Javën tjetër familja jonë ka radhën të mbajë gjyshen. Ardhja e saj tani bëhet urtë e pa shamatë. Nuk e ndjekin pas fjalosjet apo mëritë e tezeve dhe të xhaxhallarëve si dikur kur ishte gjallë, ngaqë gjyshja tani shkon e vjen e heshtur. Sot ajo është veç një dorë hi, brenda një shisheje në formën e një pike loti. I vetmi send që e shoqëron, një karficë e vjetër. Bindesh për të sa ta shkundësh shishen dy-tri herë. Pas qelqit do të shfaqet si një medalje e rrallë teli i lodhur nga vitet. Karfica ka nisur ta humbasë shkëlqimin si të rrëfejë mundim, ndoshta ngaqë edhe në shishe vazhdon të njëjtën detyrë: të zëvendësojë kopsat e munguara në trikon e gjyshes... Dikur karfica hynte edhe midis dy kopsave të rëna, që trikoja e gjyshes të tërhiqej në gjysmëharqe asimetrikë si rrjeta e merimangës mbi derën e konakut.

     Nuk e di pse gjyshes gjithmonë i mungonin një ose dy kopsa! Ishte peri i dobët? Paaftësia e moshës ta qepte fort? Apo lodhja e përgjithshme e gjymtyrëve, që e detyronte të gjorën gjithçka të rëndë ta mbështeste mbi bark?

      Ndaj dhe gjyshja nuk e ndante karficën. Me të ndjente siguri. Edhe kur trikoja i kishte të gjitha kopsat, karfica do i varej diku poshtë gjirit si një dekoratë speciale, e fituar pale në ndonjë mision të harruar.    

     Veç një ditë vjeshte, kur xhaxhai shkoi më në fund në fshat ta merrte gjyshen, që edhe ajo të jetonte në emigracion, çuditërisht gjyshja u shfaq tek porta pa karficën në gjoks. E kish lënë veten krejt mbas dore, si ata ushtarët e vendrojeve të largëta, që shthuren e shqepen ngaqë kapteri nuk guxon t'u kërkojë shikim rreshtor. Por një çast më pas e mblodhi veten: “Të më falësh që më gjete kështu, o bir!” – kërkoi falje dhe iu hodh në qafë.

      “E përse më kërkon falje!” - e pyeti xhaxhai i vogël, pa u ndalur në atë se ishte ajo që duhej ta falte. “Po ja, ngaqë jam katandisur.., ngaqë dola më derë pa karficën!”- e rregulloi në çast gjyshja, thua se tërë sakrificat e asaj cope jete në vetmi do i zhbënte prania e telit të sertë. U përqafuan paksa të ndrojtur, si dy të huaj. Gjyshja nuk e fshehu dot pikëllimin që pikërisht atë ditë harroi ta kapte karficën mbi triko, siç bënte këtu e tërë ata vjet në vetmi. Pastaj, si të mbulonte një turp të madh e të pafalshëm, i kryqëzoi fort duart mbi gjoksin që i gufmonte prej ankthit. Xhaxhai e vrojtonte mendueshëm: “Ah, ku do të çoj, moj e gjorë” - sikur thoshte shikimi i tij.

     Gjyshja, e përballur njëkohësisht me një gëzim të papritur dhe një mangësi thelbësore, nisi të fliste kuturu. Po qëmtonte për jetën plot vuajtje e halle që kish shkuar duke rritur djem e vajza që gati po ua harronte fare dhe fytyrën. Pastaj, si të bënte një përmbledhje të hamendësimeve, shtoi e prekur se prania e saj gjithmonë u shkaktonte dhimbje të tjerëve. Ndaj dhe nuk vonoi të qortonte veten: “U currufjasa, o djalë, nuk më she'? Ku shkoj të mbytem pa karficën time..?”    

