Padyshim që Bashkim Shehu është një nga shembujt më fisnikë e njerëzorë se si mund të qepej shërueshëm plaga ende e hapur e së kaluarës sonë. Një nga të paktët njerëz, të cilët u imponojnë respekt të tëra palëve të kacafytësve, me të cilët, fatkeqësisht, për të tjerët e ata vetë, është aq i mbingopur lakmusi i gjakut shqiptar; një nga të paktët shembuj që na ushqejnë shpresën, po aq të mpakur, se më mirë do të bëhet, ndonëse gjasat na flasin një gjuhë tjetër. Ndaj është vështirë të harrosh autorin kur merr në dorë veprën e tij, pasi heshtja e tij është diç më e praruar se kur ai nis e flet. 

Për brezin tim, që shembja e murit e gjeti në një moshë aty nga mesi i mesjetës, kjo bëhet edhe më e vështirë. Ky dyzim më shoqëroi edhe gjatë leximit e nuk po mundesha të përqëndrohesha në rreshtat, a thua se në hapësirat mes fjalëve ish shkruar me bojë të padukshme një tekst edhe më i thellë e më tragjik prej kujtese të heshtur, a thua se realiteti i saj, si rrallëkund, e tejkalon për nga trandja a priori artin që frymëzohet prej tij, e këtij të fundit i duhet të mbijë e të ushqehet veç me të zezë e gri të errët. Frymëzohet është në këtë rast fjala e paduhur: frymënxjerrje, çlirim nga dreqërit, ekzorcizëm a më mirë pjellë, do i shkonin më për shtat asaj që po dua të them, por që është prej heshtjeje. Kush ka lexuar Dostojevskin a më saktësisht "Djajtë" e nuk e ka harruar ende drithmën që të përçojnë honet profetike të ferrit të tij, ka përjetuar kokëposhtin e çfarë më sipër. Porse vepra e Shehut, nëse me vepër nënkuptojmë vetëm të zezën mbi të bardhë, ndonëse e bardha është këtu më e frikshme, nuk më kujtoi rusin e madh, por Kafkën.

Adhuruesve të tij në Shqipëri a kudoqoftë u duhet rekomanduar doemos ky libër: qëmtuesve të rrathëve të skëterrës do u mungojë atje Virgjili, pasi Shehu, ashtu si edhe sivëllai i tij nga Praga, është i ushtruar në të qenit pavetor: edhe ai ka si çdokush një baba, jo vetëm hijerëndë e shtypës, por...

ja, përsëri harroj gërmat e humb në kujtesë, sërish po i bëj "biografinë" autorit e po merrem me të. Po, Shehu nuk e ka biografinë e mirë: i ati i ka lyer duart me gjak të pafajshëm gjatë luftës e më vonë, ka bashkëpunuar me agjenturat e huaja dhe okupatorët, - nëse i besojmë shokut të tij më të ngushtë- e së fundi, a thua se kjo nuk mjafton- u shton listës së tij të gjatë të mëkateve të tij vrastare edhe atë të Judës apo Kirillovit- gjithmonë sipas kujtimeve të një ish Mesiu që mban edhe ofiqin e Pilatit me mbiemrin Hoxha nga Gjirokastra, bashkëudhëtarit të tij e shumë të tjerëve, mjaft hetues mes tyre e heronj të heshtur, që dëshmojnë, apo siç shkruhet sotit gazetave -rrëfejnë-, alibi të dyshimta; një tjetër gjirokastrit i mirënjohur, kandidat për çmimin Nobel, mik i birit në fjalë, shkruan një roman mbi hm... vetëvrasjen? e të ndjerit... 

por ky është realiteti e jo libri që kam në duar, që si për të shumështresuar edhe më lexuesin ushqehet pikërisht nga kjo problematikë. Autori tashmë e zotëron më së miri teknikën, që nuk ka të qortuar, ka një stil të tijin, që shpesh kulmon në skena mbresëlënëse, e nuk të lë të zhgënjyer pasi e ke mbaruar, ndoshta edhe disi me vullnet, librin. Duhet të shtoj këtu se ky i fundit është i vetmi që kam lexuar prej tij, hiq këtu disa intervista të tij në shtyp apo tv.

Përmenda Kafkën më sipër, pasi, përveçse marrëdhëniet e vështira at e bir, që në rastin e Shehut janë ku e ku më tragjike, më shoqëroi gjatë leximit e njëjta ndjesi. Ndjehesh disi më mirë kur e ke mbaruar atë, se sa gjatë kohës që e lexon. Por Shehu ka një stil të tijin, disi të lodhshëm herë-herë, ndonëse të pametë.

