Mbi librin “Panair” të Rudian Zekthit

La poésie ne s’impose plus, elle s’expose.

PAUL CELAN

 

Flaka e një qiriu, në kushte ideale, mund të dallohet në errësirë nga 14 milje larg. Një hap më tutje qiriu zhduket. Kthehesh, është atje. Po shëtite natën në perimetrin e qiriut të Naimit (sorry!…qiririt), mund të përplasesh me dikë, dhe të siguroj se nuk do jesh në kushtet ideale as ta përshëndetësh shqip dhe as t’i kërkosh ndjesë shqip. Në shqipen që njoh, nuk di cila është më e vështirë për t’u kuptuar: poezia e Rudian Zekthit apo bezdia e disave nga kjo poezi. E cila duket sot edhe më e parakohshme se kur u shkrua njëzet e ca vjet më parë. Dhe në fakt ndikimi i tij i thellë dhe i padiskutueshëm në shumë poetë të nëntëdhjetës e më pas, më tepër ngjan fryt i joshjes keqkuptuese që ushtron origjinaliteti, sesa i kuptimit (të paktën në epidermë) të ligjërimit poetik më të sofistikuar deri më sot të shqipes. Ndërkohë, studiuesit e letërsisë, të cilët parapëlqejnë t’u mbijetojnë heroikisht rrethimeve të rrepta e të njëpasnjëshme të rrethanave lehtësuese, nuk kanë arritur të shohin përtej gardheve të dafinave dhe të gjykojnë mbi anomalinë që përfaqëson Rudian Zekthi. Dikush më përmendte dadaistët dhe formulën e Tristan Tzara-s  së të bërit poezi, duke ngjitur rastësisht fjalë të prera me gërshërë nga gazetat e ditës. Megjithëse kam bindjen se Tzara nuk donte të prishte poezinë, por gazetat (madje jo të përditshmet, por të përditshmen); megjithëse nuk mohohet dot thelbi ikonoklast dhe humori i zi jo vetëm i Rudit, por i tërë atyre të rinjve të revistës “E Përshtatshme”, prapëseprapë kam bindjen se poezia e tij nuk është dada, nuk është Zaum, nuk është hermetike, nuk është diçka që kish ngjarë më parë dhe as diçka që ka ngjarë më pas. Në pak muaj të ‘90-‘91-shit, kohë kur shqiptarët bënin masë shesheve duke shembur diktatorë, Rudian Zekthi i bën masë qarkut elektrik të letërsisë sonë. Ka patjetër diçka patologjike në neverinë e tij për patosin letrar, por kjo ka sjellë shërimin apo fashitjen e etheve te shumë poetë të brezit tim. Ai braktis hovet e tepruara thirrore të lirikës shqipe (me marrë armën apo kazmën, hakun apo uratën, me marrë vallen apo gotën …ama të gjitha me synimin e vetëm me të marrë mendjen) dhe ndërmerr një shëtitje të vetmuar (gjysmë Linnaeus, gjysmë Walser) me të vetmin synim: me marrë pjesë në mrekullinë tragjike të ekzistencës, me marrë pjesë totalisht, me të gjitha shqisat, me të gjitha gradët e tij të lirisë, qoftë dhe me koston e “gradës zero të shkrimit”. Në këtë shëtitje, gjuha nuk tërhiqet rrëshqanthi për ta përkitur me sendet, por amëshimthi. Grekët ndanin mirë dy lloje kohësh: kronosështë koha e shtrirë, koha që të plak dhe të mëson me jetën (tënden dhe të atyre që të sollën në jetë); kairos është koha e rastit, e çastit, koha që papritur të heq vëmendjen nga jeta dhe mësimet e saj. Martesa shtrihet nëkronos, dashuria ngjet befas në kairos. Asnjëra nuk është koha e Zekthit. Nuk arrita të gjej tjetër fjalë për të thënë çlirimin që Zekthi i bën gjuhës nga koha (kryesisht foljeve nga zgjedha gramatike dhe dramatike e zgjedhimit, por edhe përemrave duke i shpronësuar nga zaptimet e paligjshme, vetore a pronore, duke i kthyer në natyrën e tyre endacake dhe kalimtare), sesa të shëmtuarën (e pranoj) amëshimthi. Përfytyroni një syprinë xhami të mbuluar nga pluhuri. Shkruani aty me gisht “pluhur”. Aty ku gjendet e shkruar “pluhur” nuk ka pluhur si rrotull, por kjo e shton enigmën përse këto “njolla” të tejdukshme nuk janë çfarë shihet pas tyre (dritë, degë, qiell, errësirë etj.), por janë çfarë i rrethon, opak dhe uniform, pluhur. Meqenëse përkufizimi kufizohet kaq saktësisht nga çfarë përkufizon, duhet edhe të pranojmë se ai është pikërisht çfarë nuk është? Nëse teshtini, Shëndet!, por prisni dhe pak. Le ta quajmë, këtë hap të parë, përputhje të gjuhës sonë me botën. Tani fshijeni mirë krejt syprinën (Shëndet! sërish) dhe shikoni tej saj botën (dritë, degë …etj.). Te Zekthi ky është ekuivalenti i të shkruarit në pluhur “fshij pluhurin”. Kjo cipë e munguar e pluhurit, me mosqenien e saj, befas jo vetëm vijon të mbulojë xhamin ku qe më parë, por tanimë është si një cipë argjendi në faqen tjetër të tij, e cila e kthen atë në pasqyrë. Pavarësisht se gjuha dhe bota ikin përjetësisht kithët shikimit tonë, ne vijojmë për inerci të shihemi në fjalët tona dhe të besojmë se jemi mes gjërash familjare, të cilave ua dimë emrin, ua dimë emrin e formës, emrin e ngjyrës, apo emrin e dobisë që kanë për ne. Madje, ne besojmë se do të vijojmë të shihemi në fjalët tona, edhe kur të jemi mes gjërash të panjohura, të padukshme, të paqena, apo mes asgjësë… pluhur përmbi pluhur.