      Vërtet, gjithë gratë serioze në fshat i përmbaheshin një kodi të pashkruar, i cili thoshte se as tek porta e oborrit nuk duhej të shkonin pa një karficë mbi triko. Por atë ditë hutimi justifikonte gjithçka. Po bëheshin vite që nuk kish ndjerë kaq gëzim. Ndaj dhe pak orë më vonë, kur u rehatua në taksi, nisi të bënte disa shenja të pakuptueshme me duar. Tregonte poshtë, ndenjësen e makinës. Pak më pas u mor vesh se ishte njomur. Taksisti ndaloi menjëherë. Për ta qetësuar gjyshja e sqaroi se nuk priste të njomej dhe se ishte hera e parë që po i ndodhte ky qamet. Por rruga ishte e gjatë dhe plaka u njom edhe tri herë të tjera, kështu taksisti i mbante duart sa në kokë, sa në timon.

     Qysh prej asaj dite lagia nga poshtë u bë e përditshme për gjyshen. Kështu që dhurata më e mirë, përveç ndonjë karfice të re, ishte ndonjë paketë me pelena pleqsh, për të cilat fillimisht u ofendua shumë. Por edhe pa to nuk bënte dot. Mbas çdo gëzimi që e përshkonte, pasonte e njomura nga poshtë. Ndaj dhe xhaxheshat nuk ia kursenim qortimet shoqëruar me pelena. Ndërsa xhaxhallarët i sillnin ndonjë karficë që plaka të gëzonte e të qeshte si fëmijë. Kështu asesuari që i pat munguar në vite, po i bëhesh grumbull në kanistrën vogël poshtë krevatit.  

    Por një ditë, kur xhaxhesha e vogël u kthye më shpejt nga puna dhe pa se gjoksi i plakës ndrinte nga karficat e shumta, u nxi si kalliri i përcëlluar mbi flakë. Pasi informoi për këtë “dëngël të madhe” xhaxhanë në celular, u kthye e turbulluar nga gjyshja: “Moj vjehrrë, këtu bluzat janë plot me kopsa, nuk është nevoja ta mbushësh trikon me dekorata, sikur na kthehesh nga lufta me karkalecat!”

      Gjyshja e shikoi me frikë dhe dyshim. Nuk donte të besonte se karficat e saj të dashura i turbullonin aq shumë të tjerët. Shtatë vjet e nëntë muaj e vetme në fshat ajo vepronte e lirë, jashtë çdo lloj kontrolli dhe përkujdesjeje. Vajtonte me ligje sa herë i donte qejfi. Hante kurdo që e merrte uria, duke zbehur rëndësinë e mëngjesit, të drekës apo të darkës. Vendoste dhe hiqte karficën e vetme dhjetë herë në ditë, e po të kishte më tepër karfica, të gjitha do t’i kapte mbi triko e askujt nuk do t’i jepte llogari...

        Por tani ndodhej larg fshatit, në sallonin me perde të nuses. Në një dhomë të lyer nga xhaxhai me okër plastike, ku papritur lindi përplasja ngaqë plaka adhuronte karficat. Magjepsej nga shkëlqimi i tyre. Kurse nusja i urrente, dhe sa herë diskutonte me simotrat e saj, fillimisht u përshkruante lagien nga poshtë të plakës, mandej improvizonte për karficat që gjyshja i donte varur si rrush në gjoks. Ato, pasi shkriheshin me rrëfimet sarkastike të kunatës së vogël, shpejt merrnin anën e saj. Në krahun e gjyshes mbetëm vetëm ne, nipat e mbesat që nuk mund ta ndihmonim shumë.  

       Kështu një ditë, mbasi e luti disa herë që të hiqte dorë nga karficat, nusja e të voglit, e mbështetur moralisht edhe prej kunatave të mëdha, qëndroi rreptë përballë gjyshes që mundohej të fshihte gjoksin të mbushur me karfica. E reja i tundi kokën me qortim: “Plakat e mira dëgjojnë kur u flasin, ti përse nuk dëgjon?”

