Muz’(g)

Ajo është aty,

mbështjellë kulpër në trokthin e tastierës,

 

flokë-ngecur ndër metafora,

lakuar përmbi retiçenca,

gjunjë-vrarë nëpër njëmbëdhjetë rrokësha,

 

psherëtin brenda kllapës… e s’ngopet me frymë,

ndërsa tej dritares, një yll i vetmuar,

luan një jazz të panjohur, ndër partitura galaksish,

 

e ai, kërkon t’i ruaj ritmin,

ashtu i humbur nëpër brinjë-tastot e saj,

që thërmohen ndër gishta,

e stërpikin dhimbtaz, si krahë të dërmuar, fluturash,

pluhur poezish…

 

Ajo është aty,

ende aty,

 

flokë-ngecur ndër metafora

stërkëmbëshur pikëpyetjesh të gërmuqura,

kruspulluar përmbi presje paranojash,

 

dhe e friguar për vdekje

se mos rrëzohet në kosh…

6 Shtator, 2010

 

 

 

Lehtësia jote e papërballueshme

Ti qesh… e hareshëm, më sillesh përqark,

buzë greminës ku unë kam ndalur këmbët,

e shoh fikurazi atje poshtë, në humbëtirë…

ku pres të rrëzoj veten time…

 

po ti, menjëherë ul prej qiellit një diell të kuq,

e ma sjell para syve…

 

dhe përreth bëhet kaq dritë…

dhe përreth bëhet kaq ngrohtë…

dhe hareja jote e shpenguar,

mbështjell si kuvertë e butë dimrat e mi…

 

pastaj qesh…

e qesh…

e qesh…

 

…e hareshëm vazhdon të më sillesh përqark…

 

më largon prej buzëve,

bishtin e cigares që unë përtyp bashkë me humbjet,

dhe cipën e përgjakur të buzëve,

dhe… e lëshon atje poshtë…

në greminë… ku unë dua të shkoj pas saj…

 

por ti, m’i shkatëron gjithë planet,

e unë,

nuk di, si përfundoj ngatëruar nëpër flokët e tu,

që lëshohen poshtë si lule-dredhëza,

për të më shpëtuar…

 

oh, une nuk di…

e them se as ti nuk di,

pse kërkon të më shpëtosh me çdo kusht…

 

di vetëm që kam kaq frikë nga kjo lehtësi e papërballueshme,

dhe ky diell i kuq…

 

më lër të rrëzohem atje poshtë,

mirë?

të copëtohem atje bashkë me humbjet,

është më pak e frikshme,

se ky shpëtim i bukur…

28 Mars, 2011

 

 

Pikëllim zëdhënësesh

(Poezi, prozaike, komunitare, e angazhuar)…

 

U fik edhe një ditë në pallatin në formë U-je,

me mure si letër kalk,

ku fqinjët, me flet’za karboni,

nxjerrin, si modele çentrosh,

sekretet e tjetrit…

 

Aromë tavë peshku, stërpik një dritare,

me zërin e folëses së lajmeve të mbrëmjes,

që zemërohet keqaz me baluken jo-skenografike,

teksa lexon lajmin e vdekjes së një minatori…

 

-Galeria është shembur sërish-

e sërish, dora shkon te baluke’pabindur…

(ah, galeria,

kjo sabotuese’ tmerrshme, skenografish)

 

Tavë peshku,

kronikë e një vdekje të lajmëruar,

dhe duel në baltë, zëdhënesesh sensuale,

që as një presje nuk dalin prej skenarit,

teksa rrëzojnë njera-tjetrën brenda lyrës së llojit…

-Ajo, sërish u kthye vonë-,

thonë gratë në bordurën e parukerisë,

tek limojnë themrat e plasaritura,

të pa-shqetësuara për baluket jo-skenografike,

e natyrisht, as për vdekjen e minatorit…

 

shënjestra ka mbetur tek ajo,

fqinja e re, trokth-trembur,

që: -sonte.. kishte qarë… më duket-…

 …

U fik edhe një ditë,

nëpër qepenat që ulen me vrik,

djemtë,

do shohin ndeshjen me çehre analistësh,

ndërsa vajzat,

do t’i ndjekin me pikëllim zëdhënësesh që nuk dalin dot pej skenarit…

 

Në pallatin në formë U-je…   

U, si: - Ule automatin e pompës Sanije!…

12 Gusht, 2010

 

© Arlinda Guma

34 Komente

pastaj qesh…

e qesh…

e qesh…

 

…e hareshëm vazhdon të më sillesh përqark…

mirëjamit i pëlqeu

Na ke munguar ! Dhe Bradit i pelqeu ! smiley

Ka stil,dhe jo stil prej punetori ngarkimshkarkiminishtulle.

Flo më pëlqeu shumë lehtsia jote e papërballueshme  në kto poezi !

Te gjitha te bukura ishin (me vjen keq qe nuk po zgjatem). Por ajo e Sanijes ishte e papritur fare ! 

Mirmengjes!

Do doja qe "Mirejamdeshzoti" te ishte eT-ja, nese jo, kushdo qe te jete e pershendes smiley

Brad te falenderoj per fjalet e bukura. smiley

eko, poezia e pallatit ne forme U-je i kushtohet pallatit tim smiley

Prizenzaranika, faleminderit.

