalon. Një djalë i vogël del sakaq dhe me thirrje çapkënë na bën me dije: “Aty ma andej është klubi i babës t’em, ti them se do t’vini. Asht klubi ma i mirë këtu”. Burri i postbllokut kërkon paratë, sipas taksës së njësisë së pyjeve. Gjithçka konform ligjit. Kjo është Ok. Trau ngrihet. Kalojmë. Deri më aty, nga Tirana, të duhet gati 1.5 orë, ose më qartë 2 orë, nëse do të bësh një udhë të qetë dhe pa u trandur si ndodh zakonisht, nëse je me ndonjë nga shoferët ulërimë të kohëve tona, që bëjnë gara hipotetike. Kurdo, duhet të kesh kujdes se në udhëzën e ngushtë, që e merr pak para se të kalosh Lezhën, mund të përplasesh rastësisht me makinat e mira të fshatarëve emigrantë ose të ndonjë kokëkrisuri, që të hedh dhe ndonjë shikim inatçor, për shkak të makinës tënde, që s’ka targat britanike ose s’është all-road si e tija. Për fat, moshat e mesme janë shumë miqësorë dhe kanë fytyrat që dëshiron turizmi i sotëm... 

Për në sistemin lagunor Kune-Vain

Udhëza jo shumë e gjatë nga autostrada lë shtëpi të mira nga të dy anët dhe, pak nga pak, nga zhurmëzat e insekteve kupton se po futesh në një nga hapësirat më të mira natyrore të Parkut. Laguna e Kune-Vain, në gjuhën shkencore të fjalorit gjeografik njihet edhe si delta e Drinit. Ajo është e vendosur në rrethin administrativ të Shëngjinit, në bregdetin e Adriatikut verior shqiptar. Me kohë e gjithë kjo lagunë është mbushur me sedimentet e akumuluara nga lumenjtë Drin dhe Mat. “Dy kanale e lidhin lagunën me detin. Në kuadër të rrethit të saj, janë gjetur lloje të ndryshme habitatesh, të tilla si riverine pyjore, këneta kripe, kallam-shtretër, salicornia banesa dhe sandbars. Ka një shumëllojshmëri të florës, ndër të cilat mbizotërojnë shpend uji. Ajo është një zonë e rëndësishme për shpend uji migratorë dhe shturë. Vendi do të ishte relativisht i ruajtur mirë deri në vitin 1991”, thuhet në literaturën përkatëse. Zona duhet të ketë qenë vërtetë një vend tepër interesant, sepse pothuaj të gjithë pushtuesit e territorit shqiptar e kanë përmendur atë në letra, pasi e kanë vizituar. Më interesanti syresh ka qenë Konti Çiano, i cili, në hotelin e vjetër të ishullit, në hardallosjet e tij, detajoi pushtimin e vendit, që e mirëpriti si mirëbërës. Të tjerë, si ai, vinin rëndom për gjueti. E gjitha justifikohej historikisht, sepse Lezha, ose qyteti romak i Lissus, ku dikur shërbente vetë Jul Çezari si prefekt, ishte themeluar që në kohë të hershme nga Dionisi i Sirakuzës në 385 p.e.s. , i cili Akropolin e fuqishëm të fortifikuar, të quajtur Acrolissus, e bëri gati i pathyeshëm. Për shqiptarët do merrte një rëndësi të madhe, sepse në fund të Mesjetës, heroi kombëtar do të vinte të vdiste bash aty.