     Gjyshja buzëqeshi dhimbshëm. Pyetja e nuses nuk donte mundim për t'u deshifruar. Pra ajo nuk hynte në klasën e plakave të mira. Gjyshja, pasi e vërejti një copë herë pa fjalë, u palos pak para sikur do i falej, por mendoi karficat, nuk ishte dakord me heqjen e tyre.

   “Posi, t'u lemë me dekoratat varur, se jeni brezi që e ndritët në të ri dhe në pleqëri!” – ironizoi nusja e vogël pensionin e paktë dhe jetën e mundimshme që gjyshja pat kaluar në kooperativën socialiste. Gjyshes iu mblodh një komb në grykë.  

     Ne ishim mbledhur kokë më kokë në një cep të dhomës dhe prisnim me ankth zhvillimin e ngjarjes. E vizitonim shpesh gjyshen, dhe shpesh dëgjonim debate apo qortime të ndryshme, të cilave gjyshja nuk u jepte rëndësi. Vetëm atë pasdreke, kur nusja e xhaxhait të vogël iu hodh papritur si kunadhe në gjoks dhe nisi t’i shkulë plakës tërë karficat e kapura mbi triko, ajo u trondit. Më saktë, u helmua, u vreros. U zverdh e u përdrodh si ajo gjethja e hardhisë kur i shkon flaka pranë. Çastin tjetër përfundoi gjithçka. Karficat gjendeshin të shkrehura përtokë si medalje të pamerituara, shkulur nga gjoksi i ndonjë tradhtari. Heshtja u bë e nderë. Fjalët e ngrohta për të asnjëherë nuk e kishin kaluar pragun e asaj shtëpie. A thua prisnin të fshehura diku mbas parmakut të dritares... Ne të vegjlit brenim thonjtë me padurim. Fytyra e nuses së vogël ishte skuqur pjesërisht prej zemërimit, si furnela që bënim fshehurazi në konvikt, me tullat e NSHN-së. Kurse mbi fytyrën e rrudhur të plakës nuk shquhej asgjë. Njollat e errëta nga vitet si rrjetë për maskim ajror, nuk lejonin ta dalloje lehtë gjakun e ngjitur në kokë. Atë çast, era që erdhi nga larg, la tek pragu i shtëpisë së tyre përdhese bashkë me shushullat e udhës, edhe disa lule prej jargavanit të komshiut. Nusja e vogël doli t’i largonte me duf: “Ah, unë e zeza, edhe ju më mungonit sot!”

        Atëherë u dëgjua zëri i prishur i gjyshes: “Të gjitha mund të mi marrësh moj nuse, por këtë nuk ma heq dot!” tha ajo dhe ledhatoi lehtë karficën e vet, të cilën e kish sjellë tok me trikon e leshtë nga fshati.

       Nuk e di pse, por gjyshja sepse mori pamjen e fitimtarit, ndoshta ngaqë iu vërtetua parandjenja për të mos e dëgjuar dikur as të birin, që e pat lutur ta linte karficën e vet në fshat, se aty ku do ta çonte trikot ishin plot me kopsa që nuk u këputen lehtë... Por plaka nuk e mbajti vesh dhe ja ku bëri mirë. Thua e dinte se një ditë do të mbetej përsëri vetëm me karficën e saj të dashur. Mbas pak, gjyshja më e lehtë prej peshës së karficave të shkulura egërsisht nga gjoksi i shpellëzuar, u ngrit ngadalë dhe u nis për tek jataku i vet. Udhës rregulloi pak karficën e vjetër me një gjest heroik dhe u dergj rehat në shtrat. Ne e ndoqëm pa fjalë. Na dhimbsej gjendja e saj, por ende nuk po ndanim kush kish të drejtë, ajo apo nusja e xhaxhait që na shpjegonte në mungesë të gjyshes, se është turp i madh, që në një vend të huaj, të vendosësh aq shumë karfica në gjoks. Vendasit janë gati të komentojmë se vijmë nga ndonjë xhungël me majmunë...

    Pastaj nusja e xhaxhait na pyeti si me shaka: “- Po ju, doni tani nga një karamele apo nga një karficë në gjoks?..

