Dobia e konsiderueshme praktike e Mekanikës kuantike mbetet akoma sot pa shpjegim. Njëlloj si atëherë kur Bohr-i dhe Einstein-i diskutonin për të.

Edhe një shekull pas lindjes së saj, mekanika e kuanteve vazhdon të na shqetësojë e të na shtrojë pyetje.

Dy shtyllat e fizikës së 1900-ës, Relativiteti i përgjithshëm dhe Mekanika kuantike, nuk mund të kishin qenë  më të ndryshme njëra nga tjetra. Të dyja teoritë na mësojnë se struktura e imët e natyrës është shumë më e hollë nga sa na duket. Vetëm se Relativiteti i përgjithshëm është një xhevahir njëcopet. Teoria në fjalë, e konceptuar nga një mendje e vetme, ajo e Albert Einstein-it, është një përfytyrim i thjeshtë dhe koherent i rëndesës, hapësirës dhe kohës. Në të kundërt, Mekanika kuantike ose “Teoria e Kuanteve”, një shekull nga lindja e vet, ka arritur një sukses të pashoq eksperimental dhe ka shpënë në zbatime që kanë ndryshuar jetën tonë të përditshme (kompiuteri me të cilin po shkruaj, për shembull), e megjithatë mbetet e mbështjellë me mister. Dy libra rrëfejnë lindjen dhe rritjen e saj të ndërlikuar. Njëri, The Quantum Story: A history in 40 moments, me autor Jim Baggott (Oxford University Press), ripërshkon përmes 40 tablove të kursyera e të gjalla çastet më vendimtare të kësaj teorie të jashtëzakonshme. Kurse tjetri, Quantum. Da Einstein a Bohr, la teoria dei quanti, una nuova idea della realtà, me autor Manjit Kumar (Oscar Saggi, Mondadori), i rikthen asaj misterin përmes një pikëvështrimi të privilegjuar: dialogut të gjatë e të shkëlqyer mbi domethënien e teorisë zhvilluar ndër vite mes dy gjigandëve të mendimit, Albert Einstein dhe Niels Bohr.

Eshtë bërë zakon të thuhet që Mekanika kuantike lind pikërisht në vitin 1900, thua të dojë të çelë një shekull të mendimit të mbrothët. Fizikani gjerman Max Planck llogarit fushën elektrike në ekuilibër brenda një kutie të nxehtë duke përdorur një dredhi: përfytyron sikur energjia e fushës është e shpërndarë në “kuante”, dmth në paketa. Procedura shpie në një përfundim që përputhej me atë çfarë matej, por që binte ndesh me gjithçka dihej në atë kohë, meqë energjia mendohej si diçka që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe s’kishte arsye të trajtohej sikur të ishte e bërë me tulla të vockla. Porse për Max Planck-un kjo ishte thjesht një hilé paksa e çuditshme për të kryer llogaritjet. Do të jetë Einstein-i ai që pesë vjet më vonë do të kuptojë që “paketat e energjisë” janë reale. Einstein-i tregon se drita është e bërë nga paketa, thërrmija drite. Sot i quajmë “fotone”. Në Hyrjen e punimit të tij, ai shkruan: “Më duket se vëzhgimet e bashkëshoqëruara nga fluoreshenca, nga prodhimi i rrezeve katodike, nga rrezatimi elektromagnetik që del nga një kuti, si dhe dukuri të tjera të lidhura me emetimin dhe shndërrimin e dritës, bëhen më të kuptueshme nëse supozojmë se energjia e dritës është e shpërndarë në mënyrë jo të vazhdueshme në hapësirë. Këtu marr në shqyrtim hipotezën që energjia e një rrezeje drite nuk është e shpërndarë në mënyrë të vazhdueshme në hapësirë, por konsiston në një numër të fundëm të “kuanteve të energjisë” që janë të vendosura në pika të hapësirës, lëvizin pa u ndarë dhe që janë të prodhuara e të përthithura si njësi të vetme.” Këto radhë të thjeshta e të qarta shënojnë aktin e vërtetë të lindjes së teorisë së kuanteve. Vini re të mrekullueshmen “Më duket...” me të cilën ia niset. Fillimisht punimi trajtohet nga kolegët si marrëzia djaloshare e një të riu të talentuar, por më pas Einstein do ta marrë Nobel-in pikërisht për këtë punim. Nëse Planck-u është babai biologjik i teorisë, babai që e rriti këtë është Einstein-i.