Jane disa peshq ketu qe vertet i "miss" ngado qe te rrotullohem, ndersa per te rinjte qe duan te lexojne ndonje gje nga une, ky eshte blogu im;

 

http://flokenaja.wordpress.com/

Pse kam pershtypjen se te shkruash poezi te bukura, duhet te jesh dhe njeri i mire? Do te doja te thosha,se jane te njerzishme,prandaj jane te bukura,me aq sa mund te gjykoj une.

nuk eshte kusht pjeter,

megjithate une eci me parimin se askush ne kete bote nuk eshte 100% i keq, gjithcka varet nga predispozita e kendveshtruesit per te nxjerre na pah, apo ne te kundert, minimizuar te miren... e cila padyshim ekziston...

psherëtin brenda kllapës.

 

smiley

Arlinda ka poezi te mira ne llojin e vet. Kam pelqyer jo pak prej tyre. Tani, sikur te flasim çiçke mbi lexuesin, pelqyesin dhe tekstin.

Ne jeten time te gjate prej te lashti, kam hasur ne dy lloj lexuesish : antagoniste dhe sinkretik. Keto jane fjale te medha ne dukje, por ne fakt jane shume te thjeshta. Ja psh :

Lexuesit "antagoniste" mund te jene ata qe kur pelqejne X-in nuk pelqejne Y-in, i cili shkruan krejt ndryshe nga X-i. Keshtu, keta lexues mund te shquhen per nga besnikeria. Psh, njoh lexues qe lexojne Wallace por jo Ellis, ose Camus dhe jo Sartre. O njeri, o tjetri. Ne pergjithesi, keta lexues jane specialiste te mire te nje grushti autoresh, dhe asgje perveç ketyre te fundit nuk ekziston apo s'eshte i denje per ta.

Me pas kemi lexuesit "sinkretike" : keta jane lexues qe perpijne gjithfare teksti heteroklit, ne pergjithesi pelqejne edhe boren edhe plazhin, edhe shiun e pranveres me gjethet e vjeshtes. Besnikeria eshte nje gje e huaj per ta, ata ndihen teper te lire te flatrojne nga te duan. Keta lexues, ne pergjithesi, kane nje vizion shume te qarte te teresise, por s'do te mund te te flisnin me ore te tera thjesht per nje autor. Tek keta, nuk ka kurrfare urrejtje apo neverie per askend. Gjithçka e mire, eshte e mire per mua, kjo eshte deviza e tyre.

Ndersa tek te paret, kemi kerkimin e bukurise absolute, deri ne skutat e saj me te erreta, tek te dytet kemi kerkimin e bukurise se prekshme e te ndjeshme ngado ku ajo te gjendet, pa e paragjykuar fare mbartesin e saj. Per nje sinkretist, bukuria eshte ngado : ne tre faqe takimi emocionues te nje romani te nje autori te panjohur, por edhe ne 100 faqe perçartje totale te Leopold Bloomit te Joyce. Ne nje roman te Sagan, por edhe ne tre romane te Beckett. Ndersa per nje antagonist, nese Sagan eshte ylli i vet, Becketti s'ben dy leke, dhe anasjelltas.

Por ka dhe nje pjese tjeter lexuesish, qe jane mbase te pakte ne numer, qe nuk e dine as vete nese jane antagoniste apo sinkretike. Keta, per nga natyra, jane dyshues te medhenj, qofte dhe per vete natyren e tyre. Do te themi se ata jane ne kerkim te vetvetes. Dhe keta jane me te dashurit e mi.

Nuk di a isha i qarte por besoj se keto fjale duheshin thene. 

 

Hurbinek,

 

Ndaj një pjesë të konsideratave. Më pëlqen shumë përzgjedhja në lexues: antagonistë dhe sinkretikë. Por, ajo që nuk ndaj, është një keqvëmendje ndaj lexuesit antagonist. Sipas meje, në përgjithësi artdashësit e vërtetë duhet te jenë antagonistë. Ka një dyzim të përhershëm tek artdashësit. Jo vetëm kaq. Ka një dyzim të përhershëm tek njeriu. Dhe njeriu duhet të ndajë mendjen. Kjo është sfida e vetme në jetë. Ndarja e mendjes. E ke vënë re për shembull, sesa të pamëshirshme janë disa nga komentet e lexuesve për Kadarenë. Kjo vjen, sepse ata nuk e kanë ndarë mendjen. Sa i hidhur është një artdashës që nuk ndan mendjen! Ai vërsulet me gjithë tërbimin e vet kundër artistit. Nuk ka të krahasuar me atë që nuk e pëlqen artistin. Egërsia e artdashësve që nuk e kanë ndarë mendjen është e pamatë. Vihet re mjaft qartë kjo. Pra, ajo që dua të theksoj, është që një artdashës antagonist (ai që e ka të qartë mirë se cfarë pëlqen dhe cfarë jo), është dhe më objektiv nga natyra. A nuk mendon kështu?

