Vizitoj Ali Asllanin në shtëpi, bashkë me Odhise Paskalin dhe Myneverin. Ka tre muaj sëmurë nga një virozë dhe është e para herë që e vizitoj. Më vjen zor se nuk di si të çfajësohem që si shkova më parë. Po vetëm këto ditë e kam marrë vesh se është sëmurë, nga piktori Abdullah Cangonji, i cili më shoqëron dhe ai. Aliu është tretur e bërë sa një dorë. Tani është më mirë, thotë. Pjesa më e madhe e ujit që kishte mbështjellë në bark, i kaloi. Është për tu habitur se si e mban këtë sëmundje fatale, 84 vjeç (“jam 86 sipas hexhirës, thotë, i vitit 1299”). Nuk u qa për asgjë. Nuk më kërkoi as edhe ndihmë nga Lidhja, siç e ka pasur zakon. U gëzua shumë për vizitën dhe u tregua i një optimizmi të madh. Fol e qesh tërë kohën, ndonëse nuk e kishte lehtë të flasë.<--break->

Biseduam për shumë gjëra. Na tregoi se si vdiq Ismail Qemali dhe se si e varrosën në Kaninë. Odhise Paskali, që ka qenë ahere në Vlorë në shkollë, mbante mend edhe ai disa gjëra dhe aprovonte. Po kopjoj çtha, nga sa shkrova kur ai fliste (pasi i mora leje që të shënoj):
- Erdhi telegram në bashkinë e Vlorës, nga djemtë e Ismail Qemalit, se “babai vdiq dhe e ka lënë me testament që ta varrosnin në Vlorë”. I erdhi telegram i veçantë edhe vetë Ali Asllanit, po nga ata. Ai ishte kryetar i bashkisë, po dukej se djemtë e I. Qemalit nuk e dinin këtë. “I mora dhe i këndova të dy telegramet. I. Qemali kishte vdekur në Peruxhia. Mbas pak më erdhën në zyrë autoritetet italiane të pushtimit, që më dhanë edhe ata lajmin e vdekjes dhe më sollën ngushëllimet e tyre. Përjashta u hap lajmi se I. Qemalin e helmatisën italianët. Çtë bënim? Unë, Spiro Koleka, Qazim Koculi, Omer Haxhiu etj, sdinim si të veprojmë. U vendos që trupi i Ismail Qemalit të sillej në Vlorë më 9 shkurt. Ai kishte vdekur në 26 janar.


Erdhi dita. U bëra gati me të zeza (frak) dhe lajmërova popullin. Populli u derdh në skelë që në ora 9 të mëngjesit. Qëndruam tek është sot shtëpia muze e qeverisë së Vlorës. Komandanti italian i bazës navale më afrohet dhe më thotë: “Signor sindaco, accomodatevi”. Trupi ishte në ndërtesën në fjalë. U hap dera, hymë. Ushtarë të armatosur italianë qëndronin përbrenda në nderim, te porta, te qivuri lart. Qe një qivur i madh, shumë i bukur. E hapën, kur çtë shoh! Të vdekurit i kishin vënë flamurin italian! Unë, me delikatesë, i them komandantit italian se nuk mundem ta marr në dorëzim trupin ashtu, sepse “është flamuri i zotrissuaj, kurse ky njeri është ai që kujtohet tamam sepse ngriti flamurin tonë. Kam frikë se do të ofendohet populli dhe kjo do të jetë keq.” Ne u vonuam kështu dhe jashtë njerëzia filluan të ziejnë. Komandanti italian më thotë “Ne ja bëmë këtë gjë për respekt, gjer këtu. Ju mund të bëni si të doni.” Aty për aty u gjet një flamur i Shqipërisë dhe ja vumë, duke hequr italianin.


