Kompozim, kompozim, ky është i vetmi përkufizim i artit. Një kompozim i gjetur, i arrirë e i ekuilibruar, të jep ndjesi estetike, ajo çka nuk është e kompozuar nuk është vepër arti. Të kompozuarit brenda parametrave apo udhëheqësive estetike është një vepër e shprehjes së ndjesive. Vetëm një kompozim i tillë meriton të quhet plotësisht kompozim. Teknika është ajo që individualizon ndjesinë e artitstit. 

Në çdo vepër arti, teknika është diçka e brendshme, një potencë individuale e cila si një forcë kontribuese ka ardhur në jetë, është gjallëruar nëpërmjet artistit në punën e tij. Ai mund ta përdorë këtë potencialitet në mënyrë të drejtë apo të gabuar, por ajo është atje, dhe është subjekti që e bën të ligjshme prezencën e saj, kështu që ai nuk mund ta injorojë atë. 

Ndërsa marrëdhënia mes dy planeve, planit të kompozimit teknik dhe atij estetik, nuk rresht së ndryshuari historikisht. Përtej jetëgjatësisë së materialit që është vetëm relative, ndijimi është i një rendi tjetër, dhe zotëron një lloj ekzistence në vetvete për sa kohë që materiali reziston. 

Pra marrëdhënia e ndijimit me materialin duhet të vlerësohet brenda kufijve të jetëgjatësisë së materialit, cilido qoftë. 

Nëse ka progres në art, kjo ndodh sepse arti nuk mund të jetojë pa krijuar percepte (rrokjen në një trajtë të caktuar të dukurive si zhurmën, ngjyrën etj.) dhe afekte (emocione të forta) të rinj, të kuptuar si ndryshime niveli e shkalle. Në këtë aspekt, dallimi mes dy gjëndjeve të veprës së artit, merr një pamje krejt tjetër, estetike dhe jo më teknike, qartësisht ky dallim nuk shpie më te të qenit të artit "përfytyrues ose jo" pasi asnjë art, asnjë ndijim, nuk ka qenë ndonjëherë përfytyrues (diçka që krijohet në mendje, duke u mbështetur në të dhënat e botës së jashtme). 

Në rastin e parë, ndijimi realizohet apo mishërohet në material dhe nuk mund të ekzistojë jashtë këtij realizimi. 

Në rastin e dytë nuk realizohet ndijimi në material por më tepër se kaq, tejçohet materiali në ndijim, duke ju bashkëngjitur planit estetik. Ky është momenti në të cilin figurat e artit çlirohen nga ndonjë transhendencë e dukshme (diçka që shkon përtej diturisë së zakonshme, që nuk mund të zbulohet nëpërmjet eksperiencës praktike) apo prej ndonjë modeli paradigmatik (rregulli apo modeli të pandryshuar për të pranuar ateizmin e tyre të pafajshëm, paganizmin). Dhe padyshim që mes dy rasteve, mes këtyre dy gjëndjeve të ndijimit, këtyre dy poleve të teknikës, realizohen vazhdimisht kalime, kombinime dhe bashkëjetesa, më shumë se lëvizje realisht të dallueshme prej njëri-tjetrit, ata janë pole abstrakte. 

Për Mondrianin u tha ishte piktor i thellësisë, ndërsa për Seurat si piktor që përkufizon pikturën "si artin e gërmimit të sipërfaqes". Pikturë që nuk ka më të sheshtë, pasi e "poshtmja" del sipër; sipërfaqja është e gërmueshme, pirgëzohet, përshkohet, ngrihet, paloset. Nuk pikturohet më "mbi" por "nën". 

Arti informal (që nuk mbështetet te forma e jashtme) i ka çuar shumë larg këto fuqi të reja të strukturës së thurjes së sipërfaqeve, këtë ngritje dheu si te Dubuffet, dhe gjithashtu ekspresionizmi abstrakt, arti minimal, që veprojnë përmes rilevimesh, fibrash me shtresa, ose duke përdorur napë, puplinë ose tyl në atë mase sa piktori p.sh. mund të pikturojë pas tabllosë së tij, në gjendje verbërie. Me artin e Hantait ( ) palosjet, rilevimet, i fshehin syve të piktorit ato çka i zbulojnë vështrimit të spektatorëve fill pas këtyre shpalosjeve. Sido që të jetë dhe në të gjitha gjendjet e saj, piktura (thotë Deleuze) është mendim: të parët është mendim, dhe syri mendon më shumë sesa dëgjon. 