Porse si të gjithë bijtë, edhe teoria më pas ndoqi udhën e saj dhe Einstein-i e shpërnjohu. Gjatë viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar, do të jetë Niels Bohr-i ai që do të udhëheqë zhvillimet e mëtejshme. Eshtë ky që e kupton se edhe energjia e elektroneve në atome mund të marrë vetëm disa vlera “të kuantizuara”, dhe sidomos që elektronet munden vetëm të “kërcejnë” nga një orbitë e atomit në tjetrën me aq saç ua bën të mundur energjia. Janë të famshmet “kërcime kuantike”. Në institutin e Bohr-it, në Kopenhagë, mblidhen mendjet më të reja e më të talentuara të shekullit, në përpjekje për të vënë rregull në këto sjellje të pakuptueshme të botës atomike dhe për të ndërtuar një teori koherente. Në vitin 1926 dalin më në fund ekuacionet e teorisë që i zënë vendin gjithë mekanikës së Newton-it. E pamundur të përfytyrohet një triumf më i madh. Papritmas gjithçka rri për bukuri, dhe është e mundur të llogaritet gjithçka. Po ju sjell vetëm një shembull: a ju kujtohet tabela periodike e elementeve, ajo e Mendeleev-it, e cila numëron të gjitha substancat e mundshme elementare prej të cilave është i bërë universi, nga Hidrogjeni tek Urani? Si është e mundur që janë pikërisht këto elemente, pse kanë pikërisht këtë strukturë dhe pikërisht ato veti? Përgjigja është që çdo element është një zgjidhje e ekuacionit bazë të mekanikës kuantike. E gjithë kimia ngrihet mbi këtë ekuacion të vetëm.

Ai që do t’i shkruajë i pari ekuacionet e teorisë së re duke u bazuar në ide marramendëse, do të jetë një gjeni fare i ri gjerman, Werner Heisenberg. Heisenberg-u përfytyon sikur elektronet nuk ekzistojnë gjithmonë. Ekzistojnë vetëm kur dikush i shikon, ose më mirë, kur ndërveprojnë me diçka tjetër. Me një probabilitet të llogaritshëm, elektronet materializohen në një vend kur përplasen me diçka tjetër. “Kërcimet kuantike” nga një orbitë në tjetrën janë mënyra e vetme që ata  kanë për të qenë realë: një elektron është një bashkësi kërcimesh nga një ndërveprim te një tjetër. Kur asgjë s’e shqetëson, ai nuk ndodhet në asnjë vend të caktuar. Nuk ndodhet. Në mekanikën kuantike asnjë objekt nuk ka një pozicion të caktuar, përveçse kur përplaset në diçka tjetër. Për ta përshkruar në gjysmëfluturimin mes një ndërveprimi dhe një tjetri përdoret një funksion abstrakt matematikor që përgjithësisht nuk merr jetë në hapësira reale, por në hapësira abstrakte matematikore.