E vumë mbi një karrocë të hequr nga 6 kuaj dhe të përcjellë nga 6-700 ushtarë italianë përpara. E dërguam në Vlorë. Në mes të pazarit, te xhamia kundrejt Hotel Gordonit (kjo xhami u prish këto tre-katër vjet për të zgjeruar vendin) afër komandës italiane. Në një tribunë hipën e mbajtën fjalimin Qazim Koculi dhe Jani Minga. U bë dhe një fotografi. Pastaj u nisëm për Kaninë, në këmbë, popull i madh. E varrosëm në teqen e halvetinjve, pranë Ferit Pashës, me të cilin kishte shkuar thik e brisk.
Kur dolëm nga teqeja, vjen Elmaz Xhaver Kanina (Mustafaraj) dhe Mahmut Myftiu, të dy miq të ngushtë të I. Qemalit, pasanikë, dhe Elmazi na thotë të rrimë për darkë tek ai. U bëmë 20-25 vetë bashkë me të katër djemtë e I. Qemalit, të cilët kishin ardhur që nga Italia për të varrosur babanë (qenë Tahiri, Etemi, Qazimi dhe Qamili, ky më i vogli, 17-18 vjeç ahere). Pas buke më thonë të pyes qysh ngjau kjo vdekje e papritur dhe pyes djemtë e I. Qemalit.

Tahir beu tregon:
Ne e kalonim shumicën e kohës në Spanjë, kështu edhe babai, i cili deshi të rronte në një vend të papërzierë në luftë. Kur e pa se fitorja po anonte nga aleatët, babai nisi të shkojë edhe në Paris dendur. Ahere hyri në korrespondencë me Kristo Dakon që e ftonte me këmbëngulje në Amerikë për tu takuar me Uillsonin për punët e Shqipërisë. Babai e kish edhe ai këtë qëllim. Mirëpo Noli dhe Konica nisën një fushatë të madhe në shtyp dhe me anë letrash kundër atij qëllimi. Faik beu, siç e kish gojën të ndyrë, foli shumë keq e tha se Ismail Qemalit po i mbante “era thelë” nga Amerika. Babai fillon të hezitojë, ndërsa Dakua insistonte vazhdimisht. Ahere e vizitoi babanë ambasadori italian, i cili tha se qeveria italiane i dinte qëllimet e tij dhe e ftonte të kapërcejë nga Italia para se të nisej për Amerikë, se Italia është e interesuar për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Në Romë, ai do të takohej me kryeministrin Salandra dhe me ministrin e jashtëm Sonini. Babai nuk mund të refuzonte, sepse Italia ishte aleate e Amerikës e mund të prishte punë, po, nga ana tjetër, skish besim te italianët. Hezitoi dhe së fundi vendosi të kapërcejë nga Italia ndonëse kishte frikë se mos i dalin të pabesë italianët dhe e mbajnë në Romë. Kaloi një natë shumë të shqetësua para se të nisej së bashku me ne të katër djemtë.

Arritëm në Gjenevë, ku na priti prefekti i vendit dhe iu lut babait të urdhëronte në Peruxhia se Salandra dhe Sonini sqenë në Romë. “Ah! Më tradhtuat!”, u tha babai dhe kërkoi gazetarët që të bëjë një deklaratë, por gazetarët nuk erdhën. Me nderime dhe me tren të posaçëm vajtëm në Peruxhia dhe u vendosëm në një hotel. Atje qëndruam disa ditë dhe babai kërkoi prapë gazetarë, të cilët erdhën. Po atë kohë që i ngrit të flasë, për çudi nuk i lidhte dot mendimet! U çua dhe me ngut vajti në banjë prej ku dëgjuam të na thërrasë: “Evladëm! Evladëm!”. E gjetëm duke vjellë e duke pëgërë, e ngritëm dhe e vumë në shtrat. Të nesërmen vdiq dhe ne telegrafuam në Vlorë.


Kështu na ka treguar Tahir beu thotë Ali Asllani.