Nuk pendohesh që e ke lexuar këtë roman dhe, më e rëndësishmja, ai të ngjall dëshirën për të lexuar më shumë nga ky autor edhe më, çka do të thotë se koha e investuar në të nuk është kohë e humbur. Ndonëse nuk jam njohës i mirë i peizazhit letrar shqiptar të pas 90‘, përjashtuar këtu, natyrisht, Kadarenë, do të merrja guximin të pohoja se ky roman mund të qe një nga më të mirët e këtyre 20 vjetëve, por këtu shpresoj të gabohem, siç kushdo që i ka për zemër letrat shqipe.

21 Komente

Bashkim Shehu ,kur flitet per te, nuk mund t'a ndash nga biografia e tij.I

"detyrohet"kesaj biografie ,personazhi i tij,madje edhe te qenit shkrimtar.Sikur te mos kishte kete biografi ,te kaluar,nuk do kishte fare atraksion per te.Megjithate ,indipendentemente,ka stil ,talent.Mbetet nje rast unik...per psikanalistet mund te jete nje miniere e pafund nje mendje si e tija.

Ky nuk u be "ndryshe" me pas.

Ky ndryshe ka qene gjithnje. smiley

ps. nuk di sa mundesi ka per ndonje pasazh te spikatur nga libri, me skanim e kam llafin, jo tjeter.

... me gjithë qejf, por për fat të keq, nuk kam skaner këtu. Do të jua dërgojmë me postë.

E kam lexuar ka dy vjet librin. Nuk me shkonte mendja tek i ati teksa e lexoja. Me pelqen stili i tij i te shkruarit. Pata vetem nje ndjesi shkaperdarjeje diku aty nga mesi, por mbase i hedh prape nje sy.

Kam idene qe imitonte shume Kadarene. Po mbase ka ndryshuar. Mbase kam ndryshuar dhe une.

Në të vërtetë, do të kisha dashur ta kisha lexuar këtë libër si një i huaj, që nuk e njeh fare historinë e Shqipërisë. Duke qenë se në mëmëdheun tonë të vogël, aq më shumë në Tiranën para viteve 90', nuk i shpëton dot subjektivitetit dhe unë e kam hasur autorin edhe në rrugë dhe e dija se kush qe; me një fjalë, duke njohur së pari njeriun, pastaj autorin e në fund veprën, proces që ndodh zakonisht në kah të kundërt, m'u bë e qartë se "Asnjë profet nuk vlen në vend të tij" për ne është edhe më e vërtetë. 

p.s. : kam përshtypjen unë, apo ai drejtkëndëshi tek rubrika "të zgjedhura" duhet vertikalizuar a zmadhuar diç më shumë? 

Pse jo gjithmonë kështu? Dua të them, në njëjës?

Keni të drejtë. Fundja ai shumësi ka edhe goxha vetëtallje brenda.

Por edhe ju nuk keni pse na e shpërbleni me të njëjtën monedhësmiley

smiley

Sa bëra porosinë e librit. Gjithë të mirat!

Pf, jo, mua s'me duket sikur shkruan si Kadareja. Por i kam lexuar vetem Angelus Novus dhe Mozartin, qe jane libra te fundit, keshtu qe ndoshta edhe mund te kesh te drejte.

Shkruan me fjali te gjata, pershkruese, raportuese nga larg, si prej romani policor:

"Episodi, qe ajo e ka pershkruar ne nje pjese te pabotuar te ditarit dhe gjithashtu na e ka treguar shkurtazi gojarisht, ka te beje me nje shoqe tjeter te tyre, te perjashtuar nga Partia edhe me heret se ajo, dhe perben nje bisede te saj me Margariten per kete shoqe." 

nderprere hera-heres nga fjali me te shkurtra, raportuese nga afer, me nje subjektivizem "te rreme" (jo ne kuptimin "te shtirur", por "te imituar"):

"Kudretja therret per ndihme, ndihme, ndihme, ndihme, ndihme, ia behin edhe fqinjet e tjere, po eshte vone. Dikush rend qe te lajmeroje kryetarin e Keshillit Popullor, ose edhe te plotfuqishmin po qe se s'ka ikur bashke me eproret e tij. Eh, e shkreta, psheretin dikush. Ishte armike, thote Kudretja, ndonese i ka syte me lot".

Tek te dyja prozat, me ka lene pershtypjen e nje shkrimtari qe perpiqet ta ruaje distancen nga historia vetjake duke perdorur vete letersine (apo muziken, apo filozofine) si strukture aktive. Tek Angelus, perdor historine e Walter Benjaminit dhe vetevrasjen e tij per te folur per vuajtjen e brendshme te nje bashke-vuajtesi ne burg; tek Mozarti perdor operen si simbol te koralitetit te marredhenieve brenda regjimit. 

