Me gjithë masat parandaluese, është në rritje numri i grave që preken çdo vit nga kanceri i gjirit. Përveç aspektit të vuajtjes në vetevete, sëmundja sjell për shumë prej tyre lëndimin e identitetit femëror.

“Kanceri i gjirit është gjithnjë e më i shërueshëm, por rëndom ndodh që për të mundur sëmundjen të jetë e nevojshme të kryhen ndërhyrje të rënda, përfshirë mastektominë, domethënë heqjen komplet të gjirit, gjë që ndikon fort në psikologjinë femërore. Për fat, gjithnjë e më shpesh është i mundur rindërtimi i menjëhershëm i gjirit, natyrisht në rastet kur kjo nuk krijon komplikacione.” Cristina Garusi, mikrokirurge, është një mjeke italiane dhe përvoja që ajo sjell natyrisht është e lidhur me ambjentet e mjeksisë italiane, e cila qëndron në pararojë sa i takon betejës për diagnostikimin në kohë, ndërhyrjes kirurgjikale, terapive shoqëruese, dhe, më në fund, edhe në aspektin estetik të sëmundjes. Mjekja është bashkautore e një libri me titullin “A seno nudo”, me fotografi dhe dëshmi të 14 grave që kanë vuajtur kancerin në gji (më poshtë mund të lexoni pak nga historitë e tyre). Por ka një aspekt që na intereson jashtë kontekstit italian dhe kirurgjisë rindërtuese: kuraja me të cilën ato çmitizojnë të keqen, duke e bërë atë publike e duke thyer heshtjen që në përgjithësi shoqëron vuajtje të tilla.

Në Shqipërinë që përpëlitet mes zjarreve të pyjeve, atyre të politikës e të kronikës së zezë, ndjeshmëria karshi një problematike të tillë vështirë se e kapërcen pragun e ndonjë statistike a të ndonjë shkrimi të thatë, pa folur për ngërçin kulturor që shoqëron tradicionalisht përjetimin e sëmundjeve të rënda nga ana e pacientëve dhe të afërmve të tyre. Sëmundja nuk është faj, dhe as dënim. Përkundrazi, shpesh shndërrohet në metaforë të një rrugëtimi të ri, por që ka nevojë për dinjitet dhe vëmendje.

 

Silvana, 60 vjeç, pronare e një dyqani.

Isha 29 vjeç, po i jepja gji djalit tim të dytë, kur nisa të ndieja dhimbje në një pikë të caktuar të gjoksit, thua se më kishin ngulur ndonjë gjilpërë. Mjeku më qetësoi, “nuk ka gjë”, më tha. Koha kalonte dhe unë, përveç dhimbjes që vuaja, ndjehesha e lodhur, shumë e lodhur, edhe gjatë pushimeve. Pastaj, duke bërë dush diktova praninë e një nyjeje. Atëherë bëra menjëherë mamografinë. Do ta kujtoj gjithnjë atë çast: më thërret gjinekologu im dhe pa e zgjatur më thotë që kam një kancer në gji dhe që më pret një mastektomi totale. U shastisa fare. Vetëm pasi dola nga spitali u shkriva në një vaj pa ngushëllim. Pastaj shkova të merrja fëmijët në shkollë.

Vendos t’i drejtohem prof. Umberto Veronesi-t. Më jep zemër, duke më propozuar një ndërhyrje më pak të rëndë, por duhet t’u nënshtrohem disa cikleve të kimioterapisë dhe një kure tjetër që përdorej në vitin e largët 1987. Të shtronin një javë në një repart në katet e nëndheshme të institutit të tumoreve. Duhej të qëndroje në izolim të plotë sepse të fusnin gjilpëra radioaktive në pjesën e sëmurë. Mund të vinin të të shihnin vetëm përmes një monitori. Pastaj u ktheva në shtëpi dhe u ndjeva mirë për pesë vjet. Isha e qetë, kisha mësuar ta shikoja jetën nga këndvështrime të ndryshme, falë edhe pranisë së sime motre dhe tim shoqi. Pastaj në vitin 1992 rikthehet: sërish një ndërhyrje. Në vitin 1995, një ndërhyrje e tretë dhe në 2010-n dy nyje të tjera…