Unë përsëris çkam dëgjuar dhe nuk kam asnjë siguri se vërtet italianët e vranë I. Qemalin. Këtë se kam vërtetuar dot. Them siç dëgjova nga djali i tij i madh, Tahir beu dhe siç e dëgjuan aty dhe të tjerë. Populli besonte se e helmuan, po këto nuk thuheshin sheshit, se italianët qenë brenda në Vlorë dhe kishin një pjesë të mirë të jugut.
Djemtë e I. Qemalit nga Vlora, të nesërmen, pa pyetur njeri falënderuan me telegram Titonin se u pritën mirë në Vlorë. “Mua që isha kryetar bashkie, padashur, më dhanë kështu një dackë. Si tua bënim atyre njerëzve? Tu jepnim ndihma do ti bënin rrush e kumbulla nëpër kabaretë siç e kishin zakon. U dhamë pra vetëm disa shpenzime dhe i nisëm. Tëmën e kishin në Napoli ku rronte që kur Vidi i kishte lidhur 50 napolona në muaj. Ajo nuk e pa Ismailin kur vdiq dhe rronte vetëm.

Këto ja kam treguar edhe Skënder Luarasit, po ai i këmbeu. Unë sthem dot se italianët e helmuan siç më ka bërë ai të them në librin e tij mbi I. Qemalin. Më erdhi keq kur ja këndova dhe ja thashë. E pranoi se qe gabim shtypi. I kërkova deklaratë që unë si kam thënë një gjë të tillë; më tha se do ta ndreq gabimin kur të shkruaj një gjë më të gjatë për I. Qemalin. U zemëruam e u ftohëm. Skënder Luarasi ka shkruar se I. Qemali qe nisur të vijë në Shqipëri. Kjo nuk qe e mundur. Në Shqipëri qe pushtimi italian. Ai nuk donte të ishte nën Piacentinin, i cili do ta mbante si në kuvli të artë. Këtë i kishte propozuar edhe Esat Toptani I. Qemalit, po ky se pranoi dhe nuk i vajti.”
...
Kur u larguam nga shtëpia e Ali Asllanit, Odhise Paskali më tregoi: “Kur Ismail Qemali ngriti qeverinë e parë shqiptare në Vlorë, për shef policie vuri atje një fshatar trim, i cili punoi mirë. Kur Ismail Qemali do të largohej përfundimisht nga Vlora e thirri shefin e policisë dhe deshi ta marrë me vete, por shefi iu përgjigj: “Bej efendi, detyra ime është këtu, kurse ju duhet të largoheni.”

Dhimitër S. Shuteriqi
22/02/1966 

Milosao

8 Komente

shumë faleminderit për prurjen ilirjani

 Nderi i juaj Mirjamsmileypor falenderimet i takojne Dhimiter Shuteriqit qe ka dekumentuar nje intervist  te tille live me Ali Asllanin dhe Botimeve shqiptare qe u japin mundesi njerzeve (shqiptareve) te njohin me shume per figura ne hije si Ali Asllani psh. Keto lloje botimesh jane dokumente historike, pr mua. 

Shkrim me vlere....

Qe e kane helmuar pepinot kjo kuptohet por ne ate kohe ato kushte ishin dhe s'mund to benin ndonje autopsi per te kuptuar te verteten.

Nga vete fjalet e Ismail Qemalit “Ah! Më tradhtuat!” duket ashiqare se cfare ka ndodhur.

Mesa kuptohet edhe Noli me Konicen s'paskan luajtur rol shume pozitiv ne misjonin e tij.... paskan pasur synime per avdi personale edhe ata.....

Tu jepnim ndihma do ti bënin rrush e kumbulla nëpër kabaretë siç e kishin zakon. U dhamë pra vetëm disa shpenzime dhe i nisëm...