Herbert Damish (autori që ka insistuar më tepër në lidhje me marrëdhëniet art - mendim dhe pikturë - mendim, dhe po në të njëjtën mënyrë që kërkonte të ndërtonte Dubuffet-ja) transformoi trashësinë, relievin e planit në një koncept të vërtetë kur tregoi sesi posaçërisht thurja mund të përbënte për pikturën e ardhshme, të njëjtin shërbim që kryente deri tashmë perspektiva. 

Po ashtu, nga letërsia te muzika afirmohet një trashësi materiale që s'lejon asnjë reduktim në ndonjë thellësi formale. Kemi të bëjmë me një trajtë karakteristike të letërsisë moderne kur fjalët dhe sintaksa ngjiten në planin e kompozimit dhe gërmojnë në vend që të përpunojnë vëniet e tij në perspektivë. 

E njejta gjë dhe me muzikën kur heq dorë nga projektimi, si me perspektivat që shtrojnë lartësinë, temperamentin dhe kromatizmin, për ti dhënë planit tingëllor një trashësi të përveçme, të cilën e dëshmojnë elementë shumë të ndryshëm: evoluimi i etydeve për piano, që pushojnë se qeni vetëm teknikë dhe transformohen në "etyde kompozimi" (sidomos në shtrirjen që u jep Debussy); rëndësia vendimtare që merr orkestrimi te Berlioz; ngritja e timbreve te Stravinski dhe Boulez; shpërhapja e afekteve të instrumenteve të perkusionit me metale, lëkura e dru, si dhe kombinimet me instrumente frymorë me qëllim formimin e blloqeve të pandashëm të materialit; ripërkufizimi i perceptit në lidhje me zhurmën, me tingullin brut dhe kompleks (Cage); jo vetëm zgjerimi i kromatizmit nëpër dimensione të tjerë veç atij të lartësisë, por prirja për shfaqjen jokromatike të tingullit brenda një vazhdimësie të pafundme (muzikë elektronike ose elektro-akustike). 

Ka vetëm një plan, sepse arti nuk sjell dot ndonjë të dytë veç atij të kompozimit estetik, efektivisht plani teknik mbulohet ose përthithet domosdoshmërisht prej planit të kompozimit estetik. Vetëm duke realizuar këtë kusht, materiali bëhet shprehës: një kompozim i shprehur nëpërmjet ndijimeve realizohet brenda materialit ose materiali bëhet pjesë apo mishërohet në kompozim, por në mënyrë të tillë që të vendoset gjithnjë në planin e kompozimit tejet estetik. 

Ekzistojnë vërtetë probleme teknike në art dhe shkenca mund të ndërhyjë në zgjidhjen e tyre, por, ata shtrohen vetëm në funksion të problemeve të kompozimit estetik që kanë të bëjnë me kompozimet apo të kompozuarit e ndijimit si dhe me planin e lidhur me materialet e tyre. 

Çdo ndijim është një pyetje më vete, edhe pse vetëm heshtja i përgjigjet. Problemi në art qëndron gjithnjë në gjetjen se cili "monument" do të ngrihet mbi një plan të caktuar, ose çfarë plani duhet të nderet nën këmbët e një "monumenti" të dhënë, apo edhe të dy veprimet njëherësh: kështu që kemi tek Klee "monumentin në skaj të vendit pjellor" dhe "monumentin në vend pjellor". A nuk kemi plane të ndryshme po aq sa kemi dhe universe, autorë ose vepra? Në fakt, universet, nga njeri art në tjetrin po aq sa brenda të njejtit art mund të derivohen prej njeri tjetrit ose të bien brenda kapjesh reciproke duke formuar konstelacione universesh, pavarësisht prej çdo derivimi por edhe duke u shpërndarë nëpër mjegulla meteoritësh ose sisteme yjore të ndryshëm, në distanca cilësore që nuk kanë më përkatësi hapësire e kohe. Mbi linjat e tyre të arratisjes yjet vargëzohen ose ndahen, në atë masë që një plan i vetëm u përgjigjet universeve të shumtë e të pareduktueshëm. 