Duhej të isha dëshpëruar, kurse munda t’i jap prapë kurajë vetes. Deri edhe shkova në plazh përpara se t’i nënshtrohesha mastektomisë së plotë dhe rindërtimit të përkohshëm të gjirit përmes protezës dhe një pjese të muskulit të shpinës. Në 2011, ndërhyrja e kushedisatë, këtë herë ama me natyrë estetike, rregullime të vogla… Çfarë i them kujt po përballet me sëmundjen? Mos i braktis kurrë zakonet e tua të përditshme, interesat e tua, jetën e çdo dite. Edhe kur villja gjithë natën për shkak të kimioterapisë, në mëngjes ngrihesha, lahesha dhe bëja tualetin për të nisur një ditë të re pune në dyqan.

 

Simona, 38 vjeç, nëpunëse.

Një dush dhe pak sapun mjaftuan që të ndieja praninë e një nyjeje të vogël në gjoks. Caktoj një takim në spitalin e qytetit tim. Ekografia dhe pastaj një ago thithëse. Gjithçka negative. Duhej të isha e qetë, edhe sepse isha shumë e re asokohe, vetëm 26 vjeç… Por pavarësisht nga mosha ime e re, diçka më fliste brenda. Vendos kësisoj që ta heq atë nyjëz. Brenda dhjetë ditëve bëj ndërhyrjen kirurgjikale. Çmimi që m’u desh të paguaja ishte shumë i lartë: përveç kuadratektomisë, m’u desh të përballoja edhe katër cikle kimioterapie dhe radioterapie. Për fat nuk humba flokët. Por s’mbaroi me kaq. Nuk kalojnë as dy vjet dhe më zbulojnë një tjetër nyje. Këtë herë është akoma më keq: mastektomi e plotë. Humbas flokët dhe jo vetëm ato. Mjekimi parashikon edhe terapinë hormonale. Më keq se kaq…! Zemërohem dhe trishtohem: pse pikërisht mua? Pse pikërisht gjirin? Ferr. Pastaj ngadalë, falë edhe tim shoqi dhe ndihmës së mjekëve, ndryshova këndvështrim. Gjirin ma rindërtuan. Nuk është i përsosur, por kush nuk ka ndonjë difekt të vogël? Sot jam e lumtur, ndjehem mirë dhe jam rikthyer në formë shumë të mirë fizike. Më pëlqen më shumë vetja. Kam bërë edhe dy tatuazhe: njërin pas ndërhyrjes, është simboli kinez i fatit, kurse tjetra është një shqiponjë. Përfaqëson lirinë time. Mbi të gjitha lirinë nga sëmundja.

 

Maria 54 vjeç, dizenjatore bizhuterish.

Një grua e ndjen kur diçka nuk shkon. Isha 46 vjeç atëherë dhe kisha vënë re një nyje në gjoks. Menjëherë kisha lënë një takim me mjekun përkatës. Jo ndonjë gjë e madhe. “Gjithçka në rregull”, lëshoi sentencën mjeku në fund të vizitës, “thjesht duhet mbajtur nën kontroll”. Vetëm se diç më brente nga brenda, sikur kisha përshtypjen që gjërat s’ishin tamam ashtu. […]

E tronditur dhe nën shock, ia them tim shoqi në këtë mënyrë: “Kam një kancer në gji, kështu që më mirë të ndahemi”. Nuk do të kisha dashur kurrë që burri im të qëndronte me mua për mëshirë, ose më keq akoma, që të më braktiste në mes të detit sepse nuk ishte më në gjendje të më qëndronte afër. Kurse ai më habiti, më qëndroi pranë siç kurrë s’kisha shpresuar. Im bir, Alessandro, që asokohe ishte 13 vjeç u soll në mënyrë të mrekullueshme. Me të kapërcyer portën e spitalit tha: “Ua, këtu duket si aeroport!”. Dhe, në fakt, ai që po ndërmerrja ishte një udhëtim për t’u shëruar. Me optimizmin tim kam përballuar kimioterapi para dhe pas ndërhyrjes. Dhe ndërhyrje kam bërë dy. Kam vuajtur shumë, por nuk jam ligështuar kurrë. Jam nisur gjithnjë nga premisa se kanceri nuk ishte një armik me të cilin të luftohej, por një pjesë e imja, e sëmurë, që duhej mjekuar. Ndodhte të harroja që isha paciente onkologjie. Ishte sikur t’i thosha vetes: nëse unë e harroj tumorrin, ai dikur do të më harrojë mua. […] Nuk e kam harruar kurrë që jam grua…

 

Këtu një galeri fotosh nga libri. Kujdes! Pamjet mund të jenë të rënda.

