Tre idealistë: Fatos Baxhaku, Eno Milkani dhe Gerta Qurku sfiduan vështirësitë, sidomos mungesën e fondeve. Çmim special fiton edhe filmi i parë për LGBT. Pinderi: Në qytetin tim nuk pati asnjë protestë si në Lezhë apo në Tiranë.

Edicioni i dytë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë u mbyll me sukses në Pogradec duke sfiduar skeptikët që e mendonin si të vështirë këtë event, në një periudhë krize jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore. Tre organizatorët: Fatos Baxhaku, Eno Milkani dhe Gerta Qurku dukeshin më të relaksuar këtë vit, ndërkohë që duket se prodhimet kroate ishin të një cilësie shumë më të mirë se filmat e vendeve të tjera.

Filmi më i mirë u shpall "No one's son" i regjisorit kroat Arsen Ostojic, filmi më i mirë i animuar u shpall filmi "The Room" i regjisores kroate Ivana Juric. Elton Baxhaku dhe Eriona Cami u shpallën fitues të cmimit Filmi dokumentar më i mirë, me filmin "Book". Cmime speciale fitoi edhe filmi "The ëall" i regjisorit kosovar Gazmend Nela dhe filmi "Fari" regjisores bullgare Velislava Gozpodinova. 

 

Fiton edhe filmi i parë antikomformist për LGBT. Nuk pati protesta…

Ndërkohë dokumentari i parë që flet për jetën e dy çifteve gej në Shqipëri u shpall fitues i një çmimi special në edicionin e dytë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Kinemanë e këtij qyteti.

Ishte anëtarja e jurisë ndërkombëtare Anne Poulsen nga Danimarka ajo që i dhuroi kupën, një qyp prej qeramike, bashkëautorit të këtij dokumentari Kristi Pinderi. Ai u shpreh se "duhet guxim për një qytet të vogël si Pogradeci për të pranuar filma që flasin për tema që ende shkaktojnë protesta në qytete të tjera, por kjo nxjerr në pah një tjetër vlerë të këtij qyteti të mrekullueshëm: atë të tolerancës".

Dokumentari "Të fshehur mes jush" i realizuar me mbështetjen e fondacionit Soros është një dëshmi e një çifit vajzash lezbike dhe një çifti djemsh të cilët tregojnë vështirësistë e të jetuarit një jetë të fshehur për shkak të diskriminimit, por dëshmitë e tyre janë mbi të gjitha për arsyen se si mund të përballohet një jetë e tillë e që është dashuria e thellë për njëri tjetrin. 

 

Festivali dhe Pogradeci, kombinimi më i mirë

Gjatë një ceremonie të zhvilluar para bashkëqytetarëve të Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, Presidenti i nderit i këtij festivali, z. Bujar Kapexhiu vlerësoi pikërisht guximin për ta realizuar një eveniment të tillë.

Ai u shprehu mirënjohjen organizatorëve për kurajon e shfaqur për të zhvilluar një edicion të dytë të festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë në Pogradec. “Them kurajo, sepse kushtet janë të pakta por dashuria për filmin dhe traditat, si edhe pasioni i sinqertë i mundën të gjitha vështirësitë dhe paragjykimet”, tha z. Kapexhiu.  

Një mbështetje të fortë ka marrë ky festival nga pushteti vendor. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, në mandatin e tretë, z. Artan Shkëmbi, i cili ka këmbëngulur që edhe ky edicion i dytë të zhvillohej në qytetin e Pogradecit, mundi të sfidonte me mençuri atë shprehjen shabllon se “Ballkani është fuçi baruti”. Do të ishte më e vërtetë të thuhej se ajo fuçia, më shumë se fuçi baruti, është një fuçi vere, tha kryetari i Bashkisë, teksa vlerësoi mundësitë e padiskutueshme të mikpritjes e mirësisë tradicionale që ofron qyteti i tij, Pogradeci.