Citimi me i Pergjegjshem e me i pakundershtueshem nga asnje Fakt Historik qe kam lexuar ndonjehere per te portretizuar "Babaaret e Kombit " qe u dogjen ne sakrifica per Fe , Atme e Skypnije deri sa memzi mujten me i dhurue njat Kunoren e Skanderbegut shqipetarisht me "buke krype e zemer " xhuxhit Emanuel !.Jane pjesa e jastekut te enderrave te Sali Babasqap Vucidol Idiotit per I QIN VJETNUER te se Pamvartunes ku fjamuri do Ulet i gjys shtize e me pak , per nder te NM tij Zogjit , ymer paste me emer rruge , prona , mauzole dhe bust ,  pasi edhe ai qe i rralle qe shkriu pasurin  per Fe e per Atme !

`Eshte koha e maskarenjeve`kjo e sotmja, -e  ka thene shume mire Ali Asllani prej kohesh! Keta te sotmit maskarenjete e pushtetit jo pasuri kane shkrire per vendin e tyre por e kane rjepur dhe po e rjepin me keq se asnjehere ne historine e ketyre 100 vjeteve shtet te pavarur! 

http://www.youtube.com/watch?v=crYyp_lIbLk

Raporti i vdekjes së Ismail Qemalit

Për kundërshtarët e vjetër të Plakut të Vlorës, ndoshta R. Fallaschi e ka fjalën për personalitetet shqiptare, të cilat shkaktuan më 1913-n dorëheqjen e Ismail Qemalit si kryetar i qeverisë së parë të Shqipërisë dhe që tani ishin miq të Italisë. 
Që atëherë kanë kaluar 90 vjet. Përveç S. Luarasit dhe R. Fallaschi-t, me shkaqet e vdekjes së tij nuk është marrë më njeri. Ne, sigurisht, nuk jemi në gjendje të merremi me të. Për ne, më tepër se dyshimet e të parit dhe hamendjet e të dytit, hëpërhë mbetet për t‘u marrë në konsideratë raporti mjekësor i hartuar nga profesorët e spitalit të Peruxhas, në të cilin mbi vdekjen e Ismail Qemalit flitet thjesht për hemorragji cerebrale.

Mbi varrimin e parë

Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë. 

Nikolla Ivanaj në gazetën "Koha e Re", që nxirrte në Shkodër, kur qyteti ndodhej nën pushtimin ushtarak frëng, shkruante pesë ditë pas vdekjes së Ismail Qemalit, më 31 janar 1919: "Na mbërriti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës." Më tej: "Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të atdheut tonë." N. Ivanaj e mbyllte fjalën e tij: "Ne, sot i lutemi shpirtit të tij që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypej ende trupi e mendja e tij, më tepër se kurrë deri sot." 

Gazeta "Kuvendi", organ që dilte një herë në javë në Romë, nën drejtimin e Sotir Gjikës, në shqip e italisht, njoftonte më 8 shkurt 1919, vdekjen e Ismail Qemalit, me këto fjalë:

"Më 26 të janarit 1919, në hotel Brufani të qytetit Perugia (Itali), vdiq në duart e të bijve, Etem e Qazim, Ismail Qemal Bej Vlora, ish-kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë e tani përfaqësues në Europë i ‘Partisë Politike‘".

Shumësia e lëndës nuk na jep leje sot të merremi gjatë me biografinë e burrit të shtetit shqiptar. Padyshim, Ismail Qemali do të zërë një faqe të gjerë në historinë e Përlindjes shqiptare, se veçanërisht i shquar është roli që luajti ky burrë me mendje të madhe i farës sonë.

Ai pati fatin të ngrejë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e mëvetësisë shqiptare, ngjarje që e bëri të mbetet fytyrë historike, meritë të cilën nuk do t‘ia hedhin dot poshtë as kundërshtarët e tij më të rreptë.