    "Më mirë nga një karamele!" - u përgjigja unë që shpresoja se mos ashtu ndreqej sadopak ndonjë ekuilibër. Atë ditë gjyshja qëndroi e mbyllur në dhomë. E mërzitur natyrisht dhe e pangushëlluar. Në atë gjendje e kaloi dhe gjithë natën.

     Mëngjesin tjetër, pasi u bind për karficën e mbetur varur në gjoks, mori e vetme rrugën për tek kisha e lagjes, dy ngushtica më poshtë. E përshëndeti priftin me atë gjuhën e vet arkaike dhe i rrëfeu me të shpejtë se edhe ajo ishte bijë prifti. Pastaj nisi t’i rrëfente hirësisë rëndësinë e karficave. Prifti e dëgjonte me një buzëqeshje të lehtë. Siç duket nuk po e merrte seriozisht gjyshen, e cila porsa e ndjeu këtë gjë, shtoi me bindje se nuk ka turp më të madh për një grua të sërës së saj se të mos ketë të zëvendësojë kopsën e rënë papritur prej trikos, fundit, bluzës apo dhe gjoksmbajtëses. Atë çast prifti e preu buzëqeshjen. E shikoi gjyshen si të ish ndonjë kucur që nxjerr deti në breg, e nuk e lejon të kthehet pas, por e tallanis vazhdimisht tutje-tëhu. Pastaj seç iu kujtua karfica e florinjtë me kokrrën e limonit e të ëmës, që ditën e martesës ia bëri dhuratë nuses së vet. Oh, sa shumë debate kish ngritur midis dy grave ajo karficë! I gjendur midis nënës dhe nuses, prifti i ri nuk mundi t’ia prishte asnjërës. Ashtu u ngrys ajo punë, me sherr e shamatë derisa e ëma ndërroi jetë.  

   Për pak prifti u përmend:

     - Domethënë nusja nuk ju lejon të kapni karficat në gjoks! - mërmëriti ai si i përhumbur duke e shikuar gjyshen në sy, megjithëse kjo nuk ia përmendi fare çështjen e nuses. E shtangur gjyshja po e vërente priftin si të qe ndonjë magjistar. Si është e mundur të ma zbulojë kaq kollaj hallin? Epo kot nuk i fotis perëndia këta njerëz! - mendoi plaka duke i iu lutur të mos bënte as gjysmë fjale për këtë çështje. Ndryshe nuk dihej si do t’i shkonte halli.    

    “Sido që të vijë puna, unë nuk ju kam thënë gjë!” – i tha gjyshja dhe u ngrit të shkonte. Vërtet, më tepër u ngatërrua sesa u qetua në shtëpinë e zotit.

  “Ah, moj e gjorë, mos mendo se zgjidhen lehtë hallet, nëse midis njerëzve hyn karfica..!” - i foli ai nga pas, tek po mbyllte portën. Gjyshja nuk iu përgjigj. As të nesërmen nuk i rrëfeu për plasjen e freskët me të renë. Kështu u kalit miqësia e tyre, me sekrete të gjyshes që prifti i shkodonte lehtë. Pastaj derdheshin ngushëllime të përgjithshme, pa qejfmbetje apo cytje. Mbas disa kohësh, gjyshes nuk i mbanin këmbët të shkonte në kishë. Zuri krevatin dhe kollitej thatë. Ashtu papritur ajo nisi kojdhelet e fundit të udhës së jetës. Prifti vinte dhe e vizitonte vazhdimisht. E inkurajonte sa mundte duke e përgëzuar në fshehtësi për karficën e varur poshtë gjoksit të saj të tharë. Vërtet atëherë gjyshja qetësohej, pasi bindej më parë për praninë e karficës. E dëgjonte njeriun e zotit pa fjalë, me një shikim miqësor, duke e mbajtur njërën dorë mbi dorën e tij dhe tjetrën mbi karficë, si t’i lutej në fshehtësi se e dëshironte përgjithmonë atë send pranë vetes. Nuk kaloi shumë kohë dhe gjyshja e humbi çdo kontakt me ambientin. Një mëngjes u gdhi symbyllur. Flokët e rrallë i kishin ngrirë anash, shkelur dosido si të kukullës kokëkashtë. Thua se flinte mbi ndonjë tufë belismë që porsa u ka shpëtuar zjarreve të gushtit.    