Mirembrema Lirka,

Kemi pra 1. antagonistet (o kete, o ate), 2. sinkretiket (edhe kete, edhe ate), 3. te lekundurit (nuk e di)

Dhe thashe se me te dashurit e mi, jane te tretet : nuk-e-distët. Mendova se kjo do te ishte jo fort keq per arsyen se ky nuk eshte as i mbyllur si i pari (te cilit mund t'i kalojne ca perla nen hunde, thjesht ngaqe autori i vet me i dashur nuk i honepste - shembull : Borges, nder shume te tjere, s'e perfillte fare Chateaubriandin !!), as i tejhapur si i dyti (gjithçka qe une mendoj se eshte e bukur). Them se ky dyshues hedh tashme nje rrjete ne grumbullin e shkrimtareve, por katrori i rrjetes nuk eshte as teper i vogel, as teper i madh. Ne fakt, si ne medyshje qe eshte, ai here e rrudh doren, e here e hap. Eshte ne kerkim te vetes (nepermjet kerkimit te autoreve qe do t'i beje te vetet).

Mund ta jap me kete krahasim : dyshuesi eshte pikerisht ai qe kur i troket dera, nuk rri ngulur ne divan duke mos e hapur deren, por as nuk ngrihet me vrap ta hape deren katrash. Thjesht kthen çelesin por e le ate zinxhirin e vogel, kushedi, mendon ai, mbase ky autor s'ben fare, por sidoqofte t'ia jap nje mundesi.

Ne lidhje me versuljen e atij qe s'e ka ndare mendjen, eshte e vertete se kritikat me te ashpra vijne nga ky : nga perkufizimi, ai qe e do shume autorin (antagonisti pozitiv, le te themi), nuk i qorton asgje atij. Ndersa ky qe nuk e honeps fare (antagonisti negativ), ky ska ç'te flase sepse nuk e lexon fare.

Vetem ai dyshuesi ka ç'te flase e te turfulloje : sepse ia ka dhene mbase shansin, dhe eshte zhgenjyer. Dhe i vjen keq qe te heqe dore plotesisht. Po te mos i pelqeje as per se dyti e per se treti, ai ka gjasa te kthehet ne antagonist dhe te lexoje vetem ata autore qe s'puqen fare me kete zhgenyesin.  

Të kuptoj fare mirë Hurbinek,

 

Por, në fakt, dua të hedh një ide (ndoshta nuk është dhe aq vendi i përshtatshëm), lidhur me primatin në art. Kjo ide më ngacmon dhe më pëlqen njëherësh. Doja të dija mendimin tënd për të. A nuk mendon se në art vendoset një primat? Pra, në cdo fushë të artit vendoset një primat, që duhet rrëzuar nga dikush tjetër. Unë për shembull antagonistin e shoh në prizmin e primatit të vendosur në art. Një antagonist refuzon të njohë një primat tjetër, përsa kohë nuk bindet për këtë. Supozojmë një skenar të tillë në skenën muzikore: unë jam absolutisht e bindur që primatin në muzikën rock, e kanë vendosur Led Zeppelin. Sipas meje është një primat i pathyer akoma. Nisur nga kjo vetëdije e primatit, do të ishte thuajse e kotë që të më mbushet mendja se ka një grup më të mirë se ky, dhe këtu nis ndjenja e refuzimit për dikë tjetër që unë e kuptoj haptazi që nuk e thyen primatin (supozojmë Pink Floyd, apo Rolling Stones). E kuptoj, që është pak tendencioze si ide. Por e njëjta vlen për cdo fushë të artit. Pra, a nuk mendon që antagonizmi në art, i referohet më shumë një perceptimi (shije individuale) të primatit, sesa fetishizimit të aksh autori. 

Miredita Lirka,

Keshtu, ideja jote eshte se ne çeshtje arti, gjithkush ka nevoje per nje patriark, rreth te cilit e me te cilin krahasohen pastaj te gjithe. Nuk besoj se artet mund te futen e pergjithesohen keshtu. Mendoj se ka nje ndarje te qarte mes Letersise dhe te gjitha arteve te tjera. Letersia eshte meditimi par excellence, dhe asnje art tjeter nuk t'i ve ne levizje te gjitha shqisat dhe neuronet. As kenga, as piktura nuk e ka fuqine permendese te letersise, te fjales se shkruar. Dy te parat ngulen ne te tashmen, ne perjetimin e çastit, ndersa e dyta perfshin kohe e pa kohe, hapesire e pa hapesire. Keshtu, eshte shume e veshtire t'i caktosh vetes nje idhull ne letersi, ashtu siç e bejme kete ne muzike apo pikture.

Ne letersi, me teper se per idhull, mund te flasim per nje buqete emrash te cileve iu detyrohemi diçka nga ç'jemi vete. E megjithate, shkrimtaret e medhenj jane ata qe s'japin asnjehere pergjigje, por thjesht shtrojne çeshtje. Per rrjedhoje, ata behen te medhenj ne syte tane sepse nuk na shtypin e nuk na derrmojne si lexues te vegjel qe jemi. E kunderta ndodh me shkrimtaret e vegjel pa peshe, te cilet jane gjithe pergjigje, nganjehere pa asnje pyetje. Keta e ndrydhin lexuesin, e marrin per nje debil. Mirepo, pervoja tregon se shume vetave iu pelqen te merren per debile nga shkrimtaret, nga ku kemi adhurimin ne kult te disa prej ketyre te fundit (Coelho, Gavalda, etj). Vetem keta arrijne te formojne radha te gjata prej qindra metrash per nje dedikim. Shkrimtaret e medhenj mund te terheqin nja dhjete vete, edhe keta madje disi te ngrysur qe shkojne me teper per ta degjuar shkrimtarin sesa pare me sy dhe marre nje firme.

