“Diçka e ndershme dhe moralisht e drejtë” mund të ishte shpjegimi në shqip i “fair”. Por, në të ka dhe një dozë respekti për qenësinë e tjetrit. Ka dhe paanshmëri. Ka brenda dhe moral, dhe ligj. Por vetë këto dy fjalë janë duke u holluar pak nga pak ...

Një ngjarje që ka kaluar me pak jehonë është gjyqi që antitrusti amerikan ka ngritur kundër Apple dhe 5 kompanive të mëdha botuese të librave sepse kishin bërë një marrëveshje të fshehtë për të mbajtur të lartë çmimin e librave elektronikë duke bërë që blerësit të humbisnin miliona dollarë. 

Kjo gjë tek ne ndodh rëndom.Që nga çmimi i karburantit deri tek çmimi i biletave të avionit, nga ushqimet e skaduara tek banesat me çmime anormale, mund të rreshtohen raste të pafundme ku ajo që paguan individi nuk i përgjigjet një tregu të hapur, duke dëmtuar në radhë të parë atë më të pambrojturin, atë që jep dhe paratë. 

Marrëdhënien mes të fuqishmëve dhe të pafuqishmëve, mes të pasurve e të varfërve, mes konspiracionistëve (thuhet që vendimet u morën në darka luksoze e të fshehta në Manhattan) e individit, e përkufizoi në gjyq fjalia e thënë nga prokurori i çështjes së këtij komploti, i cili e quajti fiksimin e çmimeve nga botuesit dhe kompania Apple si “not fair” ndaj blerësve të librave. 

Kjo gjë tek ne nuk ndodh kurrë. 

Lajmi në vetvete ka shumë elemente përmes të cilave mund të zbulosh disa shtresa të realitetit të shoqërisë së sotme perëndimore. Por mua më intereson pjesa “fair”, një fjalë për të cilën nuk gjeta dot në shqip një fjalë korresponduese të mirëfilltë. 

Fair - fer, një fjalë e pamjaftueshme në shqip 

“Diçka e ndershme dhe moralisht e drejtë” mund të ishte shpjegimi në shqip i “fair”. Por, në të ka dhe një dozë respekti për qenësinë e tjetrit. Ka dhe paanshmëri. Ka brenda dhe moral, dhe ligj. 

Por, si fjala “e ndershme” dhe fjala “e drejtë” nuk e japin kuptimin e gjithësishëm dhe ngarkesën sociale që mbart fjala anglisht “fair”. Vetë këto dy fjalë janë duke u holluar pak nga pak nga konkretësia e tyre në shqip.Duket sikur shqipja nuk e mbart dot fjalën e mirëfilltë “fair” në trungun e saj. Fundja gjuha ushqen vetëm fjalët që i nevojiten për komunikimin e përditshëm e funksional të shoqërisë. Edhe në anglisht fjalën ‘fair’ mund ta shpjegosh më mirë me atë që ajo nuk është. ‘Fair’ është të mospasurit e paragjykimit, padrejtësisë, anshmërisë e pandershmërisë. 

Në Kosovë e përdorin të shqipëruar nga anglishtja, “fer”. 

Në shqip, sa herë dikush bën një veprim “fair” zakonisht themi, “njeri i mirë”. Unë besoj se të qenit fer është një normë thelbësore e shoqërisë njerëzore – ajo i përmbledh dhe vëllazërinë, dhe barazinë dhe lirinë. Fundja dhe liria, është një nga atributet më fer të marrëdhënieve mes shoqërisë dhe individit. Stalini mund të ketë qenë një njeri i lirë në vetvete, por askush nuk e percepton si të tillë. Liria vetë, mbase është standard kolektiv më shumë sesa individual. Pra fair-i i përmbledh të treja elementet e shoqërisë demokratike perëndimore: vëllazërinë, barazinë e lirinë. 

Të qenit ‘fer’ do duhej të ishte një normë ligjore e morale, nga më të fortat. Tek ne është diçka opsionale. Një përjashtim nga rregulli. Në Shqipëri të qenit fer është një opsion që e kanë pak vetë, ata që siç thashë, kur veprojnë fer, ne i shohim me syrin e “njeriut të mirë”. Diçka jashtë normales. Gjuha jonë nuk ka një fjalë për ‘fair’ sepse ajo ne ekziston brenda nesh si normë shoqërore. 