Milkani, Qurku dhe ai që ata e quajtën “lideri shpirtëror”, Fatos Baxhaku, evidentuan me kujdes faktin që Pogradeci, ndonëse pa shumë bujë, ka qenë një qytezë ku janë kryqëzuar rrugë të ndryshme historike, të tregtisë apo të shkëmbimeve reciproke ballkanike. E ku janë takuar artistë të Ballkanit dhe veprat e tyre.

“Shpresojmë ta vazhdojmë këtë urë bashkëpunimi të hershëm ballkanik në Pogradec, përmes këtij festivali”, tha më tej z. Artan Shkëmbi, “jo vetëm si një urë lidhëse mes artistëve, por edhe si një urë mes kulturave, qytetarëve dhe fateve të përbashkëta”.

Një vit më parë tre organizatorët idealistë të këtij evenimenti ishin të shqetësuar. “Nuk është se po ndërtonim ndonjë gjë të madhe, as kishim ndër mend të bënin gjëra, që ndokush nuk i kishte parë”, kujton Eno Milkani, “thjesht na kishte shkruar ndërmend që të mblidhnim bashkë njerëz nga vende të ndryshëm të Ballkanit, të cilët më parë nuk kishin pasur mundësi të njiheshin, të shtrëngonin duart, të qeshnin, thjesht të rrinin bashkë”.

Kështu nisi edicioni i parë i Balkan Film & Food Festival, një ngjarje kulturore që u mbështet fuqishëm nga vetë qyteti organizator, nga Pogradeci. Pyetjes pse pikërisht në Pogradec dhe jo në një qytet tjetër, organizatorët i përgjigjen: “Pogradeci e meriton që të jetë një herë në vit kryqendra e kulturës ballkanike. Atje përplasen të gjitha tendencat, historitë, ngjarje të vrazhda, por edhe histori mirësie pa fund, atje kanë kaluar karvanet e të parëve tanë, që nuk e vrisnin edhe aq shumë mendjen për politikat nacionaliste e të mbrapshta, që na drejtuan kaq e kaq kohë”.

Në edicionin e dytë të festivalit konkuruan filma të disa zhanreve me metrazh të shkurtër apo me metrazh të gjatë, filma të animuar, artistikë, filma eksperimentalë apo dokumentarë nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kosova, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Rumania, etj. Gjithashtu u transmetuan filma dhe nga Franca, Italia, Spanja, Belgjika, Polonia, etj. Filmat që nuk ishin prodhime nga vende jo ballkanike nuk ishin pjese e garës zyrtare.

Juria ndërkombëtare përbëhej nga Daniele Baldaçi, Anne Poulson, Charlie Cockey, Martin Marschke, Mimmo Sammartino, ndërsa juria vendase vetëm me artistë të njohur pogradecarë përbëhej nga regjisori Tomi Mato (drejtor i jurisë), skulptori Sofokli Koci, piktori Anastas Kostandini, gazetari dhe poeti Ilir Shyta, dhe poeti Dhimitër Pojanaku. Të binte në sy që artistët nga Shqipëria ishin kryesisht të rinj të cilët kanë eksperimentuar në zhanre të ndryshme. Në këtë mënyrë, ky festival mund të jetë një mundësi e mirë për promovimin e tyre.

5 Komente

Po pse fshini komentet? çfare kishte per te fshire?

si qe ky festivali....dmth, shikonin filma e ne te njejten kohe shijonin guzhine tradicionale ballkanike? ide e bukur...

sa qenkan merzitur qe nuk ka patur reagime per filmin antikomformist!!

u paskan bere zbor edhe nacionalisteve te keqinj qe nuk i paskerkan lene rehat te qane qofte serbe me bullgaret e kroatet.

ndryshe nuk i jep leket sorrosismiley

Me nje fjale Kristi qenka nga Pogradeci, mesa kuptova une smiley

shume serioz ky festivali... ca podiumsa jane veshur, sportiv casual, me pantallona te shkurtra e sandalesmiley,  ca te tjere, te kollarisur, kane veshur kostumin e mire grixho e erret.smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).