Gjithçka luhet (përfshirë këtu edhe teknika) mes të kompozuarit të ndijimeve dhe planit të kompozimit estetik. Por, ky plan nuk është as i pari mes të tjerëve, në formën e tij të vullnetshme, të parakonceptuar dhe pa asnjë lidhje me ndonjë program, por nuk është as i fundit, edhe pse ndërgjegjësimi kërkon kohë dhe ngjallet shpesh me goditje të mëpasme. Qyteti nuk vjen pas shtëpisë, as kozmosi pas territorit. Universi nuk vjen pas figurës dhe figura është aftësi universi. Kemi shkuar kështu nga ndijimi i kompozuar në planin e kompozimit, por vetëm për të nxjerrë në pah bashkëjetesën ose komplementaritetin e tyre të qartë, ku njeri shkon përpara veç falë tjetrit. 

Ndijimi i përbërë kështu nga perceptet dhe afektet ç'territorializon sistemin e opinionit që bashkonte perceptimet dhe afektimet dominuese të një mjedisi natyror, historik dhe shoqëror. Por, ndijimi i përbërë riterritorializohet në planin e kompozimit sepse aty ngre shtëpitë e tij, sepse aty shfaqet në kuadre të ndërfutur ose blloqe të bashkuara që lokalizojnë përbërësit, peizazhet e kthyera në percepte të kulluara, personazhe të kthyera në afekte të kulluara. 

Dhe njëherazi plani i kompozimit çon në një ç'territorializim më të lartë, duke shtyrë drejt një çkuadrimi që e çan dhe e hap mbi një kozmos të pafund. Ndodh te Pessoa ku ndijimi nuk mund të gjejë vend mbi plan pa e shtriqur, pa e shtrirë mbi Tokën mbarë, pa çliruar tërë ndijimet që ai vetë përmban: hap ose çaj, barazo të pafundmen. Vallë kjo është e vetvetishme për artin, të kalojë nga e fundmja për të rigjetur e ridhënë të pafundmen. Arti do të krijojë të fundme që rijep të pafundme: skicon një plan kompozimi, i cili nga ana e tij, mbart "monumente" ose ndijime të përbëra nën veprimin e figurave estetike. 

Damisch, ka analizuar saktësisht tabllonë e Klee-së, "Baraz pafundësi". Sigurisht këtu nuk kemi alegori, por gjestin e të pikturuarit që shfaqet si pikturë. Na duket sikur njollat e murrme, duke vallëzuar nëpër anë e duke e përshkuar pëlhurën, janë kalesa e pafundme e kaosit, mbjellja e pikave mbi pëlhurë, e ndarë prej shkopthash, është ndijimi i përbërë e i fundëm, por që hapet mbi planin e kompozimit duke na dhënë pafundësinë. 

Megjithatë, nuk duhet të besojmë se arti është një lloj sinteze e filozofisë me shkencën, e udhës së pafundme me atë të fundme. Të tri udhët janë specifike, e drejtpërdrejtë secila prej tyre, dhe dallohen nga natyra e planit dhe asaj çka i popullon ata. Të mendosh do të thotë të mendosh përmes konceptesh, ose përmes funksionesh,ose përmes ndijimesh, por asnjeri prej këtyre mendimeve nuk është më i mirë se të tjerët, as më plotësisht dhe më denjësisht apo më sintetikisht i "menduar". Kuadrot e artit, nuk janë koordinata shkencore, po aq ndijimet nuk janë koncepte dhe as e anasjellta. 

Dy përpjekjet më të fundit për të afruar artin me filozofinë, janë arti abstrakt dhe arti konceptual; por, këto forma s'mund ta zëvendësojnë dot ndijimin me konceptin, sepse ato krijojnë ndijime dhe koncepte. 

- Arti abstrakt kërkon vetëm të bëjë më të hollë ndijimin, t'i heqë materie duke nderur një plan kompozimi arkitektonik ku ndijim do të bëhej një qenie e kulluar shpirtërore, një lëndë ndriçuese, mendimtare dhe e menduar, ku në vend të ndijimit të detit ose pemës, të kemi ndijimin e konceptit të detit ose të konceptit të pemës. 