Vargjet e Zekthit ngjajnë si të shkruara në rripa Moebius-i, duke humbur vijimësinë kronologjike, sintaksore, apo logjike dhe duke fituar një vijimësi krejt të vetën, një continuum  që nuk thyhet nga fragmentariteti i pashmangshëm i epifanive dhe nga ndërrimi i detyruar i skenës akt pas akti. Për këtë mund t’i drejtohemi një eseje të rëndësishme të Agron Tufës mbi poezinë e Zekthit, “Identifikimi gjuhësor i kohës”. Por prapë enigma mbetet. Madje shtohet. Enigma, thotë Blanchot, nuk ka të bëjë aspak me fshehjen e diçkaje, por me “diçka për t’u thënë kur të gjitha fjalët janë thënë tashmë: një e folur më tej ‘gjithçkaje është thënë’”.  Por çfarë mbetet për t’u thënë? Kjo na sjell te keqkuptimi i zgjatur në letrat shqipe i të ashtuquajturitfrymëzim. Homeri i kërkon ndihmë Muzave se çfarë të thotë dhe jo se si ta thotë. Tek Iliada ai pret nga to t’i komunikojnë, me anë të frymëzimit, inventarin e përpiktë të trupave dhe anijeve, jo fjalët e gjetura dhe vargjet e duhura për të rrëfyer ngjarjet. Frymëzimi që ka mbushur 24 fletoret e Zekthit i përket kësaj natyre, prandaj dhe kjo poezi mund të shihet vëngër nga disa si cerebrale, si një inventar i detajuar i hyrje-daljeve të magazinës së metaforave, ku përkujdesja kryesore është në stivimin dhe skedimin sa më mirë të tyre. Mendoj se edhe kaq do të ishte diçka mahnitëse, por logjistika e supozuar shërben thjesht për të shkuar më tej, për të shkuar te të folurit “tej gjithçkaje është thënë”. Zekthi është i vështirë, por nuk ndihmon aspak aksioma e Hugo Friedrich mbi kripticitetin e modernes, as Heidegger me “gjuhën si banesë të qenies”, as Lacan, as Artaud, as Rudian Zekthi me “dritën gjuhësore të kohës”, askush nuk të ndih dot kur je mes vargjeve të tij. Ti duhej të merrje pjesë në shëtitjen e tij gjuhësore, por ajo tashmë është kryer dhe ai zgjodhi ta kryente i vetëm. Na mbetet të shëtisim mes këtyre radhëve, të cilat më në fund nuk janë të një magazine apo muzeu, por të një panairi të gjallë, ku mund të frymëzohemi se çfarë dhe si shkruhet në poezi. Me të gjitha shqisat.

Ndër të gjitha shqisat, për grekët kryesorja ishte të parit, ndërsa për hebrejtë të dëgjuarit. Ndryshe nga shurdhi, i verbri ndoshta nuk sheh koren e botës, as luspat vezulluese të gjarprit të ekzistencës që shket mbi të, por nga dyert e dëgjimit mund të mirëpresë shpirtin e gjithësisë. Edhe pse nuk shquan ngjyrat e pendëve të palloit tokësor, ai mund të ndiejë rrahjen e krahëve të engjëjve. Shqiptarët kanë, përveç të parit vëngër njëri-tjetrin, përveç errësimit herë pas here të syve nga pasionet, një shurdhëri të vetën, pothuaj permanente. Shqiptarët besojnë jo te fjala, jo te fjala e thënë, as tek ajo e shkruar, por te fjala e dhënë. Ky nuk është besim i verbër. Ky është besim i shurdhër. Prandaj rrallë flasim, bërtasim. Edhe kur heshtim, brenda nesh gumëzhijnë aq fort brengat, mëritë, hallet, saqë çdo mendim që shkrep papritur vjen jo si shkëmbim dritash, por si shkëmbim zjarri, dhe si i tillë humbet në mizoritë tona intime. Edhe në rast se ndonjë mendim mbijeton, zor se mund t’i kalohet tjetrit dhe të kalojë flluskën e shurdhërisë ku ky gjendet, pa e plasur këtë flluskë dhe pa i krijuar atij ndjesinë se “i plase shpirtin” apo “i plase …”. Pasi ne harrojmë se këto flluska nuk janë bërë me frymë, por me gjuhë.

Gjuha sjell vetiu pasoja dëgjimore (zhurmë apo melodi) dhe pasoja pamore (njolla apo ikona qofshin), por ritmi i Zekthit nuk synon të çlirojë ndonjë ngarkesë muzikore, as veçantia e retorikës së tij nuk ushqen medoemos një zinxhir figural vegimesh. Koncizioni dhe saktësia e tij metamorfike e detyrojnë domethënien dhe sintaksën t’i nënshtrohen trysnive ose zbrazëtive ekstreme, transsubstancuese. Kauzaliteti (lidhja shkak-pasojë) nuk zëvendësohet nga kazualiteti (rastësia),  por kthehet në një rruzare që shërben për të thënë në renditjen e duhur lutjet e duhura, në mënyrë që të ndodhin gjërat e duhura.

Ervin Hatibi më ka treguar dikur paradoksin e “sëpatës së gjyshit”, të cilës babai i ndërroi bishtin pasi u thye, ndërsa i biri pas disa vitesh i ndërron kokën meqë nuk priste më, por duke vijuar ta njohë atë si “sëpata e gjyshit”. Shpesh harrojmë se ajo që dimë mbi botën është thjesht një bashkësi metaforash, të cilat kemi harruar se janë metafora. “Këmbët e tryezës” nuk janë këmbë të vërteta dhe nuk do ishim dhe aq të kënaqur sikur tryezat të na lëviznin. Kjo bashkëjetesë paqësore mes gjërave dhe emrave që u kanë vënë paraardhësit, hera herës thyhet (nga ligjërimi poetik, shkencor, apo i së përditshmes) duke nxjerrë në pah se kemi të bëjmë me armëpushime të përkohshme dhe jo me paqe të mirëfilltë e të përjetshme. Por edhe pse një marangoz e kupton se nuk duhet marrë fjalëpërfjalshëm porosia jonë për “këmbët” e tavolinës, nganjëherë bezdisemi nga poetët se nuk flasin troç.

Pas të kuptuarit, në ka diçka së cilës Zekthi i druhet realisht, është ujdia me parimin e të pëlqyerit. Dhe ia ka arritur. As mua nuk më pëlqen poezia e tij (siç nuk më pëlqen kur pi shumë, por meqenëse pija më pëlqen, përfundoj zakonisht që pi shumë), por pasi kam lexuar atë, nuk mund të mos ndiej shoqërinë e saj sa herë sodis botën. Për Keats-in, poeti është kameleon, por Zekthi është i një lloji të veçantë: ai, për të mos u dalluar, ndërron ngjyrën e mjedisit. Kjo mësymje mimetike, me tërë forcën egocentrifugale që zotëron, bën që asociacionet e tij të jenë fluturime nën lëkurë, as të prekshme as prekëse.