Zepelinat, po, eshte e vertete se eshte e kote te flasesh me dike qe i adhuron, por ama kjo eshte normale sepse kenga nuk ka "consistance" (qendrueshmeri), ajo eshte kalimtare, e perkohshme, me te mbaruar notat e muzikes, mund te themi se ajo ska ekzistuar kurre. Ku eshte kenga pasi ajo ka mbaruar ? Askush s'mund te na e thote kete. A eshte shtypur gjekundi ? Ajo eshte thjesht nje vale zanore qe rrjedh ne kohe dhe fashitet, zhduket. Ketu, ndjesia eshte vertet e thelle por tejet e perkohshme, dhe hyn me teper ne ate qe mund ta quajme "epidermike". Jo me kot, kur duam te themi se e duam shume nje vajze apo nje djale, fusim fjalen : ajo goca me ka hyre ne lekure, dmth shkakton ndjesi te thella e te fuqishme. Dhe kjo ka me teper mundesi te gdhendet ne kujtesen tone trupore, e te mos pranoje me asnje kompromis : nese e kam ndare njehere mendjen te dua Queens, mund te vije gjithe bota tek une, ata rrine te pashfronesueshem. Kurse me librin eshte ndryshe : ai vepron ne afatgjate, dhe nuk mjaftohet thjesht me ndjenjen, ndjesine, por futet ne lemin e refleksionit i cili hap fusha te tera perpara. Keshtu, autori qe sapo lexuam, megjithese na ka pelqyer shume, me ka lene mua te lire te veproj me refleksionin tim dhe madje, nganjehere, te ndryshoj qasjen apo kendveshtrimin tim te botes. Nje lexues i tille, me kalimin e kohes, e sheh autorin me teper si shok, sesa si epror. Marredhenia vertikale qe ti vendos me Zepelincat, kthehet ketu ne marredhenie horizontale. Kurrfare vendi per adhurime te çmendura.

Hurbinek,

Për artin mund të flasim shumë, por pa dyshim duhet të dallojmë perspektivat: perspektivën e artistit nga perspektiva e artdashësit. Këtu nuk dua t’i turbulloj këto dy perspektiva. Nëse thua që në çështje arti gjithkush ka nevojë për patriark, këtu ngatërrojmë perspektivën. Jo, nuk është patriarku, që unë kam nevojë, por është primati. Lidhur me artet (letërsia është art, apo jo) mendoj se duhet të ekzistojë një premisë e përgjithshme. Kjo premisë do të ishte: arti na bën mirënjohës. Arti këtë qëllim duhet të ketë: të të bëjë mirënjohës. Nuk ka art të mirëfilltë, që të të bëjë mosmirënjohës. Këtu lind i gjithë adhurimi dhe refuzimi për artin e jo për artistin. Këtu lind dhe primati i artit, e jo i artistit. Cili art, cili artist, cila vepër e këtij artisti të bën të ndjehesh më shumë mirënjohës. Mua do të më bënte letërsia për shembull. Por dhe muzika nuk gjendet shumë më pas. Mirënjohës ndaj kujt? Mirënjohës ndaj dhuratës. Dhuratës së pakufishme që lidhet me aftësinë për të kuptuar, ndjerë, shijuar, përjetuar. Nëse vepra është e tillë që mirënjohja të jetë thuajse aq e thellë sa dhurata, atëherë, kalojmë në kryeveprat dhe në primatin e artit. Primati, nënkupton për mua çastin kur nga ëndja shpërngulemi në mënyrë të beftë drejt përjetimit. Jo shumë vepra kanë këtë natyrë. Në letërsi për shembull, primatin e ruan për mua Dostojevski. Dhe jo e gjithë vepra e tij. Një libër i tij “Krim dhe Ndëshkim” është libri që më ka falur mirënjohjen më të thellë. Por, ka dhe disa të tjera, që mund të arrijnë në njëfarë vendi. Në muzikë do të ishte Led Zeppelin, me këngën: Stairway to Heaven. Emblematik titulli i këngës, apo jo?

Ne fakt, une nuk i njoh mire artet e tjera, perveç letersise dhe diçkaje qe ska pike lidhje me te, gjeometrise deskriptive. Nuk di shume te flas per muziken, jam amator, degjoj e shijoj dhe une, por pa shkuar me tutje. Une e pranova ekzistencen e piketes, por ama, ne rastin e letersise, thashe se s'mund te kemi vetem nje pikete (perndryshe biem ne idhujtari), por disa piketa, disa referenca. Asnje liber s'mund te marre persiper te na ndryshoje jeten, mendjen, natyren. Por jane nje grumbull shkrimtaresh ata qe do te punojne pak nga pak ne shpirtin tend. Ama une i qendroj idese se keto piketa nuk mund te zene vend pa nje zemergjeresi nga ana e lexuesit : t'ia jape mundesine kujtdo. Lexuesi, me kalimin e viteve, ngjan me nje oenolog : asnjeri nuk e çon veren teposhte, dhe secili prej tyre e merr vesh veren menjehere. Ama ai duhet t'i provoje ! Ndryshe mund t'i ike nga duart nje milezim i rralle.

Po ta jap me nje figure tjeter, lexuesi na paraqitet keshtu :

Ne fillim, te gjithe fillojne si sinkretiste : perpijne gjithçka ç'tu dale perpara. Libra te mire e te keqinj, mund ta quajme koha e "ngazellimit".