- Arti konceptual orvatet për një heqje materie, por në të kundërt, duke e përgjithësuar, duke ndërtuar një plan kompozimi mjaft të asgjësuar (katalogu që përmbledh veprat e padëftuara kurrë, dheu i mbuluar prej hartës së vet, hapësirat e braktisura pa arkitekturë, plani "flatbed" (të shtypura në makinë shtypi) me qëllim që gjithçka të marrë aty një vlerë ndijimi të riprodhueshëm pafundësisht: gjërat, imazhet ose klishetë, pohimet - një send dhe fotografia e tij në të njejtën shkallë dhe në të njejtin vend si dhe përkufizimi i tij i nxjerrë prej fjalorit. 

Por megjithatë, nuk është e sigurt se do të mbërrijmë në këtë rast të fundit as konceptin dhe as ndijimin, sepse plani i kompozimit kërkon të bëhet "informativ" dhe sepse ndijimi varet nga "opinioni" i thjeshtë i një spektatori, të cilit i përket mundësia të "materializojë" ose jo, domethënë të vendosë nëse kemi të bëjmë me art apo jo. 

Kaq shumë lodhje për të gjetur në pafundësi sërish perceptime dhe afektime të rëndomta, dhe t'ia sjellim konceptin ndonjë forme të doksës, së trupit shoqëror ose të metropolit të madh amerikan. 

Tre mendimet kryqëzohen, ngërthehen, por pa sintezë dhe njejtësim. Filozofia ngjall ngjarje me konceptet e saj, arti ngreh "monumente" me ndijimet e tij, shkenca ndërton gjendje gjërash me funksionet e veta. Një thurje e pasur korrespondencash mund të vendoset midis këtyre planeve. 

Por rrjeti ka pikat e tij kulmore aty ku ndijimi bëhet vetvetiu ndijim i konceptit ose i funksionit, ku koncepti bëhet vetvetiu koncept i ndijimit ose i funksionit, aty ku funksioni bëhet vetiu funksion i konceptit dhe i ndijimit. Dhe njëri nga elementet s'ka se si të shfaqet nëse tjetri nuk premton se do të shfaqet në të ardhmen, gjithsesi ende i papërcaktuar dhe i panjohur. 

Çdo element i krijuar mbi një plan i bën thirrje elementëve të tjerë heterogjenë që mbeten për t'u krijuar mbi planet e tjerë: mendimi si heterogjenezë (që ka veti apo tipare të ndryshme nga burimi e nga përmbajtja). Është e vërtetë se këto pika kulmore mbartin dy rreziqe të skajshme: ose do t'na hedhin në opinionin prej nga kërkonim të dilnim, ose të na gremisin në kaosin që donim te përballnim. 

 

Përktheu: Vlash Prifti

Milosao

Shkëputur nga libri "Ç'ËSHTË FILOZOFIA" i autorëve: Gilles DELEUZE dhe Felix GUATTARI - 2008

7 Komente

Filozofia, arti, shkenca...

Konceptet, ndijimet, funksionet...

Hmmmm... smiley

Falemnderit per prurjen. Keta jane kritike te veshtire per t'u marre vesh dhe perkthyesi gjithsesi meriton pergezime per perpjekjen.

Por termat kyce te teorise se tyre duhej te kishin nje forme disi tjeter ne shqip. E kam fjalen per "c'territorializoj" dhe "c'territorializim". Pikesepari, nuk mund te jene me apostrof (!). E dyta, pse jo "deterritorializoj" dhe "deterritorializim"?

 

"Ç'eshte filozofia?" eshte botuar ne 2008 ne shqip nga shtepia botuese Zenit, perkthyer nga Elvis Hoxha. Teksti me lart i perket faqeve 242-252, por ka plot shkurtime dhe shtremberime. Te gazeta me duket se thuhej "pergatiti: Vlash Prifti" dhe jo "perktheu", megjithate pergatitja per botim ne gazete s'do te thote te deformosh perkthimin e librit te 2008-es (nga ku sipas vete gazetes eshte shkeputur teksti), as te heqe e te shtoje fraza e paragrafe te tere se keshtu i duket e udhes Vlashit. E meqe edhe vete Vlashi e kupton qe e ka tepruar dhe eshte larguar nga autori, na e kujton ne mes te tekstit se ende behet fjale per Deleuze-in dhe tak, kalon ne ligjerate te zhdrejte, thua se po shkruan ndonje esse te veten: "Sido që të jetë dhe në të gjitha gjendjet e saj, piktura (thotë Deleuze) është mendim"

Me kete rast e morem vesh se edhe te Milosao qenka qelb muhabeti!