Pavarësisht qarkullimit të paktë, leximi avanguardist i Zekthit është tashmë, për habi, një kuotë e arritur dhe e pranuar në letrat shqipe, duke e dënuar atë, në mungesë, me adhurim. Por gjithmonë kam pasur ndjesinë se ky lexim i rrinte mjaft ngushtë poezisë së tij, dhe kjo u kthye në bindje nga botimi i plotë, nga fundi i vitit që shkoi, i 24 fletoreve të mbushura në pesëmbëdhjetë muaj të ‘90-‘91-shit. Duke rikujtuar se ato qenë muajt më të vrullshëm e të pështjelluar të krejt historisë bashkëkohore shqiptare, duhet theksuar se libri “Panair” nuk është  për nostalgjikë, nuk është për ata që e lidhin termin “poezi” me ca zjarrmí gjimnazistësh a konviktorësh, me gulshe krenarie a patriotizmi, apo me rrëqethje rebelimi. Përfytyroj kohë të mira të një Shqipërie normale dhe gjakftohtë, ku studentët përqendrohen librave dhe arkivave edhe për tema diplomash mbi studentët e dhjetorit, mbi Berishën, Kadarenë etj., por nganjëherë guxoj më shumë: lexues (studentë ose jo, poetë ose jo, normalë ose jo) që përqendrohen mbi vargjet e njërit prej atyre studentëve të dhjetorit ’90. Sepse kohët e bukura për letërsinë shqipe do të vijnë kur të gjejmë kohë të përshtatshme për Rudian Zekthin. Ai ende nuk është për orët e letërsisë, për orët e leximit nën çadrën e plazhit, për ato në tren apo për ato para gjumit. Ai nuk është për çastet kur na duhet një mallkim, as për ato kur na duhet t’i servilosemi kujt. Ai nuk është për çastet kur i drejtohemi, për herë të parë, vajzës që dashurojmë. As për çastet kur i drejtohemi, për herë të fundit, atyre që na sollën në këtë jetë, e cila paska edhe dashuri, në kairos, në kronos dhe përtej. Është një hap i parë i mirë, i vogël por i rëndësishëm, të kuptuarit se orët tona, sido t’i kurdisim, nuk mund të sinkronizohen me të. Vetë atij iu deshën njëzet vjet të bindej për të na sjellë këtë libër. Kur më në fund të gjejmë ndonjë mik me të cilin të flasim si në poezitë e tij, jeta jonë nuk do të jetë më e bukur se sot, bisedat tona nuk do të jenë më të bukura se sot, ama, më në fund, do jemi realisht ne që bisedojmë. Shqip.

 

 

32 Komente

"Eja te kerkojme (nene)
Se bashku, se ketu rrotull duhet t'kem humbur"

ditët duhen numëruar, ndryshe nuk mbarohen. (gd)

mjalt dhe helikopter
te kem

Sorry o njerëz që po ju përzihem në muhabet. Vetëm një gjë dhe e lashë: në ia doni të mirën Zekthit me shokë, nuk është se i bëni nder, mendoj, duke ia komentuar shkrimin në këtë formë. Nuk është se nuk ka këtu vend ku mund të lëshohesh: për gallata personale kriptike e hidhje-pritje të koduara mund të kaloni në privat. Po atje mund të diskutoni edhe me mua, nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon në këtë që po shkruaj. Miqësisht kjo ë, ndaj ai sorry në fillim. Kaq.

Shqiptarët kanë, përveç të parit vëngër njëri-tjetrin, përveç errësimit herë pas here të syve nga pasionet, një shurdhëri të vetën, pothuaj permanente.

A i ka rastisur autorit t'i thote ndokush, me goje ose me shkrim, te mos e botoje kete esse?

studiuesit e letërsisë, të cilët parapëlqejnë t’u mbijetojnë heroikisht rrethimeve të rrepta e të njëpasnjëshme të rrethanave lehtësuese, nuk kanë arritur të shohin përtej gardheve të dafinave dhe të gjykojnë mbi anomalinë që përfaqëson Rudian Zekthi. Dikush më përmendte...

Edhe studiuesit nuk shihkan qarte, here pas here apo ne menyre konstante?

Shkrim i mire, katedral. Por, a little less explanation a little more illustration, please.

e ka qenis.

Shiko Emi, Beluli eshte metafore legjendare shqiptare. Dua te them, po mire more zoteri i kenduar, i zhvilluar dhe fort mire i aplikuar, nuk mund te nderthurje ndonjecke varg te Zekthit ne gjithe kete shkrim? Mos ka dicka ketu qe une nuk e kam kuptuar? Ose akoma me tej, mos me mungon dicka thelbesore mua per te kuptuar kete lloj qasjeje?

kjo lloj qasjeje eshte e vetmja qe shkon me subjektin dhe subjektet (grupin dhe gruppiet) ne fjale. ne fillim edhe une ashtu prisja, he na hudhni naj fjale, naj shpjegim, naj lajm... mirpo ku dija un qe ashtu ishte loja. "keta" i ka gjet si pandi raidhin: kur isha nje here ne Dardanele. Sak!

ps. Tani prit nja 5-6 komente qe marojne me reticensa qe flasin sa volume te tera, komente dy fjalsh, e ke parasysh ti se si jane. naj inside joke aty ktu... the end.

pps. te gjitha me siper nuk nenkuptojne asfare qe ti je ne nje mendje me mua - perkundrazi do theshnja. asnje orvatje korruptimi nga ana ime me i llaf smiley

 

...

...

Ne vijim te ketyre qe thashe me lart, desha te terheq vemendjen dhe mbi nje pike qe mbase shumica e te papuneve ketu s'e ka marre vesh ende :

Kritika letrare eshte duke jetuar oret e fundit. S'po flas per ne Shqiperi, se kete s'e ka ne liste kush, por edhe ne vende te tjera tradicionale te librit si Franca, psh. Por edhe USA. Per atje, le te na flase tropizma, si komentuese e rregullt e gjerave letrare. Une po flas per Francen.

Me futjen si zhol te Internetit, dhe me dyndjen e pabesueshme te blogjeve dhe faqeve letrare, dalengadale kritiku letrar (i mirefillte) i dikurshem u kthye ne nje KOMENTUES, dhe ne fund fare, ne nje OPINIONIST. Sot nuk gjen me asnje kritik letrar te kalibrit Borges apo ku e di une. Por gjen lexues mjaft te zellshem, te zgjuar e te kultivuar, qe japin NJE mendim mbi nje tekst, roman, poezi, etj. Ky mendim, nuk gezon sot asnje monopol te padiskutueshem, por gjithsesi terheq pas vetes ca lexues me te thjeshte qe enden ne galaksine e letersise, pa e ditur mire ku te ndalen. Po ta shpreh me nje krahasim, "kritiket" e sotem jane ata tipat vullnetare te dikurshem ne manifestimet e 1 majit, me nje shirit te kuq ne krah, qe s'te linin t'i bije shkurt per arsye sigurie : fjala me e sakte qe iu shkon atyre eshte : "Ketej kuajt, Tunxh !". Pra jane thjesht ca piketa pa kurrfare prokure ne dore, askush s'i ka caktuar ta udhezojne publikun por e bejne sepse "kane qejf". Dhe s'bejne keq, dhe madje as s'e bejne keq.

Sot, kritika eshte e llojit : kam lexuar nje liber dhe kam kete mendim : s'ia vlen fare ; ose eshte i shkelqyer. Pra shpreh nje qendrim qe ka lidhje te drejtperdrejte me njefare gezimi egoist qe e provojme kur tjetri lexon po te njejtin liber me ne. Por kritikat e mirefillta letrare, sot ushtrohen vetem ne doktoratura letersie ne ndonje universitet te madh europian apo amerikan, e keto s'dalin neper gazeta. Ne gazeta, lexuesi deshiron te lexoje shpejt, paster, bukur e pa gabime : A DUHET TA BLEJE KETE LIBER APO JO ?