Ju duket absurde? Ashtu i dukej edhe Einstein-it. Ky, nga njëra anë propozonte Werner Heisenberg-un për Nobel duke i njohur meritën e të kuptuarit të diçkaje themelore në botë, dhe nga ana tjetër nuk linte rast pa mërmëritur që kështu ama nuk kuptohej ende asgjë. Rioshët luanë të bandës së Kopenhagës mbeten shumë keq: Si? Pikërisht Einstein-i? Babai i tyre shpirtëror? Njeriu që kishte patur kurajën të mendonte të pamendueshmen, tani po tërhiqej dhe po kishte frikë përpara këtij hopi të ri drejt së panjohurës? Drejt asaj të panjohure, mekanizmin e së cilës e kish kurdisur vetë? Pikërisht Einstein-i, që na pat mësuar se koha nuk është universale dhe hapësira lakohet, pikërisht ai tani po thotë që bota nuk mund të jetë kaq e çuditshme?

Niels Bohr-i, me durim, i shpjegonte Einstein-it idetë e reja. Einstein-i bënte vërejtje. Imagjinonte eksperimente për të treguar se idetë e reja ishin kontradiktore: “Le të përfytyrojmë një kuti të mbushur me dritë, prej së cilës lejojmë të dalë për një çast të shkurtër një foton të vetëm...” - kështu fillonte njëri nga shembujt e tij të famshëm. Bohr-i në fund ia dilte gjithnjë të gjente një përgjigje dhe të hidhte poshtë vërejtjet. Dialogu ka vazhduar për vite me radhë, përmes konferencave, letrave, artikujve... Gjatë këtyre shkëmbimeve, të dy gjigandëve u është dashur të tërhiqen, të ndërrojnë mendje. Einstein-it iu desh të pranonte që përnjëmend nuk kishte kontradiktë tek idetë e reja. Kurse Bohr-it iu desh të pranonte që gjërat nuk ishin aq të thjeshta e të qarta saç i mendonte në fillim. Einstein-i nuk donte të tërhiqej në pikën që për të ishte kyçe: që ekziston një realitet objektiv pavarësisht se kush ndërvepron me kë. Bohr-i nuk donte të lëshonte pe në vlefshmërinë e mënyrës thellësisht të re me anë të së cilës realja konceptualizohej nga teoria e re. Në fund Einstein-i e pranon që teoria është një hap gjigand përpara në të kuptuarit e botës, por mbetet i bindur që gjërat s’mund të jenë kaq të çuditshme, dhe që “nga pas” duhet të ketë një shpjegim më të arsyeshëm. Ka kaluar një shekull dhe jemi aty ku ishim. Ekuacionet e mekanikës kuantike dhe rrjedhojat e tyre përdoren përdita nga fizikanë, inxhinierë, kimistë, biologë, në fusha nga më të ndryshmet. Por mbeten të mistershme: nuk përshkruajnë çfarë i ndodh një sistemi fizik, por vetëm se si një sistem fizik perceptohet nga një tjetër sistem fizik. Çfarë domethënë? Domethënë që realiteti thelbësor i një sistemi është i papërshkrueshëm? Domethënë thjesht që historisë i mungon një pjesë? Apo domethënë, siç më duket mua, që duhet të pranojmë idenë që realiteti s’është veçse ndërveprim?

Ata që i përdorin ekuacionet e teorisë në laborator shpesh nuk shqetësohen për këto, por artikuj e kuvende fizikanësh e filozofësh, në numër gjithnjë në rritje vitet e fundit, vazhdojnë të hulumtojnë. Çfarë është teoria e kuanteve një shekull pas lindjes së vet? Një zhytje e jashtëzakonshme në thellësitë e natyrës së realitetit? Një pjesëz e paplotë e një mozaiku? Apo shenjë e diçkaje më të thellë që ende s’e kemi kapërdirë dhe që ka të bëjë me strukturën e botës?

Kur Einsten-i vdes, Bohr-i, rivali i tij i madh, përdor për të fjalë të një admirimi prekës. Kur pak vjet më pas vdes edhe Bohr-i, dikush i bën një foto dërrasës në studion e tij. Eshtë aty një skicë. Paraqet “kutinë e mbushur me dritë” të eksperimentit mendor të Newton-it. Deri në fund, dëshira për t’u ballafaquar e për të kuptuar më shumë. Deri në fund, dyshimi.