* meqe ra fjala, te libri i botuar nga Zenit eshte "çterritorializim" dhe jo "ç'territorializim"

Nderhyrje me shume vend, Dora M. Kuptohet, gjithnje nese gjerat qendrojne ashtu sic i ke pershkruar ti me lart. Eshte e papranueshme qe te vendoset nje emer tjeter aty ne vend te emrit te perkthyesit fillestar, vec nese eshte riperkthyer, por qe s'duket te kete gjasa. Po keshtu heqja e paragrafeve te tere nuk shkon, aq me teper ne nje tekst si ky, me kete lloj dendesie tezash dhe mendimi.

Plus kjo mania e pasheruar per ta shkruar "esse" me dy "s"! Si te tjere qe shkruajne "rrace" me dy "r" ose rr te forte.

Dora M.,

Eshte e udhes qe te nderprisni çdo bashkepunim me çdo lloj media (gazete, TV, radio) e cila shtremberon fjalet e atij qe e ka me te drejte autori. Ne kete rast, perkthyesit. Mundet qe nje here gazeta te fuse duart, por do te ishte e dhimbshme qe kjo te perseritet me dhjetra here. Nese autoret apo perkthyesit nuk i vendosin gazetes kushtin e qarte, pa asnje shtermangie, se ka vetem dy rruge :

O E BOTONI KESHTU SI ESHTE

O MOS E BOTONI FARE,

kam frike pra se keto lloj befasirash te "kendshme" do t'ju ndjekin hap pas hapi. Nuk po arrihet te krijohet nje edukate pune me gazetat apo mediat e tjera qe NUK FUTEN DUART aq lehte neper punet e tjetrit. Tjetrit i behet nje sugjerim, nje keshille, nje rekomandim, por kurrsesi dikush pa lidhje te marre nismen nga vetja qe te beje sallate nje tekst.

Sidoqofte, teksti me lart, megjithe deshiren e mire per te ngulmuar, ishte vertet i lodhshem. Guattari, nuk e njoh si shkrim, si emer po, ndersa Deleuze e njoh dhe lexuar dhe perkthyer. Por ai nuk flet keshtu, Deleuze ka qene nje pedagog i rralle, i nje kuptueshmerie te veçante, studentet shtyheshin te merrnin shenime ne leksionet e tij, dhe ishte kenaqesi ta degjoje. Mbase ketu me lart eshte dora e Guattarit, shume te rende e paska.

Gjithe te mirat.

@Në çdo vepër arti, teknika është diçka e brendshme, një potencë individuale e cila si një forcë kontribuese ka ardhur në jetë, është gjallëruar nëpërmjet artistit në punën e tij.

Pra "teknika" mesa kuptoj, perkufizohet si   dicka e brendshme , trashedentale.Ndoshta eshte fjala per aftesite. Kurse ne kemi nje kuptim tjeter per "tekniken" e cila ne pikture  lidhet me materialin  dhe zhanrin (vaj, akuarel, istalacion), ne skulpture ( gips, mermer, gur, metal)  Me tej ne shkrimi thuhet plani teknik, problemet teknike  etj.

Pa qartesuar dhe perkufizuar konceptet baze, krijohet nje sallate fshati. Mangesia besoj eshte e perkthyesit .

C'behet keshtu more aman. Edhe kur perkthehet libri persembari prapeseprape del dikush tani dhe e ngaterron.

 

Shume keq dhe shume jo korrekte nga Milosao. 

 

C'eshte filozofia? eshte botuar nga Shtepia Botuese "ZENIT", ne vitin 2008.  E ka perkthyer profesori i filozofise Elvis Hoxha. Gjendet ne cdo librari ne Tirane, me duket se dhe ne Prishtine dhe Tetove. Se di pse nuk i respektojne punet keta njerez. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).