Nese "opinionisti" i letersise di te rrefeje bukur, ai ia shet librin tjetrit. Ben plot te lumtur ne bote. Por nese opinionisti nuk rrefen bukur, apo lodhet per nje liber qe siç duket nuk ia vlen, atehere nuk shet gje. Kritikat negative, te tipit : ky liber s'ia vlen fare, sot ne France ushtrohet rralle, shume rralle. Askush ska kohe te merret me nje liber qe t'ia thyeje brinjet. Vari qillon, eshte fjala kyç e ketij qendrimi. Kritikat negative, ne pergjithesi lexohen vetem ne internet dhe kjo per motive te dobeta : nje kunj me shkrimtarin, nje inatosje me turmen perqark qe e pelqen kete shkrimtar, apo dhe nje peshtyrje ndaj nje jurie qe vlereson broçkulla. Gjithsesi, kritikat negative nuk para botohen ne shtyp, per mosnderlikim gjerash.

Tani t'iu kthehem atyre pikave ne fillim. Kjo eshte e gjitha ç'desha te them. 

Sprovë e qashtër dhe e këndshme që lexohet me ëndje.

Një gjë që më ra në sy është rendimenti i jashtëzakonshëm i Zekthit në të shkruar. 990 faqe, 17500 vargje për 15 muaj: me një llogari të thjeshtë i bie që autori të ketë shkruar 5 a 6 poezi në ditë.

Do më kish pëlqyer të flitej më tepër për shkrimet e tij, por, me sa duket, ky nuk është mejdani i duhur për këtë. Minoriteti i adhuruesve të Z. harron të përmendë se zëri i tij është zë koke, se muzika e tij është tepër e specializuar e eksperimentale dhe, pse jo, e lodhshme. Pjesa tjetër që mbetet, aradhet e pafund të azapëve, nuk ka as nivelin dhe as ndjeshmërinë e duhur për të kuptuar Zekthin. Ndaj të dyja palët flasin kithët me tjetrën.

Zekthi e Hatibi, se veç këta të dy do të mbeten nga ai brez, e meritojnë më pak se kushdo tjetër në mizërinë e shqipshkruesve, të përfliten si pjesa tjetër: as nuk bezdisin me praninë e tyre që është më së shumti munguese, e as nuk u japin material këtyre grupimeve për adhurim a përçmim.

Por nëse Hatibi është tashmë i mirëpranuar në letrat shqipe, do habitesha nëse do të ndodhte edhe kjo me Zekthin. E kjo sepse i pari është poet për të tërë, ndërsa i dyti veç për të ngjashmit me të, specie kjo minoritare e në rrallim e sipër.

Kur doli ky libër (është botuar veç në 100 kopje kam dëgjuar e kushton rreth 20euro) isha në Tiranë dhe e pata nëpër duar. Fare mirë mund ta kisha blerë, biles tani jam penduar pse nuk e bëra, por, nga ana tjetër, jam i sigurtë se nuk do ta kisha shfletuar më. Pasi Zekthi është jazz i sofistikuar që kërkon nga lexuesi përqëndrim e përkushtim; jo patjetër muzika ime e preferuar, pavarësisht se jam i ndërgjegjshëm për virtuozitetin e instrumentalistit.

Nga vëllimi në fjalë:

 

***

Iku mallëngjimi; mallëngjimi më fal
mallëngjimin e heshta, mallëngjimit
s’eci më me kalë. Orët uturijnë si dete
në vise mes ajrit dridhet një tel
sikur je ti kitarë, vuajtja si festë çel.

Rudian Zekthi, Poezi Panair, 63 (305)

 

***

Në muret e një biblioteke të lagur
Me dashuri të pluhurosura që në mesjetë
Puthim një libër të dy, ti tani
unë pas një viti. E më vonë puthnim
librin tjetër, aq libra sa flokët e tu
Po t’u heqësh të mitë, librin e tretë
E kafshova, fletë më fletë, shkronjë
më shkronjë duke rrudhur yjet.
Në librin që qëlloi të jetë një histori dashurie
Pamë me besim si do bashkoheshim pasi të vdiste
prej nesh njëri. Në librat në rafte
ku përzihej dhe vesi me perlën, ne puthnim
muret e bibliotekës së kundërt, e bibliotekave
u ngriheshin i zbuloheshin fundet.
Poezi Panair, 80 (332)

 

***

Zhuritja e qiellit bie fyell nga flakët
Valë yjesh, me rradhë të bindur
Shkojmë prekim lëmë lëkurën dhuratë dhuratë
Po qiell është edhe para nesh
Ka jetuar njëbrez tejtër e ende para tjetër
Kemi kanë thithur frymëmarrje të hollë
Kemi kanë puthur në qytete – një vrimë fyelli

Poezi Panair, 93 (335)

 

***

Jemi takuar ne prill
meqe n'ate kohe ne qytetin tone
bente qershor. Megjithese
nuk prisja dot sa te te perkushtohesha
ti humbe ne nje bregdet ftonjsh.
... Poshtersia s'kish asgje me shume se une
kur s'te gjeja
dhe i mbetur vetem me bukurine time s'dija ku ta çoja.

9(103)

Sot u habita: edhe postieret marrin letra.

Ne festat, gjemat, ditet e tyre te zakonshme

jane adresa telegramesh te llahtarshem.

Por zogjve s'u dergojne kenge,

martireve s'u dergojne heroizma,

te vetmuarve askush s'u zogeron nje dashuri.

Babait tim askush s'i dha baba

ndaj une u plaka dhe e gudulis kur e puth.

Nenes sime s'i dergon kush

perjetesi ndaj thyej catite si shkarpa

ne kerkim te motres.

Habituni: edhe postieret marrin letra,

prape habituni: postieret i dergokan letra 

njeri-tjetrit ndersa mbi shpine mbajne

detyrimin per t'mos e kuptuar se c'bejne.

 

nga Rudian Zekthi

shkëputur nga vëllimi "Panair"

28(618)

Dikur puthja ç'të më vinin përpara, madje
edhe vajza,këndellesha me ozonin që kur lindnin ato
mban erë. Tani m'është shkatërruar organizmi
prej shpirtit, oreksi m'u bë si dielli në mesnatë
kurse dielli si rrufe në mesditë i gjithi i ngratë.
Dikur puthja ç'të më vinin përpara,edhe
gishtin tim edhe rrezet e diellit,
kjo në të vërtetë s'ka kuptim
se s'ka jetë që të jetojë kaq gjatë.

73(719)

45 gradë kundrejt horizontit pas shpine
doreza e dritares e mbyllur me shpresë.
Hapur apo mbyllur ajo dhe padrejtësia
më vrafshin me bukë ose me yje në goje po qe e hapur
dhe ajo është përherë e mbyllur.
45 gradë qepallat e vajzës kundrejt
horizontit pas meje
kur të ndryshojë istikamin doreza
fantazma e xhamit të thyer
do ta kthejë në hije krenarinë e përfytyrimit. 