Kuvendi merr pjesë në këtë zi kombëtare e i dërgon së fort të helmuarës familje të ndjesëpastit ngushëllime të përzemërta.
Qeveria italiane bëri, nga ana e saj, fort fisnikërisht, ç‘duhej për ta shpënë trupin e Ismail Qemalit në Vlorë".
Mihal Grameno, në një artikull me titull "Humbja e Ismail Qemalit", botuar më 12 mars 1919, në gazetën e tij "Koha" (Boston, Mass.), shkruante ndër të tjera:

"Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e Plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë anët e botës.
Ky lajm ishte si rrufeja edhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se humbi burrin më të madh që kishte nxjerrë, pas Skënderbeut, Shqipëria. Humbi diplomatin e madh e të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërrmoi zinxhirët e robërisë dhe që ngriti flamurin e Skënderbeut e shpalli vetëqeverimin e Shqipërisë.
Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruajmë veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur, përmbi altarin e atdheut."

Luftëtari rilindës përvijon në artikullin e tij këtë portret njerëzor për Plakun e Vlorës: "Tek Ismail Qemali përmblidheshin gjithë virtytet e mira, të cilat mund të gjenden në botë." (Gazeta "Koha", Boston, Mass., 12 mars 1919).

Për të treguar se kishte respekt ndaj Ismail Qemalit, qeveria e Romës mori përsipër ta zhvillonte varrimin e Plakut të Vlorës me ceremoni zyrtare dhe me shpenzimet e veta. Ajo iu përgjigj menjëherë ftesës së Bashkisë së Vlorës për ta përcjellë trupin e Ismail Qemalit për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë. Varrimi i burrit të shquar në Vlorë, që konsiderohej si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, përveç rëndësisë politike përmbante me vete edhe probleme politike. Vlora ndodhej nën pushtimin ushtarak italian. Veç kësaj, Roma e ndiente veten të sigurt, se me vendimin që do të merrte Konferenca e Paqes që po zhvillohej në Paris do ta aneksonte, në bazë të Traktatit të Londrës, qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj. Pasi ta aneksonte, ajo mendonte ta përfshinte krahinën e Vlorës në provincën italiane të Puljes. Por, në Vlorë ekzistonte një frymë e theksuar patriotike për rezistencë kundër synimeve italiane. Sikurse pohon një dëshmitar i kohës, Sali Hallkokondi, në një punim të botuar në vitin 1923, komanda italiane e pushtimit e kishte ndaluar që më 17 maj 1916 përdorimin e flamurit shqiptar në Vlorë, kurse më 20 gusht 1916 e kishte nxjerrë jashtë ligjit (Sali Hallkokondi, "Historia e Shqipërisë së Re", Vlorë 1923, fq. 241). 

Dy muaj para vdekjes së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1918, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë Kombëtare, në Vlorë shpërtheu një demonstratë patriotike, gjatë së cilës Avni Rustemi dhe Bajram Hallkoja në fjalimet që mbajtën dënuan synimet imperialiste të Romës ndaj Vlorës (Sali Hallkokondi, "Historia e Shqipërisë së Re", Vlorë 1923, fq. 241-242). Si pasojë e kësaj demonstrate, me dhjetëra qytetarë qenë burgosur dhe jo pak figura të shquara ishin internuar në ishullin e Sazanit. Në mënyrë të veçantë, komanda e trup-ekspeditës ushtarake italiane në Vlorë me në krye gjeneralin Settimio Piacentini druheshin se ardhja e arkivolit me trupin e Ismail Qemalit në Vlorë do të shërbente si shkëndijë për manifestime të reja patriotike. Si rrjedhim, ajo tregonte shumë kujdes në organizimin e procesionit të varrimit të trupit të Ismail Qemalit në vendlindje dhe në qytetin ku ai kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Këshilli bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qendror të qytetit, pranë selisë ku ishte shpallur më 28 Nëntor 1912 Pavarësia Kombëtare e Shqipërisë.

