Mendoj se në vend të nji “muri kujtese” ose të “obelisku përkujtimor”- dy zgjidhje pjesore të problemit të kujtesës- do të ishte ma e drejtë dhe ma fisnike ngritja e nji monumenti madhështor për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e demokracinë.

Ka momente në historinë e nji kombi që detyrojnë përplasjen e ideve me nji dialog që trajton publikun si qytetarë të pjekun dhe të informuem. Unë mendoj se me perspektivën e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë shtetërore të Shqipërisë, dhe hymjes në shekullin e dytë të historisë sonë si shtet i pavarun, ky moment ka ardhë edhe për ne shqiptarët. Duhet ta shfrytëzojmë!

Hapi i parë, kampet kundërshtare duhet të heqin dorë nga arroganca, dhe asnji grup te mos reklamojë se ka zbulue të vërtetën. Sot, nevoja e nji klase politike, e përgatitun dhe e ndërgjegjshme për fatin e popullit shqiptar, ka marrë karakter urgjent. Na duhet transparenca. Na duhet fryma ndërtuese, dhe na duhet sidomos atmosfera e vëllaznimit, e faljes së fajit, e pajtimit kombëtar në këtë fazë ballafaqimi politik të motivuem nga interesa të ngushta partiake.

Sot duhet të përpiqemi për nji popullsi shqiptare që jeton ne nji atdhe ku ndiehen si shqiptarë me liri dhe drejtësi për të gjithë. Sepse, përjashtimi në vetvete asht padrejtësi… Duhet të shikojmë përpara drejt nji shoqënie shqiptare që himnizon lirinë e individit dhe solidaritetin e tij në shoqëni, nji shoqëni që respekton të drejtat e lindjes së çdo qytetari, dhe ato të fitueme ma vonë dhe të shenjtënueme me ligje.

Nji shkëndi shprese! Pak ditë ma parë, lexova në “Panorama” nji shkrim te ish-kryeministrit socialist Pandeli Majko, i cili më bani nji përshtypje të thellë për frymën e tij konstruktive. Pavarësisht nga nji traditë familjare thellësisht komuniste, ai e ndien si detyrë njerëzore të flasë “…për varret e humbura të kundërshtarëve të regjimit komunist”, dhe shton “…për të gjithë ata që u vranë sepse mendonin ndryshe, apo edhe pse luftuan që Shqipëria të ishte ndryshe…”. Ai i quen “…pjesa më e vrarë e ndërgjegjes sonë shoqërore…” dhe krahason heshtjen e sotme për viktimet e komunizmit “…me fshehjen e varreve gjate periudhës së komunizmit”. Heshtja e jonë sot asht vrasja e dytë e viktimës!

Z.Majko sugjeron ndërtimin e nji “muri të kujtesës” dhe uron qe ky 100-vjetor i Pavarësisë “…të jetë fundi i kulturës së ‘kokëngrënies’ me njëri-tjetrin dhe i paqes me historinë e përbashkët”.

Vetëm pak dite ma vonë, RD e Tiranës njoftoi se …Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje Ministrisë së Kulturës organizimin e nji konkursi ndërkombëtar për projektin e Obeliskut kushtuar viktimeve të komunizmit dhe përcakton vendvendosjen e tij në Tiranë… “Ne duhet ta ngremë atë në respekt të tyre dhe të kujtesës kombëtare”, tha Kryeministri. Këto dy sinjale nga dy kampe kundërshtare ndezin shkëndinë e shpresës sonë!

100-vjetori i Pavarësisë nuk asht, as duhet të ketë karakter të njianshëm partizan, siç kane qenë manifestimet komuniste për 45 vjet me radhë. Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve asht e përbashkët, me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saj. 100-vjetori i Pavarësise u takon të gjithë shqiptarëve pa dallim, mbrenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Ai përfaqëson karakterin kambëngulës gjithëshqiptar me qenë të pavarun, guximin gjithëshqiptar me luftue për liri, dhe sot vendosmëninë e të gjithë shqiptarëve me përqafue demokracinë dhe me marshue drejt Bashkimit Europian. Të ndamë dhe të anmiqsuem, shqiptarët do të humbin dekada të gjata në grindje e qëndrime meskine që bota e qytetnueme nuk pranon; përkundrazi, i dënon.

Përleshjet dhe përplasjet e përditshme në Shqipëri bahen kryesisht nga ata që nuk kanë pësue as nga krimet e okupacionit fashist e nazist, as nga krimet e komunizmit stalinist.