22(549)

Lamtumirën e thonë me sy të perënduar

se loti aq do

del ose nuk del.
Gjatë kthimit të shpinës vendoset kapelja në kokë
se ç'përfundon aq do
quhet ose nuk quhet.
I lagur, i pasur në efekte, mjeshtëror,
me ligamentin e dhimbjes tendosur si të gjithë
tek zanorja "o" hesht s'ankohem
se zakoni aq do
të lëvdon ose s'të lëvdon.
Vdes ose nuk vdes
se unë aq dua
nuk bie në sy kur qani për mua. 
29(556)
Fiket zjarri shterues që do të ngrohte një vajzë
kur unë ta çoja. Mu në mes të hutimit fiket.
Tani më duhet të gjej cila është ajo vajzë
që mund të mërdhihte
që më duhet ta çoj tek zjarri që u fik. 
  

Mua me pelqen shume vetem kjo poezi e Zekthit si hyrje triumfale ne nje katun rreth malit te Dajtit, nderkohe kur ne qytet ndodhnin ndryshime kozmike sociale. Ato poezite e tjera poezite puro mendim nuk me thone asgje, fjala eshte tingull dhe perfytyrim, edhe diçka tjeter me e madhe qe poezia sot e ka humb fare, e as e kerkon fare. Biles don ta shkaterroje. 

“Fillim për fshatrat”

Nëpër fshatra hyj gjithmonë
i alivanosur. Më godet
ajo lakuriqësi e gjësë së gjelbër
ajo vdekje dhe lindje,
vdekje dhe lindje
e ajrit mbi çati.
më godet në qelizë
ajo trajtë e lashtë e fshatit,
trajtë muresh e degësh,
oxhaqesh, gardhesh e hudhrash
të dala për një çast vetëm
nga kockat e fshatarëve
dhe veglapunët e tyre.
shkretëtira e kërcënuar pezullore
e mesditës më godet,
trishtimi i praruar
i një kopeje dhish-nëna,
fëmijë mes muzgut
që aq pa zor janë pranë dheut
dhe secili i fortë
rend të kridhet në gjumin e tij
më i sigurtë se kurrë
të kridhet në ringjallje.

Me kane treguar nje ngjarje interesante qe ka ndodh dikur ne Lidhjen e Shkrimtareve andej nga vitet 50-te. Nje grupi poetesh te famshem te Lindjes i ishte shtruar nje darke ne Lidhje. Mbasi hengren e pine, ja filluan me poezira, thuaj ti nje te them edhe une nje. Cohet nje karabush me pozite nga ana jone e filloi te recitoje nje poet te famshem te huaj ne gjuhe te huaj per te treguar se jemi edhe NE. Efekt i dobet mbi degjuesit e huaj. Cohet Jevtushenko, a ku e di une kush ishte, dhe tha: “Na recito nje poezi ne shqip”. Pergjigja: “Por nuk do e kuptoni!”. “Jepi ti, s’ka gje”. Edhe ky prej inatit i futi nje folk. Duartrokitje te zjarrta.   

Poezi shume e bukur, vertet. Keto me pune katundesh e katundaresh, sikur i marr vesh me shume. Sapo zbresin ne pallate e bordura, me mjegullohen keq fare.

____

Driterua, siç i them une ne frengjisht, keshtu ta heq petllen me folqe e duartrokitje, por halli se s'i shkon as tek koci i kembes kesaj poezise se Zekthit ketu me lart. Katund ai e katund ky, por ja qe s'eshte pune katundi por mizash ne tru : a ka gje ajo kosherja jote, a te kane ike mizat me kohe. Nejse, desha te them se me keto historite e Lindjes me delegacione e gjera ne Lidhje shkarravitesish, jam fâ.

Zekthi po me pelqeka, por edhe te lodhka pak, u dashka me e studiu si sistem, e jo nje poezi ketu e nje atje. Por edhe poetet tane, sidomos keta te rinjte, duhet te jene me te gjalle e te na flasin vete neper intervista gazetash apo revistash, e te na zbulojne çike me shume nga bota e tyre. Se keshtu me gjeegjeza, eshte çike e veshtire. 

Puna eshte qe tani jena sterfà me modernizma te llojit: "Gjiriz me gjiriz, veme ne Paris" me taku Hollobinekun qe po kalon muajin e mjaltit me Bukovskin ne maje te kulles Ejfel. Dhe per kete arsye marrin vlere kujtime te vjetra te koheve te shkuara, ashtu si midis tortave dhe liqernave frigoriferike, te merr malli per nje cope buke misri me dhalle tarator, shoqeruar me raki kocimare, intriga dhe spijunime ne Lidhje qe ishin me intriguese se veprat letrare. Ho pra mo na lejo edhe neve te prustezohemi duke ngrene nje cope madalene ne bythe te ullinit, aty ku kno kumria, e vej medet ku kan mbet ment e mija.

Ti je klas fare. Mos me qene se jam ne livadh te huaj ketu, do e kisha vazhduar dhe une kete vrullin tend finok. Por te kam thene, do te kemi plot raste, sa te gjejme nje fushe per se mbari, dhe pastaj do te luajme me penallti.

Sidoqofte, OK, po flas pak dhe per esene e Teferiçit. Mbreme fola pak me nja dy rreshta tre pikash, por mbase ska qene aq e qarte. Me shkoqur, mendoj keshtu :

Eseja nuk ishte menduar mire ne perputhje me synimin : ta bente lexuesin qe te shkonte ne librari e te blinte librin. Them se cilesia e esese i kapercente caqet e nje "opinionisti" (prandaj dhe tregova ate historine e "komentuesit"), dhe kam frike se nuk do te jete produktive, pra nuk do t'i tundoje lexuesit. Eshte pak a shume si me veren franceze qe nopranet e veres blejne me mire vere te kokakolazuar australiane apo kaliforniane, se vere franceze. Arsyeja : francezet i kompleksojne bleresit me informacionet e shumta ne etikete. Nderkohe qe kalifornianci i fut aty nje "vere merlot", dhe iken. Kaq do bleresi qe s'merr vesh nga vera, nxjerri ti çdo lloj vere perpara, e shkelqyer do te thote ai.

Vura re gjithashtu njefare "rremuje" ose "hallakatje" ne idete e autorit te tekstit, ka mundesi ngaqe donte te thoshte shume gjera njeheresh. Nje plan me i thjeshte, do te kishte qene me mire. Kur i kalarupth idete pak si teper me njera-tjetren, kjo do nje mjeshteri te madhe sepse filli humbet lehte. Megjithate, eshte krejt e qarte se nje menyre e tille mund te kete lexuesit e vet, dhe eshte OK.

...Eseja nuk ishte menduar mire ne perputhje me synimin : ta bente lexuesin qe te shkonte ne librari e te blinte librin. Them se cilesia e esese i kapercente caqet e nje "opinionisti" (prandaj dhe tregova ate historine e "komentuesit"), dhe kam frike se nuk do te jete produktive, pra nuk do t'i tundoje lexuesit...

Nuk është synimi i kësaj sprove të shesë, apo tundojë lexues. Teferiçi nuk është as opinionist e as kritik; me sa dimë ne, është vetë poet e ky shkrim na ngjan më shumë me një gjest bujar që kërkon të tërheqë vëmendjen mbi harresën, për të mos thënë padrejtësinë, që i bëhet ende Zekthit e co. 20 vjet më pas.