 Por, komanda ushtarake italiane, duke u kapur pas projektit ende në studim të rregullimit të sheshit qendror të qytetit, nguli këmbë që trupi të vendosej në kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë vendosur stërgjyshërit e Ismail Qemalit, pinjollët e familjes Sinanaj apo të Sinanpashallarëve, gjatë shekujve të kaluar. Madje, ajo vetë mori përsipër organizimin e ceremonisë së varrimit, por vuri si kusht që gjatë procesionit të mos shpalosej asnjë flamur kombëtar shqiptar dhe të mos kishte shpërthime patriotike. Ajo kërkoi gjithashtu të censuronte dhe fjalimet e përmortshme që do të mbaheshin. Pas disa debatesh u arrit marrëveshja e komandës italiane me këshillin bashkiak shqiptar, që gjatë kortezhit vetëm arkivoli të ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. Kryesia e bashkisë, nga ana e saj, me qëllim që t‘i kryente homazh të madh birit të shquar të Vlorës dhe të Shqipërisë, një homazh të madh pa incidente, të cilat mund të prishnin varrimin, u lëshoi një thirrje qytetarëve dhe fshatarëve të zonës së okupuar që të merrnin pjesë në varrim jo me flamurin kombëtar në dorë, por ta nderonin në heshtje patriotin e madh me praninë e tyre sa më të shumtë gjatë ceremonisë së varrimit.

Në të vërtetë, kështu ndodhi. Nga Peruxha, trupi i pajetë i Ismail Qemalit, i cili fill pas vdekjes u balsamos, i shoqëruar nga djemtë e tij, u nis drejt Brindisit. Aty u vendos mbi luftanijen italiane "Alpino" dhe arriti në Vlorë në mbrëmjen e 10 shkurtit 1919. Atë natë arkivoli u vendos në komandën ushtarake italiane që ndodhej në skelë. Aty qëndroi dy ditë. 

Ceremonia e varrimit u krye dy ditë më pas, ditën e mërkurë më 12 shkurt 1919. Përcjellja e trupit nga skela filloi në orën 10.00 paradite. Aty qenë të grumbulluar gjithë popullsia e Vlorës, si edhe reparte ushtarake italiane me bandën e tyre muzikore. Kortezhin e prinin 12 kurora lulesh të dërguara nga populli i Vlorës, organet e qarkut e të krahinës së Vlorës, shkollat fillore të qytetit, qyteti i Fierit, shoqëria "Djelmoshat e Vlorës". Një nga kurorat ishte e gazetës "Kuvendi", në të cilën thuhej: "Ismail Qemal Vlorës! Diplomatit të vlerët". Edhe në këtë formulim shihej censura italiane, e cila lejonte që Ismail Qemali të nderohej jo si patriot, as si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, por si "diplomat i vlerët".
Kur kortezhi u nis nga skela për në qytet, në krye qëndronin anëtarët e shoqërisë "Djelmoshat e Vlorës", që mbanin kurorat. Pas kurorave vinin anëtarë të tjerë të "Shoqërisë djaloshare". Pas tyre vinte banda ushtarake, e cila ekzekutonte melodinë e përmortshme "Jone" të kompozitorit italian Petrella. 

Më tutje, një grup ushtarësh të regjimentit të 86, si dhe një repart italian mitraljerësh. Pas tyre vinte karroca që mbante arkivolin e mbështjellë me flamurin kombëtar. Karrocën e tërhiqnin gjashtë kuaj të murrmë. Anës karrocës ecnin dy rreshta ushtarësh. Më pas vinin hoxhallarët. Pas tyre tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj vinte gjenerali Settimio Piacentini, kundëradmirali Lubetti, autoritetet ushtarake e civile të krahinës, parësia e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave fillore të qytetit dhe një tufë ushtarësh kalorësie.
Duke ecur me hap të ngadalshëm, kortezhi i përmortshëm arriti në qytet. Atë ditë, thotë korrespondenti i gazetës "Kuvendi", Vlora ishte në zi. Tregu ishte mbyllur. Në dyqane qenë ngjitur letra nekrologjie me rrip të zi anash, ku ishte shkruar: "Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemalin." Duket se flamurin kombëtar të ndaluar nga komanda e pushtimit, qytetarët vlonjatë e zëvendësuan me nderimin nëpërmjet shpalljeve nekrologjike për Ismail Qemalin, "patriotin e madh".