Plehrat

Historia është shumë më tepër se sa mbajnë këllqet e banorëve, por mjedisi është një element që tek ata s’është i rrënjosur aspak. Edhe pse ata janë rritur, ushqyer dhe rehatuar me të. Dhe, mbase është e tepërt të thuhet, por kur rruga brenda kufizohet së tepërmi pas fare pak kilometrash, ti duhet të ruhesh shpesh nga moskalimi, nëse përballë ke ndonjë makinë. Befas, një bigëzim tresh të bën me dije se ke tre mundësi, njëri është klubi i Diellës (nga emri i një bujtine të një gruaje simpatike) në të majtë dhe janë dhe dy të tjerë më afër por në drejtime të ndryshme. Bash marrim njërin prej tyre, të cilin e arrijmë pas pak. Një dorë grash gazmore, që të gjitha kanë dalë dhe presin myshterinj, shumë syresh të njohur prej kohësh. Janë disi të rehatuara, sepse një autobus i madh me fëmijë kosovarë, bujtur për disa ditë, më në fund i ka ardh dita me ik. Fëmijët ngarkojnë gjërat e fundit dhe autobusi lë pas një tym karburanti që përzihet me tymin e pluhurit.  “Na kanë qit mend. Nuk kishin pa det me sy...E kanë ba helaq të gjithë vendin”., ndajnë opinionin me të sapoardhurit, që s’ua kanë ngenë. Vetë ato i shpërndajnë pa interes të mbeturat e çastit duke folur nëpërdhëmbë. I lemë gratë dhe marrim nga rëra. Tre orë më vonë do na masakrojnë me një çmim që do t’ia kishte zili dhe Sheratoni. Kontakti i parë me rërën është krejt i zakonshëm. Plehrat kanë mbuluar kudo dhe disa duken prej kohësh të patrazuara aty. Plastika, shishe, shapka, mbeturina lodrash, letra, qese, gjithçka që mund të shkojë ndërmend, janë kudo, e për fat ato nuk shtrihen deri në plazh. Në pak tendat e krijuara atypari, mbuluar me fier dhe barishte të tjera, njerëzit duket se mundohen t’i largojnë vetë mbeturinat, disa i shtyjnë me këmbë, disa e hapin lehtë vendin e tyre, pa bërë shumë zhurmë. Për fat, hapësira e gjerë i bën njerëzit që të mos hallakaten shumë me njëri-tjetrin. Ndonjë nxjerr motorin aty, kurse më guximtarët dhe, kuptohet, më të qetët, pak më andej, gjuajnë për qejf me dinamit...

Banorët

Kur një moment shtangem nga zhurma, burri përballë më qesh. Na ka kaluar me motor, kurse tashti është i shtrirë dhe mbuluar krejt e tejet me rërë...Një vajzë i rri pranë. Nuk lëviz fare teksa bëjmë fotot. Por, nuk mund të rri pa folur. Më kujton personazhet e Bokaçios, në interpretimet e hershme, filmime të viteve ’70-’80. Vetëm se është simpatik dhe me një fytyrë tejet të mprehët. “A po t’ngjallin interes plehnat? Nuk ka ma njerëz. Janë ba ma kafshë se kurrë dhe t’papam. Kujtojnë se nuk do t’vdesin kurrë.”...Është peshkatar, ndërtues, druvar, punëtor krahu, punëtor pastrimi dhe gjithçka që mund t’i mbaj frymën familjes. Të gjitha i harron, sepse në fundjavë e lë që të bëj pak pushim me t’shoqen dhe dy fëmijët. “I marr t’gjitha me vete. Sepse këtu t’rjepin. Edhe ujin e marr me vete. Me atë 100 Lek e shty boll ditën”, më thotë. Pranë, një grua dhe një vajzë shullëhen në diell, derisa vijnë dy djem, që janë emigrantë dhe, njëri syresh, me një kitarë, i patrazuar, fillon të bëjë disa akorde. Dy të tjerë, që shpërndajnë vështrime çudie përreth, bëjnë një kalim blic me dy motorë në një garë pa fitues. Kurse tre fëmijë të vegjël nisin e merren me plehrat, derisa e ëma e dikujt jep sokëllimën: “Kur do t’bahesh rob ti?!” Në fakt, djali ka bërë një kombinim të bukur të disa gjërave plastike, që e ndërpret kur një zhurmë e mbytur dinamiti vjen në krye të çdo 15 minutëshi nga diku...Në mesditë plazhi fillon e mbushet. Kushdo i lëshon nga të mundet plehrat, edhe pse hapësira ka për të gjithë. E keqja është se duket se askush s’trazohet nga plehrat. Madje, shumë kontribuojnë edhe që t’i shtojnë. Gruaja i bërtet sërish fëmijëve, por djali i vogël largohet mes plehrave, që janë më së shumti fill pas rërës fare të ngushtë që ndan bregun me shkurrnajat. Koshat mungojnë krejt. “Ku t’i hedh plehrat?”, i thotë një djalë të ëmës. “S’të mjafton i gjithë vendi”, ia pret gruaja e ngjallur me një shenjë të pakuptimtë...I hedh plehrat, ndërsa dikush ngre biçikletën përmbys ballë shkurreve.

Laguna e Vainit

Të gjitha këto shkurrnaja janë pjesë e lagunës së Vainit, e cila ruan një sipërfaqe totale prej 8,95 km me një gjatësi maksimale prej 4.25 km, dhe një gjerësi prej 2.25 km. Pjesët kryesore të lagunës janë Ceka (4.9km), dhe Zaja (2.4 km ). Thellësia mesatare e lagunës është 0.7 m, kurse maksimumi arrin në 1.7 m. Në vendin nga ku bashkohet me detin Adriatik, është edhe një kanal 1.5 km i gjatë. Një peizazh filmash, ku moçalishte të vogla, ishujz dhe komunikime e bëjnë peizazhin të jetë një mrekulli. Dikur kjo zonë ishte një zonë gjuetie dhe privilegj i banorëve dhe më shumë e udhëheqjes komuniste. Sot, është për të gjithë dhe në dorë të Zotit. Gjithsej plot 227 lloje bimësh dhe vend strehimi i rosave të egra, fazanëve, qukapikëve, karabullakëve, çafkave, sipas specialistëve të faunës, ai numëron plot 70 lloje shpendësh, 22 reptilë, nga 33 që ka Shqipëria dhe 6 lloje amfibësh, nga 15 që ka vendi, si dhe disa lloje gjitarësh. 