...Vura re gjithashtu njefare "rremuje" ose "hallakatje" ne idete e autorit te tekstit, ka mundesi ngaqe donte te thoshte shume gjera njeheresh. Nje plan me i thjeshte, do te kishte qene me mire... 

Ka edhe të ngjarë të jetë kështu siç shkruani, por kur kjo vjen pikërisht nga ju, është pothuajse e pabesueshme. Pasi ju, i nderuar, i mishëroni më së miri këto simptoma, që po ua vini re të tjerëve. Diçka si ajo puna e traut në sy në Bibël. Këtë e themi miqësisht, por mund ta merrni edhe si vërejtje; puna juaj sidoqoftë.

Mirazh,

Ka diçka ketu. Eseja ne vetvete, qendron dhe ska pse te ndalem ketu. Ne lidhje me harresen, eshte plotesisht ashtu siç thua ti (po shkruaj ne njejes, per efekt lehtesie zgjedhimi foljesh), kjo harrese eshte skandaloze dhe duhet denoncuar papushim. Mbase nuk e ke lexuar, ne nje teme tjeter te Bllacit, thashe dy-tre gjera pikerisht ne lidhje me kete : na lodhen, na shkaterruan nervash. Ketu s'kam pse e zgjas. Ku mora shkas une ? Sepse ishte permendur thjesht nje vellim, nje liber. Nuk ishte qasur (te pakten me permendje te rregullta) krijimtaria e Zekthit ne teresi. Mbase ky eshte vetem vellimi i pare qe del, nuk e di. Por fakti i emerimit te vellimit, me çoi ne mendimin se terheqja e vemendjes se publikut ndaj Zekthit dhe vete vepres ne fjale mund te behej ne nje menyre me pak te larget, me ndjellese. Une e kuptoj qe Zekthi mund te jete poet i thelle, madje e marr si te mireqene, por si per nje zile te pare alarmi mund te ishte zgjedhur nje gjuhe me "me kembe ne toke". Une, psh, si lexues, mund te shtyhesha ta hulumtoja me shume kete autor. Por ketu dua te kem nje kritik, nje keshillues, nje opinionist, nje komentues qe me flet disi me gjuhen time. Une e kam bindje te kahershme se idete e medha thuhen edhe me fjale te vogla. Kjo eshte verejtja qe bej. Sepse ne fund te fundit, do mbahet mend : a terhoqi me shume lexues kjo ese apo jo ? A i beri me letrare lexuesit apo jo ?

Ti e di, poezia eshte vertet diçka delikate, duhet shume kujdes me te, sepse per nga natyra, ajo eshte vete e brishte dhe te gjithe e qellojne me llastiqe nga ta gjejne. Romani nuk e le te marre fryme, proza ne pergjithesi. Ne keto kushte, duhet nje qasje me e zgjuar, me pragmatike. Eshte njelloj si, per te zgjuar interesin e nxenesve te shkolles tetevjeçare Bule Naipi ne Domosdove, te shperndanim falas vellime me poezi te e.e. cummings. Nuk shkon. Poezia eshte ne veshtiresi jo vetem ne Shqiperi, por gjithandej. Duhet shume durim, e shume pedagogji qe t'i afrosh perseri njerezit tek poezia. Nuk kam asnje dyshim qe Teferiçi e ka kuptuar me se miri Zekthin (duhet te jene shoke, ma merr mendja), porse kjo nuk e ndihmon shume ate lexuesin lambda atje pa lidhje.

Nuk di ne jam i qarte, por edhe poezia, ne keto kushte te renda per te, duhet te ulet pak ne nivelin e atij Rovellit te famshem italian qe deshiron t'i mesoje shtepiaket me ligjet e ajnshtajnit dhe hajzenbergut. Ndersa ne shkence nuk e duroj diçka te tille, sepse shkenca s'eshte se na larteson kushedi çfare dhe mund te jetojme shume mire pa te, ne poezi une e nxis nje menyre te tille sepse pa poezi nuk rrohet.

Per "rremujen" time, s'kam ate pershtypje. Madje e mbaj veten per nje diskutues qe flet me fjalet me te zakonshme. Shume pak koncepte kane vend ne gjuhen time. Kurrfare nocionesh si behaviorizmi apo komportementalizmi. Kam prirje t'i shkaterroj keto koncepte e t'i sjell ne gjuhen e gjyshes sime analfabete.

Ajo që thua (ose që mendoj unë se thua) është ajo që më ngjan se vuri në pah, pak më sipër e mençurisht Tropizma. Ajo që mendoj unë se kishte ndërmend Tropizma  me figurën e Belulit ishte se sprova më sipër dëshmon më së tepërmi për poetin brenda Paridit sesa poetin brenda Rudit. Megjithatë, unë jam e lumtur që punët qëndrojnë kështu dhe Paridi na u dëftye kësisoj, qoftë edhe përmjet Rudit. Në të vërtetë, duhet t'ju rrëfej se kur lexova këtë sprovë të Paridit për poezitë e Rudit, më erdhi një dëshirë e fortë të rihap poezitë e Paridit, të cilin mendoja se nuk shkruantë më.

Në fakt, ai e ka shkruar këtë sprovë kaq bukur, me një ndjeshmëri prej murgu, alla Narcissus und Goldmund. Monologu i tij, shtresor e amorf, i zhdërvjellët e i ngjeshur njëherazi, dëshmon se tjetri i ka rënë manastirit pëllëmbë më pëllëmbë e kthinë më kthinë. Paridi e ka mirësinë të mos na rrëfejë se nga u vjen ushqimi trëndafilave të Rudit. Do ishte e nxituar, e kushedi mbase edhe e padrejtë çdo përpjekje e rëndësishme për të zhmontuar togjet e fjalëve në vjershat në fjalë. Mendja poetike e Rudit, ashtu siç i kam dhënë karar vetë, është ëndërrore, automatike dhe secila qasje analitike me të cilën dy të tretat kanë rënë dakord, do i rrinte ngushtë. Më ngjan se Paridi e di këtë, përderisa nuk i hyn fare atij shtegu, por përkundrazi, zgjedh të na hapë zhgunin t'i shohim në gjysmë errësirë sesi i rreh (ende) zemra.

 

Pse jo kështu gjithmonë?

Do ta rilexoj. Por nga ç'kam folur me lart e me poshte, ideja ime eshte kjo :

Them se s'kishte lidhje me Belulin e Tropizmes. Teferiçi nuk me duket se po i ecen "tan' jek per vete" (si ne domino). Heideggeri, qe une e permend nganjehere keshtu kalimthi (te shtunave zakonisht), komenton "çmendurisht" Holderlinin, por aty nuk vihet re ndonje Belul. Heideggeri vertet ekspozon filozofine e vet nepermjet rreshtave te Holderlinit, por e ben ne nje menyre te tille qe une si lexues ngrihem ne vend dhe shkoj e blej vellimin "Plejade" te Gallimard, 45 euro te mira. Perse ? Sepse Heideggeri, edhe pse foli me shume per mendimet dhe ndjenjat e veta, ma "qiti fallin" dhe une e "hengra ate teke" e shkova e bleva Holderlinin. Do te themi se Heideggeri eshte shites i mire. E kam fjalen se nuk ka kurrfare Beluli ne qasjen e Teferiçit. 