Shoqëria e individëve jo fer 

Të qenit fer na mungon që në qelizë. Në Shqipëri, pritshmëria nga çdo marrëdhënie është që individi 1 pritet ta abuzojë individin 2. Ose, ky i fundit, mundet të përfitojë nga individi 1. Kur dy shqiptarë ulen përballë njëri-tjetrit për të hyrë në një marrëdhënie, gjëja që mendon secili është “ku po ma fut tjetri”. Kemi arritur në pikën që dhe kur dikush na thotë ‘mirëmëngjes’ ne vrasim mendjen ‘pse na e tha’, ‘çfarë ka ndër mend’, ‘ku deshi me dalë me këtë’. Në të tëra marrëdhëniet tona, kur punësojmë dikë ose punësohemi diku, kur formojmë një ortakëri në biznes, kur dikush troket në një zyrë për të zgjidhur një hall, në të tëra hallkat, ka pak gjasa që vendimi që të merret të jetë fer. Dhe jo vetëm fer sipas ligjeve, por edhe sipas një ndjenje të brendshme morale, që qytetarët duhen trajtuar ‘fer’. Jo më kot, fair play në një program komik ishte transformuar në ferr play. 

Ferri i familjeve jo fer 

Gra që qepen për të garantuar diçka që një burrë çuditërisht vazhdon e kërkon me ngulm; burra që dhunojnë e deri dhe trafikojnë bashkëshortet. Kjo është familja jonë jo-fair. Vajzat e vogla që vijnë shpesh të dytat, pas vëllezërve, në prioritetet financiare e të së ardhmes. Shpesh, janë zgjedhja e dytë që në bark. Sigurisht, jo të tëra familjet shqiptare janë kështu. Por, dhe në familjet më të mira mund të gjeni më shumë se një marrëdhënie jo-fer. Vetë fraza e vrazhdë “goca është e botës” është një premisë e trajtimit jo fair brenda familjes. Një familje jo fair, një shkollim jo fair, individë që shkolla e jetës u mëson se ‘life is not fair’, dhe ja ku jemi, kombi që nuk ka një fjalë adeguate për ‘fair’. Një komb që ashtu dhe qeveriset. 

Ferri i politikës 

Politika shqiptare, si biznesi më i kollajtë dhe trafiku më jo-fair i vlerave në këtë vend, është zanafilla e politikave të pandershme, e vendimmarrjeve të padrejta, dhe e përcjelljes së kulturës së abuzimit me më të dobëtin në të tërë nivelet shoqërore. Rama që hesht mbas Gërdecit, Meta me zë e figurë, Kryeministri në çdo gjë që bën, deputetët që shiten, poste që trafikohen, thasët me miell, vota që blihen a vidhen, kjo është politika e dhimbjes. Shtetasit i marrin vesh të gjitha këto, por, zyrtarisht ato nuk ekzistojnë. Ato nuk ekzistojnë sepse instrumentet e së vërtetës, mediat, luajnë vetë një lojë të pistë, jo fer. 

Ferri i së vërtetës 

Praktikisht, kryetarët e partive më të pasura (nuk do e keni kollaj për të imagjinuar listën) ndërhyjnë deri dhe personalisht për të diktuar linjat editoriale, madje edhe se çfarë nuk duhet të transmetohet në edicionet e lajmeve. Gazetarë emisionesh marrin zarfet përkatëse për të promovuar jashtë çdo etike e logjike gazetareske parti apo individë të caktuar. Pastaj janë dhe ata që shkruajnë me porosi. Benefitet që gëzon një grup mediatik sot, të tjerët shpresojnë t’i gëzojnë nesër, kur të vijnë ata (!!) në pushtet. Sepse, mediat dhe individët në krye të saj, e kanë shndërruar misionin e tyre në “ardhje në pushtet”. 

Nga të gjitha ferret e në shoqërie jo fair, kjo e së vërtetës është më e trishtueshmja. Sepse deformimi që na kanë bërë, jo thjesht deformimi i së vërtetës, por deformimi i mënyrës sesi na kanë sforcuar ta perceptojmë të vërtetën, është krimi më i madh kundër qenies sonë njerëzore. 

Mbi këtë deformim ngrihet ngadhnjyese politika e dhimbjes dhe pushteti i disa të privilegjuarve. Dhe kjo nuk mund të kalohet vetëm me një tundje koke dhe duke shqiptuar se “vetë jeta nuk është fair”. 