Mund edhe ta quanim meta-letersi, por eshte abuzuar aq shume me kete term saqe me mire ta leme rehat. Plus qe, siç thashe, besoj se eshte thjesht nje truk, per te mos folur "per babain" duke folur megjithate per te, dmth jo procedim letrar, por ekzigjence personale e autorit, autoanalize.

Mirazh, ajo dritarja e te zgjedhurave eshte si puna e stomakut, zgjerohet vetem po t'i hedhesh ushqim vazhdimisht. Faleminderit per Mozartin smiley.

Falemnderit per keto pershtypje mbi librin dhe shkrimtarin ne fjale, o Mirazh! Me ke ngjallur kersherine per kete autor, i cili sigurisht nuk shpeton dot kollaj nga "hija" e vet. Do ta lexoj ne te ardhmen.

p.s.: m'u duk interesant perdorimi i termit "pavetor" me siper. Nese e mora vesh sic duhet, eshte vendosur aty ne vend te sinonimit "anonim", apo jo? Pra, te mbetesh pavetor eshte nje forme e te qenit anonim, ndonese te jesh anonim nuk do te thote detyrimisht te mos kesh "vete". Perkundrazi, ne boten virtuale anonimiteti krijohet dhe mirembahet me shtimin dhe nderrimin e disa "vetave", prej nje personi real. Thjesht spekullim ky, ndoshta s'e kam kuptuar sakte fjaline tende me lart. smiley

 

Me "pavetor" kisha më tepër parasysh distancimin e autorit nga ajo që shkruan, ndaj bëra edhe analogjinë me Kafkën, me një fjalë "impersonal".

Ja edhe një përshtypje tjetër, që e gjeta tani:

 

http://xhaxhai.wordpress.com/2010/12/10/...

me të mira

Megjithate une mendoj se "Rrethi" eshte nje nga kryeveprat e letersise shqipe te pas viteve 90. 

Ndonje pasazh, siç e thote dhe Emigranti, nuk do ishte keq te vinte ketu nga prezantuesi i librit. Ose nje permbledhje e vogel e njeres prej historive qe trajtohet ne liber. 

Pjer Thomas, bëjeni zemrën gur e porosisni ndonjë kopje nga Shqipëria, ose edhe online.

Për ne që jetojmë jashtë 7-10 Euro nuk janë asgjë.

tani, po te blej autori VQ, qe kushton vetem 5€, atehere ka per ta blere edhe Pjeri nje kopje te librit.. te pakten keshtu besoj qe ka per te thene Pjeri , i cili mendon strikt ekonomikisht!smiley

smileysmileysmiley

Nga Bashkim Shehu kam lexuar, kur edhe i pat botuar, dy vellimet e 'Vjeshtes se ankthit'.

Pas kaq vitesh, i vetmi 'detaj' qe me ka mbetur ne mendje (ndodhet ne vellimin e II) eshte fakti qe Nexhmije Hoxha e ka vizituar dy here, andej nga mesi i viteve '80, Fiqirete Shehun ne... burgun e Burrelit! smiley Ashtu si dhe vete Bashkimi ne liber, nuk arrij ta imagjinoj se si dhe pse ka mundur ajo ta beje nje gje te tille (duhet te jete e vetmja eksperience e tille ne ato 40 vite!) po aq sa nuk kuptoj se pse sot, asnje gazetar nuk e pyet Nexhmijen per kete vizite, qe duket me teper se surrealiste!
 

e ka takuar per fondin anti-parti, dollaret ne bankat e zvicres, me firmen e mehmetit ose te fiqiretes merreshin.

prap,llogjika e do qe fqeretin ta fusnin ne nje makine burgu,dhe ta sillnin ne Tr,per te firmos.nuk mund ta lodhnim ne sh nexhmije e ta conim ne Burrel.jo,pun qe s'behet!pak halle kishte ajo ne tirane dhe tekemramja,kush do t'i zgjidhte,po te shkeputej ajo.ncncnc!

Pikerisht, kete lloj "kritike" kam pasur ndermend kur fola tek ajo tema tjeter e Teferiçit. Eshte nje lloj perzierje mes kritikes dhe opinionit, duke ruajtur njefare perpjesetimi te ketyre te dyjave qe teksti te mos shkase : as te mos behet akademik, por as te bjere ne nje opinion pa vlere.

Kjo lloj kritike kerkon vertet seriozitet, sepse mund te behet nje arme e forte ne perhapjen e librit, leximit dhe pse jo, t'i ndihmoje shtepite botuese dhe vete autoret.

Eshte e habitshme qe gazetat e medha shqiptare (ato qe jane tani, s'kemi ku t'i kerkojme te tjera - megjithese, e keni vene re qe ka ca vite, nuk po del asnje gazete e re e madhe ndryshe nga te tjerat ?!) nuk kane pajtuar "kritike" te tille. OK, kushedi si i kane hallet, s'po hyj tani t'iu bej bilancin une.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).