 

Përktheu: finis terre

Marrë nga Il Sole 24 Ore

 

* në foto: Niels Bohr dhe Albert Einstein në vitin 1925. Foto: Paul Ehrenfest.

Këtu Pjesa e parë. 

19 Komente

sa  qejf qe po perkthen kto gjera fini.

thankyou !

smiley

Per kuriozitet cfare mesove ti nga ky artikulli se mua me duket kot. Mos kam humbur ndonje gje me vlere?

Dmth permban artikulli ndonje ide ose kendveshtrim qe te duket interesant, apo te pelqen histori-biografia e fizikes moderne?

 

Artikullin me vone, sepse ne pune, por doja te thoja:

OH CFARE FOTOJE!!!!

Heisenberg-u përfytyon sikur elektronet nuk ekzistojnë gjithmonë. Ekzistojnë vetëm kur dikush i shikon, ose më mirë, kur ndërveprojnë me diçka tjetër. Me një probabilitet të llogaritshëm, elektronet materializohen në një vend kur përplasen me diçka tjetër. “Kërcimet kuantike” nga një orbitë në tjetrën janë mënyra e vetme që ata  kanë për të qenë realë

Kjo eshte nga ato pikat lbyrese ku e ashtuquajtura "pyetje themelore e filozofise" ka qene me prane eksperimentimit fizik se kurre dhe objekt observimi e jo (vetem) persiatje. Ndoshta jo me kot edhe filozofia shtegtoi nga greket te teutonet.

Vetem kjo do e meritonte nje teme te vecante; eksperimentet "double slit" me gjithe parimet qe i shoqerojne (nga me te rendesishmit dhe botkuptimoret ai i "pasigurise") kane nja 200 vjet qe ia trazojne mendjen njeriut ne menyren me intriguese qe mund te behet.

ne u zbuluam shqiptare ne kercimin tone kuantik ,anijet e mbushura per ne Itali.ne gjendje normale pa veprim ,te mbyllur ,askush nuk dinte nese ekzistonim ,nuk kishte asnje prove....... Fin ja ke marre doren...bukur,terheqes.

Mbaj mend dicka nga fizika , ne mos gaboj : statusi apo gjendja e papercaktueshmerise konsiderohet  si normaliteti "stabel " i mikrotherrmijave.Ose thjesht, "therrmijat kercimtare" i quajme keshtu ne pamundesi per te zbuluar nje ligjesi tjeter te sjelljes se tyre. Koncert ne fund te dijes.

me sinojmerin edhe ti fiziken, spiritus? smiley

ps. cheers!

 

Jo jo, ka qene nje supe e mixuar filozof, algjeber dhe fizike.Kocani dhe Pirdeni (ky i fundit sapo kishte ardh nga Franca dhe mbante nje golf ngjyre tulle dhe kur zgjatej per te shkruar ne tabele, i vezullonte nje medalion i varur ke rripi pantallonave smiley

ah, paskaqen nga ata tip "studenti ne shtepi". ka pas jo pak syresh. nje pjese i kam njof ne person. kishin i gjo shum tragjike - ajo i pari i katunit nuk bonte fajde, natyrisht perjashto ca kokrra malokesh me lekuren si levore qe i kishte kap lapsi me i cu jasht. ata ne hon coi, nuk iu lu qimja.

Koqërishte, eshte nje fjale e re shqipe qe e shpika tani ne çast. S'para me vijne shpesh ide te tilla gjeniale. Por, si te gjitha idete gjeniale, edhe kjo me erdhi nga nje ngacmim i jashtem.

Heisenbergu, nepermjet Fatmir Sinoimerit, me thoshte se ti Hurbinek s'mund ta dish ne te njejten kohe edhe vendndodhjen e koqes qe flet gjepura, edhe shpejtesine me te cilen i leshon keto gjepura. Ne fiziken kuantike pepeujore, kjo quhet ekuacioni i papercaktueshmerise se koqes. Populli ine, me zgjuarsine e vet, e ka skalitur kete ekuacion me fjalen : "ku s'mbillesh, korresh", ose diku nga Kosova : "po ulu bre ze ven diku, se na i more mentë".

