Nuk do të ketë konsensus për heqjen e imuniteteve. Berisha dhe salebanët e tij, kërkojnë që imunitetet të hiqen pa kufizuar mundësinë që gjykatësit dhe Kryeprokurori i ardhshëm të jenë njerëz të qeverisë.

 

Disa ditë më parë në media u përhap lajmi se mazhoranca e PD-së ishte tërhequr nga pozicioni i saj dhe se do të votonte në Kuvend, paralel me heqjen e imuniteteve, edhe një paketë ndryshimesh kushtetuese të propozuara nga opozita. Nuk kam besuar për asnjë sekondë se mund të ndodhte një mrekulli e tillë! Ndërkaq, duhet thënë se të parashikosh me saktësi zhvillimet, është mjaft e vështirë dhe rreziqet për të rënë në historicizëm vulgar janë të larta. E megjithatë, ka momente kur ngjarjet mund të parashikohen me saktësi matematike. Veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimet politike, ku një rol të madh luan ajo që Karl Poper, kritiku më i madh i historicizmit, e ka quajtur “logjika e pushtetit” të cilën, vazhdon ai, “mund ta përdorim me qëllim që të shpjegojmë lëvizjet e disa politikave, po ashtu edhe funksionimin e disa institucioneve”. Dhe është pikërisht logjika ose ambicia për pushtet absolut, si lokomotiva e politikës që ndjek Berisha, që na jep garanci se ai nuk do të lejonte kurrë që mazhoranca parlamentare e bindur ndaj tij, të votonte një paketë ndryshimesh kushtetuese që do të prodhonin kundërbalanca institucionale përballë pushtetit të tij. Edhe deklarata e djeshme e Berishës nga Sllovenia, është një tjetër provë e vendosmërisë së tij për ta përdorur heqjen e imuniteteve në funksion të fuqizimit të pushtetit të tij. “Për mua nuk kanë rëndësi rrugët, rëndësi absolute ka heqja e imunitetit” – tha Berisha. Ashtuuu?! Atëherë përse Kryeministri nuk pranon ta heqë imunitetin sipas rrugëve që propozon opozita? Përgjigjja është e thjeshtë: Sepse dobësohet pushteti i tij. Prandaj, i vendosur të mos i bëjë asnjë lëshim opozitës në këtë çështje, Berisha bllofoi përsëri me referendumin.

 

***

Nuk vonoi shumë dhe u provua se pranimi nga PD-ja për të diskutuar propozimet e opozitës është vetëm një formalitet, një “respekt” për procedurën, por aspak shprehje e vullnetit për t’i miratuar ato. “Ne nuk do t`i miratojmë paçavuret e dorëzuara, por po i respektojmë ato” – tha Astrit Patozi, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, gjatë fjalës së tij në nisje të sesionit parlamentar. Patozi etiketon “paçavure” disa amendime që synojnë reformimin e sistemit të drejtësisë, për ta bërë atë më të pavarur nga qeveria dhe politika. Kështu opozita ka kërkuar që anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen me 3/5 e votave të Kuvendit për të minimizuar rrezikun që shumica të zgjedhë në këto poste njerëz të besuar të saj gjë që, mund të çojë në cenimin e rrezikshëm të pavarësisë së gjyqësorit. Të njëjtën gjë ka kërkuar opozita edhe për mënyrën e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Logjika (nëse mund të quhet logjikë) e pushtetit absolut, e bën Patozin t’i quajë këto propozime “paçavure” dhe para tij, Berishën, ta etiketojë një tendencë për “tirani të pakicës”. Kuptohet që këto janë llafe, pas të cilave nuk është e vështirë të zbulosh jo vetëm tiraninë e shumicës që është instaluar tashmë në Kuvend, por edhe kujdesin e salebanëve për të konservuar me ç’do kusht avantazhin autokratik që i kanë falur Berishës ndryshimet e Kushtetutës të bëra në vitin 2008.

 