***

Pak minuta kur pushojmë në ujë, ndjej se dikush më afrohet. Është burri i rërës. Ka dalë nga ‘bunkeri’ natyror i rërës dhe tani më flet gjatë. Është nga Mirdita dhe ka frikë, se “kur vjen i duhet me u rujt në autostradën e Kombit nga t’marrët e Shqipnis dhe Kosovës, që ngasin aeroplanët në rrugë. I baj tash të gjitha punët me majt familjen”. Për këtë s’ka hezitim, sepse e tregon trupi i fortë. Është krejt i papunë, por më tregon se si e mban familjen. Shkon nëpër pellgje uji në të gjithë arealin e Mirditës dhe kudo dhe gjuan për bretkosa. “Me leje, vetëm, se askush nuk e di se ç’të gjen këtu. Punoj në pyll me drurin, baj punë të ndryshme në hekur. Duhet me jetu. Këtu askush s’do me ia dit”. Befas trembet disi, sepse një qese me plehra po na afrohet qetësisht aty mes ujit. “Nuk janë rob kta. Ç’ka i gjen thjesht me i marr? Marre!” Më vjen mirë, që reagon. Largohem. 50 vjeçari duket qartë se ruan shprehitë e një shkolle të mirë të së dikurshmes. Fytyra e rreshkur nga dielli nuk e lë ta teprojë edhe me mimikën. Ky është sezoni i plazhit 2012 në Vain, mbushur me plehra. Mjedisorët janë me pushime.

10 Komente

uhh  mo Beni, dakord.. dakord jam po e di cfare dhe ti mund te jepje nje shembull  proaktiv.. kollaj me shkrujt 

Pune e tij eshte qe te informoje, pak te duket ty?

+1 Alida.mund te vullnetarizohej dhe ai.

une vullnetarizoj duke mos hedhur asnje plere ne plazh dhe cdo plere qe krijoj vete, e fut ne qese apo ne xhep deri sa gjej nje kosh, e ne mos gjetsha kosh, do e marr me vete ne shtepi.

ky eshte kontributi im ne shoqerine shit, me fal, shqitare

po edhe ata, te rinjte evangjeliste nga Suedia, vajten pastruan Lushnjen ,kot fare.... te kishin pastruar plazhet dhe zonat turistike me mire...

Kur mendoj qe jane femrat ato qe edukojne femijet...te njejtat femra qe per punet dhe pastertine ne shtepine e tyre te mburren nate dite.Deri tani s'ka ndodhur qe ne rruge te shikoj ndonje nene qe kur femija e hedh letren pertoke ti thote ta mbledhe ose ta heqe vete ajo.

Benit i vjen me qeshe se disa mjedisore i pastrojne disa mbeturina ne fillim te sezonit turistik. Kurse Benit vete nuk i vjen me qeshe kur vete sheh mbeturinat qe i kalojne para hundes e as e can koken per te marre nje nga ato qeset plot, e per ta hedhur te kazani.

E ka shume te lehte Beni per te fajesuar te tjeret, se vete rujna Zot se kap gjo me dore. 

Nga artikulli mesuam se nuk ia vlente fare te shkosh ne ato vende, nderkoh qe per autorin do te thoja se artikulli mund te dilte me i plote e me i bukur po te tregoheshin edhe cmimet. Artikull pa cmime sikur nuk shkon, te pakten per ne emigrantet.

Pjero, si po te duket Shqiperia?

Edhe sa kohe mendon se i ka mbetur Buall Mavris?

Une besoj vertete qe sensibilizimi me i mire ndodh nga individet ne rrethana te ndryshme te jetes te perditeshme; shqiptaret jane shume sensitive ndaj gjykimit social dhe jo ndaj atij institucional.

Jam ngritur disa here dhe kam marre mbeturinat qe sapo i kishin hedhur ne toke femijet e nje familjes perkrah, ne pranine e prinderve te tyre. Ne heshtje ashtu por dhe ne menyre demonstrative. Mirepo ne ate forme i ve dhe ne qender te vemendjes ndaj njerezve perreth. Tani dhe kafshet e pastrojne ambientin perreth, pale njerez qe konsiderojne pronen publike si kosh plehrash.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).