Pastaj vjen koha e "ngurimit", e ketyre qe nuk e dine ende çfare duan. Dhe ne fund, koha e antagonisteve, te regjurve. Keta e dine me ne fund se iu duhen 5 vete, dhe nuk hapen me. Kjo eshte koha e "kokefortesise". Nga naivi i pare, kalojme tek skeptiku dhe perfundojme tek i regjuri qe s'i ben me pershtypje asgje. Nuk kam ndonje liber qe ta ve ne altar. Kur e kishim kohen te fluturonim me endrra Holden Caulfieldash, ne lexonim tulla 1000 faqeshe balzakesh. Ne kemi qene viktima te nje keqtrajtimi qe ende s'ia kemi bere mire autopsine. Nuk mendoj se do te na kthehet tani ai gezimi i leximit te adoleshentit. Do te perfundojme te qepur pas sigurive tona, te paafte te marrim kthesen, si mauna 25 metershe ne Qafe-Kerrabe. Por perpiqemi. 

Hurbinek,

 

Unë në fakt i mëshoj përherë dhuratës. E kjo dhuratë duhet të na bëjë mirënjohës!  Por, për të qenë më e qartë, dua të të bëj një pyetje. A të ka ndodhur ndonjëherë të mendosh: Kjo vepër është këtu vetëm për mua! Jam pothuajse e sigurtë për përgjigjen. Përgjigja me shumë gjasë do të jetë mohuese. Pse? Sepse, rrallë, shumë rrallë jemi vetëm për vetëm me veprën. Jemi përballë veprës, por jo vetëm për vetëm me të. Nëse do të jesh vetëm për vetëm me veprën, nuk ke mundësi të përdorësh shprehjen piketë. Piketa është e ngulur diku jashtë, në mjedisin rrethues. Ndërkohë, të jesh vetëm për vetëm me veprën, do të thotë të harrosh mjedisin rrethues. Ky është primati i veprës.

Për shembull: unë kam qenë VETëM me veprën e Dostojevskit. Jam në gjendje të kujtoj me imtësitë më të mëdha, se kush ma dha, si ma dha, kohën kur nisa ta lexoj (ka qenë në klasë, ndërkohë që shpjegohej mësimi), por nuk jam në gjendje, që të kujtoj më pas mjedisin rrethues. U gjenda më pas vetëm për vetëm me veprën.

Njësoj dhe për Kierkegaardin. Kam qenë vetëm për vetëm me veprën e tij. E kam madje të fiksuar që në çastin kur e kam parë veprën e Kierkegaardit. Të renditur përkrah librave të tjerë në bibliotekën e një të afërmi tim. Që nga ky moment nuk ka filozof tjetër për mua. Unë u gjenda vetëm për vetëm me të. Të tjerët janë piketa. Ky është primati.

Pra, për ta përmbledhur, unë nuk besoj në vlerën përmendëse (sa fjalë të bukur që ke përdorur!) të letërsisë, por në vlerën përhumbëse të saj!

Mirembrema Lirka,

Ne nje tekst shume te bukur te Marcel Proust, te titulluar "Mbi leximin", ai e shpjegon shume mire kete qe thua ti : vjen nje kohe, thote ai, qe kujtimi yne mbi nje liber nuk lidhet me me ate çfare thuhej ne te, por me rrethanat kur kryhej ky lexim. Sepse, edhe ai e ndjente kete boten vetem per vetem me autorin. Dhe kete e shpreh me grenxat qe i rrotullohen e qe ai s'i sheh, e me diellin qe zhvendoset duke e hequr Proustin ndaj hijes, e me nenen qe e therret te haje buke dhe ky qe ngrihet me pertese. Por kam frike se kjo nuk lidhet dhe aq me emrin e autorit (primatit) siç i thua ti, por me teper me magjine e leximit. Une kam qene tek shtepia e halles se Proustit, pikerisht ne dhomen ku flinte e lexonte Prousti i vogel 7-8 vjeç. Eshte me te vertete nje mini-bote e ndertuar posaçerisht per lexim. Gjithçka ne ate dhome te krijonte nje atmosfere te çuditshme, a thua se me hapjen e faqes se librit, shpalos qilimin dhe fluturon. Por Prousti nuk ndalet vertet tek nje emer i veçante autori.

Sidoqofte, une per vete, siç e ke nuhatur dhe ti, nuk kam keshtu libri qe te me duket se e ka shkruar vetem per mua. E kam lexuar librin e verdhe "Tre shoket" ne nje moshe shume te re (rreth 12 vjeç), dhe megjithese ishte nje liber i veçante nga ata ç'lexoja rendom, perseri nuk me goditi aq "rende". Mbase shume gjera s'i kuptoja, por sidoqofte keshtu ishte. Nje liber qe mund te them se mund ta kem rilexuar me dhjetera here, ishte nje liber per femije "Misteri i Gjarperit me Pende". Ende sot s'me kujtohet autori, por ngjarjet me kujtohen disi, heroi isha "une". Keto jane lexuar diku para gjimnazit, sepse periudha e gjimnazit mund te kete qene me shkaterruesja per trurin e nxenesve qe ishim, vetem ne gjimnaz indoktrinimi te shkerrmoqte neuronet, nga kjo periudhe s'mbaj mend asgje te hajrit, thesari im ka jetuar deri ne moshen 14 vjeç. OK, se nuk eshte ketu çeshtja.