***

Pra nuk do të ketë konsensus për heqjen e imuniteteve. Berisha dhe salebanët e tij, kërkojnë që imunitetet të hiqen pa kufizuar mundësinë që gjykatësit dhe Kryeprokurori i ardhshëm të jenë njerëz të qeverisë. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë shanset për hetime selektive dhe përndjekje të opozitës rriten deri në pashmangësi. Në të kundërtën, opozita kërkon që imunitetet të hiqen, por që krahas tyre, të bëhen disa ndryshime kushtetuese, që do ta detyronin shumicën që në zgjedhjen e gjyqtarëve dhe të Kryeprokurorit të merrnin parasysh edhe vullnetin e opozitës. Gjë që do rriste shanset për zgjedhje në këto poste të disa njerëzve më të baraslarguar nga qeveria dhe nga opozita dhe bashkë me këtë, edhe të shanseve për pavarësi reale të këtyre institucioneve. Kërkesa e opozitës është në harmoni të plotë me rekomandimin e BE-së për pavarësimin e gjyqësorit, si dhe me parimin e demokracisë liberale të ndarjes së pushteteve. Ajo është në harmoni edhe me opinionet e dhëna nga Komisioni i Venecias, si për heqjen e imuniteteve, ashtu edhe për institucionin e prokurorisë në Shqipëri. Sipas Venecias, shmangia e rrezikut për hetime selektive kundër opozitës, pas heqjes së imuniteteve, kërkon një Prokurori të pavarur, institucion që në Shqipëri, po sipas Venecias, është bërë më pak i pavarur pas amendimeve të Kushtetutës në vitin 2008. Fakti që Berisha dhe salebanët kundërshtojnë, që krahas heqjes së imuniteteve të rrisin shanset e pavarësisë së gjyqësorit dhe të Prokurorisë, nxjerr në shesh qëllimet e vërteta të tyre, për t’i keqpërdorur këto institucione si dhe heqjen e imunitetit, në favor të jetëgjatësimit të pushtetit të tyre autokratik dhe jo të luftës reale kundër korrupsionit. Po ashtu, shihet qartë se ata kanë frikë nga krijimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë, që do hetonin dhe do të gjykonin bashkë me korrupsionin e vjetër demokrato-socialist edhe superkorrupsionin e akumuluar, por të pandëshkuar në këto 7 vitet e qeverisjes së Berishës. Ky është thelbi, motori psikologjik i zhvillimeve të afërta politike. Gjithë të tjerat, sloganet dhe akuzat se opozita po bllokon heqjen e imuniteteve për të penguar gjoja integrimin, janë një alibi vulgare salebane për bllokimin që vetë po i bëjnë heqjes së imuniteteve në funksion të fuqizimit të pushtetit të tyre autokratik, si dhe sabotimit që po i bëjnë integrimit të Shqipërisë në Europë. Një taktikë që ka në themel moton naziste: Akuzo kundërshtarin për krimin që sapo ke bërë vetë!

14 Komente

Vertet, pse nuk i heqin ato dreq imunitetesh

ti po akuzon kundërshtarin (Stefanin) për krimin (shtruarjen e pyetjes) që sapo ke bërë vetë ? smiley

 “Për mua nuk kanë rëndësi rrugët, rëndësi absolute ka heqja e imunitetit” – tha Berisha. Ashtuuu?!

Atëherë përse Kryeministri nuk pranon ta heqë imunitetin sipas rrugëve që propozon opozita? Përgjigjja është e thjeshtë: Sepse dobësohet pushteti i tij. 

 

Ashtuuuu mendon dhe ti Venuske ? 

Sigurisht,une s'jam Bradi qe mendon te kunderten.

Eee shumë i mbrapshtë ky Brandi smiley ja ka pa hajrin si duket se kshu është djalë i zgjuar e plot humor.

ti shikosh hajrin krimineleve do te thote te pakten te enderosh te jesh si ata dhe ne te shumten te jesh si ata dhe ato, kriminela.

Eh Kuaz nuk është kaq e thjeshtë dhe jo çdo gjë matet me të mirën e përgjithshme e veç në shërbim tê saj ka dhe personale e detyra familjare .kto pastaj janë të ndërthurura s'ka bardhë e zi "o me ne o kundra nesh" secilit hisen që i takon.Se njoh Bradin dhe se di çfar pozicioni ka në politikë e vendimmarrje. E gjykoj si peshk këtu. 

Ca ke Venus,nuk te pelqejne mendimet e mija ? 

 

Një qeveri nuk po shkonte mirë dhe po rrezikonte të humbiste zgjedhjet e ardhshme. Mblidhen gjithë ministrat në mbledhje për të gjetur zgjidhje.
"Djema, nuk po shkojmë mirë fare, do humbasim pushtetin, do i humbasim të gjitha. Diçka duhet të bëjmë!", thotë kryeministri.
Hidhet një ministir e thotë:"Të bëjmë rinovim të zyrave! Të ndërrojmë mobiljet, pllakat, perdet, t'i ndërrojmë të gjitha!" Biendakort të gjithë dhe ia nisin me planifikimin.
Në një moment, vonë mbasdite, vjen pastruesja, i sheh të futur me turinj në punë dhe habitet:
"Ç'bëhet more djema? Ç'patët?"
"Nuk po ecim mirë si qeveri dhe thamë të ndërrojmë dekorimin" i përgjigjen.
Pastruesja ngre supet me mëdyshje...
"Ç'ke, e pyesin, pse ky reagim?"
"Po ça t'ju them more djema, përgjigjet ajo, unë dikur punoja në një shtëpi publike dhe kur punët nuk ecnin mirë, ndërronim putanat, jo mobiljet." smiley

Fjalen "saleban" e ka kopju te peshku

shoke kemi ne mes tënë

shume armiq e tradhëtorë

jo jo mos u qoft e thënë

te marrin peshkun ne dorë smiley

Per kesi shkrimesh, ka nje shprehje italiane, Grazia, Graziella e grazie al cazzo, shkurtimisht grazie al cazzo.

"Po foli o Partise hapur keshtu, si tha shoku Shevqet Peçi..."   smiley

Keta deputet tane si te pozites edhe te opozites, po qe se jane qelibar, s'kane pse te tremben apo jo o Andrea Stefani?

E perse duhet ti heqin kur vete e kane ne dore te mos i heqin?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).