Asnjëherë nuk është e tepërt të përmenden e të përkujtohen si njerëz dhe si krijues. Pa spaleta kauçuku, që ne fare pa të keq u vëmë të vdekurve dhe të gjallëve, pa e vrarë mendjen hiç për hierarkinë e shpatullave mbi të cilat i qepim ato spaleta.

Ende pa marrë rrogën e muajit të parë të punës, Presidenti Nishani dekoroi Teodor Kekon me titullin “Mjeshtër i Madh”, pas vdekjes. Nuk di nëse procedura, zakonisht sa një jetë e gjatë, për dhënien e këtij titulli, ishte përmbyllur paraprakisht dhe z. Nishani vetëm vuri firmën, apo ishte një akordim i tipit “me sirena të ndezura”?  Ka shumë të ngjarë të jetë kështu, se ka shumë pak të ngjarë që Presidenti i tanishëm të çojë në finish punë të nisura nga Presidenti paraardhës. Titullin e lartë e gëzofshin pasardhësit e Kekos dhe ai vetë u ndjeftë gjithmonë e jetës! Por, duke mos qenë, a më saktë, duke mos e lënë të jetë një i vdekur i zakonshëm, është edhe rast për të thënë ca gjëra, që edhe pse jo me ndonjë qejf të madh, duhen thënë! Ndaj hapa dhe po u referohem shënimeve që mbajta vjet në këtë kohë, ndërsa po shikoja një emision televiziv të orëve të vona kushtuar shkrimtarit.

Dhe për fat të keq, ndodh shpesh që me të bërat tona, duke u përpjekur të vëmë vetulla, nxjerrim sytë. Mua kështu më ngjan se po ndodh me Teodorin. Filloi sidomos vitin që kaloi, në këtë kohë, kur ekranet e stacioneve më në zë të vendit u mbushën masivisht dhe gjatë me emrin e tij. Veçanërisht një emision shumë i ndjekur i një kanali kryesor televiziv, ku emra të njohur pjesëmarrës dy orë e mos më, para e gjer sa u thye mesnata, kontribuuan në dështimin e plotë të tij. Shkaku ishte se gjithë ajo ndërmarrje ishte thjesht një qokë, e denjë vetëm për odën e shtëpisë së të ndjerit, me rastin e kremtimit të përzishëm. Në asnjë mënyrë për një emision të atillë televiziv. Përgjumja e pazakontë e pjesëmarrësve në atë emision dhe konkludimi “me Dorin kena qenë çuna lagjeje” që tha dikush e që u bë emërues tërë kohën, pati vetëm një emër: spekulim me kockat e tjetrit. Shumëkush e kudo ka adhurim për njerëzit e letrave. Asnjëherë nuk është e tepërt të përmenden e të përkujtohen si njerëz dhe si krijues. Pa spaleta kauçuku, që ne fare pa të keq u vëmë të vdekurve dhe të gjallëve, pa e vrarë mendjen hiç për hierarkinë e shpatullave mbi të cilat i qepim ato spaleta. Se është mungesë respekti, në mos fare tallje, t’i thuash, fjala vjen, një kapteri:

“Hë gjeneral, si u gdhive sot?!”

Atë mesnatë veçanërisht, Teodori u poshtërua me lëvdata. Po më së shumti u përdor. Nga familjarët, ndoshta për t’i bërë reklamë tregu punëve të tij. Po kjo mund të bëhej në pak minuta, me plot sqimë, modesti e kulturë në një tjetër zhanër televiziv. Pushtimi pa asnjë skrupull, për më shumë se dy orë, i një ekrani kombëtar, prej një grushti njerëzish që e sundonin dhe ende e sundojnë në mënyrën më të pamerituar të mundshme botën e medias, për qëllime deri edhe thellësisht private, është një përdhunim i dyfishtë. I publikut dhe i Teodorit të ndjerë. Nuk mjaftojnë pak minuta, siç bëhet për të gjithë në faqen artistike të lajmeve. Jo. Duhen orë të tëra dhe auditor i zgjedhur, për të vënë spaletat e kauçukut mbi supet e bërë kokallë, po natyrisht, me atë rast, në mos fare me atë rast, edhe mbi supet e të gjallëve pas tij. Siç dihet e përdoren krupshëm te ne, këto kohë janë në modë spaletat e disidencës. Vdesim për to. Në mesditën para natës së emisionit që i referohem, mu brenda në selinë e parlamentit, një shkrimtari të shitshëm këto vite, Fatos Kongolit, iu tha mu në sy:

- “Je Sollzenicin, je Dostojevsk, je gjeni vëlla i dashur! Kupton, gjeeeniii!”.

Dhe nuk mbaj mend, u parapari apo u paspri dekorimi i tij në atë sallë, për ta cilësuar “K”-ja e dytë e letërsisë shqipe”. Domethënë “K” e parë Kadare, dhe paralel me të edhe… Kongoli(!)

Dorit, me sa duket, është lënë t’i thuhet gjeni vitin që vjen, i thashë vetes vjet. Dhe ashtu ndodhi vërtet, sivjet, para tri ditësh. Vjet u mjaftua me persekucionin e tij. Demede, paska punuar dy vjet në ish-uzinën “Traktori” kur mbaroi gjimnazin. Se diktatura ishte tmerrësisht gjakatare. Aha, pa kaluar dy vjet, nuk jepte dy të drejta studimi njëherësh për një familje(!) Puuu ç’diktaturë! Para kësaj superhataje, ç’mund të ishte Spaçi, Qafa e Barit, Burreli, kënetat dhe moçalet ku u dergjën dhe humbën pa nam e nishan dhjetëra mendje e pena të ndritura! Sigurisht që asgjë. Ndaj dhe për ndonjë prej tyre, vetëm është belbëzuar nëpër ekrane a Parlament. Por jo për nder të tyre. Jo! Bëhet për t’u nxirë faqen publikisht ca shkrimtarëve derëzinj deputetë, që nën presionin e sigurimit i klasifikonin revizioniste krijimet e kolegëve që ishin taksur për në litar e në plumb, kurbane për “Bajramin” komunist.
Dori u përdor. Sepse kur iu përmendën për persekutim dy vjetët punë në një uzinë, si çdo qytetar i zakonshëm, duhej përmendur edhe tjetra. Që vendi i redaktorit të poezisë në gazetën “Drita” u mbajt muaj të tërë vakant nga shkrimtari, po edhe qokaxhiu i madh, Agolli, kryetar Lidhjeje, për ta zënë Dori njëzet e pak vjeçar, por… “me mbiemër të konsoliduar”. S’ka gjë se mjeshtrit e poezisë si Dhori Qiriazi, Agim Shehu, Koçi Petriti, Sadik Bejko e të tjerë plot, dergjeshin provincave e fshatrave dhe i bënin temena djaloshit me të ardhme, për të botuar ca vargje në ndonjë cep faqeje të “Dritës”. S’ka gjë se të tjerë akoma, secili më gjeneral se tjetri, pasi lanë burgjet, e kishin të ndaluar edhe të ecnin në rrugën para Lidhjes, jo më të shihnin emrin në ndonjë cep gazete.

Dori s’kishte nevojë as me gjallje për spaletat e të persekutuarit. Por kanë nevojë miqtë e tij. Nevojë të ngutshme për të na treguar paturpësisht se edhe ata i kanë thyer brinjët diktaturës kur i botonin Dorit trimërisht ndonjë poezi me anije ku marinarët na i kërcënuakej mbytja, e ndaj edhe në ekuipazh mbizotëronte trishtimi. Ishte sistemi komunist anija që po mbytej, ishte metaforë disidence. Dhe ata, si botues disidentë që ishin, e botuan te “Zëri i Rinisë” dhe i futën pykën diktaturës, sa e rrëzuan fare. Ç’paturpësi para dëshmitarëve të gjallë për të kundërtën kategorike!

