Edhe unë e kam lexuar “Getsbin e madh”

DHURATA SHEHRI

Po të lexosh librat që lexojnë të gjithë, do të mendosh vetëm si mendojnë të tjerët. Ajo është bota e provincialëve dhe përtacëve”. Kështu flet një nga personazhet e romanit “Pylli norvegjez”. A ka të drejtë? Ndoshta mund të bashkohemi me mendimin e tij, po të lexojmë librat që lexojnë të gjithë. Ndoshta mund të mos biem dakord me të paradoksalisht duke lexuar “Pyllin norvegjez”, romanin e Haruki Murakamit, një copëz nga letërsia më e mirë e përkthyer në shqip këto vitet e fundit, brenda të cilit gjenden të shkruara edhe frazat e lartcituara. Personazhi në fjalë i përzgjedh autorët për t’u lexuar vetëm ndër ata që kanë vdekur të paktën tridhjetë vjet më parë. Por bën një përjashtim për Fritxerald-in, ai ka vetëm 28 vjet që ka vdekur.
“Po ç’janë dy vjet, asgjë!”
Ky roman vjen i përkthyer mjeshtërisht nga Etta Klosi vetëm 25 vjet pas botimit të parë.
“Po ç’janë 25 vjet, asgjë!
Në pamje të parë, romani “Pylli norvegjez” është vetëm një ndër romanet e shumta të letërsisë botërore që vjen në shqip me vonesën e zakonshme që kërkon rruga e gjatë për këtu. Kjo vonesë nuk është as më e madhe se ajo e vetë “Getsbit të madh” sa për të na bërë përshtypje. Mbërritja është domethënëse, letrat shqipe po hapin dyert për një letërsi pa funksion social, e për këtë rroftë “moda”, nëse na bën të dukemi më pak “provincialë”, rroftë edhe “përtacia”, që na bën të lexojmë (pa u lodhur për ta gjetur vetë) më në fund, atë që lexon “gjithë bota”. Lexuesi shqiptar ka nevojë të hollojë shijet me një letërsi, pa i bërë vetes pyetjet vrastare: “Çfarë ka dashur të thotë autori? Apo, cili është mesazhi i veprës? Me këtë libër nuk ka shans.
Romani “Pylli norvegjez” është i mbushur me zgjedhje “të çuditshme”, zgjedhje personale, zgjedhje që të bëjnë të harrosh se po lexon një libër “që e lexojnë të gjithë”, të harrosh se njëkohësisht me ta po bëhesh pjesë e botës. Nëpër rreshta zbulon një letërsi aq letërsi sa nuk e ndien si të tillë, ku pesha e fiksionit zhduket përtej kufijve të katarsisit. Saç mund të flasësh për personazhe, mund të flasësh edhe për njerëz. Është nga ata lloj librash për të cilët mund të flasësh sikur i ke jetuar dhe jo sikur i ke lexuar. Personazhet nuk kanë peshë, kanë veprim, veprimi nuk ka ngjarje, ngjarja është vetë rrëfimi i ngjarjes, rrëfimi i ngjarjes është zbrazja e një hapësire për të mbushur një tjetër, është thjesht kalim i kohës, duke hapur një gropë të madhe diku brenda e larg njëkohësisht, vdekjen. Vdekja merr trajtat e jetës dhe e modelon rrëfimin si e tillë. Kjo e bën ngjarjen jo ngjarje, pasi vdekja është pjesë e jetës. Ajo e bën rrëfimin jo rrëfim, sepse të rrëfesh për vdekjen do të thotë të mos e jetosh atë. Gjithçka ndodh edhe shumë shpejt, edhe shumë ngadalë. Sikur asgjë nuk ka peshë, pasi ka një peshë të madhe, peshën e asgjësë, të mosgjësë, vdekjen e dikujt. A mos është kjo shpejtësia e jetës apo e vdekjes, apo e rrëfimit?
Thelbi i rrëfimit në këtë roman është e pathënëshmja, e pashqiptueshmja. Personazhet (njerëzit) nuk gjejnë dot fjalët për t’u shprehur, e nga kjo vuajnë. Ka ndodhur diçka e magjishme, romani ka arritur të shkruhet, dhe nuk është pak.
Të jesh në gjendje të luash muzikë për veten tënde, të jesh në gjendje të shndërrosh mendimet në fjalë në një letër: këtë bëjnë personazhet e Murakamit, dhe kjo është e mrekullueshme. Kur lexon se dielli u duket se lind përsëri ndërsa dëgjojnë këngën “Here comes the sun”, ti e beson. Nëse shkrimtari është një lloj pianisti apo letërshkruesi i lumtur me veten që kujtohet se di t’i bjerë pianos apo se mund ta shkruajë një letër, po kaq të lumtur mund ta bëjë edhe lexuesin. Këtë lumturi mund të provojë çdo lexues i romanit, edhe ai shqiptar, aq sa të deklarojë pa u mburrur: Edhe unë e kam lexuar “Getsbin e madh” (Pyllin  norvegjez). Ai, autori, apo cilado instancë e padukshme që ka pasur lumturinë të shkruajë, e ka ngjizur dashurinë për veten përmes dashurisë për letërsinë, më e thjeshta e më e rralla ngjarje sot. Pra, “Pylli norvegjez” flet për… pyllin norvegjez.

4 Komente

rrofsh për prurjen lefti

Edhe une i kam lexuar te dy keto romane para dhjete vjeteve...

Great Gastby eshte nje roman classic qe ze vend sublim ne letersine perendimore. Te gjithe duhet ta lexojne, edhe robt me te trashe, edhe per mode... dicka do tu mbetet ne mendje... pastaj Gastby i madh kishte dhe nje dekorate heroike nga mbreteria e Malit te Zi... smiley

Kurse ky Murakami eshte i lezetshem per momentin kur e lexon e te stimulon trurin, por pas dhjete vjetesh nuk mbaj mend asgje nga kinezerirat e tij... (Apo japonezerirat e tij... ) smiley... (nje rob qe rritet i vuajtur shume, shpirterisht... edhe me ne fund pallon nje plake...)

Ne vend te tij lexoni, "Catcher in the Rye"... "Kapesi ne theker" ... e ka perkthyer njeri Salinxherin mo, apo nuk i ka ardh moda akoma n'shqypni?

Sa e lexova Drurin Norvegjez (ku e gjeten pyllin). Them se Pjeri jone eshte tepke murakam kur tregon se si nderton buken me sallam e djathe. 

PS Fritxerald???

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).