Nëpër dyert dhe dritaret e shtëpive, shkruante korrespondenti, kishin dalë gra dhe vajza, për të nderuar "Plakun e Shqipërisë", disa nga të cilat e kishin njohur në rini. Kur arriti në tregun e qytetit kortezhi u ndal. Aty u mbajtën dy fjalime të përmortshme. Mbi ceremoninë e varrimit kemi dy burime historike - një nga autoritetet ushtarake italiane të pushtimit, tjetrën nga kujtime qytetarësh vlonjatë të atyre kohëve.
Në lidhje me këtë ceremoni, gjenerali S. Piacentini i raportonte Ministrisë së Jashtme të Romës po atë mbrëmje: se anija luftarake "Alpino" arriti në skelë mbrëmjen e ditës së hënë më 10 shkurt 1919; se më 12 shkurt ora 10.00 paradite u krye ceremonia e varrimit; se arkivoli me trupin e Ismail Qemalit u nis nga skela në orën 10.00 paradite; se sipas programit të parashikuar, mori pjesë batalioni i këmbësorisë së ushtrisë italiane me muzikë e flamuj. 

Ai nënvizonte se nuk pati "asnjë flamur shqiptar, përveç atij që mbulonte arkivolin. U mbajtën dy fjalime nga paria shqiptare, të cilat, theksonte gjenerali italian, më ishin bërë të njohura më parë (sigurisht për t‘i censuruar - F. B.). Pjesëmarrja ishte e madhe. Rregulli qe maksimal. Nuk pati asnjë incident."

Autori R. Fallaschi, i cili ka botuar relacionin e S. Piacentini-t, shënon nga ana e vet se "mbushesh me hidhërim mbi varrimin e Ismail Qemalit, kur mendon se në qytetin e tij të lindjes, ku vetëm gjashtë vjet më parë patrioti i madh shpalli pavarësinë e Shqipërisë me entuziazmin e kombit dhe me pëlqimin e Italisë, tani ai nderohej jo nga ushtarë të vendit të tij, por nga trupat ushtarake italiane e që i vetmi flamur shqiptar i pranishëm ishte ai që mbulonte arkivolin e tij." Pjesë nga ditari i komandës italiane në Vlorë.

Edhe pse mungonte aty ushtria shqiptare, në orën e varrimit tërë popullsia e qytetit dhe e rrethit qe rreshtuar anës rrugës nga skela në Kaninë nga do të kalonte arkivoli, ndërsa fshatarët mbushën dhe kodrat. Sipas dëshmitarëve nga mizëria e fshatarëve kodrat dukeshin si koshere bletësh.

Gjenerali italian nuk na thotë se cilët qenë dy personalitetet që mbajtën fjalimet e përmortshme në tregun e qytetit. Emrat e tyre i njofton korrespondenti i gazetës "Kuvendi". Ata qenë Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, dy delegatë që kishin marrë pjesë bashkë me Ismail Qemalin si përfaqësues të Vlorës në Kuvendin Historik që shpalli Pavarësinë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912. Madje, ai na jep edhe fjalimet e tyre.
Vlorë, 12 shkurt 1919. Pamje nga ceremonia e varrimit të Ismail Qemalit.

Jani Minga tha ndër të tjera: "Popull i përzishëm!

Shumë të brengosur dhe shumë të vrenjtur të shoh sot. Jani Minga

Vallë ç‘gjëmë e tmerrshme të ka ngjarë e ç‘mandatë të zezë ke dëgjuar? Pyes me pikëllim shpirti. Pyes me zemër të dridhur. Po mjerisht kudo ku rrotulloj sytë, kudo ku mbaj veshët një zë përgjigjet për çdo anë, nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar dëgjohet "Vdiq Ismail Qemali! Vdiq Plaku i Vlorës! Plaku i Shqipërisë!" Heu! Thuaj më mirë o i mjerë popull "vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburoja më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë europiane."