Nuk kam primat, ne kuptimin qe e perdor ti. Po lexoja para ca kohesh nje romancier korean, ja, thosha me vete, ja nje Nobelist i mundshem.

Ka shume perkufizime per librin e mire : eshte i mire ai qe do te kishe dashur te dilte nga duart e tua.

Permendja dhe perhumbja jane ne fakt dy shoqe te pandara, ane te se njejtes medalje : kur perhumbesh, ne fakt ti permendesh tek diçka qe s'eshte me aty, je ne nje bote tjeter. Si ta them, gjate nje leximi, ti sjell ndermend (permendesh ne) nje bote e cila te "perhumb".

Hurbinek,

Faleminderit për përgjigjet. Është shumë interesante të  dëgjoj për librat e tu të dashur. Sigurisht, ideja që unë kam hedhur për reflektim, është dhe pasojë e një ideje akoma më të përgjithshme që unë kam. Ideja e përgjithshme që kam unë është: asgjë nuk është rastësore. Jemi të gjithë pjesë e një plani të mistershëm dhe gjithçka ka një ndërlidhje të mrekullueshme, dhe pse ne nuk i japim aspak rëndësi imtësive që na rrethojnë. Pse e solla shembullin e Dostojevskit? Sepse është jashtëzakonisht domethënës për mua. Këtë libër ma ka dhënë një pinjoll i regjimit të kaluar. Fjala pinjoll rezervohet për djemtë, por këtë radhë ka qenë një vajzë, më saktë një mbesë e regjimit të  kaluar. Një mbesë e regjimit që më jep një libër të atillë. Një mbesë me flokë të arta, që mund të konsiderohet një mbesë e artë e regjimit. Po, po. Një mbesë e artë! Tepër e bukur. Kjo mbesë e bukur e regjimit, më jep një libër që as kishte marrë mundimin ta lexonte. Kujtesa ime mund të riprodhojë ekzaktësisht mënyrën se si mu dorëzua libri. Pa asnjë lloj respekti për të. Libri sikur duhej të shkarkohej diku tjetër. Pra, ideja e shkarkimit të librit më është ngulitur në kujtesë. Por, libri nuk u shkarkua gjatë diktaturës, por gjatë demokracisë. Pra, që këtu mendova, barra e këtij libri që ishte kaq e lehtë të mbahej në diktaturë (mbahej me ëndje madje), shkarkohej me një lloj sikleti në demokraci...  

Floket e tu te arte, Margaret,

Floket e tu te hirte, Sulamith.

______

Kjo ben pjese ne ato ironite e neveritshme te Historise : ndonjeri mund te kishte ngrene ca vite burg me akuzen per letersi "borgjeze" (Dostojevski), ndersa tjetri (i pales se "mire) vjen me liber ne dore e te thote : "Po pse, vertet per kaq gje te futen ne burg ? Nuk e besoj." Perversiteti qendron ne kete se marresi i librit fillon e dyshon tek vetja : "Me siguri qe e ndaloja veten vete, se s'paska pasur censure, jam fajtori i vetes. Perfundimisht, paska qene shume e lehte kjo puna e librave."

Hurbi, me kujtove kete smiley

Legjenda e Floçkës së detit 

Floçka e detit te ne, në mitologjinë tonë është një fenomen i cili mund të ndeshet edhe në mitologjinë e popujve të tjerë si p.sh tek ajo greke ku quhet sirenë, apo asaj gjermane me emrin Lorelei. Te grekët në kohën antike si femra të bukura, me bukuri dhe me këngë kanë terhequr vëmendjen e detarëve duke shkaktuar gjithmonë rrezik. Gjithashtu edhe Lorelaj në mitologjinë gjermane me këngën e saj duke krehur flokët e arta me një krahër të artë, lart mbi një shkëmb, aty ku është rreziku më i madh, tërheq vëmendjen e marinarëve dhe u shkakton rrezik.
Shpeshherë, pra, kjo bukuri e femrës me bukuri magjike, shkakton rrezik për marinarë, por gjithmonë plot fantazi i cili në fund çon deri te shpëtimi. Te ne, në mitologjinë tonë, por edhe më vonë, Floçka paraqitet si një femër me një bukuri të jashtëzakonshme, gjysmë femër, gjysmë peshk. Kjo Floçkë, siç e ka quajtur populli jonë, shpeshherë është paraqitur te Punta e Nuradinit dhe nganjëherë te Guri i Vogël i Limanit, dhe gjithmonë duke krehur flokët e zeza kaçurela, me krahën të artë, ka terhequr vëmendjen e kalalive, posaçërisht atyre të cilët rrinin çdo ditë në Pazarin e Gjytetit. Legjenda e Floçkës është treguar brez pas brezi duke u shtuar dhe duke u qendisur për gjenerata të reja.Unë e kam dëgjuar një version nga kohët e lashta të cilët shpeshherë e kanë treguar të parët tanë.Nga Pazari i Gjytetit, pra ku shihet deti, njerëzit gjithmonë para se shkonin në shtëpi e vështronin detin, janë ndalur një çast, dhe shumë nga këta kanë imagjinuar ta shohin Floçkën. Deti gjithmonë ka sekrete të ndryshme. Ende edhe sot është ashtu, posaçërisht në ato kohët e lashta kur këtij qyteti nga deti i vinin të gjitha të mirat, por edhe të këqijat.