      Për herë të parë atë ditë, xhaxhai i vogël dënesi keq. Dukej i penduar e i vrarë thellë në shpirt, ngaqë nuk e lejoi plakën të mbante mbi gjoks karficat që dëshironte. Kurse nusja e tij, edhe atë çast të dhimbur tek po e përcillnim plakën në kasë, deshi t’i hiqte nga gjoksi dhe karficën e fundit. “Është diçka e tepërt dhe pa vlerë!” - u shpreh ajo thatë, por prifti që u gjend aty në ditëmortin e gjyshes nuk e lejoi. Madje u interesua që edhe mbas djegies, karfica si dëshmi e vetme dhe e pakundërshtueshme e indetitetit të saj, të hynte në shishen e hirit. Dakord, thanë njëzëri dhe xhaxheshat e tjera për t'u dukur të mbara, qoftë e bërë! Kështu, qysh prej asaj dite debatet janë venitur në familjen tonë, por nuk janë fikur krejt. Rindizen menjëherë kur kujtimet marrin udhë, sa herë mes hirit shquhet karfica e vjetër e gjyshes.      

                                                                                                               2012

 

 

12 Komente

Shume e bukur! 

Rrefimi permes syrit te nje femije e ben kete drame familjare, gri per nga thelbi, te marre ngjyra humori te trishte. E rrefyer nga nje i rritur, kjo fabul do ish e rrezikuar qe ne fillim. Ndersa metafora e karfices, si nje element qe ne thelb ka bashkimin, por sjell grindje e percarje, eshte shume e gjetur. Familja eshte nje mister i vertete, dhe asgje nuk te rendon ne shpirt me shume se barra e njerezve dikur te shtrenjte, por qe ne rrjedhen e kohes e humbin rendesine e tyre si rezultat i perparesive te reja. Tregimi nuk merr persiper te japi zgjidhjen e konfliktit te perhershem mes brezave, por qofte dhe i tille si nje kronike e viztuar me penelata te shpejta, por shume poetike, eshte nga ato lloj krijimesh qe nuk i harron me.

Pergezime te sinqerta!

Motiv i mrekullueshem. Ishte bere nje kohe, qe nga ato rrenjet e manave te S. Sinanjt, qe s'po shihja te nje force te tille.

Eshte nga ato motive qe te vjen keq qe s'i pate vete!

shumë, shumë e ndjerë! 

 

Shume e bukur.E shkruar me mjeshtri dhe me mjaft klas.Eshte nje emocion kolektiv,qe na kujton pernjimend gjyshet,nga te cilat domozdoshmerisht ne kemi ca brinje te perbashkta.Urime !

thanks bois. natyrisht qe fjalet e mira ngelen te mira, dhe aq me mire kur vijne nga njerez qe levrojne holle letersine. 

Miri ka tregime vertet te mrekullueshme.Ka nje tjeter per lakuriqet e nates qe kane bere nje fole ne ballkonin e shtepise i cili me rrenqeth sa here qe e lexoj.

Ajo qe me trondit me shume ne tregimet e Mirit eshte fakti se si ai zgjedh nje send dhe e kthen ate pastaj ne simbol.Kjo ndodh pothuajse ne te gjitha tregimet e tij...Lakuriqet,Kepucet e vdekjes,Divani me susta,Derri etj,etj.

Gjithashtu eshte i admirueshem respekti qe ai ka per fjalen si lende.E harxhon me kursim,por nuk le boshlleqe.Frazat e tij nuk kane fjale te teperta,por njekohesisht nuk u mungon asgje.Tregimet e tij te kujtojne ato kopeshtet e meraklinjve:cdo pellembe toke eshte e punuar,e paster dhe e prodhimtare.