Nga fjala që mbajti Qazim Kokoshi përpara trupit të Ismail Qemalit, shkëputim këto rreshta: "Helmi dhe dëshpërimi që goditi gjithë bashkatdhetarët nga kjo gjëmë ishin aq të mëdha sa na pëlqente në ditën e shpalljes së pavarësisë Kombëtare, që të mos ta besonim, donim të shpresonim që lajmi të mos ishte i vërtetë dhe Ismail Qemali të mos kishte vdekur që kësisoj ai me gjalljen e tij të mund të kryente plotësisht qëllimin e shenjtë që kishte filluar që në kohën e djalërisë dhe për të cilin kishte marrë në sy pësimet e mërgimin me shumë rreziqe, me shumë rruajtje e të këqija. Qazim Kokoshi. Por, mjerisht, këto shpresa nuk u vërtetuan pse thonjtë e tmerruar të vdekjes e rrëmbyen Ismail Qemalin. Një e tillë humbje, sidomos në një kohë kur atdheu i tij priste shërbimin më të madh, priste nga fuqia e mendjes së tij kurorëzimin e të drejtave dhe të dëshirave kombëtare, një e tillë mynxyrë, në një kohë të tillë, kur fati i të gjorit komb shqiptar është duke u shqyer përjetë, na duket se e shton helmin e dëshpërimin tonë më shumë se çdo herë."
Qazim Kokoshi e mbylli fjalën e tij kështu: "Ismail bej!

Të përunjemi dhe të sigurojmë që Shqipëria, ndonëse e vogël, e varfër dhe e paditur, të çmon dhe kujtimin tënd do ta ketë si rrënjë të idealit të saj."

Pas fjalimit të tyre, ushtria italiane i bëri nderimin e fundit Ismail Qemalit, duke ekzekutuar himnin mbretëror, sigurisht të Italisë. Që këtej reparti i kalorësisë italiane së bashku me të parët e fesë, parësinë e qytetit e një masë e madhe qytetarësh vlonjatë e shoqëruan arkivolin drejt e në Kaninë, ku u varros. Në këtë mënyrë mori fund dhe ceremonia e varrimit.

Shqiperia. com

 

 

Shum interesante ky shkrimi mbi varrimin e Plakut te Pavarsise. 

Kjo periudha e aktivitetit te Ismail Qemalit mbas pavarsise se Shqiperise dhe deri ne vdekjen e tij ne janar te 1919 eshte pak si ne erresire, shume konspirative,  per shumicen e shqiptareve, ne lidhje me Ismail Qemalin, situata te veshtira te krijuara nga vet shqiptaret, por mbi te gjitha nga fqinjet, italianet, ne kete rast, ja kishin bere me te veshtire jeten atij e me gjithe ate sic dihet Ismail Qemali nuk e kishte ndaluar veprimtarine e tij per kombin shqiptar, me gjithe se ishte dhe i moshuar , .. une e besoj qe ate e helmuan italianet, ne ate kohe Vlora ishte nen pushtimin itaian, te cilet edhe pse  Shqiperia ishte e pavarur ligjerisht defakto ishte e pushtuar nga italia dhe  influenca te ndryshme te fuqive te ndryshme si italia, franca serbie, greqia etj ..

Ai fakti ku italianet perciellin trupin e Ismail Qemalit me flamur shqiptar tregon me se miri influencen e madhe te zotrimit te plote, perpjekejeve per tu imponuar shqiptareve identitetin e tyre.. Vlora ishte e pushtuar, dhe sic shikohet asnje flamur shqiptar ne cermonine e varrimit nuk lejohej nga italianet me perjashtim te atij qe kishte mbuluar trupin e Ismail Qemalit edhe kjo, vetm me insistimin e kryetarit te Bashkise se Vlores Ali Asllanit! ....fill me pas sic e dime kemi luften e Vlores me 1920 kur shqiptaret hodhen ne det italianet me Salam Musane ne krye..

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).