Koqërishte, eshte nje fjale e re shqipe qe e shpika tani ne çast. S'para me vijne shpesh ide te tilla gjeniale. Por, si te gjitha idete gjeniale, edhe kjo me erdhi nga nje ngacmim i jashtem.

jo daj jo, je pa ne pasqyre, po nuk ke nok gjo smiley  loool 

smiley

 

Si tha PF, ca t ben e pa qimja smiley

smiley

me duket se Mrroku esht autor. po do i qes i foto shume te rond tani si kafe te hidhet. hajt per hajer mo.

bini burra! ryri gomari në misër.

 

Sic flitet, perpara aksionit dhe reaksionit, dmth perpara realitetit te supozuar ketu, duhet te kete ekzistuar nje "Potencial ne erresire", nje pjese e kapaciteteve te te cilit duhet te jene transformuar ne fushe energjitike unike, pergjegjese per periudhen kreative te ekzistences. Nga ketu, permes nje nderveprimi te vazhdueshem, procesi ka vijuar me krijimin e fushave te tjera energjitike, shkrirjen midis fushave, nderlidhjet me Energy Denserin, nen influencen e te cilit eshte krijuar materia solide etj, etj.

Per perkthyesin/en:

nuk ishin aq të thjeshta e të qarta saç i mendonte në fillim

 

togfjaleshi saç i mendonte mos duhet drejtshkruar sa ç'i mendonte?

(Nuk jam e sigurt, pasi nuk merrem me gjuhe dhe drejtshkrim, por kete e them duke patur parasysh kuptimin qe transmetojne fjalet: sa ç'i mendonte=nga (ata/ato) çfare i mendonte=nga ç'i mendonte)

ajo eshte fushe "e minuar" atje, para se gishti te terhiqte kembezen. pasi edhe "potenciali" eshte nje forme e ekzistences. nje ndarje me thike mes ekzistences se potencialit dhe asaj "kreatives" me duket krejt e pakapshme. Ne nuk jemi mesuar (dmth truri yne nuk eshte i afte per te) me intervencione, kudo ne shohim vazhdimesi, ku e shkuara, dhe e ardhmja bashkeekzistojne ndersa e tashmja nuk ekziston vecse konceptualisht, sikunder pika ne matematike.

njera pergjigje qe i ndan hesapet me shpate cezari, eshte koncepti i Zotit. pergjigje te tjera pa Zot jane vetem rrekje robi te gjitha te deshtuara, por ama me fitore brenda deshtimit, sapo kane deshtuar edhe nje hap me brenda territ.

nese e shohim kohen si njepasnjeshmeri kushtesh, ne cdo lloj nderveprimi (kurdo qe te kete lindur ai, para nje ore apo para biliona vjetesh), sa na pengon kjo, qe kohen ta quajme njekoheshit edhe iluzion, that's the matter.

koha eshte veti e perceptueshme e "asaj" c'erdhi me pas (kesaj qe eshte tani). nese pranojme qe c'erdh me pas eshte thelbesisht e ndryshme me c'qe me pare, nuk ka asnje problem qe te jemi elastike ne lidhje me kohen - kjo jo ne pikpamje relativiste, por si veti e te qenit. Tani ka nje moment shume te spikatur e gjithe kjo: a eshte koha vertet e veti e reales, apo eshte mjet perceptues (nje menyre e jona per ta pervetuar realen). Ka nje hipoteze shume te guximshme keto kohe, duke ndjekur sagen e double slit experiments, sipas te ciles koha si dimension nuk ekziston dhe ajo eshte dicka qe luhet brenda nesh.

E thashe, gjithe kjo do donte nje teme me vete. Puna eshte qe te peshku vime me se pari me u shplodh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).