Unë jam pjesëtar i “breznisë së djegun” që u vra në rezistencën kundër okupatorit të huej në luftë për liri, si dhe në rezistencën e gjatë e të egër kundër regjimit komunist në luftë për demokraci. Liri, demokraci: dy vlera permanente!

Kam humbë babën si viktimë e terrorit fashist. Kushërini 17-vjeçar u pushkatue nga nazistët. Nana ime, motra dhe vëllau akoma fëmijë kanë vuejtë terrorin e kuq në kampe përqendrimi për vite të gjata. Kam përjetue plotësisht ditët e vështira e të përgjakshme të ndeshjeve me policinë fashiste si student, dhe ma vonë ditët e terrorit të kuq që asgjasoj elitën intelektuale të edukueme në Perëndim, si dhe nji shtyllë morale të shoqënisë sonë, klerin, sidomos klerin katolik shqiptar.

Kam pa shume nana në të zeza, shumë të veja dhe fëmijë jetimë, familje te shkatërrueme nga burgimet dhe internimet për dekada me radhë, vorfëninë e tejskajshme, mohimin e të drejtave themelore të njeriut, talljet dhe demaskimet publike – të gjitha në emën të “atdheut dhe popullit” (gënjeshtra e madhe)- sikur Shqipëria të ishte njerka e disave e jo nana e të gjithëve.

Shqipëria dhe shqiptarët janë lodhë me tirani, grindje, konflikte e vorfëni dhe nuk duen të ndigjojnë akoma lehjet e qeneve të tërbuem.

Invazioni fashist i Shqipërisë, më 7 prill 1939, vuni në lëvizje nji spirale zbritëse të karakterizueme nga lufta, shkatërrimi dhe konfliktet e mbrendshme që nuk u ndalën për pesë dekada. Edhe sot, shqiptarët ballafaqohen me pengesa serioze në përpjekjet e tyne me rindërtue… për arsye të historisë negative të ndërhymjeve të hueja ne vendin e tyne, si dhe për faktin që edhe sot “të jashtmit” refuzojnë me pranue përgjegjsinë e randë për damet e shkaktueme.
Si asht e mundun të harrohen krimet e okupatorit fashist, sakrificat e mijëra shqiptarëve, sidomos të rinjve që dhanë jetën në fushën e nderit dhe sakrificat e familjeve të tyne? Vrasja e kësaj rinie të luftës kundër okupatorit -pavarësisht nga ideologjia politike – ka qenë nji krim, dhe duhet quejtë krim. Për fat të keq, “fajtorët” u dënuen me faj e pa faj, jo për atë “fajin” që kishin krye, aq sa për kundërshtim të regjimit të ri të posavendosun. Viktima e parë, drejtësia, u zëvendsue me hakmarrje. Në mjaft raste kjo “drejtësi” mori karakter krahinor dhe fetar, sidomos me popullsitë e Veriut. Ish- udhëheqsi komunist, Pandi Kristo, ma vonë i burgosun, rrfehej qarte: “Markrat e Lleshrat e Veriut kanë të drejtë të ankohen, sepse i kemi vra faj e pafaj!”
Kur në 1993-shin, vendimi gjyqsor kundër udhëheqjes së PPSH-së u ba publik, dhe ma vonë, më 1997-n, kur qeveria nxori nga burgu kriminelët e dënuem, u ba e qartë se krimi gjysmëshekullor komunist do të mbetej i padënuem. Viktimat e këtyne krimeve nuk banë hakmarrje, megjithëse mbetën thellësisht të shgënjyeme. Ajo që mbeti, ishte përpjekja e izolueme me “kundërshtue pushtetin”, që simbas Milan Kundera-s, asht “përpjekja e kujtesës mos me lejue humjen e harresës”. Asht përpjekja e viktimës me qëndrue i lirë për vete dhe për të gjithë ata që nuk kanë guximin e nevojshëm me rezistue shnjerëzimin sot, ose në të ardhmen. Me nji fjalë asht përpjekja, në emën të të gjithëve, me sigurue lirinë e të gjithëve. Megjithëse Shqipëria nuk ka nji “statute of limitation” për ndjekjen dhe dënimin e krimeve, ky problem që helmon atmosferën politike të vendit flen gjumin e randë në arkivat e pluhnosuna. Si rrjedhim kemi percepsionin popullor se krimi nuk dënohet, se krimineli vazhdon jetën e qete të qytetarit të lirë pa frikën e përgjegjsisë para ligjit. Qartazi, në Shqipëri nuk sundon ligji. Terreni për lulëzimin e krimit asht pjellor.