Theksi im binte ketu : sot ka dy lloj kritikesh : universitar dhe "popullor". I pari shkruan e boton ne revista prestigjioze te nje perhapjeje te kufizuar (psh, ne France : Conférences, NRF, etj), dhe i dyti shkruan ne revista te mirenjohura me tirazh te pafund (psh, ne France : Nouvel Obs, Point, Télérama, etj). Pa harruar dhe TV dhe blogjet ku gjejme vetem keta te dytet.

Per nga ana e lidhjes me lexuesin, te paret s'kane ndikim perveçse ne qarqe universitare. Te dytet kane shume ndikim. Le te flase cilido universitar francez per nje roman, ai nuk e shet me shume librin e Filan Fistekut sesa nje "komentues" letrar ne revisten Télérama apo Nouvel Obs. Ja qe keshtu eshte.

Dhe une e kisha ne kete kuptim : eseja eshte mire, shume mire, por mbase nuk ka gjetur suportin (pra mbeshtetesen, permbajtesen) e duhur. Revista Mapo, mendoj une, eshte nje reviste jo akademike e tipit Conférences (siç thashe me lart) por me teper e tipit Nouvel Obs, qe shkon gjeresisht tek lexuesi. Tek kjo reviste, une do te kisha parapelqyer nje shkrim te Teferiçit me "te shtruar" dhe me "shqip" per lexuesit e mesem. Kete ese do ta kisha ruajtur apo botuar ne nje reviste me te larte letrare qe mund te dale ne Shqiperi (mbase ska hiç).

Dhe nuk eshte e thene qe po shkrove nje "kritike" (koment) te mire per dike, e ke katranosur me puthje e perdellime. Ka shume raste kur dikush ben nje "kritike" dashamirese per dike pa rene fare ne pathos, por thjesht duke njohur dy-tre gjera nga vepra e autorit, si dhe duke e kombinuar kete me nje "pervoje" te veten ku te shquhet njefare lirshmerie apo hareje me fjalen. Une i kam lexuar disa "kritika" neper shtyp, eshte ashtu si thote Mirazhi, une per vete s'i kaperdij dot, por te mos harrojme se ka dhe "kritika" te thjeshta qe mund te jene po aq te bukura e po aq te thella sa nje ese universitare.

Pikerisht per kete lloj "kritike" militoj une, sepse Shqiperia, me sa di une, ka shume nevoje per lexim masiv, per lexim dhe debat te lire neper TV, shtyp apo tjeter, ku njerezit ta kene bere librin nje gje te pandare (tre rreshta te lexohen ne dite, sido qe te vije puna). Por kjo nuk e pengon as qasjen e Teferiçit qe te levrohet ne sfera te tjera, ca me te larta, me koleget e vet.

Mund te shtoj ketu se gazetat apo revistat qe dalin ne Shqiperi (me ndonje perjashtim te rralle) nuk kane nje "komentues" letrar te vetin, qe te mbaje nje rubrike letrare te perjavshme apo me teper. Per mendimin tim, nje nga arsyet e mos-shitjes se librave, perveç te metave te tjera, eshte se askush s'flet per to. Ose s'di te flase per to (shtoj : me ndonje perjashtim te rralle).

ps : ajo anekdota e "sepates se gjyshit" eshte e rralle.

... Sepse ishte permendur thjesht nje vellim, nje liber. Nuk ishte qasur (te pakten me permendje te rregullta) krijimtaria e Zekthit ne teresi. Mbase ky eshte vetem vellimi i pare qe del, nuk e di...

Me dy-tre klikime e një kërkim të thjeshtë në Google do merrnit përgjigje për këtë.

Sidoqoftë, ja se po ua themi ne, që e bëmë këtë: ky vëllim është vepra e përmbledhur poetike e Zekthit. Më tepër nuk do të dinim se çfarë ka shkruar, por ndoshta edhe gabohemi.

Ndërsa sa për poezinë, besojmë se nuk është sport masiv popullor: nuk ka qenë e nuk ka për të qenë kurrë: nuk është as e nevojshme për ta sjellë poezinë tek lexuesi dhe anasjelltas: kush do të lexojë, sot më lehtë se kurrë, e gjen edhe mundësinë për këtë. Ndaj le t'i lemë masat e populizmin mënjanë e të flasim me ata pak të përkushtuar me këmbë në tokë: kur themi ata pak, nënkuptojmë ata pak profesionistë, pasi nuk ka edhe se si të jenë shumë.

Ndoshta është pa lidhje këtu, por është simptomatik p.sh. jehona e vdekjes së Podrimjes në shtyp e në rrjet. Sa keq të vjen për atë që shkoi, po aq tragjikomik edhe ndjehesh kur lexon panagjerikët e Lakos, Zhitit, Tufës etj. për krijimtarinë e tij. Që të kuptohemi: ne nuk kemi asgjë me të ndjerin, por nuk mund ta mbajmë dot fshehur një buzagaz të hidhur kur lexojmë gjëra si: Homeri shqiptar, Prometeu i Kosovës, Shën Ali Pagëzori etj. etj. Nëse kjo do të vinte nga banorë poetikë të trevave të Rrogozhinës do e kuptonim; kur vjen nga ajo pakicë, për të cilën folëm më sipër, na bëhet si sindromë groteske patosi të pashkak. Theksojmë edhe një herë: kjo që shkruajmë nuk ka të bëjë me poezinë e Podrimjes, por me atë se çfarë shkruhet mbi të.

Ndaj edhe kjo sprovë na u duk e mirë, pasi rreket të shmangë pikërisht superlativat e pabukë e patetikën kitsch, aq pllakosëse të sotit shqip. Do të kishim dëshiruar diç më tepër objektivitet; mund të ish theksuar p.sh. diçka më shumë rënia e fyellit në një brimë herë-herë nga Z., që është ca si shumë 1000 faqe për një vëllim me vjersha, që nuk ka eremiti pse ankohet për mungesë vizitash e të tjera gjëra, por në një klimë letrare kaq kaotike të kohës çdo sprovë që synon vendosjen e rregullit dhe hierarkisë së vlerave mendojmë se veçse duhet përshëndetur.

Per ate qe deshiron te shoh nje Rud jo si poet por edhe si studiues te letersise do t'i sugjeroja librin e fundit te tij "Vezhgim pa sfond", nje veper qe eshte doktoratura e tij dhe koncepti i tij mbi letersine, metafiziken, realen dhe surrealen.

Thank you. Ja pakesak. Ska vend per hipoteozigjilizizizime.

Shvejk,

do të bënit mirë të na bënit me dije se ku mund të gjendet vepra në fjalë. 