7 Komente

Pastaj, duke bërë dush diktova praninë e një nyjeje.

Një dush dhe pak sapun mjaftuan që të ndieja praninë e një nyjeje të vogël në gjoks.

Isha 46 vjeç atëherë dhe kisha vënë re një nyje në gjoks. 

pra, nyjet!! kuptuat zonja dhe zonjusha të nderuara të peshkut! nyjet, pra! 

gjuetinë e nyjeve, fillojeni andej nga 40-50 vjeçët, për motive që mund t'ua thotë mjeku (sepse ndaj i pagoni taksat!); mos kini turp të pyesni!

për gjuetinë e nyjeve mund të ju ndihmojë edhe burri ose i fejuari apo dashnori apo kushdo tjetër.  natyrisht mund të përdorni edhe një lubrifikant, në mënyrë që dora të shkas më mirë, më me lehtësi ("...një dush dhe pak sapun...")! 

nga ana tjetër, nëse një femër ka predispozitë (jo vetëm gjenetike) për të patur një tumor, më i padëmshmi është ai i gjoksit! imagjinoni sikur të ju prekte vezoret! ose ose, sikur të ju kapte ashtu papritmas një tumor në vezore, dhe në një mosh mjaft të re! hë! fundi i botës!

pastaj meshkujt, djemtë e rinj dhe zotërinjtë me mustaqe, të ruhen edhe ata, mos ta mbajnë kompjuterin në prehër! se... ashtu është puna. ah, mos mbani as të mbathura sintetike (sidomos kur jeni të rinj!), duhet që nxehtësia të largohet ndaj edhe "anatomia" e veçantë, ndaj edhe trasta e varur!

ps. besoj se komenti është brenda temës!

 

Kete vere dy prej grave te fisit tim,te dyja nen 55 U konstatuan me kancer,vetem njera ne gji.jane operuar dhe po bejne kimio.eshte shume e dhimbshme,nuk di cfare t'u thuash.njeres i kane llogaritur dhe vitet e mbetursmiley

Nyjet duhet te kontrollohen me heret se te trokasin 30, 40 e 50. S'eshte as ndonje gje e veshtire, as ndonje e pakendshme.

pse* "nyje" dhe jo "gunga"? smiley

*pse-ja më lindi tani, natën herët, nga kurioziteti!

Dy shembujt e dhene nuk i ilustrojne mire paragrafet e pare. Dhe tjeter, anomalia e rritjes se qelizave e njohur si kancer, eshte pasoje e ambientit qe kemi krijuar. Nuk po them per kancer gjiri apo pankreasi, por nese duam kete bote duhet t'i jetojme edhe pasojat. Vertet na pelqen shume qe me ca vale radio me frekuence 380-1900 MHz komunikojme me te dashurit, por kjo ka cmimin e saj. Duhet te ndergjegjesohemi si qyteterim qe kanceri eshte pjese e jona. Une mendoj e them qe te legalizojme kanabisin si minimum; te gjithe do te ishin me te lumtur.

atehere, kohet e fundit kam lexu per kancerin nis nga dikush qe e njof dhe qe u prek. Ca mesova eshte se kontrolli i shpeshte me rreze ose berja e mammogrames rrit rrezikun e kancerit ne gji. Tjeter ishte qe kanceri nuk mund te trajtohet njesoj te cdo femer (ose pacient) pavarsisht se sot per sot, shume pak klinika te specializuara percaktojne nji trajtim specifik per secilin nisur nga analizat e gjakut, perparimin e semundjes etj. Nuk dija qe sheqeri eshte shume i demshem sepse "ushqen" qelizat kancerogjene. Pra, duhet pare dhe si ushqehemi. Dhe si perfundim, nuk duhet te "ngushelloni" dike qe eshte me kancer por t'i jepni kurajo qe ta munde ate. 

nuk permendet kryesoren, kardio per gjysem ore cdo dite

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).