Nuk ecet përpara në jetë në qoftë se nuk shkarkohemi nga thesi i ankesave, thotë nji fjalë e vjetër. Me shikue të kaluemen e mbrapsht me sytë e frymës njerëzore nuk asht e lehtë, as e zakonshme. Megjithatë, për ata që kuptojnë monstruozitetin e krimeve të kryeme ne kurriz të nji popullsie të pafajshme që nga 7 prilli 1939, shikimi në të kaluemen mund të gjenerojë nji proces rindërtimi moral me dënimin e kësaj së kaluemeje dhe krimeve që e karakterizojnë, nji proces kërkimi falje nga viktimet, si dhe të përqendrimit tonë në mbajtjen e nji kursi mendimi dhe veprimi që përqafon vëllaznimin, e dënon frymën e mbjellun nga politika e “luftës së klasave”.

Njeriu ka përshtypjen se në Shqipëri nji popull i tanë jeton me nji kulturë ku gjithçka na rrethon vërteton se jetojmë nji jetë të gënjeshtërt, ku mashtrimi dhe mossinqeriteti janë landë e botës që na gënjen, e jo fenomene kalimtare. Duket sikur jetohet nji jetë që na tjetërson drejt së keqes. Nganjiherë, duket sikur jemi mësue tashma me këtë landë “toksike”, aq sa nuk e ndiejmë praninë e saj.

Çdo popull ka nji shpirt, e shpirti i shqiptarit ka qenë “besa”. Kur “besa” u thye dhe ata që e mbajtën u vranë, shqiptari humbi shpirtin që e dallon. Hyni pabesia! Atdheu i ynë ka nevojë urgjente për nji rilindje morale, “sous peine de mort”, si thonë francezët.

Shqipëria ka nevojë për udhëheqës që frymëzohen nga esenca e përvuejtënisë, e jo nga entuziazmi i teorive të mëdha, efektin shkatërrues të të cilave e kemi përjetue randë; udhëheqës të përmbajtun dhe me respekt për opinionin e gjykimin e të tjerëve. Udhëheqës të këtillë nuk mund të jenë “totalitare”- “… që marrin vendime në kokën e vet e pa bashkëpunim me të tjerët, nji qëndrim ky që, nga ‘metoda’ transformohet në ‘qëllim’, në kërkim të nji smadhimi monstruoz të forcës së vet. I dyshimtë ndaj çdo njeriu dhe çdo gjaje, dhe i predispozuem me shkatërrue çdo kundërshtar – që cilësohet si armik – qoftë real, qoftë imagjinar” (B.Croce).

Me festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe kalimin në shekullin e dytë, le të hyjmë në histori si popull i bashkuem, i lirë dhe tolerant, i ndërgjegjshëm për detyrat tona ndaj atdheut tonë dhe ndaj botës së jashtme që na rrethon.

Me këtë frymë, unë mendoj se në vend të nji “muri kujtese” ose të “obelisku përkujtimor” – dy zgjidhje pjesore të problemit të kujtesës- do të ishte ma e drejtë dhe ma fisnike ngritja e nji monumenti madhështor për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e demokracinë e nanës Shqipëri, pavarësisht nga bindjet e tyne politike.

Nji gjest afrimi, faljeje dhe pajtimi të këtillë ka frymë hyjnore dhe do të ngrinte nalt zemrat e plagosuna të popullit shqiptar, si dhe do të fitonte admirimin e botës së qytetnueme, shoqënisë së kombeve demokratike që synojmë me përqafue.

Kështu veproi Spanja mbas luftës civile me viktimet e të dyja palëve, tue i dhanë botes nji shembull të naltë qytetnimi që meriton me u “përsëritë” edhe në Shqipëri!

“Le të vijë drita!”… edhe në Shqipëri

 

* City University of New York. Autori ka qenë i burgosun politik (1946-1956)

2 Komente

Gjithmone shkruan shelqyeshem!

Ky shkruan se i ka perjetuar por shkruan pikerisht per te mos dale me nga ky soi me deklarta  "Shkelqzeshem ":smiley

Me thene te drejten neper te shum e shume gjera te bejne te kesh respekt per disa qartesi  evizione .Ka pas kohe qe ka shkruajtur dhe duhet kohe per ta kuptuar .Gjithsesi nje perpjekje e VECANTE si nga shkrimet po te vet Rrepishtit si nga Shume thenie dallkaukesh e Hunjsh qer dominojne Politiken Zyrtare ne Memdhembje me Detyra Kujtese . Do pak kohe ta lexojsh !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).