Life is not ferr 

Fraza e parapëlqyer në perëndim, ‘life is not fair’ na çon të besojmë se kështu është gjithandej. Individët që i shmangen të qenit ‘fair’ nuk mund të mungojnë në një shoqëri konsumi e cila të sulmon me nocionin e ‘loser’-it dhe ‘winner’it. Të pasurve u intereson vetëm fitimi. Fitimet ekstra nga fiksimi i çmimit të librave nuk u shkonin shkrimtarëve por shtëpive botuese. I vetmi ndryshim është se “gjithandej” shoqëria përpiqet të vërë ekuilibrues, qoftë mediat, shoqëria civile apo dhe institucionet (si anti-trusti amerikan). Tek ne kjo gjë nuk ndodh, sepse duket sikur ne nuk e ndjejmë që është e drejtë thelbësore njerëzore të qenit i trajtuar ‘fair’. Nuk është nderi që na e bën një njeri ‘i mirë’. Është diçka që na takon. “Blerësit kanë të drejtë të trajtohen ‘fair’” tha prokurori i anti-trustit. 

The ferr idol 

Ah, dhe një gjë e fundit. Ka diçka shumë jo fer në mënyrën sesi ngrihen idhujt. E meqë njeriu qenka kaq i prirur e jorezistent ndaj idolatrisë, për të gjithë fansat e Steve Jobsit, ai ishte pjesë e këtij komploti kundër publikut.

6 Komente

Naivitet feminor. Fair eshte drejtesi. Ne Shqip fraza qe u lodhe te shpegoje (life is not fair) eshte 'E drejta nuk gjendet asnjehere". I njejti kuptim.

Shoqerine e kane krijuar njerezit, edhe cdo gje eshte Fair/e drejte, sepse ne e krijuam. Naivet edhe te dobtit e shikojne si padrejtesi. Pardrejtesira na ndodhin te gjitheve, po te gjithe ne apo te paret tane si njesi kemi ndikur ne krijimin e ketyre veprimeve qe duken unfair. Edhe njerezimit si gjithesi (jo si individ) gjithmone i ndodh ajo qe meriton. Korr ate qe mbolli, edhe kjo eshte shume e drejte/ fair.

Ty te duket e padrejte qe Apple dhe shtepite botuse vendosin cfare cmimi te shesin librin? Eshte qesharake ta mendosh, sepse si ti si une si shumica e njerezve qe meren me Apple kane ndikuar ne kete. Apple i pergjigjet aksionereve, aksioneret jane te njejtit njerez qe blejne edhe librin me cmimin e sajuar edhe kerkojne fitime kolosale nga Apple. Apple vendoset ne nje pozite te tille nga shoqeria qe kerkon fitim. Ne (shoqeria) e krijojme kete "padrejtesi" duke kerkuar fitime pa kufi.

Keto qurravitjet per shperndarjen e fitimeve jane shume te lodhshme.

Ne fakt edhe une (i habitur, se shqipja eshte te pakten dy here me e pasur se anglishtja) pyeta gocen se ç'do te thote kjo fjale, dhe me tha; Drejte, Drejtesi,  megjithate artikulli ishte i pelqyeshem smiley

Fair - fer, një fjalë e pamjaftueshme në shqip 

“Diçka e ndershme dhe moralisht e drejtë” mund të ishte shpjegimi në shqip i “fair”. Por, në të ka dhe një dozë respekti për qenësinë e tjetrit. Ka dhe paanshmëri. Ka brenda dhe moral, dhe ligj.

Normal fair jo rastesisht perdoret edhe per bjondet. Dhe  bjondet natyrale statistikisht/padrejtesisht/fatkeqesisht sa vijne e po rrallohen.

UAT AR JU TOKING EBAUT ?

Ne fakt ka te drejte autorja. Fjala fair nuk perkthehet ne shqip. Autorja megjithate nuk I ka bere pershkrim shume te mire. Fjala fair pershkruan ate qe I takon moralisht sejciles pale. Nuk me vjen ndermend nje fjal e tille ne shqip. Fjala drejtesi-drejte ne anglisht eshte justice- just dhe jo fair. 

Cdo gjuhe ka fjale te tilla qe veshtire te perkthehen ne nje gjuhe tjeter. Shqipja psh mund te kete me qindra fjale qe nuk perkthehen dot ne anglisht.

Puna eshte se ne shqip dhe ne Shqiperi nuk ekzistojne gjera te tilla te panevojshme si nder, drejtesi, moral. Si rrjedhim edhe fjale per to nuk mund te ekzistojne, sepse nuk mund te kete fjale qe te pershkruajne gjerat inekzistente ne Shqiperi

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).