Prania e tregimtareve si Miri eshte e domosdoshme,pothuajse misionare,sidomos kur letersia shqipe eshte permbytur nga qindra mijera faqe pa kuptim,nga mijera libra pa dyer e pa dritare,nga qindra "shkrimtare" te cilet ushqehen me leter.

Urime Miri!

 

 

Shumë e bukur! Të lumshin duart e të falemnderit!

Me mallengjeve me kete tregim te shkruar me kaq mjeshteri, si per nga gjuha, dhe menyra sesi i paraqet personazhet. Te gjithe kemi patur gjyshe qe kane patur gjera qe ato ishin te dhena pas. Dhe ne vend te karfices nje send tjeter eshte bere sebep per mosmarreveshjen nuse-vjehrre.  Faleminderit.

Me kujtoi kete poezi  te F.Arapit:

 VDEKJA E GJYSHES

Ja, edhe gjyshja né arkéz,
kukull e vogél né kartéz,
Eshté... dhe prapé s'éshté e téra,
sikur nuk éshté si pérhera.
Gjithé karfica, gjilpera
kapur satenet né koké,
lidhur képuckat pérposh,
shami e lule né gjoks.
Mbyllur kapakét e syve
c'ndjej u shua brenda tyre?).

E sheh... dhe té duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.

Gjyshja e vogél, e bukur,
 e pastér...
Né arkéz kukull.
 

Gjithé karfica, gjilpéra,
qepur vite té téra,
lidhur kujtime e malle,
dhembje, qé duken si pérrallé.

E sheh... dhe té duket heshtja

 

Po kaq i ndjere eshte shkruar edhe tregimi.Me pelqen stili i tij rrefimtar. Sikurse thote dhe Jetoni, autori i nderton fabulat mbi nje detaj domethenes. Ku te ka shkuar mendja tek karfica? Eshte vertet ashtu, nuk ka plakë ne jug pa nje karficë ne trike, ashtu  siç mbajne  makinat nje gome rezerve smiley

Karfica me asocion fjalen sakrifica. Nje jete me sakrifica.

Personalisht ate pjesen me pelena e lagie nga poshte, do ta lija jashte tregimit.Nuk i shton asgje. Detaji karfices, konflikti me nusen si konflikt i dy stileve te jeteses, eshte i vetemjaftueshem.

 

Gjej rastin te pergezoj autorin e prozes se mrekullueshme,jo vetem per fabulen e goditur dhe gjetjet figurative,por edhe per stilin e thjeshte te te shkruarit.

Ajo cka me la nje shije tjeter eshte riti i djegjes per nje ortodoks.Nuk di(me falni injorancen)cili vend e praktikon djegien e kufomave?

Gjithsesi perseris urimin tim dhe ndjehem i mrekulluar.

Shume e mire. U befasova se me sa sukses tregimi nderthurte disa rryma rrefimtarie, fuste shqelma moderniste ne nje tregim qe niste si prej Mopasani, si per shembull lagia e plakes apo kapercimi kohor nga femija emigrant tek konviktori me furrnelle. Imazhi i tufes se karficave ne gji vinte si prush. Ajo qe me ngacmon vecanerisht eshte flirtimi i tekstit me klishete, sikur autori te jete duke qeshur nga qejfi qe i njeh mire ato dhe di mire si t'iu beje bisht. Edhe shqipja me vjen shume e mire. Jam e gezuar qe kam nje prozator te ri shqiptar per te lexuar. 

Dhrami paska tre libra te botuar ne shqip, sipas katalogut te BKSH-se: dy ne proze, redaktuar nga P. Shllaku, dhe nje me poezi. Libri me poezi ne menyre titullore lufton dhunen qe germa z- i ben fjales "peisazh", nje dhune kunder te ciles jam shprehur edhe une modestisht smiley. Pergezime autorit per bashkepunimin me Shllakun dhe pune te mbare.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).