Fiqiri,

do të ju luteshim edhe një herë miqësisht të mos bagatelizonit temat tona. Jo se duam të ju ndalojmë të bëni çfarë ju do e bardha zemër, por kemi përshtypjen, siç ju shkruam edhe më lart, se ju e disa të tjerë, përfshirë edhe veten këtu, ngatërroni shpesh rrafshet e komunikimit. Diçka si ata tipat e kinemave dikur, që në pjesën më të dhimbshme të filmit bërtisnin papritur "Mos e pi o Kiri se është e helmuar!". Ju siguroj se edhe efekti hilaresk që ndoshta mendoni se shkaktoni me shashka pa lidhje e gallatë politeknikumesh nuk na gazmon aspak. Miqësisht kjo përsëri.

Edhe një gjë: për të gjithë anglishtfolësit, apo frankofilët: zonja e zotërinj, të bërit sikur paskëshim harruar shqipen e na del vetëm anglisht e frengjisht tani e s'paskemi ç'bëjmë kundër tregon veç provincialitet e mentalitet të dikurshëm "jashteti", asgjë tjetër. Shumë e trishtë e tëra kjo. Endaksi? Thenkju, mersi dhe aufviderzehen!

 

Librin mund ta gjeni ne cdo librari, ma ha mendja, une per veten time e kam blere tek librari "E Pershtatshme" ne Tirane.

Per problemin e ngaterrimit te rrafsheve te komunikimit ke me se te drejte. Por desha me thene nje tjeter gje qe eshte me teper problem. Ve re se poetet moderne, ose postmoderne, te mbas 90-tes me duket se na kane shpik ujin e ngrohte me ca eksperimente qe kane filluar nja nje shekull me pare, te cilat kane dhene rezultate, por nuk para kane vazhduar me tej pikerisht sepse shkelin funksionin me kryesor te gjuhes: komunikimin, etiken e komunikimit. Dmth neqoftese ne arte te tjera eksperimentet kane vazhduar duke dhene rezultate te mira, me problemin e gjuhes "nalu beg se ka henek". Un per vete nuk e kam per turp te them qe nuk i kuptoj shumicen e poezive moderne dhe aq me teper esete rreth tyre. E as qe ndruhem te them se ne fakt as qe dua ti kuptoj, e me duket sikur te gjithe shtiren si me rrobat e padukshme te mbretit. Ka thene nje admirues-kritikues i Hajdarages se Hajdarages nuk i mjafton qe eshte i thelle, por do me u heq edhe sikur eshte i thelle. Gjysmat e komenteve te Peshkut jane te tilla.   

Zekthi e nderton nje pjese te konsiderueshme te lojes poetike mbi strukturen gramatikore. E perthyen shqipen deri ne limit*, dhe sikur kjo te mos mjaftonte, brenda imazheve poetike vendos pasqyra per t'i perthyer keto (ndodh ama qe i perthyen aq shume, saqe mberrihet nje lloj ngopjeje absurdi). Nje loje babushkash ne fund te fundit. Qe behet interesante ngaqe u afrohet arketipeve (babait, mamase, se dashures, se bukures) me nje lloj dashurie te çorganizuar, ose te pazakonshme, por jo cinike.

Zekthi eshte prova qe mund t'i afrohemi bukurisht asaj qe konsiderojme "te ulet", "te shemtuar", por edhe e kunderta, dmth shemtisht asaj qe ne pergjithesi ka sherbyer si simbol i se bukures. Ka qene dhe mbetet interesant, besoj, ngaqe eshte i mbushur me jete, ne kuptimin e eksperimentimit me pervojat dhe regjistrimit te ndjesive.

* besoj qe kjo perthyerje eshte fiziologjike, gati nje lloj shqise "difektoze", por qe efektin e fundit e ka interesant.

Mire me mire, duruam 45 vjet me futja plot e perplot soc-reale, ç'na gjet te durojme po aq vite me futja kot kap-reale. Veshjani, ujet e zi qitjani se ju ka ardhe dita. Gjithe puna eshte me qene i modes, gjithnje kaluar, sido te jete sistemi, kunder sistemit dhe njekohesisht me sistemin. Atehere e majte luksoze, sot e perthyer ne pasqyre si e djathte luksoze, me i fjale asnjehere difektoze.

Nuk e kuptoj pse me ngjan gjithnje sikur grindesh me rrobat e trupit.

Tani qe ti je e zgjuar, fine dhe me shume talente duket sheshit, te pakten ketu tek Peshku. Megjithate nuk eshte e thene t’i kuptosh te tera, fjala vjen arsyen perse une, qe jo vetem grindem me rrobat e trupit, por kafshoj edhe nofllen time kur shoh se sa te papergjegjshem jane njerzit ne perdorimin e FJALES (e cila ishte e para). Jane disa vlera qe, nese mungojne, zhvleftesojne vlerat zgjuarsi, finese, kulture e magazinuar, medalje PhD, Nobel etj. Shkurt muhabeti: FJALA nuk eshte LLAPA.

Derisa te me kuptosh ti ku e kam FJALEN une, zbavitu i cike me kete estraden ketu poshte. Nuk eshte se i kam fort per zemer si personazhe, por here here mi lirojne nofllat. Ve re se kane te njejtin efekt mireberes mbi shume te tjere. Shpresoj edhe tek ti. Shikim te mbare.

http://www.youtube.com/watch?v=fiYS7ZnYEVk

Sot ne pjesen e dyte te dites kam degjuar "Jiving Sister Fanny" ne dy versione. Pa i dhene dot dum se cili prej tyre ishte me i mire. Pastaj, me ne fund, dmth vetem para 5 minutash u kujtova qe s'ka pse njeriu ti perplasi gjerat deri sa te thyhet njera (ka pas qene nje loje me veze kshu). Te dyja versionet qenkeshin plotes te shoshoqit, ose per te perdorur nje fjale te mufatur (tm idris) "kom-ple-men-tare".

Pas kesaj ra nji qetesi e madhe ne bote si background dhe versionet degjoheshin me mire:

Jivin' Sister Fanny, told her man from
Philadelphia, PA
Uh, huh, huh, huh
He tore down the station said she didn't
like the way we played
Uh, huh, huh, huh

If you got a favourite guy, get you babe,
real no why
Man from you down inside, got it
feathered by the while
Ooh, child, you got me walkin' down the
broad highway
Uh, huh, huh, huh

Now, Jivin' Sister Fanny got the brain of a
dinosaur
Uh, huh, huh, huh
Well, she hocked my fancy mother and she
hocked my electric guitar
Then she's waitin' in the store, tell her to
wait, er, waitin' for
Glad she's on the waiting good
By Charles oh watch 'er, you wait good
Ooh, child, you got me walkin' down the
broad highway

PS: Zektho, nuk te kom lexu, por rob Zoti duhet te jesh. 1000 faqe nje cike si shume, por Kadri kusur, kur te shkoj ne atdhe... ne paste mbetur ndonje ne kembe. Kur mendon qe nje gjobe parkimi ketu eshte te themi 100 euro, aty e merr vesh sa e padrejte eshte bota.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).