Dori u përdor dhe u poshtërua me lëvdata. Miqtë shkelën mbi kockat e tij, e përdorën për të na treguar grupimet e atëhershme, vetëkuptohet disidente, të poetëve e poetucëve, nga veriu në jug. Po askush nuk tha se çfarë mrekullie ndodhi, që këto çeta provincash zbarkuan, thuajse të gjithë brenda pak muajsh, në Tiranën e viteve ‘80 dhe bënë zap gjithë jetën letrare të kryeqytetit. Që rrasën në brez kyçet e gjithë zyrave ku merrte leje kalimin e censurës letërsia. Dhe sot kur gjuhët u zgjidhën shumë syresh, heshtin si mumia në piramidë, ndaj një kopeje me pseudonime spiunësh. Dhe shumica u përkasin cave që shesin dëngla disidence nëpër ekrane. Askush nuk tha dhe s’ka ndër mend ta thotë, pse shtypnin që në vezë çdo talent të shfaqur nga jashtë vathës së tyre dhe nga jashtë laboratorëve ku prodhoheshin me shumicë, ajkëra intelektuale nga mamuthët e Sigurimit.

Dori u përdor dhe u poshtërua me mendjelehtësi të pafalshme nga dashamirët dhe familjarët e tij. Sepse, pa dashjen kurrsesi të Dorit të gjallë, u qejfmbet për së vdekuri me kolegët e tij të letrave, ku e ku më të plotë e më të talentuar se ai. Zor të mos e besosh revoltën e tyre përballë këtij spekulimi. Sepse secili kujton veten nëpër dyert e televizioneve apo fondacioneve, duke kërkuar ca sekonda reklamë, apo ca qindarka si lëmoshë për të botuar ndonjë libër. E vënë veten qafëprerë përballë heshtjes prej shurdhmemeci të mediave, edhe kur ia dalin të botojnë vepra, ku e ku më të vlefshme, se të pipizanëve që përdhunojnë shijen e publikut, me pompa të neveritshme e të pasosura propagande. Sepse kyçet e ekraneve dhe të kasafortave të fondeve vazhdojnë të jenë në brezin e “mbiemrave të konsoliduar” dhe pinjollëve kokëboshë të përbindëshave të diktaturës, që sot mallkojnë pjellësen dhe rritësen e tyre.

Teodor Keko u përdor, sepse…

Lëre më mirë. Mjaft iu prish qetësia e amshimit. E kam njohur dhe unë mjaftueshëm, saqë kur të shkoj te të dashurit e mi në varreza, të kthehem te varri i tij e, duke djegur një cigare, t’i them:

- Na e bëj kabull, i dashur, po ti e di si janë punët e ne të gjallëve që jemi, akoma edhe ca kohë, në botën e këtejme!

Dhe i mirë siç ishte, do më thotë:

-    E mo varja, sa seriozisht i merr ca gjëra dhe ti!…

 

*Ky shkrim përfaqëson opinionin personal të autorit dhe jo domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë

4 Komente

Shkrim shume i mire. S'e njihja kete emer, Bllaci, por paska thene shume gjera. Na lodhen. Na shkaterruan fare. Kongoli, dostojevsk ?! Ehe, une napoleon atehere. Keko, gjeni ?! Hmm...

Debat i madh ky. Si te flasesh per njerez te vdekur ? Sot per sot, njihen dy qendrime te kunderta :

1 - nje i vdekur eshte dikush qe peson nje ndryshim substancial qe ne çastin e vdekjes : nga nje shkrimtar medioker, ne çastin t te vdekjes, kthehet automatikisht ne nje shkrimtar te jashtezakonshem. Nje i lig kthehet ne njeri te mire, qe i donte shoket e shoqet. Nje grindavec i padurueshem kthehet ne nje njeri qe e donte debatin. Nje fodull kollarebukur kthehet ne nje ajke te elites. etj. etj.