Shumë nga keta njerëz kanë ëndërruar për bukurinë Floçkës së detit, dhe shumë nga keta dëshironin edhe ta zënin me rrjetë si peshk. Një peshkatar i varfër por i ri, për çdo natë kurdo që lëshonte rrjetat në det luste Zotin t’ia tregonte vendin ku ti lëshonte ato, me shpresë se do ta zinte Floçkën. Ditë për ditë njësoj, rrjetat boshe por shpresën kurrë nuk e humbi. Kështu një natë të qetë e të bukur në ëndërr iu duk se Zoti i detit ilir Bindi i tregon se ku t’i lëshojë rrjetat. Në mesnatë çohet, merr sandallin dhe rrjetat nga Kacemja, dhe shkon ngadalë me rrema aty pas Gurit të Madh afër Lugut të Xhemiles, në vendin të cilin e pa në gjumë. Kaloi një kohë e gjatë dhe peshkatarin filloi ta merrte gjumi. Ishte qetësi edhe asgjë nuk lëvizte. Pak para se të zbardhte drita u dëgjua një gjamë pranë sandallit, dhe ashtu përgjumshëm peshkatari tërheq rrjetën, dhe nuk mund të besonte se kishte zënë Floçkën e detit, ëndrrën e mijërave detarë para tij.

Menjëherë ia hoqi këmishën me çka ishte i mbuluar trupi i saj, dhe pa të cilën ajo nuk mund të jetojë në det, dhe pranë tij doli një grua me një bukuri të mahnitshme. Menjëherë pa zbardhur drita, vjen në shtëpi, e fsheh këmishën e saj nën prag të derës, dhe shpall se don ta martoj Floçkën, çka edhe ndodhi së shpejti. Prej një peshkatari të thjeshtë u bë njeriu më i lumtur në botë.
Mbi njezet vjet jetoi i lumtur. Nga kjo martesë lindën tri vajza të bukura me flokë kaçurrela ashtu siç i kishte nëna e tyre. Kaluan pra 20 vjet dhe peshkatari kurrë nuk ia tregoi Floçkës se ku e fshehi këmishën e saj të detit. Mirëpo me insistimin e saj t’ia tregonte, sepse ajo tash ishte nënë me tre femijë, dhe nuk i shkon ndër mend të ikte, peshkatari bëri gabimin më të madh në jetën e tij. I tregoi se ku e ka fsheh këmishën. Bëri gabimin më të madh në jetë duke i besuar gruas. Floçka pavarësisht se kishte tre fëmijë dhe mbi 20 vjet jete me peshkatarin e Kalasë, kurrë nuk mundi ti adaptohet mjedisit të ri.

Kështu një natë me stuhi e me furtunë dëgjon nga thellësia e detit zërin e thirjes, çohet ngadalë ,vesh këmishën e cila ishte në thes nën prag të derës, puth vajzat në gjumë dhe me sy plot lot ulet në Puntën e Nuradinit. Ngadalë lëshohet në det dhe tretet në thellësi të detit dhe në legjendë. Neve na i ka lënë tri vajzat bukuroshe me flokë të zeza kaçurrela, dhe njëra prej tyre më vonë do t’i shërbente Servantesit të madh, të cilin si rob lufte e sollën këtu te ne, në Kalanë e Ulqinit, si inspirim për personazhin më të famshëm të letërsisë botërore “Dulsinejën” e Don Kishotit. Nuk e dimë se, a ka dëgjuar Servantesi për Floçkën por e dijmë se Dulsinea, emri famshëm nga trashëgmia jonë sot stolisë mijëra biblioteka anë e mbanë botës.

Ulqin,nenetor 2005
Ismet KARAMANAGA

teper e bukur vertet historia e flockes se detit

ndersa per servantesin, e kam degjuar ne nje dokumentar qe ai ka qene i kapur rob nga piratet ne ulqin dhe mbajtur rob aty per 5 vite, meqe ulqini ishte shpallur nga perandoria si porta e pirateve...

ne dokumentar thuhej se  emrin personazhit te dylqinjes, ai ia vendosi per nder te ulqinit, gje te cilen e mora disi me rezerva, pastaj mendova qe ne shqiptaret vertet nuk para qullosim ndonje gje te madhe per veten tone, por ama per letersite e kombeve te tjera paskerkemi dhene goxha kontribut

Hurbinek,

 

Flokët nuk mund të jenë kurrë një detaj i papërfillshëm. Jam e mendimit që flokët marrin hera-herës peshën e një deklarate, ‘statement’. Sidomos tek vajzat. Nëse e mendon, është i vetmi atribut natyror, që njeriu ka mundësinë ta ndërrojë si t’i teket. Duke qenë se është atribut natyror, por i lënë në dorën e njeriut për ta modifikuar “brenda disa kufijve”, mënyra se si njeriu i ndryshon flokët është ndonjëherë e një rëndësie të dorës së parë. Mund të gjykosh kaq shumë për iluzionet e njeriut, duke u mbështetur vetëm tek ndryshimi i atributit natyror. Ka vajza që duan të duken më të reja, disa duan të duken më të pjekura, disa më capkëne, disa më serioze, disa më elegante, disa më të shthurura. Duam të theksojmë tek vetja, atë që mendojmë se ne e kemi, por nuk na e vënë re të tjerët. Gjithmonë ka një deklaratë tek flokët, modeli dhe ngjyra që u japim atyre. Kjo deklaratë është jetëshkurtër shumicën e herëve, pasi flokët mbeten një atribut natyror. Pra, vjen një kohë që ato kërkojnë mbrapsht atë që u ke marrë, ose ‘redeem oneself’. E bëra gjithë këtë parantezë, për të thënë, se flokët tregojnë historinë e iluzioneve të njeriut. Kur ato bien, ndjehemi të pambrojtur, sepse na duket sikur nuk kemi më iluzione.