2 - qofte dhe ne çastin t te vdekjes, njerezit kane te drejte t'ia thone te gjitha te vdekurit, nqs ishte medioker, atehere ska pse fshihet kjo, duhet thene ishte medioker. Nqs ishte shkerdhate, mos ia perto fare, thuaj ishte shkerdhate.

Para ca javesh vdiq nje kritik letrar francez, Michel Polac. Ky, derisa u mplak e u be si i fandaksur, grindej me te gjithe. Libri yt s'ben dy leke, ti je nje shkrimtaruc, etj etj. Vdiq. S'dinin njerezit (koleget) ç'te thoshin : t'ia mbeshtillnin njehere : more mishel polaku, ke qene nje bir kurve ti ; apo t'i thoshin : syri yt i mprehte dinte te kapte gjera qe s'i shihnin te tjeret, ishe i drejtperdrejte, i sinqerte, dhe s'kishe frike te thoshe ç'mendoje.

S'dinin pra a ta zhysnin fare, a ta ngrinin ne qiell. Bela e madhe, ne kesi rastesh. Besoj e keni vene re dhe ju vete, kur na vdesin baballaret e nenalloret, gjithe mehalla duke te te thene : ah ç'burre ishte yt ate ! Burre zotni. Ska rendesi se ky burri zotni mund te kishte spiunuar njeçike andej nga drejtoria, ose nena jote zonje mund ta kishte pasur çike llaçken te gjate andej nga puna, duke u marre me thashetheme. Diten e vdekjes, e me pas, te pakten derisa te kaloje nje vit mbase, te vdekurit jane te mire, te paqte, me te miret i merr Zoti, thote fjala. Pastaj pas nje viti fillojne : he se s'ishte dhe aq burre i mire.

Por keto s'kane rendesi. Ne boten e letersise eshte ende me gallate.

Per çfare e ka fjalen ky? Cfare emisioni?

Cudi si nuk e shfrytezoi Bomi kete mundesi. Dha me mijra dekorata dhe Dorin e haroi!

Hu i nderuar . E gjej me vend komentin tuaj me ndonje pasaktesi psh si puna e moshes .

Psh po te te kishte ndodhur dikujt  kjo ne ate moshen kur thoshte  se ka qene "Kerric " ( larg qofte ....patjeter do thonim qe " Na la nje kerric qe gezonte Livadheve , kercente dhe Hidhte shkelme pa ja patur njeriu me te keq. Hante ne kulloten e vet dhe te shihte ne sy i permalluar "

Ama po te ndodhe ne kohen qe do te vije e natyrshme besoj nuk do thuhet Vdiq " kerici " .Po patjeter megjithse fjalet mund te zgjidhen , them se formula perafersisht do permbante thenie te lloit" Na la ai qe nga kerric u be Gomar se nuk kishte si te ndodhte ndryshe " . Kishte mesuar  shume gjuhe te lloit dhe pervecse hante ne kulloten e tij kishte marrre dhe zakonin qe qellonte me shkelma kedo qe i afrohej .

Dhe me patjeter ne punet e ( po shtoj pervec Letersise ) pra ne punen e Letrave punet vikan ndryshe ( po heq ate qeka me gallate )

Nga Keko ( NP ) me kane mbet ne pamje musteqet e mbajtura pa Kujdes . Pelqej shume ate tregimin me nje te Hetuar qe mendonte se si do perleshej me Hetuesin dhe .....kur e thirri AI i shpetoi pak shurra ! Me thene te drejten ka pas TALENT dhe ishte i pelqyeshem por e " Maskaroi Jeten personale " Ne shtrat nga fundi te shikonte me pergjerim ...Pse mua " por ne brendesi dallohej ai entuziazmi karkateristik dhe ajo me rendesishmja e tij Cinizmi ...E mo varja .Ne nje qafe do kalojme te gjithe "

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).