Kam shkruar “flokë të arta”, por sikur ta dije se cfarë masakre është kryer mbi ato flokë të arta. Mund të thuhet që mbesa kishte nisur prej kohësh (në kohën që unë flas ishte diku tek të shtatëmbëdhjetat) të eksperimentonte me të kuqen dhe të kuqërremtën. Këto flokë (që duhej të ishin të arta), kishin provuar ngjyrat më të përgjakura të mundshme. Të gjitha variantet e së kuqes. Nga e kuqja e ndezur, tek e kuqërremta e fikur. Unë e kisha të pamundur fillimisht ta kuptoja fiksimin e kësaj zonjushe me ngjyrën e kuqe. Vërtet! Ngjyra e artë e flokëve të saj kishte perënduar njëherë e mirë. Aq sa në fund, (pra, pa mbushur as tetëmbëdhjetë vjec) ajo i kishte oksigjenuar (zbardhur). Këto eksperimentime kishin vlerën e një deklarate për mua. Por, besoj, se nuk është vendi, që të mund të flas për këtë. Madje, më duket se e kemi lënë shumë pas dore prurjen.  

Lirka, jam kurioz, femrat e cthurura, si i mbajne floket? 

Spiritus,

 

E kam vendosur enkas këtë fjalë. Nisem nga parakushti që natyra është e perkryer. Harmonia e pigmentit të fytyrës me atë të flokëve, të vendosur nga natyra për mua është e paarritshme. Pra, teknologjia mundet të përtheksojë këtë raport, por nuk mund ta lëkundë, apo ndryshojë atë. Nëse kemi një rëndim të pigmentit të flokëve, krahasuar me atë të lëkurës, kalojmë në një nënvizim shthurjeje (jo atë që mund të mendosh) që është një nëncmim i raportit të natyrës. Përfytyro një zeshkane me flokë të verdha. Lidhur me komentin më sipër, dëshiroj vetëm të sqaroj që e kuqja nuk është një ngjyrë që unë e përbuz. Krejt e kundërta. Ajo është gati aq lëbyrëse sa e bardha. Këto dy ngjyra janë shumë të dashura për mua. Madje, për ta ilustruar, në formë përshëndetjeje, për t’u larguar, po vendos dhe një fotografi që në një kuptim e kam monopolizuar për shumë kohë. Ka qëndruar gjatë në krye të dhomës time:

Por, këto dy ngjyra: e bardha dhe e kuqja pra, përbëjnë entitete të ndryshme. Mënyra e bashkimit të tyre, është një dhe vetëm një: Kjo foto më poshte. E bardha simbolizon dashurinë që lind nga e mira (lëbyrëse sa më s’ka), ndërkohë e kuqja, simbolizon mëshirën, ose dashurinë që tejkalon të keqen.    

Yessss!
Komenti 22:27, ma ngroh zemren.

Nuk di a isha i qarte por besoj se keto fjale duheshin thene.

Ha ha ha

Clirohu, Hurb, clirohu, nxirre dufin qe ke brenda!

Me gllaberoi ky blogu yt!Nuk besoj te kem pare ndonjehere floknaje me te bukur!

Nga ato pak qe lexova do te vecoja,"Manual per cader-mbajtje","Per Gestin",poezia "Ne kremastaret e pikellimit".Me pelqeu gjithashtu edhe paragrafi qe po citoj me poshte...

...se të duash të fitosh ca zgjedhje me “fair play” në një vend si Shqipëria, është si të duash të japësh një koncert për piano dhe orkestër përpara një salle të mbushur plot e përplot me kanibalë, ku përpara se dirigjenti t’i bëj shenjë orkestrës të fillojë të luajë, ata (kanibalët) ndërkohë e kanë ngrënë orkestrën me gjithë dirigjent.

Nuk me mbetet gje tjeter vecse te uroj suksese dhe ti rikthehem serish leximit!

Flo ,te uroj çdo te mire....Nje poete e vertete,me kembe ne toke,qe nuk merr per se koti.E  mrekullueshme ,pa brenga te medha ekzistenciale.Uroj tqe rruga e poezise tende t ejete kjo ,jo militantizmi edhe te jesh e angazhuar (nuk ka asgje te keqe megjithate).

Urime, poezi të bukura, të ndjeshme me mesazhe të qarta.....

Zana e dashur;

“When I give food to the poor, they call me a saint. When I ask why the poor have no food, they call me a communist.” Dom Helder Camara

Tanku faleminderit!

Kishte nje kohe ketu qe sa here kush dilte nga tema me ndonje koment, kerkonte falje, e nuk e vazhdonte punen gjate. Sidomos kur ishte letersi.

Nuk e kishim mesuar kete punen e tirqeve qe dikush duhet me i pjerdh gjithnje.

Flo, te bukura poezite.

Faleminderit Jul!

Per mua nuk eshte problem dalja jashte teme nese debatet jane per letersine.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).